Re: Kadareja fut hundët në politikë
(vijon nga postimi i mesiperm) (te nxiret jane mestitujt e artikullit)
<span style="font-weight: bold">E keqja nuk riparohet duke u shtrënguar lakun në fyt shqiptarëve</span>
Shkrimi politik “Riparimi i së keqes”, sipas mendimit tim dhe besoj të plot të tjerëve që i ndjekin me shqetësim kthesat e rrezikëshme të diplomacisë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, është nga më negativët që kanë dalë nga pena e Ismail Kadaresë. Ai u ka rënë më shumë se gjithkush në qafë shqiptarëve që protestuan më 17-18 Mars 2004 në Kosovë, në një kohë që këta nuk janë aspak fajtorë.
Duke e ditur fare mirë si janë punët, Kadareja u ka dhënë shumë armë e municion në dorë serbëve e miqve të tyre në Europë t’i përdorin kundër shqiptarëvet për t’ua lënë këtyre fajin e përgjegjësinë që në Kosovë gjërat kanë ngecur, që atje po përgatiten terren dhe kushte për shpërthime të reja. Vet shefi i policisë së UNMIK-ut Stefan Feller që komandon në Kosovë 3500 policë nga 48 vende të botës deklaron :”Luftë në Kosovë nëse nuk ka zgjidhje politike”(gazeta “Dita” 30 Prill 2004). Atëherë për gjithçka të rëndë që mund të ndodhë dhe ka nodhur në Kosovë përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajnë ata që kanë detyrën dhe mundësinë të gjejnë zgjidhjet politike të drejta e të qëndrueshme dhe jo ata që përfshihen edhe në zhvillime të rënda dhe pësojnë prej këtyre zhvillimeve si më17-18 Mars 2004. Sipas të dhënave zyrtare janë 19 të vrarë, rreth 1000 të plagosur, qindra të arrestuar dhe shumë të shënuar për përndjekje politike si në kohën kur Serbia bënte fushatën famëkeqe të “diferencimeve politike” pas ngjarjeve të Mars-Prillit të vitit 1981.
Kadareja ka qenë i vetëdishëm se leksionin e tij po ua mbante shqiptarëve në një kohë kur diplomacia ndërkombëtare po u shtrëngonte lakun në fyt me shumë cinizëm e egërsi. Edhe Kadareja vet pak muaj më parë nëpërmjet gazetës “Shekulli” të Tiranës e kishte pranuar e pohuar me shqetësim këtë dukuri kërcënuese për shqiptarët nëpërmjet shkrimit të tij “Poshtërimi në Ballkan, Sprovë” që shtabet e gatëshme për propagandimin e Kadaresë e hodhën me shpejtësi në qarkullim si libër të veçantë ( botim nga “Onufri” 2004).
<span style="font-weight: bold">Kadareja hiqet si mirëbërës i njerëzimit në kurriz të kombit e të atdheut</span>
Në përmbylljen e”Sprovës” së tij për të analizuar e shpjeguar të këqijat e “Poshtërimit në Ballkan”, Kadareja thekson me të drejtë : “Nuk është lehtë të gjenden shkaqet e plota që çojnë drejt otacizmit (veçimit) të një populli. Një pjesë e tyre mbeten gjithmonë në terr”.
Por Kadareja në këtë “Sprovë”nuk i kërkon këto shkaqe me përkushtimin e një intelektuali shqiptar të shqetësuar në radhë të parë e kryesisht me fatin e keq historik dhe rreziqet e tanishme të kombit të tij. Përkundrazi Kadarenë e shqetësojnë më shumë vuajtjet e përbashkëta të ballkanasve, e tanishmja dhe e ardhmja e Ballkanit, Europës dhe sidomos e “qytetërimit perëndimor” që : “Për Spenglerin është qytetërim i vonë i destinuar të bëhet imperialist, i pashpirt, barbar, i dyshimtë dhe praktik…Simptomat e tij janë në mënyrë të pagabueshme si ato të fundit të Perandorisë Romake ( Stjepan G. Mestroviç, “Shprehitë thelbësore të Ballkanit”, SHBA 1993 fq.92).
Prandaj vemë re që Kadareja më shumë se gjithkush tjetër nga intelektualët e dëgjuar shqiptarë, e mbase dhe nga të huajt, po i akuzon rëndë e padrejtësisht shqiptarët si popull racist, që ka poshtëruar e munduar të tjerët dhe që përsëri në Kosovë po u bie në qafë serbëve. Pikërisht këtë ka dashur të thotë me vetëdije të plotë dhe dëshirë cinike Kadareja kur ka shkruar “Që të kthehemi te pyetjet e vështira lidhur me poshtërimin, mund të thuhet pa frikë se shqiptarët nuk kanë pse të qahen e të hiqen si viktima të gjithherëshme. Në pjesën më të madhe të rrugëtimit të tyre historik ata jo vetëm nuk kanë qenë të poshtëruar, por për fat të keq shpesh kanë marrë pjesë në poshtërimin dhe shtypjen e të tjerëve”. ( “Poshtërimi në Ballkan” fq.19).
Këtë fshikullim kaq të pashpirt, cinik dhe të pabazuar në fakte të popullit shqiptar, kombit të tij, Kadareja përpiqet ta përligjë me përkushtimin e tij ndaj zbulimit të të vërtetës historike, pasi ka shpallur si kriterin parësor të analizës së vet : “Gadishulli ynë më shumë e më ngutshëm se kurdoherë ka nevojë sot për të vërtetën”.
Do të bashkohem plotësisht me Kadarenë nëse ky me të vërtetë na bind se vë mbi gjithçka “kultin e të vërtetës”, ashtu siç e gjejmë në thëniet e mrekullueshme të demokratit rust të shekullit XIX, Çadajev : “Unë nuk jam mësuar ta dua atdheun symbyllur e gojëkyçur. Mua më duket se njeriu mund të jetë i dobishëm për vendin e vet vetëm atëherë në qoftë se e sheh me kthjelltësi atë, unë mendoj se koha e dashurive të verbëra ka kaluar, se tani para së gjithash ne i kemi borxh atdheut të themi të vërtetën…Gjë e mrekullueshme dashuria për atdheun, por ka dhe një gjë tjetër më të mrekullueshme, dashuria për të vërtetën. Dashuria për atdheun lind heronj, dashuria për të vërtetën lind burra mentarë, mirëbërës të njerëzimit…Unë preferoj ta fshikulloj atdheun tim, ta hidhëroj atë, ta turpëroj atë, por vetëm jo ta mashtroj atë”” ( “Nauka i Zhiznj” organ i Akademisë së Shkencave të B.S. nr.8 viti 1990 fq. 4-5).
Kur lexojmë “Poshtërimi në Ballkan”, qoftë dhe vetëm në fjalinë që sapo u citua, duket qartë se Kadareja kërkon të luajë rolin e kujdestarit e shpëtimtarit të Ballkanit më shumë se të kujdestarit e shpëtimtarit të shqiptarëve e të Shqipërisë Etnike , se Kadareja synon të krijojë për vete më shumë imazhin e mirëbërësit të njerzimit se të mirëbërsit të një kombi të vetëm, të vogël, të cilit i përket për lidhje etnologjike. Duke i besuar pa asnjë kundërshtim mendimit të mrekullueshëm të Çadajevit nuk kemi arsye ta kontestojmë këtë dëshirë të Kadaresë ose ta shpallim atë të papranueshme për shkak të vizionit tonë nacionalist shqiptar që Kadareja e urren në kulm se i duket “i ngushtë e primitiv”.
<span style="font-weight: bold">Pse radhitet Kadareja në anën e vrasësve të të vërtetës</span>
Por të gjitha këto mund t’i pranojmë vetëm me kushtin që vë Çadajevi, që Kadareja të veprojë kështu nga dashuria për të vërtetën dhe të qëndrojë rreptësisht vetëm në llogoren e luftës për të vërtetën.
Për fat të keq janë të shumta shkrimet, qëndrimet e sjelljet e Kadaresë që na e heqin besimin se ai po lufton vetëm në llogoren e të vërtetës, vetëm për hir të të vërtetës e të drejtës së kulluar. Shpesh edhe pse ngre flamurin e të vërtetës ai na pezmaton me shërbimet që i bën të pavërtetës, të padrejtës; me dëmet që i sjell atdheut e kombit në emër të disa luftrave dhe qëllimeve më të larta që gjoja bën e ndjek ai; me shërbimet që u bën armiqëve të kombit shqiptar për hir të gjoja një diplomacie politike shumë të hollë që ditka ta bëjë vetëm ai. Kjo na detyron që të kërkojmë përsëri ndihmë në urtinë e fjalëve të Çadajevit: “Ka mendje kaq gënjeshtare, sa edhe kur e vërteta thuhet prej tyre, bëhet gënjeshtër”.
Me një mendje të ngjashme na duket se i trajton në çaste e raste të caktuara shkrimtari Ismail Kadare marrëdhëniet e shqiptarëvet me fqinjët e tyre dhe çështje të tjera me rëndësi madhore për kombin tonë. Është një përshtypje që e kanë krijuar dhe e kanë bërë publike shkrimtarë të njohur e studiues të nderuar shqiptarë Arshi Pipa, Kapllan Resuli, Bilal Xhaferri, Injac Zamputi, Luan Myftiu etj.etj, apo dhe të huaj. Por mbi të gjitha tiparet e errëta të portretit letrar, politik e njerëzor të Kadaresë janë analizuar me përpikmëri shkencore, seriozitet e qetësi shembullore në “Autobiografia e Ismail Kadresë në vargje” nga zotëri Petraq Kolevica, një “studim kritik “ i botuar nga “Marin Barleti” në Tiranë në vitin 2002. Kolevica ka nxjerrë në pah me shembuj të shumtë pikërisht atë që në veprën dhe në sjelljet e Kadaresë mungon respekti për të vërtetën dhe të drejtën, pra nuk respektohet kushti i parashtruar nga Çadajevi për të merituar titullin “mirëbërës i njerëzimit” duke neglizhuar detyrimin për të qenë në radhë të parë mirëbërës i atdheut,
Ajo dinakëria që bie erë të rëndë dogmatizmi marksist e përdorur nga Kadareja kur akuzon elitën shqiptare të dikurshme shqiptare “feudalët, vezirët, pashallarët, guvernatorët mizorë shqiptarë (që) u kanë shkaktuar fatkeqësi popujve të tjerë, aty ku kanë sunduar ose ku u ka rënë rruga e marshimit” (fq.20) nuk pi fare ujë për të provuar racizmin e shqiptarëve. Kjo është njësoj sit ë akuzosh Kadarenë që jeton në Francë për antisemitizëm, meqenëse këto ditë në Berlin në një konferencë ndërkombëtare Franca është përmendur si vendi ku antisemitizmi qenka shtuar 6 herë.
Tani janë të pakët ata që mund të besojnë në shpjegimet në frymë dogmatike marksiste që përdor Kadareja, për popullin e vegjëlinë gjithmonë të mirë dhe klasat e larta fajtore për gjithçka te keqe. Me këtë dogmatizëm marksist të fajsimit të shqiptarëve që bënin pjesë në klasat e larta në kohën e Perandorisë Osmane, Kadareja jo vetëm nuk arrin ta zbusë akuzën që u bën shqiptarëve si popull racist e përbuzës, por ka dhënë edhe një herë një dëshmi se mbetet i nënshtruar plotësisht ndaj akuzës së njëjtë që u drejtonte në vitin 1989 Vuk Drashkoviçi shqiptarëve në polemikën me Kadarenë në të përmujshmen fanceze “Le Monde Diplomatique”. Me këtë ai ka dhënë një shembull konkret sesi në gojën e tij edhe një e vërtetë ( që shqiptarët në Perandorinë Osmane kanë gëzuar pozita të larta me dobi për vendin e tyre) bëhet gënjeshtër kur keqpërdoret për të akuzuar shqiptarët e atëhershëm e të sotëm për racizëm ndaj sllavëve, grekëve e të tjerëve.
Mund të rreshtohen citate të shumta nga autorë të shumtë perëndimorë që vërtetojnë me autoritet e objektivitet shencor të kundërtën e kësaj a që mundohet të imponojë Kadareja se shqiptarët u bënë racistë e shtypës popujsh në kuadrin e Perandorisë Osmane ( kjo është tezë eserbëve dhe e Drashkoviçit). Por, në këtë rast mjafton t’u referohemi du autorëve.
Historiani britanik Malkolm Noel ka shkruar :” Në të gjitha vendet ballknaikë pikëamja popullore për sundimin otoman është pothuajse tërësisht negative. Osmanët përshkruhen si barbarë që shkatërruan rëndë në zotërimet e tyre një kulturë kombëtare në lulëzim. Për ata thuhet se imponuan një sistem drejtimi krejt të huaj, shtypën me cinizëm çdo ndjenjë të identitetit kombëtar, vendosën kolonë turq në shumë zona, e kthyen fshatarsinë e krishterë në bujkorobe..detyruan njerëzit të bëheshin myslimanë…Të gjitha këto pretendime janë mashtruese, ose dhe më keq të rreme…Është e vërtetë se në 200 vitet e fundit të sundimit të Perandorisë Otomane kishte raste të shumta arbitrariteti, dhune shtypjeje…Por deri në fund të shekullit XVI sundimi otoman në Ballkan ishte shumë i rregullt dhe krijoi kushte jetese që në shumë drejtime barazoheshin me ato të pjesës tjetër të Europës. Është i pakuptimtë pretendimi se në periudhën e parë Perandoria Otomane shtypi konceptin modern të identitetit kombëtar sepse ky koncept ende nuk kishte filluar të shfaqej në Europë…Perandoria Otomane nuk u bë shtet islamik në kuptimin e ngushtë të fjalës…statusi i fshatarsisë pësoi përmirësim real”.(fq,93-94 të botimit të vitit 1998 në gjuhën angleze).
Studiuesi amerikan i marrëdhënievet ndërkombëtare Deivid Fromkin në librin e tij shumë të vlerësuar “Udhëkryqi kosovar”, (botin në gjuhën angleze në SHBA në vitin 1999) shkruan : “ Për Rebeka Uest, sikurse për çdo liberal të epokës Viktoriane dhe Eduardiane të bije nën sundimin otoman ishte njësoj si të zhyteshe në errësirë. Ishe një mendim që nuk lejohej të vihej në dyshim. Ja përse Uest kishte ndjesinë e fortë se në vend që të zgjidhte një shpërblim qiellor për humbjen e Kosovës Princ Llazari ( i serbëve A.B.) duhej të kishte luftuar për të fituar. Pasoja e humbjes, domethënë rënia nën sundimin turk që do të vazhdonte në shekuj, ishte një gjë tejet e tmershme që ajo ta pranonte. Jo të gjithë historianët e sotëm do të donin të bashkoheshin me të tilla ndjesi. Sa më shumë që ne mësojnë për periudhën otomane dhe sa më shumë që dimë për sundimin e perandorive të tjera, aq më pak, të themi relativisht, ne i qortojmë sulltanët turq. Në të vërtetë në kohën e lavdisë së tyre, në shekujt XV-XVI qytetërimi tyre ishte njëri nga më të lartët në botë”(fq,93-94).
Ja, pra, se si dy autoritete të shkencës në Perëndim, që njohin e trajtojnë problemet e Ballkanit, na vërtetojnë se shqiptarët që kanë qenë në shërbim të Perandorisë Osmane nuk kanë qenë aspak ashtu siç mundohet t’i paraqesë me vlerësimin e tij marksist e sllavo-komunist Kadareja, racistë e shtypës të popujve të tjerë, që i ngjisin racizmin edhe popullit shqiptar, por kanë qenë në shërbim të njërit nga qytetërimet më të larta të kohës, u kanë sjellë dobi popujve të Ballkanit.
Nëse Kadareja nuk ka respekt për studiues si Malkolm Noel dhe Deivid Fromkin atëherë po i referohemi një të treti, një shqiptari që ndjek kultin e panballkanizmit e të eurocentrizmit dhe fetishizon qyterëimin perëndimor. Ky ka shkruar për Perandorinë Osmane : “ Është një perandori shumë e kompletuar. Ajo përfshinte gjithë racat njerëzore, gjithë fetë, gjithë konfliktet, gjithë fatet. Ajo zotëronte mekanizmin më të përsosur burokratik të të gjitha kohërave. Në këtë Perandori ju mund të gjeni të gjitha perandoritë, përfshi edhe Rajhun e Tretë apo Perandorinë Sovjetike…Modelet janë të gjitha në Perandorinë Otomane. Ishte si SHBA në Mesjetë. Në këtë perandori shumë të errët e të tmerrshme hera herës gjejmë po kështu shenja të një tolerance të madhe…Jo vetëm (me) çifutët. Perandoria Otomane ndoqi një politikë nacionale ndonjëherë shumë më inteligjente se të vendve të tjera dhe perandorive të tjera.”
Këto fjalë janë të botuara në të përjavshmen “Fjala” në Tiranë më 1 Mars 2004 nën titullin e madh”Perandoria Otomane –janë Shttetet e Bashkuara të Mesjetës” Dhe kush është autori i këtyre fjalëve? Shkrimtari Ismail Kadare gjatë një bisede me Tierri Fabrë, për revistën “Qantara”. Atëherë si ia nxe goja po këtij Kadaresë që shqiptarët që kanë shërbyer në “SHBA të Mesjetës” (Perëndorinë Otomane) t’i trajtojë si shtypës të popujve të tjerë e racistë kur ai këto fjalë nuk i përdor sot për shqiptarët që i shërbejnë SHBA-së deri në ushtrinë pushtyuese në Irak ( në kohëne osmanëve shqiptarët i çonin në Jemen ushtarë)?! Pse Kadareja në shkrimin “Poshtërimi në Ballkan” e shkrime të tjera shkruan për Perandorinë Otomane sikurse ka shkruar serbofilja Rebeka Uest në vitet 1930 ndërsa për shqiptarët në shërbim të Perandorisë Otomane lëshon po ato akuza që ka lëshuar Vuk Drashkoviçi në vitin 1989 dhe propaganda serbe për dy shekuj?! Sepse kadareja do të gjejë artifice propagandistike që të barazojë edhe shqiptarët në racizëm me serbët e grekët.
Ky është njëri nga qëllimet kryesore të shkrimit “Riparimi i së keqes”. Ky është misioni që i ngarkohet Kadaresë në projektet shumë cinike që po bën diplomacia e disa vendeve të Perëndimit, madje dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Hagës që luftën genocidale të serbëve në Kosovë ta barazojë me luftën e UÇK-së e të gjithë shqiptarëve për çlirim kombëtar, që fajsinë për tragjedirat në Kosovë ta ndajë midis serbëve e shqiptarëve, pavarsisht se si kanë rrjedhur ngjarjet. Nëse Kadareja i qëndron mendimit se Ballkani para së gjithash ka nevojë për të vërtetën atëherë ai duhet të ngrihet kundër këtij krimi që po bëhet ndaj të vërtetës dhe jo të radhitet pranë vrasësve të të vërtetës mbi tragjedirat shqipare apo ballkanike.
<span style="font-weight: bold">Kadareja do të njollosë shqiptarët me racizmin e tij antikinez</span>
Një shëmbull tjetër flagrant që tregon se si një e vërtetë në gojën e Kadaresë bëhet gënjeshtër është kur Kadareja shkruan : “ Një racizëm i vonë, i mbetur në shpërgënj, ishte ai kundër kinezëve, i vetmi me sa duket, me prejardhje politike, mosmiratimi i një miqësie groteske, që u fik, për fat të mirë, bashkë me maoizmin, pa lënë asnjë gjurmë ndaj komunitetit kinez që jeton sot në Shqipëri”. E vërteta që Kadareja enjeh mirë por përpiqet ta fshehë me shumë djallëzi është se në Shqipëri vetëm një njeri ka tentuar të nxisë racizëm kundër kinezëve dhe ky njeri është pikërisht Ismail Kadareja me romanin e të tij “Koncert në fund të Dimrit”.
Për t’i bërë servilizma të pështira Enver Hoxhës, Ismail Kadareja shkroi këtë roman turpi ku sulmohet jo vetëm politika e Kinës komuniste por tërë historia e Kinës, karakteri kinez. Vetëm pse ka shkruar një roman të tillë Kadareja nuk e meriton as të jetë kandidat për “Çmimin Nobel”, sepse pot ë marrë Kadareja këtë çmin do të jetë miratim i një racizmi ndaj një të katërtës së njerëzimit. Kadareja e ndjen sa e ka dëmtuar ambicien e tij për titullin “mirëbërës i njerëzimit” me racizmin antikinez që ka shpalosur në roman prandja tenton tani që këtë racizëm të tij personal t’ia veshë gjhithë kombit shqiptar, që të pudrosë fytyrën e tij të nxirë me racizëm antikinez duke nxirë atë të gjithë shqiptarëve. Nëse ndonjë nga panagjeristët e Kadaresë do të më sulet se me këto rreshta po fyej “Nderin e Kombit”, se dëmtoj atdheun duke thënë që Kadareja nuk e meriton “Çmimin Nobel” po i jap përgjigjen paraprake : është një rast kur duhet bërë siç ka thënë Çadajevi dhe dashuria për të vërtetën duhet vënë mdi dashurinë spekuluese për atdheun.
<span style="font-weight: bold">Kadareja fshikullon komunizmin në Shqipëri deri në vetposhtërim kombëtar</span>
Studiuesi serioz i veprimtarive agjenturore në Shqipëri e kundër saj, Bekim Budo, kur analizon në gazetën “Ballkan” të datës 29 Prill 2004 fushatën e dendur të duelevet mediatike e gazetareske që ka shpërthyer kohët e fundit lidhur me vlerësimin e sistemit komunist e të figurave të tij qendrore dallon tri dukuri : “nostalgjia për gjithçka është kryer (“performancë ideale”), denigrimi për gjithçka është realizuar nën regjimin e kaluar(‘nihilizëm pezhorativ”) dhe absolutizim i rolit të personaliteteve (“personalizim spekulativ tendencioz”).
Ismail Kadareja në tërë shkrimet e tij qysh ku braktisi Shqipërinë është përpjekur të radhitet te denigruesit më të mëdhenj të komunizmit dhe të enverizmit, ndonëse siç tregojnë analizat e veprave e veprimeve të tij, sidomos studimi i bërë nga Petraq Kolevica, ai ka qenë njëri nga propagandistët himnizuesi më të shquar të komunizmit e të figurës së Enverit në Shqipëri e në botë..
Kadareja në “Sprovën” e titulluar ”Poshtërimi në Ballkan” shfaqet egërsisht trillues dhe keqdashës ndaj popullit të vet duke u nisur nga pozitat e “antikomunistit” të tërbuar dhe duke keqpërdorur të vërtetën që Shqipëria ka qenë vend i izoluar nën regjimin komunist. Në të njëjtën kohë ai përpiqet të lehtësojë qëndrimet armiqësore të të huajve ndaj shqiptarëve duke shkruar :” Politika vetvrasëse e veçimit, krimi fillestar e njëherësh më i rëndi i komunistëve shqiptarë, ka qenë fatale në këtë hah”.
Kadareja ende nuk do, ose dhe nuk është intelektualisht në gjendje të kuptojë se “otracizmi”(veçimi) i popullit shqiptar nuk ka qenë pikësëpari dhe kryesisht vepër e “veçimit vetvrasës” dhe “krimit fillestar të komunistëve shqiptarë”, por ka qenë sëpari dhe kryesisht rrjedhojë e izolimit që u kanë bërë shqiptarëve të tjerët. Fuqitë e mëdha i izoluan shqiptarët në kohën e Rilindjes së tyre Kombëtare, sidomos në vitet e Lidhjes së Prizrenit kur çështja shqiptare u shtrua siç duhej para Europës dhe shqiptarët krijuan gjithë premisat për njohjen e një Shqipërie më vete si subjekt i marërdhënieve ndërkombëtare në kufinjtë etnikë. Shqiptarët i izoloi bota në kohën e shpalljes së pavarësisë. I izoluan në kohën e mbretërimit të Zogut, duke i lënë dorë të lirë Italisë të ushtronte çfardo trysnie të donte. Edhe fqinjë ballkanikë e izolonin Shqipërinë kur bëheshin veprimtari ballkanike. Fuqitë e mëdha i izoluan shqiptarët kur Shqipëria u pushtua nga Italia. Ato nuk njohën Ahmet Zogun Mbret në mërgim, as lejuan krijimin e qeverisë shqiptare në mërgim, sikurse bënë në rastin e vendeve të tjera të pushtuara nga nazi-fashistët.
Pra para se të kryhej “krimi i parë i komunistëve shqiptarë” shqiptarët e Shqipëria kishin qenë vazhdimisht të flakur. Edhe tani në kohën e pluralizmit politik fuqitë e mëdha Shqipërinë e shqiptarët poi izolojnë padrejtësisht, ndonëse neokomunizmin e ndihmuan ato fuqi të rikthehej në pushtet me dhunë të armatosur në vitin 1997.Vet fuqitë e mëdha bënë që në Shqipëri tranzicioni demokratik të shndërrohej në rrëmujë, që në Shqipëri të lëshonin rrënjë korrupsioni dhe krimi, mungesa e stabilitetit e dhe demokracisë së përkryer zgjedhore. Ndërsa tani tërë fajet ua lënë shqiptarëve dhe i ndëshkojnë duke u vrarë shpresat që u patën ngjallur dhe u thonë me cinizëm: “nuk ka lëvizje të lirë për ju në Europë, nuk ka integrim europian për ju deri në vitin 2020”.
<span style="font-weight: bold">Kadareja u vë haraç shqiptarëve të qetësojë jugosllavomaninë europiane</span>
Kadareja e di fare mirë dhe pohon vet se “Një nga arsyet e njohura, përveç revanshizmit të vjetër ballkanik ka qenë jugosllavomania, thënë ndryshe moda e flirteve me fqinjin tonë verior, ajo që më së shumti ka dëmtuar Shqipërinë” ( “Poshtërimi në Ballkan”fq.88) Pra, Kadare e di se “jugosllavomania” (duhet të shtojë edhe “helenomania dhe grekofilia”) ka çuar dhe në “otracizmin” e shqiptarëve. Madje Kadareja e di se si “jugosllavomania” dje vepron kundër shqiptarëve “serbomania” sot. Vet Kadareja shprehet me të drejtë i pezmatuar që dhe në mjedise intelektuale gjermane, ku shqiptarët kanë gjetur më parë më shumë mirëkuptim, sidomos në lëmin shkencor, sot ndeshemi me një politikë e propagandë të padrejtë e të pandershme antishqiptare.
Megjithatë Kadareja ka tentuar të mohojë një të vërtetë të hidhur ( siç duket për kënaqur ndonjë zelltar të tij të ri si Kastriot Myftaraj) : “Nuk ka komplot kundër Shqipërisë, siç u pëlqen të fantazojnë rrethet nacionaliste shqiptare” ( fq.82 e librit të cituar). Por vet Kadareja me përshkrimet e vëzhgimeve të tij vërteton se komploti është fare sheshit, edhe tani, pesë vite pas zhvillimevet shumë të favorshme për shqiptarët në pranverën e vitit 1999 ky komplot bëhet sërish veprues e cinik.
Vet Kadareja e pohon se “projekti i vjetër i copëtimit të vendit (është ) rishfaqur me një kostum të ri: vend shumëkombësh” (fq 14). Ky projekt që alarmon Kadarenë në Shqipëri shfaqet nëpër biseda televizive nga përfaqësues grekësh, romësh, vllehësh, maqedonësh. Kurse në Kosovë ky projekt paraqitët si politikë zyrtare e diplomacisë ndërkombëtare. Kadareja për këtë duhet të shqetësohet edhe më shumë, kundër kësaj duhet të ngrihet në radhë të parë, sidomos tani që parlamenti serb miratoi dhe planin “realpolitik” të Koshtunicës për kantonizimin e Kosovës.
Nuk ka përse mërzitet aq shumë Kadareja për “racizmin shqiptar” kundër serbëve, kur vet ai e thotë se “antishqiptarizmi është kthyer në profesion fitimprurës. Përbaltja e Shqipërisë, fyerja përqeshja, tallja cinike, të gjitha këto shpërblehen… në zyrat europiane..”(fq.50) . Atëherë çdo intelektual shqiptar e ka për detyrë të përqëndrohet kundër këtij rreziku të madh e jot ë humbasë kohën dhe energjitë për të kërkuar me lupë të gjejë ndonjë shenjë të “racizmit shqiptar”, apo të bëhet shegert i “jugosllavomanisë europiane” duke sulmuart protestuesit e Kosovës dhe duke vajtuar për djegien e kishave serbe.
<span style="font-weight: bold">Syzet pariziane e mjegullojnë vështrimin mbi politikën antishqiptare</span>
Vet Kadareja thekson : “Ndërkaq s’mund të mohohet një ftohtësi e vazhdueshme, për të mos thënë një mungesë dashamirësie ndaj shqiptarëve, rikthim i një klime të vjetër, të kohës kur Europa flirtonte me Jugosllavinë. Rrjedhojën e këtij flirti populli shqiptar e pagoi shumë shtrenjt, sidomos në Kosovë. Në verëbërinë evropiane, mu në mes të kontinentit ndodhën për vite të tëra krime mesjetare. Do të mjaftonin gjysmë million shqiptarë të kaluar nëpër zyrta e hetuesisë e të policisë..do të mjaftonin…Do të mjaftonin 1000 foshnjat e shkuara në thikë si berrat siç e ka pohuar vet shtypi liberal serb, që Evropa të mos pendohej kaq shpejt për ndëshkimin e Serbisë”.
Kadareja e di fare mirë, madje na e shpjegon edhe net ë tjerëve, se Europa është penduar që ndëshkoi Serbinë dhe që nga ky ndëshkim përfituan diçka shqiptarët. Kadareja e ka vënë re shumë mirë dhe e vë në dukje po aq mirë se : ”Mizoritë që pësuan gjermanët e pafajshëm pas LDB, shpërnguljet e trishtueshme, vuajtjet, nuk e përmbysën megjithatë historinë”. Kjo do të thotë se faji i gjermanëve as nuk u shlye, as nuk u la në harresë. Madje pkërisht këto ditë ky faj u rikujtohet gjermanëve duke organizuar pikërisht në kryeqytetine tyre, Berlin, atë “Konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit”, e cila n fakt është një spekulim me diplomacinë konferencore ndërkombëtare se bëhet për të ulur zemërimin që po ngrihet në botë kundër egërsisë së sionizmit në Lindjen e Mesme dhe për të përligjur ndikimin e madh që po ushtron sionizmi në politkën e SHBA nën maskën e “luftës kundër terrorizmit islamik e Al Kaedasë”.
Kadareja e ka theksuar me shumë vend se në rastin e serbëve e të Kosovës po pëpiqen të bëjnë ndryshme nga rasti me gjermanët dhe komenton me pezmatim të përligjur : “ Është komode me sa duket për ndërgjegjen e penduar europiane kjo përmbysje. Është mënyra më e lehtë për t’u kthyer tek politika e dy kuteve ( deux poids et deux measures) për shqiptarët. Thelbi i këtij qëndrimi ka qenë lejimi kundër shqiptarëve i asaj që nuk lejohet kundër të tjerëve. Një rikthim, qoftë dhe i pjesëshëm te ky qëndrim do të ishte fatal për gadishullin ballkanik. Ndërkaq shenjat e këqija, ato për të cilat u fol në kët sprovë, janë fare të qarta, që nga racizmi kundërshqiptar, i mbështetur nga një prapavijë e tërë propagandistike, gjer te lazdrimi i liderëve serbë, atyre që e kanë ndërgjegjen të njollosur nga krimi dhe të inkurajuar nga ky lazdrim guxojnë ende të ulërijnë sot se Serbia nuk do t’i kërkojë kurrë ndjesë Kosovës. Praktika e dy kuteve arrin një nga kulmet e saj të hezitimit fyes për t’u shprehur qoftë edhe në parim për pavarësinë e ardhme të Kosovës”.(fq.83-84 të librit të cituar).
Pasi lexon këto, nga fundi i librit të duken gjëra të vogla të pjesëshme ato veprimet e turpshme të njëfarë akademikeje angleze, Gabriele Hanah, për kanibalizmin e shqiptarëve ( <span style="font-style: italic">që paska zbuluar se katolikët në Veri të Shqipërisë të dielave hanë nga një anëtar të fisit</span>), ose të atij francezit Ksavie Rofer që paska zbuluar se “themeli mesjetar i mafias qenka në Kanunin e Lek Dukagjinit”. (fq.36-37) Kësi të marrësh do të ketë gjithnjë, sidomos kur ka dhe shkrimtarë shqiptarë, miq të Kadaresë që shkruajnë se perversiteti tek shqiptarët gegë qenka në atë shkallë sa venë gruan të flejë më mikun e shtëpisë, ( romani “Turpi”). Kadareja nuk ka thënë gjë kundër këtij romani sepse edhe vet ka shruar për “festivalet e homoseksualizmit” në bjeshkët e Veriut; ka erotizuar Kanunin, ka përdhosur mbajtjen e besës së vllait të vdekur dhënë nënës e motrës në Legjendën për Kostandinin e Doruntinën, duke e paraqitur si ndodhi perverse inçesti.
Por, me rëndësi për polemikën tonë është që vet Kadareja e pohon që në politikën zyrtare europiane “jugosllavomania” është kthyer të “serbomani”, se “jugosllavomania” dje ka bërë që Europa të veçojë shqiptarët, çka qartëson rrezikun e sotëm se përsëri për “serbomaninë” e saj Europa vepron kundër të drejtës së shqiptarëve të Kosovës.
Pra, kur lexon librin “Poshtërimi në Ballkan. Sprovë”, teksti i të cilit është botuar në fund të vitit 2003, para se të ndodhnin trazirat e 17-18 Marsit 2004 në Kosovë, vëren qartë se Kadareja i ka ditur për bukuri të gjitha këto, se pas ngjarjeve të 17-18 Marsit nuk është duke u ravijëzuar ndonjë politikë e re armiqësore e Europës ndaj shqiptarëve, por vazhdon me më shumë cinizëm ndaj shqiptarëve po ajo politika e mëparshme e “pendimit që u ndëshkua Serbia” në vitin 1999, politika e “dy kuteve” ndaj shqiptarëve e çështjes së tyre dhe praktika shumëformëshe dhe shumëplanëshe e provokimit që shqiptarët të reagojnë vrullshëm dhe pastaj Europa të sulet më keq kundër tyre me akuzat : “jeni mosmirënjohës ndaj shpëtimtarëve”, “jeni trazavaçë, zullumqarë”, “do të humbisni miqtë”.
Në të tilla kushte të vështira për shqiptarët, detyra e çdo patrioti shqiptar, siç i pëlqen dhe Kadaresë të jetë, sidomos e intelektualve me zë e me emër brenda e jashtë trojeve shqiptare, është të dalë me maksimumin e përkushtimit e të fuqisë së tij në mbrojtje të vëllezërve të vet, edhe sikur nga ana e tyre jo gjithç të ketë qenë e përkryer taktikisht në qëndrimet tyre, edhe sikur ata të mos kenë mundur të ruajnë një gjakftohtësi të përsosur. Detyra e çdo intelektuali e politikani shqiptar në raste të tilla është të kundërshtojë e demaskojë ata që u kanë ngritur kurthe shqiptarëve, jo të fillojë e të mallkojë edhe më shumë se kundërshtari ndonjë taktikë të shqiptarëve, ndonjë nxitim, apo teprim në reagim.
Por, për fat të keq Kadareja ka bërë pikërisht atë që nuk duhej të bënte. Me shkrimin “Riparimi i së keqes” ai “që nga aparatamenti i tij parizian” ( Beqë Cufaj) u është vërsulur shqiptarëve me inat e mllef të papërmbajtur, është hedhur në terror intelektual ndaj tyre, ka kthyer kokëposhtë të vërtetat, ka nxirë dhe ato pjesë të bardha që mund të gjenim në shkrimin e tij të mëparshëm “Poshtërimi në Ballkan”. Me një fjalë Kadareja ka shpërthyer një fushatë poshtërimi ndaj shqiptarëve që morën pjesë në protestat e 17-18 Marsit në Kosovë. Kështu “Poshtërimin në Ballkan” e rrumbullkosur si “poshtërim shqiptar” për serbët në Kosovë.
<span style="font-weight: bold">Kadareja i shpall 17-18 Marsin di “Dita e kiametit” në Kosovë</span>
Qyhs në fjalinë e parë ai ka tentuar që protestat e shqiptarëve t’i paraqesë si reagim i paprovokuar nga shkaqe serioze, si “ngjarje të rëda që mbeten në kujtesë dhe që bëjnë të harrohen ngjarje të tjera më të rënda”. Me një fjalë Kadareja qysh në nisje të shkrimit ka hedhur tezën se për shkak të protestave të 17-18 Marsit shqiptarët nuk do të kenë më të drejtë të ankohen për tragjeditë që kanë pësuar deri në atë ditë. Mos vallë Kadareja ka ndërmend të shpallë moratorium për krimet serbe në Kosovë?!
Kadareja lëshon zemërim e mallkim të shfrenuar ndaj shqiptarëve me fjalitë : “ Le të mso kemi asnjë iluzion. Në Kosovë në Mars të vitit 2004 çështja shqiptare pësoi një disfatë. Një dëmtim të rëndë. Një kthim prapa. Le të mos kërkojmë ngushëllim tek proverbi “çdo e keqe vjen për të mirë”. Jemi mësuar që në raste zhvillimesh të tilla të dëgjojmë prej Kadaresë mallkime histerike, falle rrënqethëse dhe parajalmërime katostrifike për shqiptarët. Qysh në çastin kur kemi lexuar këto fjali dhe tërë shkrimin e dinim se Kadareja do të detyrohej më vonë të kafshonte gjuhën, madje të tentonte të bindëte njerëzit se nuk është shprehur ashtu, se nuk e kanë kuptuar etj. Kështu ndodhi me mallkimet vitit 2001 kundër UÇK-së në Maqedoni. Në fakt Kadareja filloi menjëherë në intervsita të mëvonshme të bënte dredha. Por ngjarjet janë në vijim.
Tani në fund të muajit Prill 2004 mund të themi më me siguri se ditën e gënjeshtrave kur lexuam tekstin “Riparimi i së keqes” se dështim ka pësuar mendimi i mllefosur dhe mallkimi arrogant i Kadaresë. Kurse ngjarjet e Marsit 2004 në Kosovë çështjen shqiptare e kanë çuar përpara. Të paktën Holkeri miratoi shkëputjen e Kosovës nga sistemi i Kodit Penal të Serbisë, pushoi një italiankë që ishte lidhur me interesa me Serbinë. Rugova u prit për bisedmie në OKB nga Kofi Anan. Këshilli i Europës filloi të merret me çështjen e Kosovës. Edhe Presidenti i Shqipërisë e mori guximin të përmendte gjatë vizitës në Kosovë termat “pavarësi e Kosovës”. Kështu bënë dhe disa deputetë shqiptarë në Këshillin eEuropës. Shumë vëzhgues politikë ndërkombëtarë kanë qortuar qëndrimet e veprimet e diplomacisë ndërkombëtare, kanë filluar të analizojë mangësitë e mbrapshtitë në punën e UNMIK-ut. Shumë vëzhgues seriozë po theksojnë se i duhet dhënë fund sa më parë gjendjes së papërcaktuar në Kosovë.
Këto ngjarje bënë që shqiptarët të vetëdijësohen shumë më tepër se Kadareja për atë politikë të mbrapshtë që bënte Europa për hir të “pendesës që kishte ndëshkuar Serbinë” dhe për hir të “jugosllavomanisë” që përmend Kadareja në “Poshtërimi në Ballkan” dhe që tani shfaqet si “serbomani”. Këto ngjarje kanë bërë që diplomacia ndërkombëtare të fillojë të mendojë më seriozisht për mangësitë e saj, për dështimet e saj dhe politika shqiptare t’i thërrasë pakëz mendjes për moskokëçarjen esaj. Çështja shqiptare, pra, nuk ka bërë aspak hapa mbrapa nga ngjarjet e 17-18 Marsit.
<span style="font-weight: bold">Hapa mbrapa në çështjen shqiptare janë thirrjet për zemërim të mekur kadarean</span>
Kadareja ka bërë hapa mbrapa edhe në krahasim me ato që shpalosi në “Poshtërimi në Ballkan”. Kadareja në vend që të ndihmojë shqiptarët “të riparojnë të keqen” më shkrimin e tij të ditës së rrenave ( 1 Prill 2004) ka prishur edhe atë imazh që kishte krijuar me “Sprovën” e titulluar “Poshtërimi në Ballkan”, një imazh pjesërisht i pranueshëm pjesërisht, i qortueshmë për ata që Kadarenë e shohin si shkrimtar të madh e politikanist të vogël dhe të shkëlqyer për ata që asnjëherë nuk duan ose nuk janë në gjendje të gjykojnë për qëndrimet e Kadaresë pa përulje idhulltare.
Kadareja klith : “Të shkëputemi nga zemërimi i verbër, nga vizioni dritëshkurtër, nga dufi katundaresk, ky surrogat i keq i patriotizmit, për t’u bërë të aftë të shohim atë që ndodhi dhe pasojat” .
Kjo nuk është kurrfarë thirrje prej intelektuali të madh që po sheh shumë më larg e më qartë se të tjerët. Është më tepër një klithmë e meskinitetit provincialist që askush të mos guxojë të zemërohet pa u zemëruar ai, Kadareja nga Gjirokastra, që askush të mos reagojë pa dhënë urdhër ai, Ismaili nga Parisi, që askush të mos ngoihet në mbrojtje të të drejtave politike shqiptare pa shkruar ai “shkrimtari kombëtar” në një gazetë, ose më shumë se sa lejon ai, “politikani europianist” në ndonjë intervistë. Është bajraktarizmi intelektual i Kadaresë që kërkon të vejë nën hyqëm deri shpërthimet popullore në Kosovë.
Një fjalë e urtë popullore thotë “I mençuri duhet të tregohet gjakftohtë përpara se ta zemërojnë dhe jo kur e kanë zemëruar”( gazeta “Drita” 7 Janar 1990). Më 17 dhe 18 Mars shqiptarët në Kosovë tashmë i kishin zemëruar tej mase. Gazetari nga Kosova Agim Popovci në shkrimin “Përse Shefer nuk ka të drejtë?!”, ( gazeta “Panorama” më 28 Prill 2004) i ka kundështuar me shumë arsye dhe me argumenta serioze shfryrjet kërcënuese e fyese të sekretarit të përgjithëshëm të NATO-s kundër shqiptarëve që bënë protestat në Kosovë dhe kundër politikanëvet papushtet shqiptarë pse këta nuk janë në gejndje të ndrydhin pakënaqësitë e zemërimin e shqiptarëve.
Agim Popovci ka kujtuar në këtë rast se politika shqiptare në Kosovë nuk ka asnjë fuqi e kompetencë dhe nuk ka si të kontrollojë pakënaqësinë e popullit. Ai i kujton Sheferit, por edhe zemërakëve shqiptarë si Kadareja, se ka pesë vjet që forcat e NATO-s durojnë pa çarë kokën të sfidohen nga sebët në Mitrovicën veriore dhe pijanecët serbë në Urën e Ibrit. Popovci i kujton Sheferit dhe zemërakëve si Kadareja se ishte një grusht provokatorësh serbë të nxitur nga Beogradi që bllokuan rrugën për lëvizjen e 80 000 shqiptarëve në mes të Kosovës para se të shpërthenin ngjarjet e 17 Marsit. Ushtritë e NATO-se policët e UNMIK-ut në vend që të zhbllokonin rrugën ruanin serbët të mos i shqetësonte kush.
Nuk ka nevojë të zgjatemi se ç’ndodhi me fëmijët shqiptarë që u mbytën në lum në fshatin Çabër. Por duhet kujtuar që të mos harrojnë zemërakët ndaj shqiptarëve si Kadareja se kur u mbytën dy fëmijë serbë afër Pejës u mblodh Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Ndërsa në rastin e fëmijëve shqiptarë u veprua ndryshe. Filluan menjëherë manovrimet për të zhytur sa më thellë të vërtetën, jo vetëm në ujrat e lumit, por dhe në zvarritjet e burokracisë hetimore, në dinakëritë e politikës e të propagandës. Madje dhe tani po vazhdojnë përpjekjet për ta mjegulluar sa më shumë tragjedinë tyre. Edhe raporti hetimor që bënë me shumë vonesë organet e UNMIK-ut dhe që në mënyrë pakëz të çuditëshme lë në errësirë se kush ka kryer krimin më parë u shpall në TV të Beogradit se të ndiqte rrugën zyrtare në Kosovë.
Kurse OSBE fajsoi shtypin shqiptar të Kosovës pse e pasqyroi tragjedinë e fëmijëve të mbytur në mënyrën e zakonshëme që i pasqyron shtypi ngjarje të tilla tragjike. OSBE qortoi shtypin e Kosovës pse nuk ushtroi autocensurë në këtë rast dhe e akuzoi këtë shtyp se gjoja paska qenë nxitësi i ngjarjevet të 17 Marsit. Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë OSBE-n të fajsojë shtypin e Beogradit, ndonëse ai për vite të tëra ka nxitur, ka mbrojtur genocidin, krimin shtetëror, agresionin serb në Ballkan, ndonëse ky shtyp për dekada ka gatuar e reklamuar krimet kundër shqiptarëve. Si mund të mbeteshin shqiptarët deri në caqet e “zemërimit të mekur kadarean” më 17 Mars kur ata janë nëpërkëmbur nga serbët e Serbia edhe gjatë këtyre viteve që quhen të lirisë e nën mbrojtjen e shpëtimtarëve, kur Serbia u përmend çdo ditë se nuk kanë shteg tjetër veçse të rikthehen nën kolonializmin serb?
Kadareja që sillet me kaq gjakftohtësi duhet pyetur: “ ende nuk e kanë zemëruar serbët? Çfarë duhet të bëjnë më serbët kundër shqiptarëvet që të zemërohet Kadareja me ta, e të mos predikojë më kaq gjakftohtësi përulëse vetëm nga ana e shqiptarëvet? Ose çfarë duhet të pësojnë më shumë shqiptarët e Kosovës që të zemërohen sa të mos u shkojë më mendja tek gjakftohtësia që predikon gjithnjë Kadareja?
Më 1 Prill 2004 Kadareja ka tentuar të caktojë për të gjithë shqiptarët kufinjtë deri ku duhet të shkojë zemërimi i tyre për ato që ndodhën në Kosovë. Kush nuk pranon të qëndrojë në këto kufinj të “zemërimit kadarean” e ka marrë paraprakisht diagnozën se vuan nga “zemërimi i verbër katundaresk”. Kadareja sigurisht ka menduar se autoriteti i tij si diagnostikues parizian i zemërimit do të stepë shumë shqiptarë. Kjo është pjesërisht e vërtetë. Por jo të gjithë e pijnë me ujë e tymosen me nuskën që shkruan Kadareja për të mos i zënë “zemërimit katundaresk”.
<span style="font-weight: bold">Kush duhet të zemërohet me antiracizmin e Kadaresë, shqiptarët apo serbët?!</span>
Më 18 Prill 2004 në gazetën “Korrieri” të Tiranës ( gazetë që bën pjesë në grupim mediatik të komanduar nga një oficer i zbulimit francez që përçon mjaft serbomani europiane në Shqipëri) u ribotua shkrimi “Kadare dhe kosovarët” me autor gazetarin nga Kosova Beqë Cufaj dhe botuar fillimisht në “Frankfurter Algemajne Cajtung” të Gjermanisë. Nga ky artikull mësuan se “Dhuna e 17-18 Marsit, e cila tronditi jo vetëm Ballkanin, por edhe shpirtrat në Europë ka filluar të ketë edhe pasoja të tjera”. Për Ballkanin nuk po na bëhet shumë vonë se i tronditur ka qenë jetë e mot. U mërzitëm pakëz që qenkan trodnitur shpirtrat në Europë se atje shpirtrat janë shumë të ndjeshëm, delikatë, se Europa nuk ka bërë luftra ndonjëherë, nuk di as ç’janë vuajtjet, krimet; nuk ka parë përleshje si ato që u bënë në Kosovë.
Nga kjo fjali kuptuam se për shkak të shpirtit të tij më shumë europian edhe Kadareja do të ketë qenë shumë i tronditur kur ka shkruar “Riparimi i së keqes” dhe në vend të zemërimit të verbër u ka këshilluar shqiptarëve të kenë zemërim me syze të trasha. Beqa është munduar shumë në këtë shkrim të bëjë appologjinë e qëndrimit të Kadaresë të shprehur në të dy shkrimet që po analizojmë “Poshtërimi në Ballkan” dhe “Riparimi i së keqëes”.
Beqa me një dëshirë të fortë avokatore për Kadarenë në Francë dhe akuzuese për intelektualët shqiptarë në Ballkan ( nuk përdor termin troje etnike shqiptare) ka shkruar : “ Derisa shumica e intelektualëve shqiptarë të Ballkanit me heshtje, huti apo injorancë vazhdonin të shikonin tragjedinë e shkatërrimeve, plaçkitjes së shtëpive të kosovarëve serbë e romë ( vini re jo të serbëve e romëve në Kosovë A.B.) dhe posaçërisht të vënies së zjarrit ndaj kishave ortodokse serbe, gjithandej nëpër Kosovë ishte shkrimtari Ismail Kadare ai që nga apartamenti tij në Paris ngriti zërin kundër këtij terrori turpërues”.
Beqa është munduar gjithashtu që ta çlirojë Kadaren nga akuzat që i bëkan disa si nacionalist dhe shpall se “Kadare tek shumica e shqiptarëve përjetohet si ikonë”. Nëse Mehmet Shehu në letrën drejtuar Enver Hoxhës në vitin 1968 Kadarenë e merrte në mbrojtje si “ikonnë e vijës së Partisë së Punës në letërsi”, gazetari Beqë Cufaj në një shkrim për publikun gjerman e shpall “ Ikonë të shumicës së shqiptarëve” për gjithçka. Në ç’mënyrë Beqë Cufaj ka arritur të dijë mendimin e shumicës së shqiptarëve nuk thuhet në shkrimin e tij.
Por, Beqa na ka sqaruar se edhe pse iu dha titulli “Doktor Honoris Causa” në Prishtinë pas botimit të librit “Poshtërimi në Ballkan” intelektulaët në Prishtinë kaluan në “qërim hesapesh me Kadarenë, pritën librin ose me injorim ose me kritika shkatërruese dhe e kanë etiketuar “Vetposhtërimi në Ballkan”. Gjithnjë sipas shkrimit të Beqës “ (intelektualët prishtinas) duke aluduar se shkrimtari “ynë” më i njohur po i “vetposhtëron” shqiptarët dhe vetveten”. Me pak fjalë qysh para se të botohej “Riparimi i së keqes” Kadareja qenka kundërshtuar me heshtje e me shkrim nga intelektualët në Kosovë, sikurse është kundështuar e po kundërshtohet edhe në Tiranë, ndonëse këtu shtabet e mbrojtjes së Kadaresë janë shumë më të fuqishme dhe idhulltarët e tij fanatikë më të përulur. Prandaj Beqa në Gjermani është munduar të marrë në mbrojtje Kadarenë e Parisit, ka sulmuar AKSH pse kërcënon Kadarnë, duke i kujtuar rastin tragjik të Esat Toptanit në Paris.
Dy ditë para se të lexonim shkrimin e Beqës në “Korrieri” një tjetër gazetë apologjete e panagjeriste e Kadaresë “Albania” në datën 16 Prill 2004 kishte botuar një intervistë të gjatë të shkrimtarit malazez Mirko Kovaç. “Albania” ka shfrytëzuar një fjali të Mirkos nga fundi i intervistës për të nxjerrë titullin e madh “ Serbët nuk do ta falin kurrë Ismail Kadarenë” për kritikat me vend rreth miteve e politikës serbe. Duket qartë që ky titull është sajuar nga “Shtabet e mbrojtjes së Kadaresë” si kundërpeshë ndaj kundërshtimeve që i bëheshin Ismailit për shrkimin “Riparimi i së keqes” ku ai në fakt i bën një shërbim të madh politikës serbe ( me dashje apo pa dashje le ta sqarojë Kadareja vet).
(vijon)
Marre nga
http://groups.yahoo.com/group/rimekembja/message/390