Re: Kampione i Shqiperise 2003-2004 ? ??
Besnik DIZDARI
Ajo çka u pa në ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë të shtunën e shkuar, SK Tirana - Dinamo 3-0, të cilën kemi të drejtë ta quajmë prologun e stinës 2003-04 të futbollit, ose të vetë Kampionatit të 65-të Kombëtar, ishte dështimi i parë parathënës.
Vetëm rreth 800 shikues të lodhur në të nxehtin e orës frymëmarrëse 17.00 me 35 gradë celcius, doemos nuk ia arritën t'i jepnin jetë një gare, që edhe pse Sportklub Tirana e luajti me të gjithë seriozitetin e saj, mbeti te një formalitet klasik! Me përjashtim të objektit elegant të vazos së superkupës së dorëzuar, si dhe të një sfondi pllakati të hijshëm që u vu prapa shpinës së lojtarëve fitues të Tiranës, i gjithë mjedisi ishte shenja dalluese e një formaliteti të pastër.
Në ndërkohë, disa stacione televizive "shqiptare" buçisnin si gjithmonë këta vite të fundit, me ndeshje të Gjermanisë a të Anglisë, duke vazhduar të cënojnë interesimin e rinisë për futbollin kombëtar. Sepse, siç e kemi thënë njëqind herë në faqet e kësaj gazete, kur ti transmeton ndeshjet e nivelit të lartë të Evropës Perëndimore në oraret e ndeshjeve tuaja kombëtare, më e pakta i thua popullit shqiptar: "mos shko në stadium"! Dhe populli nuk erdhi, doemos. Nuk erdhi edhe për shkaqe tjera: orari i papërshtatshëm, rezultatet e dobta të dyzetetetë orëve më parë të dy klubeve tona në Kupën UEFA, stadiumi i parehatshëm, dhe mbi të gjitha, mungesa e publicitetit të pashembullt për ndeshjen e Superkupës, pjesë e harresës së madhe për futbollin kombëtar.
Në ekran ndërkaq, vazhdonte euforia fëminore e ndeshjeve të kombeve të tjera.
Të shtunën do të fillojë ai që te "Futbolli Shqiptar-MAGAZINE" e kemi quajtur "Kampionati gjigant i Shqipërisë së vogël". 10 skuadra, 36 javë, 4 periudha! Në mos gabojmë, ky është kampionati më i gjatë në Evropë pas atyre të Britanisë së Madhe, Spanjës dhe Austrisë. Të paktën duke pasë ndër duar stinën 2002-03, kjo del qartë:
Anglia 38 javë
Skocia 38 javë
Irlanda e Verut 38 javë
Bosnja Hercogovina 38 javë
Austria 36 javë
Siç shihet, ndër pesë vendet e këtyre superkampionateve, tre janë pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. Bosnja e ka problem multinacional kampionatin, pra ka një kampionat disi edhe politiko-futbollistik, me të cilin don t'iu bëjë qejfin kombeve të ndryshëm të saj. Kështu që ne na mbetet "të hahemi" vetëm me Austrinë, e cila dihet që nënkupton Vienën edhe për kah kultura e tradita e futbollit që ka, na bën që as me te të mos guxojmë të matemi.
Megjithate, le të mos e cënojmë këtë "guxim shqiptar". Dëshira për të ndryshuar, çka na duket se më tepër është inisiativë e presidentit të FSHF-së, Armando Duka, i cili është përpjekur të ndryshojë për mirë shumë gjëra, është doemos e pranueshme. Por gjithçka kthehet në qëllim më vete, nëse thelbësoret e ndryshimeve mbesin në plan të të dytë, ose më keq, janë formale dhe nuk realizohen. Përsa i përket asaj, nëse do të mund të durojmë apo jo, që katër herë gjatë një kampionati të shohim përshembull, ndeshjen Besa -Teuta, apo qoftë dhe "klasiken" Partizani - Dinamo, apo madje edhe atë SK Tirana - Vllaznia, këte do ta marrim vesht gjatë katër periudhave të Kampionatit të 65-të.
Ishte model Asambleja e fundit e FSHF-së, po ku do ta çojë ajo formalizmin e paparë të rregullave të reja të fillimit të stinës së re?
Dhe jemi të detyruar ta fillojmë me stadiumet, për ata të cilët autori i këtyre radhëve, ka botuar 21 shkrime, gjysmën e të cilëve këtu te "TemA".
Fillojmë pra:
FSHF iu kërkon stadiumeve më e pakta 3000 vende ulur dhe të ndara për spektatorët.
Me përjashtim të Tiranës e Shkodrës nuk i plotëson asnjë stadium tjetër. Do të lejohen të zhvillojnë ndeshje?
"1/3 e vendeve duhet të jenë të mbuluara?"
I potëson vetëm Tirana! Do të lejohen stadiumet e tjerë të zhvillojnë ndeshjet?
"Hyrja e gazetarëve të jetë e veçantë", - kërkon me shumë kulturë Federata Shqiptare Futbollit, -"si dhe vende të caktuara për TV, radio si dhe stadiumi të ketë sallë të shtypit".
Nuk i plotëson as "i famshmi" Stadium Kombëtar "Qemal Stafa", "miniera e arit" e shpikjes më të fundit të komercializmit antifutboll. Do të njihen ata për stadiume në stinën e re?
"Çdo stadium të ketë dhomën e ekzaminimit shëndetësor".
Kemi parë që ashtu siç duhet, e ka vetëm Stadiumi "Loro Boriçi" në Shkodër. Do të pranohen për stadiume të kampionatit ata që nuk e kanë këte dhomë?
"Kërkohet rrethimi i dytë i stadiumit që të jetë e kontrolluar masa e spektatorëve".
Mirëpo, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë stadium në Shqipëri që e realizon këte! Do të lejohen të luhen ndeshjet në to?
"Parkim për veturat".
E cili e ka? Do t'i hapin dyert stadiumet pa këte realizim?
Kjo rregullore e FSHF-së ka dy muaj që është dërguar aty ku duhet. Por askush nuk ka zbatuar as edhe një prej këtyre kërkesave dhe as që ka marrë mundimin t'i zbatojë. Sepse FSHF nuk ka autoritetin e duhur; sepse shteti ka kohë që e ka hequr duarsh futbollin; sepse stadiumet nuk kanë të ardhura në parà të thata për t'i kryer këto punime që për Shqipërinë janë gjigante; sepse duhen vite për t'i realizuar këto një vend si Shqipëria ku para futbollit ka njëmijenjëqind probleme të jetës e të familjes pa zgjidhur.
Të gjitha këto kërkesa Gazeta "TemA" nga ana e saj, ka një vit që i paraqet në kritkat e saj si detyrime të parealizuara në Shqipëri, me qëllimin e mirë që të fillojë ky realizim, pra jo t'i realizojë, por vetëm ta fillojë realizimin!
Dihet që Stadiumi Kombëtar "Qemal Stafa" i ka patur mundësitë për t'i filluar. Nuk ka dashtë megjithë kritikat, sepse drejtuesit e tij janë ndier të fortë, të paprekshëm, pranë pushtetit mbase. Dhe mesa duket janë marrë vetëm me interesat e tyre që mund të vijnë edhe prej një stadiumi të shtetit - me të cilin mund të sillesh si të ishte i yti. Na thoni se çka ka shtuar në ndërtimin e mjedisin e tij Stadiumi Kombëtar. Përtëritja e fushës i përket tjetërkuj.
Ishte me gjithë mend naive një reklamë që iu bë Stadiumit Kombëtar në prag të ndeshjeve të fundit. Kur shkuam aty nuk kishte ndërruar asgjë, as pluhuri, as mjedisi, as kushtet, as vendpuna e gazetarëve, as ajo e VIP-ave, as ajo sociale e shërbimeve më elementare për spektatorët. Asgjë, asgjë! Vetëm një ndryshim pamë: fusha kishte filluar të thahej, megjithëse para ndeshjes, shiu artificial binte spektakolar mbi fushë! Vështirë të gënjehet kush me këte gjest të teknikës! Por tharja dukej qartë nga ngjyra tashma jouniforme e terrenit.
E pra, kur nuk i bën ndryshimet e detyruara "Qemal Stafa" që është 60 e sa vjeç, si mund të pretendosh se këto do të realizohen në Kavajë e Durrës, në Elbasan e Vlorë, në Lushnje a s'dimë se ku?
A do të pranohen stadiumet e Shqipërisë si të rregullta për të zhvilluar ndeshjet që fillojnë këte të shtunë, kur merret me mend se në këto 50 orë që kanë mbetur, ata nuk mund të kenë gati asnjë prej kërkesave që duan nja 100 muaj për t'u realizuar? Dhe për të cilat ne kemi folur tash 4 vjet, por askush nuk ka vënë vesh, ndonëse kërkesat ne i merrnim nga UEFA, e nuk i shpiknim nga vetja?
Megjithate, ajo që të shqetëson është se ka disa gjëra që mund të bëhen shpejt. E kemi fjalën për ato që mund t'i quajmë subjektive.
Përshembull, publiciteti i Kampionatit, i stinës së re, i Kupës, i Superkupës, i mjedisit në stadium, i botimeve për ndeshjen, i informacionit më elementar për gazetarët (protokollin e 11-sheve, të paktën). Me një fjalë, të mund të arrijmë në ate që, të dënohet klubi pritës apo dhe stadiumi, që nuk krijon mjedisin e përshtatshëm për gazetarët, që nuk lejon ose organizon konferencat e shtypit, që nuk pastron e fshin stadiumin për spektatorët. Dhe të mbërrijmë në ate që Federata Shqiptare e Futbollit të kërcënojë për ndalim të Kampionatit Kombëtar nëse gjatë ndeshjeve të këtij në televizione transmetohen ndeshjet e shteteve të tjera. Atëherë, kur ta bëjë këte, të gjithë do të binden se ajo është vërtet Federata Shqiptare e Futbollit.
Ndërkaq, po asaj i takon që për çdo ndeshje të detyrojë të publikohet saktë numri i biletave të shitura, pra i spektatorëve të pranishëm, sepse vetëm kështu, duke parë mjerimin e shifrës 800 spektatorë të Superkupës, apo të mesatares së vetëm 1600-2000 shikuesve për ndeshje në Kampionat, atëherë do të binden opinioni, shteti, sportdashësi, tifozi, FIFA, UEFA, kultura shqiptare se "prodhimin futboll" në Shqipëri nuk e blen më askush, duke përdorur kësisoj një fjalor të biznesit, meqë flitet aq shumë me këte gjuhë edhe në futbollin shqiptar, i cili nuk tërheq "blerës". Dhe të tronditen për të nxitur një kthesë urgjente.
Loteritë sportive të cilat po shkatërrojnë shijen dhe kulturën sportive të rinisë, një treg i çuditshëm, është ndërkaq, shkatërruesi i vetë kulturës së futbollit në Shqipëri. Në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" gjatë ndeshjes së Superkupës pamë siglën e një publiciteti përkëdhelës njëkohësisht: "Luani me ne - basti shqiptar". Askush nuk ka të drejtë të qortojë, por veç baste sportive a të futbollit shqiptar ende nuk ka në Shqipëri përderisa asnjë ndeshje e kampionatit shqiptar, nuk bën pjesë në skedinat e famshme çkombëtarizuese, madje te të gjitha loteritë sportive, të cilat iu kërkojnë të rinjve shqiptarë të parashikojnë edhe ndeshjet e Ligave të dyta të Zvicrës, Austrisë a Hollandës e deri të asaj të tretë në Itali, që i thonë C1. I kërkohet të riut shqiptar të paguajë për të zbuluar se si do të përfundojë përshembull, ndeshja AGOVV- TOP Os, VVV-Heracles, Meyrin - Wohlen, Paterno - Lanciano, Albinolefe- - Lumezzane! Nuk janë hieroglife kineze, por skuadra futbolli, emrat e panjohur të të cilëve vonon disi t'i shkruash edhe në kompjuter!
Këtu kemi mbërritur gjithë "gaz e hare futbollistike", ku tashma e shihni që vendet e kioskave po i zejnë zyrat e pafund - diku, diku, një në çdo 30 metra - të loterive sportive, pa ditur askush se sa përqind të fitimeve që merren prej tyre shkojnë në mbështetje të sportit kombëtar, siç ngjet në gjithë Evropën.
Kjo është një nga goditjet më të rënda që ka pësuar rrënimi i kulturës kombëtare të futbollit në Shqipëri. Për fat të keq, deri diku edhe të vetë gazetarisë sportive - temë për një herë tjetër kjo - ku faktet që do të paraqesim do të jenë tepër kokëfortë dhe tronditës për t'u kundërshtuar!
Federata Shqiptare e Futbollit duket se është e shqetësuar tejet. Urdhëresat e reja të saj dhe rregulloret po i shndërrohen në formalitete. UEFA doemos vëren se si në Shqipëri rrezikohet të mos zbatohen ato që ajo i kërkon për gjithë anëtarët e saj prej kaq vitesh, ndërkohë që ajo po subvencionon jo pak këtu, me planet e saj. Kjo do të thotë: Evropa e futbollit te dera e shtëpisë, Shqipëria nuk e lë të hyjë.
Përmendëm vetëm pjesën më të paktë të kërkesave të UEFA-s. Madje nuk dijmë nëse duhen quajtur këto më të rëndësishmet, kur për të tjerat tronditja e mosrealizimit është vërtet e paprecedent. Një gjë është e qartë megjithate: të gjitha këto hyjnë në atë që në zhargonin e barbarizmave të pafund të shqipes së sotme, i thonë "promovim" ("me i dhanë nxitje") në këte rast futbollit. Në Shqipëri futbolli kombëtar nuk promovohet dhe jo më të pretendosh të historizohet me nder apo të kultivohet përsëmbari ndonëse kjo tokë edhe në këto kushte lind talente. Ishte një gjë me kuptim miratimi i presidentëve të nderit të FSHF, në Asamblenë e fundit. Mirëpo pjesëmarrja bie fjala, në Luftën Nacional Çlirimtare, nuk mund të jetë kriter për këte titull nderi. Dhe mendja të shkon te Palok Nika, Avni Zajmi, Izedin Beshiri, Kolonel Aqif Përmeti; te Luigj Shala, Said Toptani, Nënkoloneli Hill, Dr. Vasfi Samimi, te Anton Mazreku, Tonin Jakova, Kristo Papajani, te Qemal Myrseli, Adem Rada, Alfred Kazanxhi apo dhe deri te Kristaq Miço e Eduard Dervishi, sa për të përmendur disa themelues në periudha të drejtimit në FSHF. Ndonëse të rrijë gjithë ditën e gjithë natën FSHF-ja, nuk është në gjendje të zbulojë se kush kanë qenë presidentët dhe sekretarët e saj të përgjithshëm. Dhe është krijuar më 1930! Çka do të thotë se historia e saj nuk ka nisur andej nga vitet '80, por 73 vjet më parë.
Në këto dukuri futbolli shqiptar ka dalë jashtë doret. Kjo ka cënuar kulturën e tij dhe kjo e bën vërtet një ardhje të dyshimtë këte të Kampionatit të 65-të Kombëtar, "Kampionatin gjigant të Shqipërisë së vogël", i vetmi vend në botë që transmeton brenda 48 orëve 17 ndeshje të vendeve të tjera (çka absolutisht është e ndaluar me ligj të bëhet edhe në vetë këta vende!).
Një komb që nuk merret me problemet e tij rrezikon deri dhe çkombëtarizimin. Ka një televizion në Shqipëri që bën një lojë me telefonime. Kur i pyet të rinjtë apo të rejat shqiptare që i dalin për një quiz, se "tifozë të cilës skuadër janë", asnjeri nuk përmend skuadra shqiptare, por me krenari thonë: "Jam tifoz i Interit", "Jam i Milanit", "Jam i Realit". Kulmi është kur dëgjon edhe ndonjë gazetar që me krenari përgjigjet kësisoj.
E pra, si do të jenë 36 javët e Kampionatit të Shqipërisë? Do të uronim vetëm këte: të thërrasë shqiptarët për të ardhur në stadium! Ndërsa do ta mbyllnim duke përdorur urimin e vjetër të Anton Mazrekut:
"Kampionati po troket te dera.Qofte i mireseardhur"
(Marre nga gazeta Tema)