Re: Konti i Monte Kristos!
I dënuari me burgim të përjetshëm për 5 vrasje, Gazmend Brraka, mohon të ketë “kurdisur” arratisjen nga tuneli
Gaxhai: Nuk ishte ky plani i arratisë që kisha premtuar
TIRANË – Gazmend Brraka mohon të ketë gisht në planin e arratisjes nga burgu 302. “Nuk ka asgjë të vërtetë në atë çfarë është thënë deri tani”. Këto janë fjalët e të vetëquajturit Gaxhai, të transmetuara nëpërmjet avokatit të tij Mark Pëllumbi. “Kam komunikuar me klientin tim nga telefoni i burgut dhe më tha se ishte shumë i revoltuar në lidhje me dyshimet e ngritura kundër tij, për hapjen e kanalit që u gjend në oborrin e 302-shit”, -tha Pëllumbi dje për “Shekullin”. Gazmend Brraka, i dënuar tashmë me burgim të përjetshëm me vendim të formës së prerë, ka në procedim një tjetër gjyq në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në seancën e ardhshme të këtij gjyqi, Gaxhai i ka premtuar avokatit të tij se do të mbajë një konferencë për shtyp për gazetarët, ku do të rrëfejë “pafajësinë” e tij në lidhje me tunelin.
Gaxhai
“Është e vërtetë që klienti im ka thënë se do ta provojë sërish arratisjen, por këtë radhë nuk ka qenë ai që e ka përgatitur terrenin pranë burgut 302”,- thotë avokati Pëllumbi. Ai mohon edhe se klienti i tij kishte qenë në takim special me gruan, ditën e zbulimit të tunelit, më 4 shkurt të këtij viti. “Ky nuk ishte plani i arratisë, që unë kisha premtuar se do ta realizoja”,-mësohet t’i ketë thënë Gazmend Brraka avokatit Pëllumbi, pas dyshimeve të publikuara në media se plani i arratisjes ishte i organizuar nga Gaxhai. Sipas hetimeve të deritanishme, të burgosurit që kishin menduar të arratiseshin nëpërmjet një tuneli të nëndheshëm, që fillonte nga dyqani i luleve dhe përfundonte në mjediset e jashtme të burgut 302. Tuneli i hapur katër metra në brendësi të oborrit të burgut, u gjend rastësisht pas rrëshqitjes së dheut, gjë që u diktua nga njëri prej gardianëve.
Tuneli i arratisë
Gardianët që diktuan tunelin 11 metra të gjatë, kanë lajmëruar menjëherë drejtorin e burgu 302, Petrit Ismailajn dhe me ndihmën e policisë, kanë zbuluar planin e arratisjes. Qeni i policisë, i futur fillimisht në tunel ka provuar se dalja ishte poshtë banakut të dyqanit të luleve. Largësia e dyqanit me qelinë e takimeve speciale ka qenë rreth 30 metra, ndërkohë që kanali ishte hapur 11 metra, 4 prej të cilave kishin hyrë në oborrin e burgut. Pranë burgut 302, vuajnë dënimin numri më i madh i personazheve të ngjarjeve më të rënda në vendin tonë, duke filluar që nga Gaxhai, Jaho Salihi, Agim Pepa, Elidon Kotorri, Sokol Koçiu apo i vetëquajturi “Kartela”. Më i famshmi për tentativat e tij të arratisjes ka qenë Gaxhai, ndaj edhe dyshimet kanë rënë tek ai. Gaxhai ka tentuar të arratisej në mars të vitit 2002, nga burgu i Bënçës në Tepelenë, ndërkohë që largimin e tij e kishte menduar me anë të kërcënimit me armë të gardianëve. Në burgun e Bënçës, Gaxhait dhe Kartelës u janë gjetur një arsenal i tërë armësh dhe municionesh. Ndërsa në gusht të po të njëjtit vit, Gazmend Brraka tentoi të ikte nga burgu 302, së bashku me gjashtë të dënuar të tjera, ndër të cilët edhe Kartela. Për këtë rast arratisjeje, u gjykuan edhe 11 punonjës të burgut, të akuzuar për implikim në planin e arratisjes. “Ngaqë klienti im është njëri prej më të rrezikshmëve në arratisje, kanë menduar se mund të ishte ai që po e kurdiste edhe këtë plan”, -tha dje Pëllmbi, i cili e vlerëson të pamunduar ndërmarrjen e një aksioni të tillë nga Gaxhai. Sipas avokatit, së bashku me disa “të fortë” të tjerë, Gaxhai është i mbyllur në një prej qelive të katit të dytë të burgut 302, “Për të dalë deri në oborr ku u zbulua kanali, atij do t’i duhej të dilte nga qelia, nga kati e nga godina e në njërin prej këtyre segmenteve, do të diktohej”, -thotë avokati Pëllumbi, në emër të klientit të tij, të dënuar me burgim të përjetshëm.
Gazmend Brraka
I njohuri me emrin “Gaxhai” është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit. Ai u dënua për vrasjen e dy personave, ndërkohë që vazhdon gjykimi për ngjarjet e vitit 1997
TAULANT BALLIU
Njihet si anëtar i bandës së Tan Kateshit. Është dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasjen e 5 personave në qytetin e Elbasanit. E ka çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut, për dënim pa avokat
SOKOL KOÇIU
Ish-kreu i policisë gjyqësore është dënuar me 15 vjet burg për trafik kokaine dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. Emri i tij është lakuar pas publikimit të përgjimit Nano-Abdiu
JAHO SALIHI
Është dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Jaho Salihi vuan dënimin në burgun 302, ndërkohë që është në proces për vrasje të tjera
AGIM PEPA
Është dënuar me burgim të përjetshëm vitin e kaluar, për vrasjen e komisarit Gani Malushi dhe shoferit të tij, Gjovalin Ndreu. Pepa ka mundur të shpëtojë për shumë muaj, derisa u vetëdorëzua
08/02/2005