Ismail Kadare

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Qiell Dimri

Qiell dimri,
Dyndje kujtimesh.
Unë ndeza një cigare, u afrova te dritarja.
Më ngjan, se nuk bien flokë dëbore nga qielli.
Por mijëra letra, që kurrë nuk i mora.
Letra të largëta,
Shkruar nga duar të largëta,
Edhe se retë më të largëta.
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Të Huaj Jemi

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç'ish për t'u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën kur i lodhur truri
Portat i Mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n'rrugica parqesh
Shetit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Ti dhe Hëna

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu
Retë shtuhen me vrap pa reshtur
Hëna duket aty-këtu

Porsi retë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të kurse ti
në ëndërrimet e mia përjetë
perëndim s'do të kesh kurrsesi.
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Ti ishe për Mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s'e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T'i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m'ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske.
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Ti qave

Ti qave dhe më the me zë të ulët
Se unë të trajtoja si prostitutë.
Athere lotëve të tu s'ua vura veshin
Të desha, pa e ditur se të desha.

Veç një mëngjes të beftë kur u gdhiva
Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m'u duk,
Athere kuptova ç'kisha humbur,
Ç'kisha fituar kuptova gjithashtu.

Më rrezëllinte si smerald mërzija,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re...
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
Sepse secila m'e bukur se tjetra qè.

Se ish i tillë ky koleksion bizhush
Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,
Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Unë pashë lulet e para

Unë pashë lulet e para
që çelen kudo përmbi dhe
Pashë zogjtë e parë shtegtarë
q'u kthyen sërishmi tek ne

Në brigje, në kopshte, në ara
gjithçka është e parë, gjithçka
Ndërmend dashuria e parë
ato kur i pashë më rà.

Do vyshken të gjitha të parat
dhe prap do kthehen ato
përveç dashurisë së parë
as vyshket, as kthehet ajo...
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Varri

Jashtë ngrenë, piramidën e turpit
Me ulërima, brohoritje, thirravaj.
Dritaret unë i mbylla trishtueshëm,
Të mos hyjë zhurmë e tokës, pluhuri i saj.

Shkretëtirë grimcash, parrullash.
Saharë plenumesh. Të kërcet
Në dhëmbë kuarci i frazave,
Të vdekura qysh nga viti '40.

Jashtë ngrenë piramidën e turpit
Të murtajës, të hoxhës së zi.
Ndërsa unë pranë oxhakut të studios
i vetëm mbi varrin e tij.

I thellë ky varr duhet të jetë
Që piramidën ta gëlltisë krejt,
Që prej gropës së tij të mos dalë
As hoxha, as fantazma e vet.

Mih e gërmo ditë e natë
Thellohu kon dantesk.
Me emrin varrmihës do ta nderroja
Prej kohësh emrin poet.
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Ardhja e vjeshtes

E pandryshueshme si perhera
Ia mberriti vjeshta perseri,
Modifikime avionet paten,
Po krahet e zogjve,kurrsesi.

Ndryshim nuk pati as modeli
I fletes qe te parku ra.
Gjithcka perreth kerkon kujtese
Dhe per kujtese mall vec ka.

Te hyrja e teatrit prape
U shtyne per bileten e fundit.
ne prova regjizori u bertet
Njelloj Cezarit si dhe Brutit.

Pas nje rremuje gazmore shqote
Si grua e re krehur sakaq,
Qe nje karfice ve mes flokesh,
Me nje ylber dita u shfaq.

1980
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Fluturimi i patave te egra ne forme"V"

E krijuan germen
E vetme qe dine:
V-ne superbe
Dhe u nisen fluturim.

Dicka lene pas
Dicka marrin mbi re.
Faleminderit,pata,
Per aq sa bete per ne.

Me nje germe te vetme
Ne qiellin e madh
Sa nje raft librash
Na zgjuat mall.

1980
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Renia e debores

Ty ndoshta nuk te shkoi ndermend
Se qielli rastesisht s'u mbyll
Se kjo debore qe shtroi kudo
Ne te vertete ra per ty.

U projektua cdo kristal
I saj ne qiell te madh diku
Dhe nuk pushoi se reni ajo
Gjersa i gjeti floket e tu.

Qe ti ta shkundje me nje gjest
Shkujdesshem krejt e gjithe gezim
Nje nate te tere qielli punoi
me ernat ne bashkepunim.

Dhe ne mengjes i zbehte ai,
I ftohte hapej madherisht,
ndersa shetisnim ne te dy
Nen altruizmin e tij te hirte.

1980
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Mars

Ajri ngrohet nga pak
Po mbasditeve ben fresk.
Mberijne zogjt befas
Si me teleks.

Ne lajmet e botes
Ka shqetesim jo pak.
Mbi catine e shekullit
Nje ylber rri nderkaq.

Si mengjes i bruzte.
Pa ankthin qe iu prish
Vjen fundi i mijevjecarit
Pa apokalips.

1981
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Ftohja e tokes

Me buje qiejt gatiten per dimerim.

Pleqte thone:dimeron ne toke e jo ne qiell.
Ruaju nga dimri i tokes,
Nga e thjeshta,
E ftohta e saj,
E tmerrshmja.

1979
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Sapuni "Ledi Makbeth"
Antireklame

Ka katerqind vjet
Qe duart ajo lan
Me sapune gjithfare markash
"Lux","Camay".

Por asnje prej tyre
Nga duart dot s'ia heq
Njollat e gjakut
Ledit Makbeth.

Cdo nate ne TV
Reklama gjithfaresh,
Sapuni gjakshlyes
Do te shpiket valle.

Perpara ekranit,
Ledi, ti pret me kot.
Bimesi e globit
Me kot u lodh.

U lodhen mendjet
E shpikesve ne bote
S'do te shpiket kurre
Ai sapun kob.

Ne qofte se ky planet
Ka nje grusht cilesish,
Nje nder me te cmuarat
Eshte kjo,natyrisht.

1987
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Kercenimi

Shtat'qind vjet kam per ti djegur kullat,
Do te t'i vras qente shtat'qind vjet.
Keshtu Mujo me modesti pat deklaruar,
Ndersa eposi po hynte ne shekullin e tete.

Erdh'pas tij i nenti,i dhjeti radhaz.
Sa ngadale ne epos mllefi del...
Shtat'qind vjet kam per ti djegur kullat,
Do te t'i vras qente shtat'qind vjet.

1986
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Kadare, Shqipëria dhe "Poshtërimi në Ballkan"


TIRANE

Poshtërimi i popujve, veçanërisht i popullit shqiptar, shkaqet dhe pasojat që sjell ky fenomen, përbëjnë objektin e librit më të fundit të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. "Poshtërimi në Ballkan" e ka titulluar Kadare librin në fjalë, tek i cili personazhet, konfliktet dhe ngjarjet nuk vijnë me anë të figurave letrare, por në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk është fjala për një roman, por për një esse, që Kadare ka preferuar ta quajë sprovë. "Poshtërimi i popujve, shkruan Kadare, sjell dy të këqija madhore. E para, e çon popullin viktimë drejt katastrofës. E dyta, e egërson viktimën duke ia shtrajtuar karakterin gjer në atë shkallë sa ta shtyjë drejt shkërbimit të xhelatit të vet". Duke dashur të shtjellojë pikërisht këtë përkufizim, Kadare sjell shembuj konkretë poshtërimi të shqiptarëve. Duke nisur kështu që nga incidenti apo "shpërthimi i pezmit antishqiptar në krahinën e Himarës", më pas "me dyshimet e hedhura mbi prejardhjen e Nënë Terezës" e së fundi, një emision televiziv ku disa përfaqësues të pakicave kombëtare në Shqipëri arritën deri aty sa "kërkuan shpalljen e Shqipërisë si vend shumë-kombësh". Në librin e tij, Kadare argumenton se përse "Shqipëria paraqitet sot si një vend që nuk e duan", "lehtësinë për ta çuar atë drejt otracizmit (veçimit)", "lehtësinë për të shtuar problemet e paqëna" etj.


Viktimizimi, një nga pasionet e ballkanasve

Në të gjitha acarimet ballkanike poshtërimi ka pjesën e vet. Ai lidhet me viktimizimin, një nga pasionet kryesore të ballkanasve. Zakonisht të gjithë hiqen viktima, madje xhelatët më fort se të tjerët. Në rrethana të tilla çështja e poshtërimit dhe bashkë me të ajo e viktimizimit, janë tepër delicate në këtë zonë të Evropës. Rrjedhimisht, rënia e kambanës për poshtërim kërkon një përgjegjësi të lartë morale. Një kushtrim të rremë nuk e ndan veçse një hap nga thirrja për krim kundër tjetrit… Historia ballkanase në përgjithësi, e me të bashkë, historia shqiptare, duhet të zhvishen sa më parë nga madhështitë e rreme hijerënda, apo nga idilet rozë, po aq të rreme. Ajo duhet të pastrohet nga pluhuri që mbulon të vërtetën, nga pudra që përpiqet të mbulojë turpin, nga joshja për cubnitë dhe nga krejt kultura e krimit e paraqitur si kulturë herioke. Vetëm kjo shpëlarje do ta ndihmojë Ballkanin të kthjellojë në fillim ndërgjegjjen, e fill pas asaj mendësinë e vet. Gadishulli ynë, më shumë e më ngutshëm se kurdoherë ka nevojë sot për të vërtetën. Popujt e Ballkanit nuk duhet të kenë frikë nga e vërteta, sepse pavarësisht nga prapësitë që kanë bërë me shumë zell, ka gjasë të kenë megjithatë një bilanc të përgjithshëm pozitiv." (Gazeta Shqiptare, 27.01.04)
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Letërsia e gjuhës së ndaluar (Ismail KADARE)

Shkrimi i ndaluar në pesëqind vjet pushtim osman dhe krijimi i një race shkrimtarësh nën komunizëm që mbajti në këmbë metodën e realizmit socialist. Ja dy ndodhitë fatale kur autoritetet kanë vepruar kundër letërsisë. Kjo është një lectio magistralis, "Letërsia e gjuhës së ndaluar", që shkrimtari Ismail Kadare lexoi pak kohë më parë në Universitetin e Palermos, me rastin e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa.



Për një shkrimtar që vjen të marrë titullin "Doctor honoris causa", gjëja e parë që i vjen ndër mend është se, në qoftë se është i detyrueshëm një fjalim, ai duhet të përshkohet nga filli i një argumenti shkencor. Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, po të theksoj këtu se një gjë e tillë është jo fort e lakmueshme për mjeshtërinë tonë.

Kam vënë re se sivëllezërit e mi nga ish-perandoria e përmbysur komuniste, në raste të tilla kanë folur për shtypjen ndaj letërsisë. Thënë ndryshe, një temë që duhej t'i përkiste publicistikës, madje do të shtoja, kujtimeve emocionale, ka marrë statusin e argumentit shkencor.

Në thelb nuk ka ndonjë gabim kushedi çfarë. Shtypja e letërsisë dhe arteve në botën komuniste u ngrit në rangun e një shkence. Rrjedhimisht, trajtimi i kësaj shtypjeje mund të bëhej në të njëjtin stil.

Të gjitha rendet autoritare në botë kanë patur probleme me letërsinë. Në të gjitha rastet është letërsia që, në fund të fundit, ka ngadhënjyer. Ndërkaq, duhet thënë se nga të gjitha rendet, i vetmi që iu afrua fitores kundër letërsisë ka qenë komunizmi. Është folur shumë për këtë, ndaj nuk do të zgjatem.

Do të kujtoj vetëm pyetjen që është bërë shumë herë: a ka shpikur komunizmi ndonjë armë të re, një armë që do të ishte fatale kundër letërsisë?

Përgjigja është po. Është përdorur vërtet një shpikje e re. Komunizmi ishte i pari rend në botë që e kuptoi se letërsia e madhe nuk pësonte asgjë, as prej censurës, as prej burgjeve e as prej tmerreve të tjera. Për ta vënë në gjunjë përfundimisht duhej diçka tjetër.

Kjo shpikje e re ishte krijimi i një race të re shkrimtarësh, një racë që me duart e veta do ta prishte artin e fjalës. Me fjalë të tjera, për të perifrazuar Josif Brodskin, nuk ishte e nevojshme të rrënohej drejtpërdrejt ngrehina e letërsisë, mjaftonte të prisheshin tullat, pra lënda me të cilat ajo ishte ngritur. Kështu, me tulla të sabotuara, ngrehina vetvetiu do të binte. Kjo zgjidhje radikale u arrit vetëm pjesërisht, nëpërmjet atij që u quajt "realizëm socialist".

Përse nuk triumfoi përfundimisht? Çfarë nuk mjaftoi? Mosha e sistemit, ndoshta?

Ka gjasë të ketë qenë kjo e fundit. Komunizmi, dihet, ka pasur dy mosha, njëra 70-vjeçare, që e arritën vetëm dy shtete, Bashkimi Sovjetik dhe Mongolia dhe drejt së cilës po ecën Kuba me Korenë e Veriut. Dhe mosha tjetër 45-vjeçare, që është pak a shumë ajo e vendeve të Europës Lindore, ku hynte edhe vendi im, Shqipëria.

Në historinë e njerëzimit, ajo që e përmenda si "zgjidhje radikale për letërsinë", ka pasur edhe një version tjetër tepër të rrallë e tepër të lemerishëm. Ky version nuk ka lidhje me komunizmin, por me një tjetër fatkeqësi: sundimin osman.

Ju e dini këtë sundim. Ai u shtri mbi krejt Gadishullin Ballkanik. Ai vuri nën vete dhjetëra popuj, gjuhë, kultura. Ai e shkëputi Ballkanin nga Europa, synoi pushtimin e qendrës së Europës në veri dhe gadishullin tuaj italian, në perëndim.

Ashtu si në rastin e komunizmit, edhe në rastin e pushtimit osman, vendi im, Shqipëria, kurrsesi nuk mund të pretendojë se ka qenë një viktimë e vetmuar. Ajo ra nën atë sundim bashkë me gjithë popujt e Ballkanit.

Ajo vuajti të njëjtin ferr. Meqenëse e përmenda moshën e komunizmit, po theksoj se koha e sundimit osman për nga gjatësia mund të quhet pa frikë infernale: pesëqind vjet.

Tingëllon e pabesueshme, dhe është vërtet aq e pabesueshme, saqë kohët e fundit, revizionistët e historisë kanë ngritur tezën se një pushtim kaq i gjatë nuk mund të quhet pushtim. Ata janë duke kërkuar një emër tjetër, më të ndryshëm e, sidomos, më të përshtatshëm me vizionin e sotëm europian për pajtimin e popujve.

Me gjithë përpjekjen për mirëkuptim, personalisht nuk besoj se do të gjendet një tjetër fjalë për të zëvendësuar fjalën pushtim. Ashtu siç nuk ka ndodhur për fjalën "vdekje", e cila ndonëse është shumë më e gjatë se çdo pushtim, vazhdon të quhet, ashtu si dhe më parë, "vdekje".

Tërhoqa vëmendjen tuaj për kohëzgjatjen pesëqindvjeçare të pushtimit osman, jo për të rritur dramacitetin e diçkaje, të cilit dramaciteti i del dhe i tepron, por thjesht për të ardhur prapë te problemi që përmenda më lart, ai i zgjidhjeve radikale të problemit të letërsisë. Është fjala për një tjetër zgjidhje radikale, dy herë, ndoshta dhjetë herë më të lemerishme: ndalimin e vetë shkrimit.

Po e them qysh në krye: nga gjithë gjuhët e Gadishullit të madh Ballkanik, gjuha shqipe, ajo që unë përdor, është e vetmja, shkrimi i së cilës u ndalua për pesëqind vjet.

Unë nuk di ndonjë vend tjetër në kontinentin europian, gjuha e të cilit të ketë pësuar një tmerr të tillë. Përse? Si u gjykua më pas, përse nuk ndryshoi me kalimin e shekujve, si vazhdoi gjer në fund, në çastet kur perandoria plakë po jepte shpirt?

Këtyre pyetjeve e kam vështirë t'u përgjigjem. Shqiptarëve u lejoheshin shumë gjëra: u lejoheshin kishat, pronat, gradat e larta në ushtri e në administratë, madje posti i kryeministrit perandorak, që ata e patën disa herë, por nuk iu lejua kurrë një gjë: shkrimi i gjuhës shqipe. Ky ishte një ndalim i vërtetë, dramatik e pa kthim.

Në kronikën botërore të arsimimit, nuk besoj se gjenden raste kur mësues e vocërrakë, të kapur tek mësonin në fshehtësi shkrimin e gjuhës, masakroheshin aty për aty pa mëshirë dhe pa pendim.

Çfarë mund t'i ndodhë një gjuhe që pëson një lemeri të tillë?

Ç'ndodh brenda saj, në thellësi, atje ku vërtiten mekanizmat? Si bashkëjetojnë veglat e gjalla me ato që njëra pas tjetrës vdesin? Vetë gjuha si mbahet në këmbë, si zbutet apo egërsohet? Ç'cilësi fiton, apo humb? Cilësi engjëllore apo më shumë demoniake?

Gjer më sot nuk kam ndeshur në studime që të merren me këto çështje. Thjesht mund të përsëris se jam njëri prej shkrimtarëve që kam përdorur këtë gjuhë.
Dhe tani më lejoni të flas diçka më tepër për të. Më saktë, të rikujtoj disa shënime që i kam marrë vite më parë, në një periudhë jo të lehtë, jo vetëm të jetës s'ime, por të gjithë popullit që i përkas.

"Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit."
Kjo është fraza e parë e shkruar në gjuhën shqipe.

Nuk njoh tjetër gjuhë të nisë historinë e saj të shkruar me formulën e pagëzimit. Ngjan si e sajuar prej poetësh, ndonëse nuk ka kurrfarë sajimi. Fakti është më se i saktë, madje dokumenti ku kjo frazë është gjendur, një qarkore e shkruar në latinisht prej peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, ka datën e lëshimit. Atje është 8 nëntor 1462.

Gati pesëqind vjet më pas, pikërisht në këtë ditë, 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë do të themelonin partinë e tyre, çka ngjan si një tjetër përkim. Por këtë herë në kahe tjetër.

Partia Komuniste do të luftonte vdekshëm me fenë që ta shkulte e ta nxirrte jashtë universit shqiptar. Por ajo do të vërtitej, do të vërtitej pa pushim rrotull Shqipërisë, me shpresën e kundërt: të kthehej prapë atje.

Më 1555-ën, një murg katolik, Gjon Buzuku, botoi librin e parë në shqip, një përkthim lutjesh, duke bërë kështu për shqiptarët atë që kishte bërë pak a shumë për gjermanët tridhjetë vjet më parë se ai, i famshmi Martin Luther.
Në vitin 1592, Lekë Matranga, botoi "këngën e përshpirtshme", vjershën e parë të letërsisë shqipe të kultivuar:

Gjithëve u thërres, kush do ndejese,
Të mirë të kreshté, burra e gra
Mbi fjalë të Tinëzot të shihni meshe
Se s'ishte njeri nesh që mkate s'ka.

Hijeshia e vargjeve njëmbëdhjetërrokëshe dëshmon për një traditë më të hershme vjershërimi, pa llogaritur dhënesën gojore shumë më të vjetër.

Por, gjatë ikjes së madhe të shqiptarëve, asaj ikjeje të pikëllueshme, që duhej të ketë qenë brenga më e hidhur e këtij kombi gjatë dy mijë vjetëve, shumë libra e dorëshkrime duhet të kenë humbur.

Dëshpërimi i zi, nxitimi, trandja nervore, arkat e harruara, balta, hendekët e rrugës, ujët e detit, të gjitha këto gëlltitën pjesën e tyre nga arkivat e princërve e të baronëve, nga kambanat që ngarkoheshin nëpër anije, nga ikonat e kishave dhe stolitë e zonjave.

Shumë kambana ranë e u mbytën në det.
Ende dergjen atje, në terr e në ndryshk
Me gjëmimin që e ndrynë përbrenda përjetë,
E q'ashtu që së brendëshmi i gërryen e i ha.

Por kambanat e tretura mund të derdheshin sërish në trojet italiane, ku ata u mërguan. Do të tingëllonin ndryshe pa dyshim, dhe do të gjendeshin gjithfarë shpjegimesh për këtë: ajri që s'është po ai, mungesa e bjeshkës aty pranë që kthen jehonën dhe trajta e luginës ose metali që s'qe i njëllojtë, gjersa të gjendej dikush që të thoshte se kambanat ishin po ato, por qenë ata që s'ishin më ata që kishin qenë.

Pra, mund të zëvendësoheshin njëfarësoj kambanat dhe stolitë e grave dhe shumë gjëra të tjera, veç dorëshkrimet e tretura s'ribëheshin më.

Shqipërisë i ndodhi diçka që rrallë i kishte ndodhur ndonjë vendi. Kur elita e vendit, kryezotët, oficerët, njerëzit e letrave, të arkivave, diplomatët, kontët, dukët, shkronjësit e manastireve, duke mos e menduar dot jetën nën shenjën e islamit, ikën përtej detit, u duk se bashkë me arkat e rënda morën me vete edhe trurin e kombit.

Dhe, në njëfarë mënyre, ashtu ishte. Gjithë rrafshnalta shqiptare ra në mpirje e në zi. U duk se vendi, si i goditur në kokë, do të mbetej i gjymtë përgjithmonë.

Por, pikërisht në atë kohë, shtysa e vetëruajtjes rivuri në veprim një mekanizëm të vjetër: letërsinë gojore. Lart në male, atje ku kishte mbetur ende një mugullimë drite, makina e lashtë u trand përsëri.

Kishte qenë përherë aty, por disi jashtë vëmendjes, sidomos qysh nga koha që shqiptarët kishin mësuar të shkruanin, madje të botonin edhe libra në gjuhën latine, si gjithë evropianët e ditur. (Njëri prej tyre, prifti shkodran, Marin Barleti, qe përkthyer ndërkaq në krejt gjuhët e Evropës.) Pra, makina kishte qenë aty, veç tani, në ditët e apokalipsit, u duk se sa shumë i duhej këtij vendi.

Por ajo, si çdo makinë e këtij lloji, kishte teknologjinë e saj trillane: nuk punonte dot veç me brumë të lashtë. Ishin ligje misterioze të trashëguara që në kohërat homerike. Sytë e rapsodëve, ndërsa qenë të veshur për gjashtëqind-shtatëqind vjetët e afërt, shikonin shkëlqyeshëm, përtej tyre: shtatëqind e pesëdhjetë, tetëqind, një mijë vjet.

Dhe kështu, ndërsa Shqipëria po jetonte një tragjedi të re, ata, të verbër ndaj saj, iu rikthyen një tragjedie të kryehershme, dyndjes sllave.

Poshtë në rrafshultë, ndiheshin ndërkaq tek-tuk ca kambana të rralla, regëtinin ca zjarre, një këtu, një aty, nëpër famullitë gjysmë të shkreta.
Diku midis viteve 1566-1622, një tjetër prift katolik, Pjetër Budi, shkruante vargjet:

Ku janë ato gra e vasha
nde sqimë e nde madhështi
me petka të mëndafshta
nalcuom mbë zotërij?
Gjithë mortja i rrëzoi
Sikur i pret me shpatë...

Ato të kujtonin çuditërisht vargjet e François Villonit:
Ku janë zonjat e dikurshme
Ku është bora e vitit që shkoi?

çka dëshmonte se ciklonet poetike e kanë përshkruar rruzullimin tokësor edhe atëherë kur dukej se gjithçka ishte ndarë dhe se ndërkomunikimi midis poetëve ishte i pamundur.
Pas Pjetër Budit, në letërsinë shqipe erdhi Pjetër Bogdani, një nga mendjet më të gjera e të ndritura të botë shqiptare.

Ai ishte poet, filozof e dijetar i madh. Në gjithë veprën e tij ndihet mundimi, lodhja e një titani. Ka gati dyqind vjet që Shqipëria ndodhet në natën osmane.

Pra ajo është ende afër mesnatës (ora e mesnatës duhet të bjerë pas pesëdhjetë vjetësh, përderisa nata e gjithë do të jetë e gjatë pesëqind vjet). Pavarësisht se askush nuk e di se në ç'pjesë të natës ndodhet vendi, poeti e ndien.

Ai e ndien se nën peshën aziatike, bota shqiptare jep çdo ditë krisje e pëson shembje. Feja është një nga ledhet e para që trandet.

Për një habi të pashpjegueshme qartë, dy nga popujt më të moçëm e kokëshkretë të rajonit, shqiptarët në veri dhe kretasit në jug, bëjnë kthimet e para në fenë islamike.

Janë tepër të vjetër dhe janë lodhur nga krishterimi? Ashtu siç qenë ndër të parët që të lodhur nga paganizmi kishin marrë krishterimin? Askush s'mund ta shpjegojë gjer në fund enigmën.

Pjetër Bogdanit, që është peshkop katolik, i dhemb pa dyshim kjo çarje. E bashkë me të i dhembin shumë gjëra të tjera, krejt universi shqiptar që shkon drejt teposhtjes.

Ai e ndien se po irnosen ngjyrat e veshjeve, po zvarget si e damllosur muzika, madje lëvizjet e shqiptarëve po flashken edhe në trutë e tyre pikë-pikë po depërtojnë përftimet orientale: "javashllëk" dhe "kismet".

Ai e ndien madje se edhe gjuha shqipe, sado sipërane e tigreshë të ishte në krahasim me turqishten, po lodhej prej goditjes së shurdhër të bishtit të tjetrës.

Ai i ndien të gjitha këto, ndaj vendos të ndërmarrë diçka titanike: t'i vërë supet botës që rrezikon të shembet. Kjo kushtëzon përftimin si prej galaktike të veprës së tij, universalizmin e saj, vizionet planetare dhe sidomos motivet kozmogonike.

Këto të fundit e mahnitnin veçanërisht Lasgush Poradecin. Duke kujtuar njohjen e tij të parë me veprën e Bogdanit, ai shkruan: "Kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht.

Kozmogonia e të Madhit Shqiptar u bën ballë, me cilësitë e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase), ashtu sikundër këtë e shohim në Biblën hebraike dhe kozmogoninë indike, ashtu sikundër këtë na e shfaqin Vedat e Shenjta".

Titanizmi, ashtu sikurse dhe katastrofa, do të shfaqen herë pas here në letërsinë shqipe, njëlloj si ciklet kozmike. Ato do të shfaqen gjatë Rilindjes Kombëtare me Naim Frashërin. Ato do të rishfaqen në fund të shekullit XX gjatë dramës së Kosovës, që ende mban erë shkrumb.

Pjetër Bogdani është nga Kosova, por s'është kjo arsyeja kryesore, që vepra e tij është studiuar më mirë atje. Arsyeja e thellë është se pikërisht atje u përsërit tragjedia e vjetër. Ashtu si në epikën gojore shqiptare makthi turko-osman ringjalli dyndjen sllave, ashtu në letrat kosovare, makthi sllavo-serb ringjalli dyndjen osmane.

Shkreptima idesh i karfosnin harmonikisht letrat shqipe, ato që duke lindur me formulën e shenjtë të pagëzimit kanë mbyllur ciklet e ringjalljes me një tjetër formulë të shenjtë: Shqipëria u ngjall së vdekurish.

Në mbyllje të kësaj fjale do të doja të kthehesha përsëri te fillimi i saj: ndalimi i shkrimit të gjuhës shqipe.

Ç'do të bënin shkrimtarët e mundshëm (potencialë) shqiptarë me një gjuhë të tillë? Zgjedhjet nuk ishin të shumta. Dhe, veç kësaj, të gjitha ishin të trishtueshme.
E para gjë që të vjen ndër mend në kësi rastesh është heqja dorë prej një prej pasioneve më të vjetra të njerëzimit: krijimit letrar.

Dhe, shumica e shkrimtarëve të mundshëm shqiptarë bënë pikërisht këtë: e braktisën artin e të shkruarit. Ne nuk e dimë dhe as mund ta dimë numrin e tyre. Ne dimë me saktësi vetëm një gjë: që humbja e kulturës shqiptare ishte e pandreqshme.

Një zgjedhje tjetër, më tepër iluzore se e vërtetë, ishte rikthimi i shkrimtarëve në traditën e vjetër rapsodike të letërsisë gojore. Ndërkaq, duhet thënë se, pavarësisht glorifikimit që i bëhet shpesh kësaj tradite, ajo mbetet përherë e mangët në krahasim me letërsinë e shkruar.

Një zgjedhje e tretë, në thelb e pikëllueshme, ishte përdorimi i gjuhëve të tjera për t'u shprehur, kryesisht latinishtja e pas saj, gjuhët e tjera europiane.

Një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë u strehua kështu në gjuhë të tjera, duke i dhënë fjalës emigrim një tingëllim dyfish dramatik. Një letërsi e tërë u krijua kështu nga ata që u cilësuan si shkrimtarë katolikë të veriut, letërsi e fuqishme, brenda kostumit latin të së cilës ndihej drama shqiptare.

Konformizmi me një sajesë letrare turko-osmane, një farë letërsie e lejuar, madje e nxitur nga pushtuesi, ishte një zgjidhje jo vetëm iluzive, por edhe me pasoja fatale në qoftë se do të zinte rrënjë në kulturën shqiptare. Veçantia e parë e kësaj sajese ishte të shkruarit e shqipes me shkronja arabe. Veç kësaj, më e rëndë se kjo ishte brumi gjuhësor me të cilin ngjizej kjo kinseletërsi.

Në këtë brumë, gjuha shqipe zinte një vend minoritar. Si në një pasqyrë dukej qartë se si ajo po jepte shpirt e asfiksuar prej shtrëngimit të një tjetër gjuhe që, jo vetëm ishte gjuhë e pushtuesit, por që nuk ishte as e familjes indoeuropiane.
Në kushte dhe dilema të tilla, shkrimtarët shqiptarë u vërtitën një kohë tepër të gjatë, si tigrat në kafaz.

Një zgjidhje të fundit, nga ato që krijon vetëm dëshpërimi, do të merrte shkas ndoshta nga një model i vjetër, dhe pikërisht nga fraza e parë e gjuhës shqipe të shkruar, formula e pagëzimit, që përmenda në pjesën e parë të fjalës s'ime. Kjo formulë, e hartuar, siç thashë, më 1462-shin prej peshkopit shqiptar të Durrësit, gjendet brenda një teksti latinisht.

Shkrimtarëve shqiptarë nuk u mbetej veçse ky model: të strehonin tekste të kursyer shqip, brenda teksteve të gjuhës latine, të cilën nuk e kapte dot ligji osman. Me fjalë të tjera, të shpresonin që ca modele të gjuhës së tyre të rrezikuar, t'i strehonin për mbrojtje në trupin e ftohur të një gjuhe që nuk frymonte më.

Më lejoni ta mbyll fjalën time me këtë përfytyrim, që sa ç'duket tragjik, aq është edhe mallëngjyes në simbolikën e vet.

Simbolikën e shpëtimit që gjuha e popullit tim ka kërkuar te gjuha, që vërtet nuk ishte më e gjallë, por pa të cilën nuk mund të përfytyrohet qytetërimi europian.
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" i Ismail Kadaresë, ka tërhequr vëmendjen e kritikëve të letërsisë në Shtetet e Bashkuara, pas ribotimit ditët e fundit në gjuhën angleze.

Gazeta "New York Times" botoi artikullin "Një mision i errët në fushat me eshtra të Shqipërisë", në të cilin vlerësohej lart jo vetëm ky roman, por edhe vepra e shkrimtarit të madh në përgjithësi. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese Arcade, e cila ka sjellë edhe më parë vepra të shkrimtarit Kadare për publikun amerikan.

Botimi i "Gjeneralit të ushtrisë së vdekur" është një rikthim në libraritë amerikane. Dick Seaver, shtëpia botuese e të cilit Arcade, nxjerr librin, sqaron arsyet. "Ka dy arsye për ribotimin e 'Gjeneralit të ushtrisë së vdekur", së pari varianti i mëparshëm, kishte dalë jashtë qarkullimit prej shumë vjetësh dhe së dyti zoti Kadare nuk ishte plotësisht i kënaqur me përkthimin e atëhershëm. Edhe përkthimin e tanishëm ai e rishikoi dhe besoj se duhet të jetë i kënaqur me hedhjen në tregun amerikan të variantit të tanishëm".

Arcade ka botuar edhe më parë libra të Kadaresë, përfshirë "Trashëgimtarin" dhe "Vajzën e Agamemnonit". "Ne kemi botuar të paktën 12 libra të Kadaresë dhe i kemi botuar veprat e tij me shumë besnikëri sepse besojmë se ai është një shkrimtar i madh botëror". Zoti Seaver thotë se vepra e Kadaresë nuk ka depërtuar akoma plotësisht në tregun amerikan, pasi siç shprehet ai lexuesit amerikanë kanë në përgjithësi paragjykime për shkrimtarët e huaj. Por ndërsa publiku amerikan në përgjithësi mund të dojë ende kohë për t'u njohur me shkrimtarin e madh, vepra e zotit Kadare është jo vetëm e njohur por e vlerësuar jashtëzakonisht nga kritikët letrarë. Njëri prej tyre është Richard Eder i gazetës "New York Times". "Bota e Ismail Kadaresë është një lloj anti materie. Shkatërron tonën. Vetëm se ndryshe nga ç'ndodh me grimcat elementare në fizikë, bota e tij plotëson tonën duke lënë gjurmë të jashtëzakonshme", shkruan ai. Me këto fjalë e fillon shkrimi e tij për botimin në anglisht të romanit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", Richard Eder i gazetës "New York Times". Më tej, autori që ka shkruar edhe më parë për librat e Ismail Kadaresë në faqet e "New York Times it", thotë se "të lexosh romanet e këtij shkrimtari të madh shqiptar, do të thotë të hysh në një makth ku ne nuk mund të banojmë, por që ne ndjejmë se e kemi brenda nesh".
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Librat e rinj

Ky lexim i mitit në dritën tragjike të Shqipërisë nën diktaturë mund të jetë romani i fundit i shkrimtarit të madh shqiptar

“Mbasi i vuri pikën përfundimtare romanit ‘E penguara’, mbaruar në vitin 2009, me një ton të qetë, që të shtinte frikën, Ismaili më njoftoi se ai do të ndalojë së shkruari romane”, shënon Helena Kadare, bashkëshortja e tij, në “Koha e pamjaftueshme”, libri i saj i kujtimeve, që do të dalë së shpejti, më 13 tetor, nga shtëpia botuese “Fayard”. Prandaj, me një kureshtje të veçantë ne hapim romanin “E penguara”, që nëse besojmë autorin e tij, i vë një pikë përfundimtare një ndërmarrjeje romaneske të zënë fill në Shqipëri në fund të viteve pesëdhjetë, para se të vazhdohej në Francë, ku që nga përkthimi i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka ngjallur admirimin edhe të lexuesve të mirë si Gilles Lapouge ose Julien Gracq: A është fjala pra për përfundimin e një evolucioni romanesk? Për një libër testamentar?

As njëra, as tjetra: “E penguara” është një libër i bukur, me rëndësi, që ngjan shumë me romanet më të vonshëm të autorit dhe paraqitet më pak si një konkluzion definitiv i veprës së tij, sesa si një variacion i ri mbi motivet e njohura. Ne e njohim shijen që ka pasur që prej një kohe të gjatë shkrimtari shqiptar, për romanet e gjatë që nën mbulesën e një afresku historik ofrojnë shumë pista leximi, gjë që i lejoi atij në kohën e diktaturës t’i bëjë një kritikë të maskuar shtetit policor të Enver Hoxhës. Në romanet e tij të mëvonshme, shumë më të shkurtër, Kadare ka hequr dorë nga fiksioni historik dhe kritika e tij ndaj Shqipërisë bashkëkohëse është më direkte, pa rënë megjithatë në reportazh.
 

BeRaTsi_MiZeRje

Aktivist i AlbForumi
Një Hades që nuk e thotë emrin e tij

I familjarizuar me mitet antike, ai i përdor ato për të interpretuar si poet, që ai është gjithashtu, realitetin e një regjimi komunist të rrëzuar. Një nga përkryerjet e tij të mëdha, romani “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, botuar në vitin 2002, që tregon historinë e një aktori të ri të rekrutuar kundër dëshirës së tij në ushtri, dhe i dërguar në një bazë për të mbikëqyrur arratisjen drejt Greqisë të shqiptarëve të pakënaqur me fatin e tyre, ishte një rishkrim i mitit të Eneas, të rënies së Trojës dhe të instalimit në brigjet e Epirit. Me romanin “E penguara”, ai aktualizon historinë e Orfeut dhe të Euridices. Linda-Euridice është një gjimnaziste, familja e së cilës është “internuar” në një qytet provincial. Internimi, ky është një ekzil i brendshëm, një paradhomë e vdekjes: duhet që çdo javë të shkosh “të paraqitesh” në një rajon policie, dhe nëse vihesh re në Tiranë, rrezikon burgun, apo edhe dënimin kapital. Shokët e saj e trajtojnë Lindën si ta kishte zënë murtaja dhe ajo e di që nuk ka asnjë të ardhme, që ajo është e dënuar të vdesë ngadalë, në një Hades që nuk e thotë emrin e tij. Për ta shpëtuar, ajo ka nevojë për një Orfe. Ky do të jetë Rudian Stefa, një dramaturg në modë, që ajo e admiron me shumë pasion. Migena, gjimnaziste si ajo, e cila duke qenë bija e një “patrioti” është e lirë të shkojë në Tiranë, i shërben asaj si një ndërmjetëse, si një “ndihmëse”. Për Lindën, ajo arrin të marrë një dedikim nga Rudiani, për njërën prej pjesëve të tij, pastaj bëhet e dashura e tij. Kur zbulohet trupi pa jetë i Lindës dhe kur gjendet ndërmjet gjërave të saj vëllimi i dedikuar, Rudiani vihet në dyshim që të ketë pasur marrëdhënie me një të “internuar”. Përtej shqetësimit të të marrit në pyetje dhe të ndalimit të pjesës së tij, dramaturgut nuk i hiqet nga mendja vajza e re e vdekur: Po sikur ai të ishte pjesërisht përgjegjës për vetëvrasjen e saj?

Gjatë leximit të kopertinës së prapme, ne jemi, siç ndodh shpesh, pakëz mosbesues. Ne frikësohemi që romani të mos jetë tepër “cerebral”, sa të mos arrijë të kapërcejë parakuptimin e tij intelektual. Por në mbarim të disa faqeve ne jemi të qetësuar. Kadare është kaq natyrshëm romancier, saqë rileximi i mitit në dritën tragjike të Shqipërisë së diktaturës (dhe e kundërta) funksionon përsosmërisht, dhe ai arrin të veshë bukur me poezi dhe me magjinë e legjendës pikturën e një realiteti të zymtë e dëshpërues.

”E penguara” është një roman që nuk harrohet. Ne jemi të prekur, dhe shpresojmë që Kadare do ta vazhdojë akoma këtë vepër unike, që ngre lart realizmin më të rëndomtë në nivelin e universales, duke depërtuar deri në sekretet e mëdha antike.

Botuar në gazetën franceze, “Figaro”
Përktheu Fatmir Alimani


Shqip
 

Narkomane

Valoris scriptorum
Ismail Kadare lindi në qytetin e Gjirokastrës. Atje ai kaloi fëmijërinë dhe kjo la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Asim Zeneli". Më pas kreu studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin "Gorki" të Letërsisë Botërore në Moskë. Këto studime iu ndërprenë për shkak të krizës politike ndërmjet Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik. Kadareja ka punuar në gazetën "Drita", pastaj drejtoi revistën "Les letres albanaises". Së fundi punonte në profesion të lirë. I.Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve '60. Në fund të vitit 1990, dy muaj pas rënies së shtetit diktatorial, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, por mbajti lidhje mjaft të shpeshta me Shqipërinë. Ismail Kadare është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë. Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute. Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të.
Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 32 gjuhë të huaja duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.
 
Top