
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një masë të përkohshme, pezullimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e këtij institucioni.
Vendimi i Kushtetueses së Kosovës është publikuar vetëm pak çaste më parë në faqen e internetit të institucionit, ndërkohë që kjo çështje ishte dërguar për vlerësim në organin më të lartë të drejtësisë nga Presidentja Atifete Jahjaga.
Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet ndër të tjera se, “në seancën e mbajtur më 10 nëntor 2015, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi një masë të përkohshme në kërkesën e paraqitur nga Presidentja e Republikës së Kosovës Lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së ‘Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë - Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore’ me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dhe ka publikuar vendimin për masë të përkohshme, me të cilin pezullon implementimin e çfarëdo veprimi të mëtejshëm ligjor, në bazë të “parimeve të përgjithshme/elementet kryesore” të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Ky vendim për masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm, që do të nxirret nga gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës.
/ Top Channel