Re: KOMENTE PAS-ZGJEDHORE
Amorale
Autori: Armir Shkurti
Besoj se më amorale se këtë herë nuk janë bërë ndonjëherë zgjedhje në Shqipëri. Së pari, shumica dërrmuese e zgjedhësve edhe sot e kësaj dite nuk ka marrë vesh se si ka votuar dhe se çfarë rëndësie kishte proporcionali e mazhoritari. Thuajse të gjithë kandidatët dhe drejtuesit e partive kanë hequr pikën e zezë për të shpjeguar fshat më fshat e lagje më lagje se porosia e partive të mëdha ishte që vota në mazhoritar t’u jepej kandidatëve të PD-së apo PS-së, ndërsa në proporcional partive aleate. Pas lodhjes e ngjirjes pa bukë, ditët e fundit puna u zgjidh thjesht: partitë ndanë fletushkat “voto nr. X te fleta e verdhë dhe nr.Y te fleta e kaltër”. Kështu që ai që shkon te kutia nuk ka nevojë ta vrasë mendjen gjatë...Nga ana tjetër, shumica e partive të vogla zbatuan listat e hapura në proporcional, që do të thotë se deputet zgjidheshin kandidatët e zonave ku partia grumbullonte numrin më të madh të votave. Në këto kushte, në mënyrë paradoksale, gara u zhvillua brenda llojit dhe jo me kandidatët e forcave të tjetra politike. Teorikisht kandidatit të një partie X nuk i interesonte nëse fitonte apo jo kundërshtari i një partie Y, po nëse shokët e partisë X që konkuronin në zonat e tjera, merrnim më pak se ai. Vetëm kështu ai ngjitej në krye të listët së partisë dhe bëhej deputet.
Një humbje tjetër morali kanë qenë edhe dallavaret brenda koalicioneve. Diku hapur e diku nën rrogoz, partitë e mëdha kanë përkrahur njërën forcë politike në kurriz të të tjerave, pavarësisht se në letër dhe në publik janë shprehur për barazi brenda koalicionit. Punën e koklaviti më tej vendosja e kandidatëve të PD-së dhe PS-së në listën e partive aleate. Në këtë mënyrë strukturat e socialistëve dhe demokratëve bënë propagandë për kandidatin përkatës, por edhe për partinë aleate, ku kandidonte “kollovari”. Kjo politikë “me miell hua” e çoriditi skenën politike në atë farë feje pas 3 korrikut, sa vështirë ta marrë vesh qeni të zotin: u ngritën në renditjen politike forca fantazmë dhe u fundosën parti dhe grupime me kontribut real në politikë. Edhe kjo tabelë e çuditshme e renditjes është një tjetër amoralitet i votimit të fundit. Kaq paradoskale qenë ndarjet, aleancat dhe interesat, sa LZHK-ja, përfaqësuese e së djathtës tradicionale, u quajt patericë e Fatos Nanos (pra e së majtës), dhe LSI-ja, që pretendon se përfaqëson moralin dhe interesat e së majtës tradicionale, u damkos si aleate e Berishës (pra e së djathtës)!
Në gjithë këtë tollovi, mungesa e moralit u përcoll edhe te votuesi i zakonshëm: socialisti i thjeshtë, i mësuar të votojë për kandidatët rozë dhe për siglën PS me emrin Fatos Nano përbri, me gjysmë zemre u detyrua të votojë për PAA-në e Xhuvelit apo për PDS-në e Milos, PSD-në e Gjinushit... Po ashtu, edhe votuesit blu shihnin me mosbesim kur u thoshe se është porosi e Berishës të mos votosh për PD-në, por për aleatët. Edhe ata u detyruan të votojnë me porosi e jo me mend e me zemër. Një tjetër bjerrje morali qe edhe vota hibride e majtë-e djathtë. Duke lejuar dy vota njëkohësisht, “Dushku” të jepte mundësinë që në njërën fletë të votoje për kadidatin e njërit krah, ndërsa në fletën tjetër për partinë e krahut tjetër. Pra, zgjedhësi shqiptari u ftua jo për një, por për dy vota njëkohësisht. Unë nuk e di se sa i qetë është ndier një qytetar që ka hedhur votën për kandidatin demokrat dhe për LSI-në, PSD-në, PAA-në etj., apo për kandidatin socialist dhe për LZHK-në, PR-në, apo edhe PD-në. Ka shumë të ngjarë se ky amoralitet bëri që në zona qytetare pjesëmarrja në votim të jetë mjaft e ulët. Në këto treva duket se një pjesë e mirë e qytetarëve nuk ndihen të përfaqësuar nga politika e deritanishme, por nuk gjejnë ende në treg një forcë tjetër të besueshme. Ndaj edhe të dielën thuajse gjysma e votuesve zgjodhën shtëpinë në vend të kutisë, në pritje të lindjes së një alternative të re, që në të vërtetë ende nuk ekziston në skenën politike shqiptare. Në fund të fundit, varianti “Dushk 2005” legalizoi monopolin politik dhe konsolidoi ndjeshëm pushtetin - qoftë në qeverisje, qoftë në opozitë - të dy partive kryesore në vend. Mesazhi për çdo forcë tjetër është se për çdo lëvizje duhet t’i bëjnë hesapet me hanxhinë....
...Dhe humbjen e fundit të moralit e pashë me keqardhje te një pjesë e kolegëve. Si minjtë kur mbytet anija, të hënën në mbrëmje, para kamerave, nën sytë e veshët e qindra mijë shikuesve, pashë të braktisin me vërtik sofrën socialiste pikërisht ata që për vite me radhë, deri më 3 korrik 2005, na e quajtën mynxyrë të madhe rikthimin e Berishës në pushtet. Pa iu dridhur qerpiku e pa iu nxirë faqja, opinionistë, analistë, zhurnalistë e editorialistë bërryloseshin kush e kush t’i shtrëngonte dorën kryeministrit të ri e të pështynin mbi atë që po ikën...