Joyce edhe ne shqip!

Kordelja

Valoris scriptorum
Joyce edhe ne shqip!

“Uliksi”, monumenti i shekullit të 20-të vjen në shqip i përkthyer nga Idlir Azizi. “I kam dhënë përkthimit atë gradë vështirësie që ka vepra, ndryshe mund ta divulgosh.” Pas këtij botimi Azizi sjell një seri esesh mbi “Uliksin” dhe një fjalor simbolik me fjalë të panjohura të shqipes, prej Buzukut e këndej, që dolën nga hiri i kësaj vepre

James Joyce edhe në shqip, asgjë e re nën këtë diell

joyce.gif

Elsa Demo

“Do të farkëtoj në kudhrën time ndërgjegjen e pakrijuar të racës njerëzore.”
Kështu u sakrifikua Stiven Dedalus, alteregoja e James Joyce-it, në fundin e romanit “Portret i një artisti në rini” për t’u rikthyer në faqet e “Uliksit”, në vitet ’40, kohë kur u përfundua ky monument i letërsisë së shek.XX. Përkthyesi i tij në shqip, Idlir Azizi që e mbajti në duar për 6 vjet këtë krijesë, thotë që në krye se kjo vepër kërkon një lexues syhapët e kritik.
Me “Uliksin”, James Joyce mbajti premtimin që kishte bërë tek “Portreti”: ai nuk do të bëjë tjetër veçse do deheroizojë racën njerëzore. Tanimë nuk i intereson aq, ai Dedalusi “farkëtari” (në mitoligjinë greke Dedalus i jep të birit, Ikarit, një palë flatra dylli për të rendur dritës së diellit, aty ku krahët nuk kanë më kuptim), por e shqetëson më shumë Leopold Blumi, një hebre irlandez, një personazh në prag të impotencës dhe që ka për grua një kurorëshkelëse. “Uliksi” është historia e një dite në Dublin parë me sytë e katër njerëzve Bak Malligan, Leopold Blumit, Stiven Dedalusit dhe Moli Blum. Në thelb janë pikërisht burrat Blum dhe Dedalus jetët e të cilëve takohen ditën e 16 qershorit 1904. Kjo është dita e zotit Bloom, nga mëngjesi në të gdhirë në një vend me mjegull dhe nën presionin e patriotizmit, siç është Irlanda. Kjo datë e shënuar që është dita kur autori njohu Norën, gruan e jetës, përjetësohet në këtë vepër si këngë e trupit njerëzor.
Kjo histori është rrëfyer në përroin e ndërgjegjes së Blumit, duke i dhënë lexuesit biseda fragmentare, ndiesi fizike dhe kujtime. Poshtë gjithë kësaj është çështja mitike e hebreut në Dublin në kërkim të një biri që do t’i zëvendësojë djalin e vdekur.
Asgjë heroike nuk ndodh duke rrëfyer përditshmërinë dhe përpjekjen për të jetuar në një vend të përbashkët të botës në kohët moderne. Edhe pse vepra ecën paralel me epikën homerike të Odisesë, “Uliksi” i Joyce-it bën një qasje epike, ndërkohë që gjithçka funksionon si antiepike.

joyce.gif


Atëherë ç’lidhje ka me Odisenë? Një nga biografët e Joyce-it, Richard Ellman, e argumenton këtë pyetje duke cituar Joyce-in në një bisedë me një nga miqtë e tij: “Uliksi (Odiseja) është bir i Laertit, por edhe babai i Telemakut, bashkëshorti i Penelopës, dashnor i Kalipsos…Atij iu desh të kalonte nëpër shumë gjykime, por me mençuri dhe kurajë ia doli të gjithave…Mandej historia e tij nuk përfundoi me mbarimin e luftës së Trojës. Ajo filloi pikërisht kur heronjtë e tjerë grekë ishin kthyer të jetonin në paqë…Ca më tepër Odiseja është fisniku i parë në Europë. Kur doli lakuriq para princeshës (Nausikës) së re, ai ia fshehu syve të saj vajzërorë pjesët e trupit të tij të rrahura nga shëllira…Ai ishte edhe shpikës. Tanku ishte krijimi i tij. Kalë druri apo kuti hekuri, ç’rëndësi ka…” Ç’i ndodhi Odiseut gjatë kthimit drejt Itakës? Asgjë dhe gjithçka. Ndërsa Beckett, një nga miqtë e tij të rrallë do saktësonte: “Joyce nuk tregon për diçka, ai ofron vetë diçkanë.”

Pengjet e Idlir Azizit
Ka lexues që për të hyrë në radhët e dendura të kësaj vepre kanë kaluar më parë nëpër rrathët e “Portretit të një artisti në rini” dhe “Dublinasit”. Nëse do ta shprehnim me fjalë të varfëra aty nis e ngjizet “Uliksi” i ardhshëm. Përkthyesi Idlir Azizi u përgatit tre vjet para se të merrte fjalë për fjalë e radhë më radhë veprën. I diplomuar për ekonomi, dhe pas lidhjeve të forta që krijon me letërsinë dhe përkthimin në Minesota, ai do të sjellë së pari nga Joyce-i në shqip “Dublinasit”. Tani që puna e tij më e madhe është në duart e një numri të kufizuar lexuesish, ka ndodhur të jetë paragjykuar qysh në fillim në qarqet letrare se kush e di ç’përkthim do të jetë. Për Azizin durimi që i ka kalitur “Uliksi”, një vepër që më shumë i ka dhënë dhe e ka mbushur, se i ka marrë, është një punë e mbaruar. “E kam dhënë përkthimin në atë gradë vështirësie që ka vepra, ndryshe nuk mund ta divulgosh”, thotë përkthyesi. “Shpesh pretendohet se 60% e një vepre i takon përkthyesit. Nuk jam dakord. Përkthyesi nuk mund të marrë më shumë se ç’i takon”.
Me mirëseardhjen në shqip të “Uliksit” Azizi rrëfen një “sekret” të vogël, në përleshjen me magjistarin dhe shkatërruesin e letërsisë angleze, James Joyce. Përkthyesi ynë tregon se ka luftuar gjatë që këtë burrë të mos e ketë si “xhebrail”, si gjeneral mbi kokë, duke i dhënë fund kështu edhe rrëzimit të një idhulli. “Nuk jam xhojsian”, tregon Azizi, “do thoja se ka autorë që i vlerësoj më shumë se Joyce-i, për raportet e tyre me gjuhën”, duke shtuar se krijuesi i “Uliksit” nuk gjen asnjëherë rehat me gjuhën. Asnjëherë nuk i ka marrë fjalët ashtu sikundër janë, por duke qëndruar në kuptimet e tyre të treta e të katërta. “Eshtë njëlloj sikur të përkthesh poezi simboliste”.
Ndër 18 kapituj që ka struktura e “Uliksit” përkthyesi veçon ata më të vështirët. Janë tre të parët, sigurisht nisur me telemakiadën (sipas strukturës së Odisesë së Homerit “Telemaku”) për të adhur tek episodi 11 ose “Sirenat”. Lidhur me këtë episod Azizi tregon natën e tij të parë në Dublin, në vitin 2000. Ndodhet në hotel “Ormond”, pikërisht ku zhvillohen ngjarjet e kapitullit të 11-të. Dublini po njëlloj, si treçerek shekulli më parë. Pasi bën xhiron qark qytetit, kthehet në hotel rreth orës 4 në mëngjes, në pijetoren pranë hotelit, ndesh njerëz që pijnë, këndojnë dhe flasin për nacionalizmin. Ky kapitull i ngjan një partiture operete, me shumë aliteracione, përkëmbime, gjymtyrë të reja, neologjizma.
Për nga shkalla e vështirësisë së përkthimit një gradë më sipër është episodi “Lopët e diellit”. “Joyce ka parodizuar këtu gati 32 stile të ndryshme të prozës në gjuhën angleze, nga ai me elemente latine, nga versioni i Biblës së mbretit Xhejms, pastaj me radhë Dickens, Thackeray, De Quincy, Newman etj, dhe përfundon me një përzierje theksesh të ndryshme, anglishte me zhargon, anglishte amerikane e zezakësh e me radhë.” Dhe për t’ia dalë mbanë përkthyesi iu është rikthyer këtyre autorëve dhe veprave të tyre në shqip, për të gjetur fjalë të atyre epokave, duke e çuar në 30 numrin e titujve të lexuar paralelisht për hatër të “Uliskit”, përpos punës fizike me shfletim fjalorësh, variantet, italisht-frëngjisht të veprës, kontaktet me shtëpinë e përkthyesve në Irlandë, me Shoqatën e “Uliksit” në Dublin. Eshtë gati një enciklopedi me 42 mijë fjalë kjo vepër. Për të arritur deri këtu përkthyesit shqiptar i është dashur të kthehet te shqipja e Buzukut, nga e cila ka zbardhur plot 30 faqe, apo nga eposi i kreshnikëve. Kjo është një tjetër dhuratë bujare që falë përkthyesit Joyce po na gëzon. Janë fjalët e panjohura shqip, si përshembull berr-hark, apo provania-providenca “zbuluar” tek Mjeda, fjalë të ringjallura nga hiri i kohës të cilat Idliri mendon t’i bledhë në një fjalor. Ai mendon të bëjë edhe një listë me detaje të ushqimeve, robave të përdoruara që gjejmë me shumicë tek “Uliksi”. Korpusin e joyce-adës ai mendon ta plotësojë shumë shpejt me një seri esesh mbi “Uliksin” nga kritika botërore, e cila në këtë rast nuk merret me detaje linguistike por me fenomenin e krizës totale të krishtërimit, derdhur si zjarr hekuri mbi heroin mjeran Leopold Blum. Një baba që kërkon një bir, ashtu si një i krishterë beson në ardhjen e Mesias.
Ndërsa ai vetë, Idlir Azizi, do ketë rrëfejë në esenë e tij “Pengjet e Uliksit”.


Marre nga Shekulli.com.al

16/11/2003
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Joyce edhe ne shqip!

Një Uliks nga Dalbania

joycecollage4.jpg


Fritz Senn

Uliksi shqip ka disa kohë që pritet dhe për fat tani e kemi në duar; një tjetër vend bosh u plotësua në hartën letrare. Kjo bëhet edhe më e paraqitshme përderisa vetë Joyce-i përdori gjuhën shqipe, në largësi nga epiqendrat europiane, në librin e tij të fundit Finnegans Ëake, ku një nga pasazhet ka tharm të veçantë:
Tjetër çështje, për shtesë ndaj rërës origjinale, vërvit dinamit pluhur, gazetë e dehur apo fletushkë e qullët cilado përdorur (çdo vet ose i varur në të hangër në sotqërinë e pijetarit tonë mund ta shohë syparin dukevetë, një xerr dhomë od’ të ftoftë, gjallimi duke belbëzuar mbi një karrig’, një voe halli nga Dalbania me një sy en’ ku bëhet darka, çdo gotsasi me raki, një portokall e ca buk të shtruara në sofër, të kujtohet ai lloj i tbutë sheqiri që motra na tregonte kur të gjithë ishim biribijat apo nipa e mesat) ka a’rritur lëndjën tokësore ndërsa ngarriteshim në të shkuarën.
Të gjitha fjalët e shënuara këtu janë në një nga blloqet e shënimeve të Joyce-it, bashkë me mbi dyzetë gjuhë të tjera. Ndofta ai i pat nxjerrë nga ndonjë libër ose mund të ketë pyetur ndonjë folës vendas. Ai i grumbulloi ato në një fjali që ka shtresë të fortë në lidhje me ushqimin. “Dalbania” kombinon vendlindjen e tij Dublinin dhe Shqipërinë dhe kështu ky Uliks i ri është reciprok me këtë proces.
Megjithë përthyerjet që pëson gjatë përkthimeve (dhe natyrisht çdo përpjekje për t’i konvertuar dredhitë idiosinkratike të Joyce-it nuk shkon larg) Uliksi ka patur në letërsi një efekt që s’mund të krahasohet. Nga njëra anë ai shfaqet si monument i palexueshëm dhe i errët, diçka që vetëm një elitë intelektuale rreket ta shfrytëzojë për të shtuar madhështinë e vet; dhe nga ana tjetër, libri ka kapur tregjet dhe është shndërruar në kulturë popullore, që e tregon fare hapur. Një sajesë letrare, punë asgjëje veç disa fjalëve e gërmave në një libër, 16 qershori njihet në mënyrë globale si “Bloomsday”; njihen festime dhe mbledhje, disa në formë kulti e përnderimi, disa me përqeshje, disa plot komercializëm të trashë. Fiksioni është shndërruar në performancë aktuale, për të treguar gjallërinë e atij fiksioni të veçantë me një jehonë aq të gjerë e universale.
Të gjitha përgjithësimet rreth Uliksit janë bajate dhe banale, thua sikur Joyce-i të kishte futur frymë të re në steriotipet e vjetra. Tek ai gjejmë po ato shqetësime të vjetra njerëzore: familja, përkujdesi, konflikti, beteja apo pushteti, rrënimi, zija, vetmia apo mashtrimi, të gjitha të paraqitura aq vrullshëm tek Odiseja-asgjë e re nën këtë diell. Por Joyce-i ofroi trajta të çuditshme, variacione të habitshme të kësaj asgjëje të re. Ajo që duket si roman u shndërrua në një seri tematike. Eshtë bazuar në një epikë klasike, përmban pasazhe lirikë, forma dramatike, është i mbushur me parodi, imiton teknikat muzikore dhe kërkon vëmendje ndaj detajit që në përgjithësi aplikohet vetëm për poezinë.
Me sa duket Joyce-i nuk pranoi të përjashtonte asgjë, pavarësisht sa të habitshme në dukje apo të kundërshtueshme mund të ishin ato. Në sistemet kaotike të aktiviteteve të hiperlidhura njerëzore, asgjë s’mbetet e huaj apo e izoluar. Uliksi merret me akte të zakonshme si urinimi, apo me objekte si shamia, paramandoja, copëza letre (“fletushka”), elemente të vockla që puqen kalimthi me çështje të ngatërruara teologjike, me historinë, padrejtësinë, nacionalizmin, racizmin e me të zhbiron atë që është realiteti ose e vërteta.
Joyce-i u përpoq të arrinte më afër asaj që ndodh në mendjet tona nga sa bënë pararendësit e tij, duke rafinuar teknika tradicionale në atë që asokohe u quajt monolog i brendshëm, një lloj lexim-mendimi i verbalizuar, me të gjitha rastësitë e subjektivitetit, frazat e hedhura rëndom, sfida ndaj rendit logjik apo ndaj strukturës gramatikore të fjalisë. Jo gjithçka që na kalon në mend është e denjë apo menjëherë kuptimplote. Tashmë ne e kemi tejkaluar fazën e skandaleve që sollën botimet e para dhe po ashtu kemi mësuar të dallojmë mendimin nga fjala e thënë apo aktet e tilla (gjë që ishte tepër e vështirë për lexuesit e hershëm).
Joyce-i vizaton një botë të vjetër, rezultat i turbullirave historike, i betejave, evolucioneve shoqërore, konvencioneve, besimeve, ritualeve dhe mijëvjeçarëve të rrëfimit dhe poezisë, të gjitha të implikuara në të tashmen 1904. Të gjitha këto dalin në sipërfaqen e dorëshkrimit të Joyce-it. Uliksi është i mbushur me kumbime, shumë evidente në vetë titullin, ka citime të drejtpërdrejta, aluzione, deri në jehona më të vakëta dhe sigurisht klishe, fraza që janë zbehur nga përdorimi i tepërt dhe që e kanë humbur këndin e mprehtë të dikurshëm. Ka një kuptim të gjithëçkaje që është thënë më parë, një déjà vu, sikundër shumica e objekteve në shtëpinë e Blumit janë të dorës së dytë e të tilla janë shumica e mendimeve të tij dhe tonat. Pa fjalë që shumica e aluzioneve në traditat angleze dhe irlandeze nuk janë lehtësisht të transferueshme në kulturat e tjera.
Uliksi në vetvete shpalon një sekuencë të përkthimeve të brendshme, nga hapësira e gjerë e anglishtes së përpunuar moderne, në foljore (përfshirë dhe fjalorin e rrugës) deri në variantin e veçantë të asaj që tashmë quhet irlando-angleze, me një tendencë të fortë për variantin e Dublinit. Gjejmë mbitheksime në mënyrë të shprehuri shkencore, me bazë latine, edhe në imitimet e mënyrave të të shkruarit që i përkasin shekujve të mëparshëm. Pangjashmëritë e jetës pasqyrohen në stilet heterogjene dhe në shformimet e shumta. Folësit si dhe zërat narrativë përfshihen në parodi, e gjitha e bën leximin një aventurë kapriçioze që është e mbushur me kthesa të papritura që shpesh ngacmojnë, por që tërheqin dhe zbavisin. Uliksi nuk e shfaq menjëherë veten si komedi afatgjatë, sikundër do të dilte më pas, më humoristik ndërsa ecën nëpër të, një komedi që shuan mjerimet e shumë jetëve.
Joyce-i vendosi disa tema në hartën letrare që u bënë mbizotëruese në shekullin e tij. Ai e bëri veten një mërgimtar, pavarësisht se nuk e detyronte asnjë rrezik aktual për të ikur larg Irlandës; ai e kaloi pjesën më të mirë të kohës jashtë vendit, në Austri, Zvicër, Itali, Francë dhe (shkurtimisht) në Angli. Babai i Leopold Blumit ishte një i larguar nga Hungaria, sajë nevojshmërisë kërcënuese dhe Blumi mbetet një i huaj në vendin ku ka lindur, tepër hebre për nacionalistët vendas dhe prapëseprapë teknikisht jo hebre, kështu që ai mbetet dyfish i përjashtuar. Stiven Dedalusi duket se punon shumë me tjetërsimin e tij, një qëndrim që shprehet me raste si arrogancë dhe si një bezdi vigjilente për denjësitë e bisedës së kuptueshme. Madje Joyce-i e trajton anglishten e vet si një gjuhë të huaj, krejt veçan mjaft elementëve të shumtë të huaj.
Gjurmët e nacionalizmit dhe në veçanti anti-semitizmi që Joyce-i tregoi për një periudhë të shkurtër shkuan në përmasa tragjike dhe mërgimi u bë nevojë për mbijetesë.
Uliksi është një roman provincial, i kufizuar në Dublin dhe në periferitë e tij brenda një hapësire kohore fare të shkurtër, më pak se një ditë e plotë. Seria e pushtimeve dhe trysnive që është historia irlandeze e përshkonte gjithë lëndën, e gjithësesi ajo histori nuk ravijëzohet në mënyrë të hapur. Joyce-i nuk i drejton lexuesit e tij në ekspozim konvencional. Leximi ka të bëjë me qepjen bashkë të copëzave të shtrembëra të informacionit të rastësishëm në struktura mëse të përkohshme, është një proces ngacmimi dhe spekulimi. Të kuptuarit e shtigjeve pas: ajo që së pari dukej e zymtë mund të dalë në kursin e mëtejshëm si evidencë e dyshimtë, në kontrast me çka dukej faktike në vezullimën e parë mund të shndërrohet në të dyshueshme dhe në nevojë për interpretim alternativ. Njohja jonë dhe të kuptuarit tonë rriten krahas pasigurive të reja.
Krejt pa kompromis është fokusi i Joyce-it në gabimet njerëzore dhe keqkuptimin njerëzor, gabimet në perceptime apo artikulime, qëndrimi ndaj sensit të pavlefshmërisë së përgjithshme. Pikëpamjet e tij janë në mënyrë të pashmangshme subjektive, çdo gjë i përshtatet ekraneve të mendjes sonë. Nuk ka ndonjë gjë të tillë si e vërteta e patundshme dhe për këtë vepra e Joyce-it është një edukim në skepticizëm, i cili mund të bëhet pjesë e një boshti për të nxjerrë më të mirën nga një shfaqje e varfër, nga një këmbëngulje joheroike prej odiseje për të mbijetuar. Shumë pak qëllime arrihen, planet dalin gabim, ndofta vetëm një ngjarje shkon sipas planit, që është puqja e Mollit me Boljanin, por kjo ndodh jashtë skene. Shumica e ngjarjeve të tjera përcaktohen më shumë nga rastësia sesa nga planifikimi i kujdesshëm.
Në fakt ka mjaft a la carte tek Uliksi, diçka për të gjitha shijet dhe preokupimet, çështje ekzistenciale, të jetës, vdekjes, rastësisë, qëllimit, marëdhënieve njerëzore, psikologjisë, dhimbjes, mitit, përgjatë komedisë së ulët dhe mijëra çikërrima, që arrijnë një jetë fluruese në vetvete. Ndofta mënyra më e mirë për të bashkëpunuar me të të gjithën është ngulmimi në odisenë unike të aventurës së leximit.


Fondacioni James Joyce,
Zyrih, prill 2003
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Joyce edhe ne shqip!

Nelke, kjo tema per shkrimtarin tend te preferuar /pf/images/graemlins/wink.gif

Une mezi pres ta lexoj kete liber, do jete i pari nga Joyce per te cilin edhe te shtunen duke pritur radhen ne banke degjova te flitej, degjova te flitej per perkthyesin qe kish bere nje pune kolosale dhe per te cilin do lexoni edhe ne materialet e marra nga Gazeta Shekulli te cilat jane ne dy postimet e mesiperme.

Eshte nje risi ne Letrsine Shqiptare dhe gjithashtu duhet marre parasysh karakteri shume i vecante i menyres se pasqyrimit te realitetit (mua me duket me shume vetiak) te ketij shkrimtari psikolog dhe perfaqesues te letersise angleze te viteve 800 me gjithe autenticitetin e tij.

Kur ta lesoj do u them c'mendoj /pf/images/graemlins/smile.gif , nderkohe ata qe e kane lexuar jane te mirepritur te thone dicka me shume. /pf/images/graemlins/smile.gif
 

Blendi

Primus registratum
Re: Joyce edhe ne shqip!

Me ne fund, u desh nje shekull fiks.

Kush do ma bleje muanje kopj, rregullohemi ne Wester Union?
 

zog

Primus registratum
Re: Joyce edhe ne shqip!

kordele çi keni keto vitet 800 mi me qafsh, na e nxore joisin ne kohe te kuranit, jo per gje. thuj mi goc shekullit 19 ose vitit 1800. apo te duket origjinalitet me thone 800.
 

atman

Forumium maestatis
Re: Joyce edhe ne shqip!

Xhois nuk i perket shekullit te 19, ose 800-tes, eshte shkrimtar i shekullit njezete. Ka lindur vertet me 2 shkurt 1882, por krijimtaria e tij i perket shekullit qe thashe.
 

atman

Forumium maestatis
Re: Joyce edhe ne shqip!

Per mua eshte nje kenaqesi e veçante qe mesoj se Xhojs po hyn ne Shqiperi. Me ate shkrimtar jane shume gjera qe me lidhin, kujtime te bukura si dhe deshperime. Mos e kuptoni si nje njohje personale. Sot teksa shkruaj keto rradhe nuk e di nese do te ishte me mire ta kisha njohur personalisht dhe kjo do te thote te isha bashkohes, ose te pajtohem me realitetin dhe ta pranoj me te gjitha pasojat dhe ta quaj sidoqofte fat qe e njoha shume me vone, kur isha ende pa mbushur njezet vjet dhe kur u njoha me veprat e tij per shkak te aftesise se nje shoku tim te ngushte per te fallsifikuar firma. (Shok qe nuk kam per ta harruar kurre sepse perfundoi ne menyre tragjike)Nganjehere "krime" te kesaj natyre vlejne. Xhojsin e njoha ne nje kohe kur ta permendje, ishte njesoj si te kendosh sot ne Vatikan nje hymn per djallin.
E lexova ate ç'ka shkruan shekulli dhe me thene te drejten nuk me pelqeu. Por sidomos m'u duk sikur i eshte bere nje reklame e jashtezakoneshme perkthyesit. Gje qe e konsideroj jo aq te bazuar ne realitet, flas per mua qe i njoh veprat e tij te gjitha deri ne rrjeshtin e fundit dhe qe i mbaj tek komodina e krevatit. Veshtiresia e Xhojsit nuk qendron tek fjalori i pasur. Kur ta lexoni jam i bindur qe do te me jepni te drejte. Veshtiresia e Xhojsit qendron tek te kuptuarit e simboleve. Dhe nese perkthyesi ka arritur t'i jape ata, atehere po qe ia ka arritur t'i jape publikut shqiptar nje kryeveper boterore, ne rast te kundert do te jete nje fatkeqesi. Duhet marre parasysh se publiku shqiptar nuk eshte mesuar me kete lloj letersie jashte formave tradicionale dhe per kete arsye Xhojsi mbetet e do te mbetet edhe ne Shqiperi shkrimtar i elites.
Xhojsi eshte themeluesi ne letersi i rrymes se prroit te ndergjegjes, ose i prroit psiqik. Bazat e para te kesaj rryme i hodhi nje tjeter shkrimtare boterore engleze, Virginia Woolf, por Xhojsi ishte ai qe e portretizoi kete rryme i dha penelatet e fundit. Eshte shkrimtar qe operon me simbole dhe nese nuk arrin t'i kapesh, do te thote te dalesh nga vepra pa hyre.
Por kur i kap, kupton nje bote te tere qe zhvillohet nen dhe, nen ate shtrese te mendimit qe ne e quajme subkoshience. Mos e merrni me entuziazem derisa ta kini lexuar dhe derisa te kini gjetur fjalet kyç, simbolet. Per ilustrim po ju marr nje tregim te shkurter te tijin: "MOTRAT" Titulli nuk perputhet me tregimin, pra eshte jashteqendre dhe duket sikur nuk ka te beje fare me te. Sepse ne epiqender jane dy personazhe te tjere, djaloshi dhe prifti. Mirepo motrat perfaqesojne pikerisht jeten mizerabile te irlandes se kohes se autorit.
Jane perdorur qe ne fillim tre simbole: Paralize, Gnomone dhe Simonia. Celesi per te kuptuar gjithe vepren e tij Njerez te Dublinit.
Paralize, eshte humbja e pjeseshme dhe e plote e levizjes, Dublini i kohes.
Gnomone - instrumenti per te matur lartesine e diellit.
Simonia, simonitet, krime qe Dante i ka ne vepren e tij gjigante Ferri. Perfitimi i te mirave materiale duke shitur gjera te shenjta. Pra Hapesira, Koha dhe aksioni.
Naten e mire sepse po shkoj ne krevat, sot jame me temperature. Ju uroj lexim te mbare dhe e perseris per mua eshte nje gezim i veçante qe perkthehet Xhojsi.
 

Rambla

Primus registratum
Re: Joyce edhe ne shqip!

po e studioj :book: tani joyce dhe duhet te them qe ishte nje zbulim shume i kendshem. ka nje stil shume origjinal qe me terheq shume. /pf/images/graemlins/wink.gif siç tha atman joyce edhe pse ka lind ne 1882 hyn tek shkrimtaret e '900-tes. shume te rendesishme kane qene inovacionet e tij tregimtare, si p.sh "flusso di coscienza" (fliksi i ndergjegjes) dhe "monologo interiore" (monolog i brendshem).
 

Rambla

Primus registratum
Re: Joyce edhe ne shqip!

oops /pf/images/graemlins/blush.gif , i kishte thene dhe atman me perpara! madje kishte preçizuar edhe faktin qe jane teknika dhe stile te perdorura dhe nga virginia woolf.
se kisha lexuar atman, nejse :shrug:
 

Kordelja

Valoris scriptorum
Re: Joyce edhe ne shqip!

Blendi, do ia jap nje kopje albanes sikunder dhe librin per capoin, do te shkruaj dicka ne fletet e para, ta kesh kujtim prej meje /pf/images/graemlins/smile.gif

Me falni per ngaterresen e viteve 800, kam gabuar.

Per me teper kur ta lexoj. /pf/images/graemlins/smile.gif
 

romeo

Forumium maestatis
Re: Joyce edhe ne shqip!

per mua Dubliners ngelet me i miri i librave te xhejmsit /pf/images/graemlins/wink.gif
 

Blendi

Primus registratum
Re: Joyce edhe ne shqip!

Kordele, mos harro kopjen time, dhe bezaj nese ke ndonje liber te rralle qe nuk e gjen dot atje, do ishte kenaqsi te ta dergoja, ne anglisht, merret vesh.


Tani une them se Joyce eshte patjeter, patjeter madheshtor, atje larte me me te preferuarit. Pikerisht prej stilit te tij ku proza rrjedh ne shtratin psikologjik.

I madhi Stefan Zweig ne "Bota e djeshme" tregon per miqesine e tij te ngushte me James Joyce dhe pak a shume shprehet: "Shkrimtari me i madh i gjalle, pa asnje konkurent prane" Kjo ishte dikur nga dekada e pare e 1900, kur Joyce ishte ende shume i ri.
 

atman

Forumium maestatis
Re: Joyce edhe ne shqip!

THOMAS STEARNS ELIOT

- Ndoshta meriton te trajtohet edhe si teme me vete, por pastaj ndryshova mendje dhe e futa me XHojsin, vine nga bota e subkoshiences, thashe. Eshte nje nga figurat gjigande te prroit psiqik.
Tomas Eliot i lindur ne SHBA me 1888 pasi beri nje vizite ne Europe me 1915, vendosi perfundimisht te qendroje ketu, ne Angli. Pas krijimeve te para, poemthi "Toka e shkrete" i dha fame.
Botes se ciles i kendon Eliot, eshte e braktisur ne fatin e vet dhe perkundet ne prehrin e vdekjes:
- Prilli, muaji me i eger, gjeneron
tulipane nga toka e vdekur, perzien
kujtesen dhe deshiren, eksiton
rrenjet e shuajtura me shi pranvere...
- Ndersa shkruaj keto vargje kuptoj pse Eliot nuk shikon tek pranvera ate qe ne jemi mesuar te shikojme rendom, lindjen e jetes. A nuk kini pasur ndonje pranvere te trishte, pa shprese dhe ku duket sikur dita perendon me shpejt se lind? Eshte pikerisht kjo bote e kthyer permbys, njerez qe nuk shkojne, jane hijet me kembe dhe njerez qe zvarriten.
- Natyrisht nuk do te vazhdoj me perkthimin apo komentin e vargjeve te poemes, edhe pse kaq nuk mjafton per te kuptuar stilin e tij, boten e tij, stil ku mendimet imagjinata, perfytyrimet, kujtimet, perziehen dhe shperthejne here njera dhe here tjetra ne siperfaqe ndersa realiteti i jashtem eshte i padukshem thuajse inegzistent perballe realitetit te brendshem, atij psiqik.
Ky njeri i letrave u nderua me çmimin nobel per letersi me 1948. Vdiq me 1965 ne Londer.
Eshte nje kombinim i çuditshem ne kete moment per mua sepse po shkruaj per Eliot dhe po degjoj grupin tim te preferuar THE CURE e pikerisht kengen LULLABY. Nje perzierje ngjethese sepse kete çast me vijne ndermend disa vargje te cilat i kam fiksuar ne tru vite me pare dhe s'kam per t'i harruar kurre sepse me ndiqnin pas dhe i recitoja pikerisht atehere kur i kllapuar nga moria e probleme dhe kur reealiteti nuk me afronte gje me te mire se shemtia, une zhytesha brenda vetes dhe...
Ka hije nen kete shkemb te kuq,
Hajde nen hijen e ketij shkembi te kuq,
Dhe une do te te tregoj diçka te ndryshme
nga hija tende, qe ne mengjes te ndjek me hapa te gjate,
Te te tregoj friken ne nje grusht pluhur...
- Nese doni kuptimin e ketyre vargjeve, mos i kerkoni brenda tyre, por ne ndjenjat tuaja, ne ato qe imagjinoni.
- Nese lexoni Tomas Eliot, mos beni kurre gabim te pyesni: C'THOTE? Jo! Ne kete menyre nuk kini per ta kuptuar, duhet te pyesni ndryshe: CFARE MUND TE KETE DASHUR TE THOTE!
 

bolonjezja

Primus registratum
Re: Joyce edhe ne shqip!

e kam lexuar T.Eliot....eshte me te vertete sic thua ti..... :thumbsup:
sa per Xhojsin,me te vertete eshte kthyer dhe ne shqip? :confused:
 

trinity

Primus registratum
Re: Joyce edhe ne shqip!

A mundet dikush te me tregoje se sa eshte qmimi i " uliksit" te James Joysit , atje ne Shqiperi?
 

Dorarta

Primus registratum
Re: Joyce edhe ne shqip!

Sipas artikullit ne krye te temes perkthyesi e ka mbajtur ne dore per gjashte vjet librin deri ne perkthimin perfundimtar. Po kaq vite i jane dashur edhe nje perkthyesi gjerman qe me ndihmen e disa redaktoreve e ka sjelle ate me pas ne formen perfundimtare qe sipas cilesimit qe qendron ne kapakun e brendshem te librit, eshte shpallur nje nga perkthimet me te suksesshme qe jane bere ndonjehere ne gjuhen gjermane. Uroj kete sukses ta kete edhe zoteria shqiptar qe ka marre persiper kete pune te madhe.
 

Rambla

Primus registratum
Re: Joyce edhe ne shqip!

Fillimisht postuar nga trinity:
[qb] A mundet dikush te me tregoje se sa eshte qmimi i " uliksit" te James Joysit , atje ne Shqiperi? [/qb]
pak me vonese po ta jap informacionin, por tani e bleva dhe po te them qe kushton 15.000 lek, pak shtrenjte per rrogat shqiptare :shrug: ...se kam lexuar akoma, shpresoj te jete perkthyer mire, nga faqet e para ate impresion te jepte, por ndonjehere keto gjerat e fryra shume te zhgenjejne pastaj :book:
 
Top