Re: Kadareja fut hundët në politikë
Drita Çomo ishte 18 vjeç, kur e mësoi se nuk kishte shpëtim. Prej vitit 1976, ajo do të mbante një ditar, pjesa më e madhe e të cilit i përket vatje-ardhjeve në spitalin onkologjik të Tiranës, udhëtimeve e vetme nga spitali në Cërrik, vendin e internimit. Ky ditar i botuar 16 vjet pas vdekjes së saj, dhe i ribotuar në vitin 2001 nga “Onufri”, është në proces për një ribotim të tretë, ndërsa në Francë sapo është hedhur në qarkullim, i përkthyer nga Edmond Tupja. Dhe e kanë e quajtur “një Ana Frank shqiptare”.
Nëna, Liri Belishova, ish- anëtare e Byrosë Politike, e internuar për dyzet vjet, i shoqi po ashtu, tregon në këtë intervistë kalvarin e të bijës dhe përse ditari i Drita Çomos, një dorëshkrim me 600 faqe, botohet jo i plotë. Ashtu sikur dorëshkrime të tjera do t’i binin në dorë pas botimit të ditarit “Dritë që vjen nga humnera”, nga gruaja e një oficeri sigurimi, Belishova shpreson se diku ekzistojnë të tjera dorëshkrime të së bijës, për të cilat ajo ka dijeni.
Zonja Belishova, ju jeni e vetmja dëshmitare e ditarit të bijës suaj, të ndjerës Drita Çomo, shkruar në kushtet e kontrollit dhe përgjimit të rreptë në regjimin diktatorial. Pas dy botimeve në shqip, ditari i saj “Dritë që vjen nga humnera” është botuar në Francë. Si e pritët?
Po unë desha ta nis bisedën me ju së pari për tekstin shqip, nga i cili është bërë përkthimi në frëngjisht.
Drita filloi të mbajë ditar që nga fillimi i shkollës së mesme, në të shkruante dhe poezitë. Po fatkeqësisht fletoret e para i kanë humbur. Mendoj se i kanë marrë punonjësit e sigurimit. Pas botimit të librit, një bllok të Dritës na e ka dorëzuar e shoqja e një oficeri të sigurimit, kurse për të tjerat deri tani nuk di gjë. Ditari që është ruajtur fillon në qershor 1976 ku u shtrua në spitalin onkologjik dhe mbaron me shënimin e fundit që ka mundur të shkruajë më 9 shkurt 1981. Pas dhjetë ditësh, më 19 shkurt, ajo mbaroi. Pra përfshihen afër 5 vjet.
Janë disa fletore dhe blloqe. Në fletore shkruante kur ishte në shtëpi, kurse në blloqe kur ishte e shtruar në spital. Bllokun e vogël mund ta fuste në xhep kur largohej nga dhoma, për të evituar humbjen. Gjithsej, janë mbi 600 faqe ditari, disa poezi e shkrime me përmbajtje direkt kundër diktaturës i shkruante në fletë të veçanta dhe i mbante të përziera me shumë fletë të tjera, me shënime e detyra shkollore, me fletoret e librat e shkollës, që të mos binin në sy në rast kontrolli. Fatkeqësisht disa prej këtyre, si një variant i “Dashuri siberiane”, një poezi e gjatë mbi Nako Spirun, disa shënime mbi “Dimrin e vetmisë së madhe”, tre strofat e poezisë “Skifteri” (për diktatorin) etj., nuk i kam. Si duket i ka grisur në momente të acarimit të situatës.
Atëherë kur ju ranë në dorë dorëshkrimet?
Fletoret dhe blloqet ishin në shtëpi, por unë nuk i lexoja për të respektuar intimitetin e saj. Ajo vetë më ka lexuar poezitë ose ndonjë pjesë të ditarit. E kam lexuar ditarin pas vdekjes së saj. Atëherë as që mund të mendoja për botimin e tij.
Ditari u botua më në fund nga shtëpia botuese “Onufri” në 1997, në sajë të interesimit direkt të Ismail dhe Elena Kadaresë. Pas përmbysjes së diktaturës, pasi ishim kthyer në Tiranë bashkë me tim shoq, Maqo Çomon, i bëmë një vizitë I.Kadaresë. Gati që në fillim të bisedës ai më tha se e dinte fatkeqësinë e madhe që na kishte ndodhur, sepse për time bijë, Dritën, i kishte folur aktorja Rajmonda Bulku (ishin shoqe të ngushta kur mësonin në gjimnazin e Cërrikut), se dinte që ajo shkruante poezi… Kur i thashë se Drita kishte lënë një ditar, ku ka shkruar edhe poezitë, ai më kërkoi t’i lexonte. Ia çova pas 2-3 ditësh dhe të nesërmen më mori në telefon. E kishte lexuar, si i thonë me një frymë, ishte emocionuar dhe më tha se ai ditar duhej botuar patjetër. Ai u kujdes për gjithçka, për shtëpinë botuese, siguroi sponsorizimin, formuloi titullin kaq të goditur, sugjestionues dhe kryesorja shkroi parathënien që dini. Kur e lexova parathënien për herë të parë, i thashë e mahnitur: “Si është e mundur që keni kapur kaq shpejt çështjet më të rëndësishme dhe i keni shprehur kaq bukur…! Unë s’do ta shkruaja dot kurrë një parathënie të tillë”.  E them me gjithë shpirt se I.Kadare e ka ngritur këtë vajzë si të gjallë në një piedestal të lartë, duke i dhënë mundësi të rrezatojë dritë.  Drita kish të drejtë kur shpesh më thoshte: Ismaili ka aftësinë ta kthejë në ar çdo gjë që trajton, si mbreti Mitridat i mitologjisë. Askush tjetër s’ka shkruar për Dritën si ai.
Veç kësaj ai ishte shkrimtari i preferuar i Dritës. E mahniste magjia e artit të tij, mendimi i thellë e filozofia, universaliteti, frymëmarrja ndryshe dhe e lirë, sfidimi i koracës të realizmit socialist e vetë diktaturës. Në atë jetën tonë të zymtë e të vështirë, leximi i veprave të tij ishte burim gëzimi, mbështetje morale, natyrisht edhe shtysë reflektimi.
Unë dhe gjithë të afërmit e Dritës i jemi thellësisht mirënjohës Kadaresë, për gjithçka ka bërë dhe po bën për Dritën. Eshtë mirënjohja e sinqertë e nënës që ka humbur vajzën, fatkeqësia më e padurueshme nga gjithë mizoritë që ka kjo botë.