Re: IRAQ
Ignacio RAMONET
(Le Monde Diplomatique)
E ndiejmë, në këtë çështjen e Irakut, se diçka themelore është duke u luajtur. Sinjale ndizen gjithkund, tërësia e arkitekturës ndërkombë-tare plasaritet, OKB-ja është e përçarë, Bashkimi Europian i ndarë, NATO-ja e frakturuar… Të bindur se mekanizmi i prodhimit të fatkeqësive ka nisur sërish të lëvizë, dhjetë milionë njerëz kanë protestuar nëpër rrugët e qyteteve të botës në 15 shkurt 2003...
...Ata e refuzojnë rikthimin e brutalitetit të politikës ndërkombëtare, me përdhunat e saj të skajshme, pasionet dhe urrejtjet e saj.
Këto frikëra kolektive shprehen në formë pyetjesh të ankthshme: përse kjo luftë kundër Irakut? Përse tani? Çfarë synimesh po ndjekin Shtetet e Bashkuara? Përse Franca dhe Gjermania u kundërvihen me kaq energji? Çfarë situate të re zbulon ky konflikt në fushë të politikës së jashtme? Çfarë ndryshimesh paralajmëron ai në ekuilibrat e mëdhenj të botës?
Shumë njerëz mendojnë se arsyet e vërteta të kësaj lufte mbeten enigmatike. Megjithë dëshirën më të mirë, ata që shqyrtojnë argumentat e njëpasnjëshëm të Uashingtonit qëndrojnë skeptikë. Autoritetet amerikane nuk kanë arritur të bindin për domosdoshmërinë e kësaj lufte. Dhe këmbëngulja e tyre për të theksuar justifikime të dobëta e bën opinionin ndërkombëtar edhe më dyshues.
Cilat janë argumentat zyrtarë? Gjithsej shtatë, këto argumenta u shpallën në raportin "Një dekadë mashtrimi dhe sfide", paraqitur nga presidenti George W. Bush përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së në 12 shtator 2002. Ky tekst prej njëzet e dy faqesh sjell tre qortimet kryesore: Bagdadi nuk i kishte respektuar gjashtëmbëdhjetë rezolutat e Kombeve të Bashkuara; Iraku kishte apo kërkonte të kishte armë të shkatërrimit masiv (nukleare, bilogjike, kimike) dhe raketa balistike; së fundi, ai ishte fajtor për shkeljen e të drejtave të njeriut (tortura, dhunë, ekzekutime pa gjyq).
Katër akuzat e tjera kanë të bëjnë me terrorizmin (Bagdadi strehonte organizata palestineze dhe i jepte 25 000 dollarë famililjes së secilit prej autorëve kamikazë kundër Izraelit); të burgosurit e luftës (nga të cilët një pilot amerikan); pasuritë e konfiskuara gjatë pushtimit të Kuvajtit (vepra arti dhe lëndë ushtarake); shmangie nga programi "Naftë kundër ushqimit".
Të gjitha këto qortime bënë që Këshilli i Sigurimit të votonte në njëzëri, në 8 nëntor 2002, rezolutën 1441, e cila cakton "një regjim inspektimi të përforcuar me qëllim kryerjen në mënyrë të plotë e të vërtetuar të procesit të çarmatimit".
A janë këto argumenta të frikshme gjer në atë pikë sa gjithë vendet ta konsiderojnë Irakun si problemin numër një të botës? A e bëjnë këto argumenta Irakun kërcënimin më të tmerrshëm për njerëzimin? A justifikojnë ato, tek e fundit, një luftë me shtrirje të gjerë?
Këtyre tri pyetjeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndonjë nga miqtë e tyre (Britania e Madhe, Australia, Spanja…) u përgjigjen në mënyrë pohuese. Pa pritur dritën jeshile të çfarëdo instance ndërkombëtare, autoritetet e Uashingtonit (dhe të Londrës) dërguan me ngut në kufijtë e Irakut një forcë ushtarake të frikshme prej rreth 200 000 vetësh, të pajisur me një fuqi kolosale shkatërruese.
Përkundrazi, të njëjtave pyetje, të tjera vende perëndimore (Franca, Gjermania, Belgjika…) dhe një pjesë e rëndësishme e opinionit botëror iu përgjigjën me një "jo" të trefishtë. Ata e njohin rëndësinë e qortimeve, por gjykojnë që të njëtat akuza - mosrespektim i rezolutave të OKB-së, shkelje të të drejtave të njeriut dhe mbajtje armësh të shkatërrimit masiv - do mund të shpreheshin edhe ndaj vendesh të tjerë të botës, duke nisur nga Pakistani dhe Izraeli, aleatë të afërt të SHBA, kundër të cilëve as që mendon kush të shpallë luftë. Ata vërejnë, gjithashtu, se për shumë diktatura të tjera mike të Shteteve të Bashkuara - Arabi Saudite, Egjipt (1), Tunizi, Pakistan, Turkmenistan, Uzbekistan, Guineja Ekuatoriale, etj., - që shkelin të drejtat e njeriut, Uashingtoni mban heshtje.
Nga ana tjetër, ata vlerësojnë se, i nënshtruar për dymbëdhjetë vjet rresht ndaj një embargoje shkretuese, një kufizimi të sovranitetit të tij ajror dhe një mbikëqyrjeje të përhershme, regjimi irakian nuk duket se përbën një kanosje iminente për fqinjët e tij.
Së fundi, përsa i përket kërkimit të pambarimtë të armëve të pagjetshme, shumë priren të mendojnë, ashtu si Konfuci, se "nuk mund të kapësh një mace të zezë në një dhomë të errët, sidomos nëse aty nuk ka ndonjë mace". Ata janë të mendimit se inspektorët e Komisionit të Kontrollit, Verifikimit dhe Inspektimit të Kombeve të Bashkuara, të udhëhequr nga diplomati suedez Hans Blix, dhe ata të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, të drejtuar nga eksperti egjiptian Mohamed ElBaradei, po bëjnë progrese të qëndrueshme, që i dëshmojnë raportet e paraqitura përpara Këshillit të Sigurimit, e se kjo do duhej të lejonte arritjen e qëllimit të kërkuar - çarmatimin e Irakut - pa thirrur në ndihmë luftën.
Ngaqë e ka bërë të vetin këtë arsyetim gjykimi të shëndoshë dhe ngaqë ka ditur të shprehë nëpërmjet zërit të ministrit të tij të punëve të jashtme, Z. Dominique de Villepin, në selinë e Kombeve të Bashkuara, presidenti francez, Z. Jacques Chirac, mishëron, në sytë e atyre që përmes botës e kundërshtojnë këtë luftë, qëndresën përballë epërsisë amerikane. Ky kostum është padyshim pak i gjerë, por është e pamohueshme që presidenti i Republikës Franceze ka fituar në disa javë një popullaritet ndërkombëtar që pak drejtues francezë kanë njohur përpara tij. Ashtu si personazhi i gjeneral della Roveres në filmin e famshëm të Roberto Rossellini-t (2), Z. Chirac u gjend ndoshta rastësisht në rolin e përfaqësuesit të rezistencës, por do s'do ai e merr përsipër misionin.
Nga ana e saj, administrata amerikane nuk arrin gjithmonë të bindë që kjo luftë është e justifikueshme. Ajo mbetet e ekspozuar ndaj vetos franceze dhe ka pësuar, një pas një, dy mynxyra diplomatike në Këshillin e Sigurimit: në 4 shkurt fillimisht, me dështimin e paraqitjes së "provave" kundër Irakut nga Z. Colin Powell; pastaj në 14 shkurt, me paraqitjen e raporteve më tepër pozitivë të inspetorëve, gjatë së cilës Z. Blix nuk ngurroi të pohonte se shumë nga "provat" kundër Bagdadit të paraqitura nga Z. Powell ishin "të pabaza". Po atë ditë, Z. de Villepin tha: "Ka dhjetë ditë që Z. Powell ka evokuar lidhje të supozuara midis Al-Qaidas dhe regjimit të Bagdadit. Në stadin aktual të kërkimeve dhe informacioneve tona dhe të aleatëve tanë, asgjë nuk na lejon të pranojmë se ekzistojnë të tilla lidhje."
Mirëpo, vendosja e lidhjeve midis rrjetit të Bin Ladenit dhe regjimit të Z. Sadam Husein është vendimtar për të përligjur këtë konflikt. Në veçanti para syve të opinionit publik amerikan që ka mbetur i shokuar nga atentatet e urryera të 11 shtatorit 2001.
Fakti që asnjë argument i vërtetueshëm nuk duket se e mbështet këtë luftë, bën që kaq e kaq qytetarë të mobilizohen kudo kundër saj. Dhe është e pamundur të mos pyesësh veten rreth motiveve të vërteta të Shteteve të Bashkuara. Pa asnjë dyshim, motivet janë, të paktën, tre.
I pari është shqetësimi, i kthyer në ide fikse që nga 11 shtatori 2001, për të shmangur çdo puqje midis një "Shteti horr" dhe "terrorizmit ndërkombëtar". Qysh prej 1997-s. Z. William Cohen, sekretar i mbrojtjes së presidentit Clinton, deklaronte: "Ka shumë mundësi që aktorë rajonalë, ushtri të tipit të tretë, grupe terroriste e madje sekte fetare të kërkojnë të fitojnë një fuqi të shpërpjesëtuar, nëpërmjet blerjes dhe përdorimit të armëve të shkatërrimit masiv." Në një komunikatë të përhapur në 11 janar 1999, Z. Bin Laden pranonte se kjo mundësi ishte shumë e vërtetë: "Unë nuk e konsideroj si një krim të kërkosh të kesh armë bërthamore, kimike dhe biologjike." Dhe Z. George W. Bush bëri të ditur se ky eventualitet nuk i shqitej: "Ne kemi frikë se mos terroristët gjejnë një Shtet të jashtëligjshëm që do mund t'u siguronte teknologji për të vrarë."
Ky "Shtet i jashtëligjshëm", në mendjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, nuk është tjetër, veçse Iraku. Që këtej rrjedh teoria e "luftës parandaluese", e përcaktuar në 20 shtator 2002, e që z. James Woolsey, ish-drejtor i CIA-s, e përmblodhi në këtë mënyrë: "Doktrina e re e lindur nga kjo betejë asimetrike kundër terrorit është ajo e "zhbindjes paraprake" ose e "luftës parandaluese". Meqë terroristët kanë gjithmonë përparësinë e të sulmuarit në fshehtësi kudo qoftë e kurdo qoftë, e vetmja mbrojtje konsiston në kapjen tani, kudo ku ata ndodhen, para se të mund të kurdisin goditjen e tyre." Kuptohet, asnjë autorizim i Kombeve të Bashkuara nuk do kërkohet.
Motivi i dytë, jo i pohuar, është kontrolli i Gjirit Arabo-Persik dhe i burimeve të tij me hidrokarbure. Më shumë se dy të tretat e rezervave botërore të njohura të naftës gjenden të përqendruara në nëntokën e disa shteteve të shtrira buzë Gjirit: Iran, Irak, Kuvajt, Arabi Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Për vendet e zhvilluara, e sidomos për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpenzues të mëdhenj energjish, ky rajon luan një rol kryesor dhe mban njërin nga çelësat themelorë të zhvillimit të tyre të gjithanshëm dhe mënyrës së tyre të të jetuarit.
Çdo ndërhyrje kundër vendeve të Gjirit konsiderohet, pra, si një kërcënim për "interesat jetike" të Shteteve të Bashkuara. Që nga viti 1980, në një fjalim të tij, presidenti James Carter, Çmimi Nobel për Paqen 2002, përkufizonte doktrinën amerikane për këtë rajon: "Çdo përpjekje nga ana e cilësdo fuqi të huaj për të marrë kontrollin e rajonit të Gjirit Persik do konsiderohet si një sulm ndaj interesave jetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe ky sulm do sprapset më të gjitha mjetet e domosdoshme, përfshirë forcën ushtarake."
I kontrolluar nga britanikët që nga mbarimi i luftës së Parë Botërore dhe shpërbërja e Perandorisë Otomane, rajoni i Gjirit ka përjetuar rritjen e ndikimit amerikan nga viti 1945 e këtej. Megjithatë, dy vende të rëndësishëm i shpëtojnë zotërimit të Uashingtonit: Irani, që nga revolucioni islamik i 1979-s, dhe Iraku, që nga pushtimi i Kuvajtit, në 1990. Edhe Arabia Saudite është bërë e dyshuar që prej atentateve të 11 shtatorit 2001, për arsye të lidhjeve të saj me islamizmin militant dhe ndihmës financiare që i paskëshin dhënë sauditët rrjetit Al-Qaida. Uashingtoni mendon se nuk mund të lejojë humbjen e një guri shahu të tretë në rajonin e Gjirit, dhe akoma më pak të humbë nga rëndësia e Arabisë Saudite. Që këtej vjen tundimi për të pushtuar, nën pretekste të rremë, Irakun, dhe për të rimarrë kontrollin e rajonit.
Përtej vështirësive ushtarake, administrimi, me forcat pushtuese amerikane, i një Iraku të çliruar prej Sadam Huseinit nuk do të jetë i lehtë. Në kohën kur ishte i qartë, Z. Colin Powell peshonte vështirësinë e ndërlikuar: "Ne kot e kemi që përçmojmë Sadamin për atë që ka bërë, Shtetet e Bashkuara nuk kishin asnjë dëshirë të shkatërronin vendin e tij. Në rrjedhë të dhjetë vjetëve të fundit, Irani, dhe jo Iraku, ka qenë kundërshtari ynë i madh në Lindjen e Mesme. Ne donim që Iraku të vazhdonte t'i bënte kundërpeshë Iranit. Arabia Saudite nuk donte që shitët të merrnin pushtetin në jug të Irakut. Edhe turqit nuk donin që në veri kurdët të bashkoheshin me atë që mbetej nga Iraku. (…) Shtetet arabe nuk donin që Iraku të pushtohet dhe shpërbëhet. Një Irak i ndarë në grupe sune, shite dhe kurde nuk do të ndihmonte në stabilitetin që ne dëshërojmë të ketë në Lindjen e Mesme. I vetmi mjet për ta shmangur këtë do kish qenë mposhtja dhe pushtimi i atij kombi të largët me njëzet milionë banorë. Unë nuk mendoj se kjo është ajo që amerikanët uronin." Megjithatë, kjo është ajo që uron tani presidenti Bush…
Motivi i tretë i papohuar i kësaj lufte është afirmimi i hegjemonisë së Shteteve të Bashkuara mbi botën. Ekipi i ideologëve që rrethon Z. George W. Bush (ZZ. Cheney, Rumsfeld, Wolfowitz, Perle, etj.) e ka teorizuar që prej shumë kohe këtë ngjitje drejt fuqisë imperiale të Shteteve të Bashkuara. Po këta njerëz, në vitet 1980, rrethonin presidentin Bush, plakun. Ishte mbarimi i luftës së ftohtë dhe, në të kundërt të shumicës së strategëve që lëvdonin një lehtësim të instrumentit ushtarak, ata inkurajonin riorganizimin e forcave ushtarake dhe ndihmën me tepri të teknologjive të reja, me qëllim që t'i rikthenin luftës karakterin e saj prej instrumenti të politikës së jashtme.
Në atë kohë, tregon një dëshmitar, "sindroma e Vietnamit ishte ende e gjallë. Ushtarakët nuk donin t'i drejtoheshin forcës edhe sikur e gjithë bota të ishte dakord. Kushtet e vendosura kërkonin praktikisht një referendum kombëtar para se të mund të përdorej forca. Asnjë shpallje lufte nuk ishte e mundur pa një ngjarje katalizuese, e tillë si Pearl Harbor". Megjithëkëtë, ky ekip fajkojsh, me ndihmën tanimë të gjeneralit Colin Powell, arriti të nisë, në dhjetor 1989, pa pëlqimin e Kongresit, as atë të Kombeve të Bashkuara, pushtimin e Panamasë dhe përmbysjen e gjeneral Noriegas.
Po këta njerëz udhëhoqën pastaj luftën e Gjirit, gjatë së cilës forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kryen një demonstrim superfuqie ushtarake që habiti botën.
Të ardhur në pushtet në janar të 2001-shit, këta ideologë i quajtën atentatet e 11 shtatorit si "ngjarjen katalizuese" të pritur prej shumë kohe. Tashmë asgjë nuk duket se mund t'i frenojë. Me mënyrën e Patriot Act, ata pajisën pushtetet publike me një instrument të frikshëm lirizhdukës; ata premtuan "të asgjësojnë terroristët", propozuan teorinë e "luftës globale kundër terrorizmit ndërkombëtar", pushtuan Afganistanin, përmbysën regjimin e talibanëve dhe projektuan forca luftimi në Kolumbi, Gjeorgji, Filipine… Ata përcaktuan, pastaj, doktrinën e "luftës parandaluese" dhe justifikuan, me mbështetjen e propagandës dhe helmit, këtë luftë kundër Irakut.
Ata pranojnë që Uashingtoni të përqendrohet mbi vendet e vërteta të fuqisë në këtë kohë globalizmi liberal: G7, FMN, OMC, Banka Botërore… Por ata urojnë t'i nxjerrin pak nga pak Shtetet e Bashkuara nga suaza politike shumëpalëshe. Prandaj ata e shtynë presidentin Bush të denonconte protokollin e Kiotos rreth pasojave të serrës, traktatin për raketat balistike, traktatin për ngritjen e një Gjykate penale ndërkombëtare, traktatin për minat antinjeri, protokollin për armët biologjike, marrëveshjen për armët e kalibrit të vogël, traktatin për ndalimin e plotë të armëve bërthamore, e madje edhe konventat e Gjenevës për të burgosurit e luftës përsa i përket të burgosurve të burgut të Guantanamos. Hapi i ardhshëm do jetë refuzimi i arbitrazhit të Këshillit të Sigurimit, çka do ta kanoste me vdekje sistemin e Kombeve të Bashkuara.
Ca nga ca, në emër të idealeve të larta - lirisë, demokracisë, shkëmbimit të lirë, qytetërimit -, këta ideologë ecin kështu drejt shndërrimit të Shteteve të Bashkuara në Shtet ushtarak të një tipi të ri. Dhe rifillojnë ambicjen e të gjitha perandorive: të riskicojnë botën, të ricaktojnë kufijtë, të qytetërojnë popullatat.
Kolonialistët e dikurshëm nuk vepronin ndryshe. Ata "mendonin - kujton historiani Douglas Porch - se përhapja e tregut, e krishtërimit, e shkencës dhe e efektshmërisë së administrimit Perëndimor do t'i shtynin kufijtë e qytetërimit dhe do t'i pakësonin zonat e konfliktit. Falë imperializmit, varfëria do kthehej në prosperitet, egërsia do gjente shpëtim, bestytnia do bëhej dituri, dhe rregulli do vendosej atje ku dikur mbretëronin vetëm rrëmuja dhe barbaria".
Për të shmangur këtë rrjedhojë të hidhur, Franca dhe Gjermania, në emër të një ideje të caktuar për Bashkimin Europian, zgjodhën t'i bëjnë kundërpeshë - jo armiqësore - Shteteve të Bashkuara në gjirin e OKB-së. "Ne jemi të bindur - pohoi Z. de Villepin - se duhet një botë shumëpolëshe dhe se një fuqi e vetme nuk mund të sigurojë rendin e botës."
Skica e një bote të re po ravijëzohet. Në të cilën një pol i dytë fuqie do mund të formohej qoftë nga Bashkimi Europian, nëse di të mblidhet, qoftë nga një aleancë e padëgjuar Paris-Berlin-Moskë, apo nga të tjera konfigurime të ndryshme (Brazil-Afrikë e Jugut-Indi-Meksikë). Nisma franko-gjermane përbën një përçapje historike që e nxjerr më në fund Europën nga gjashtëdhjetë vjet frikë dhe i lejon të rizbulojë vullnetin politik. Një përçapje kjo aq e guximshme, saqë ka zbuluar, nga kontrasti, qëndrimin e dobët të disa vendeve europiane (Britani e Madhe, Spanjë, Itali, Poloni…) për shumë kohë të vasalizuara.
Shtetet e Bashkuara po fillonin të vendoseshin në rehatinë e një bote njëpolëshe të dominuar nga forca e instrumentit të tyre ushtarak. Lufta kundër Irakut duhej të shërbente për të afirmuar fuqinë e tyre të re imperiale. Franca dhe Gjermania erdhën t'u kujtojnë se në fushë të fuqisë katër faktorë janë vendimtarë: ai politik, ideologjik, ekonomik dhe ushtarak. Globalizmi bëri të besohet se vetëm ideologjia (liberale) dhe ekonomia përbënin faktorët themelorë. Dhe se dy të tjerët (politika dhe faktori ushtarak) ishin bërë dytësorë. Ky ishte një gabim.
Në riorganizimin e ri të botës që po nis, Shtetet e Bashkuara mbështeten tashmë mbi faktorin ushtarak (dhe atë mediatik). Franca dhe Gjermania, nga ana tjetër, mbi faktorin politik. Për të përballur problemet që mbytin njerëzimin, këto shtete vënë bast për paqen e përhershme. Presidenti Bush dhe shpura e tij për luftën e përhershme…
Përktheu: Diogjen Vozi
(1) Që prej mëse njëzet vjetësh, Egjipti, që merr çdo vit rreth 3 miliardë dollarë ndihmë nga SHBA (pothuajse sa Izraeli), ndalon çdo lloj manifestimi në rrugë, opozita është shtypur egërsisht (ka më shumë se 20 000 të burgosur politikë…), homoseksualët dënohen me ndëshkime të rënda. Gjenarali Hosni mubarak, në pushtet që prej njëzet e dy vjetësh, mendon t'ia dorëzojë presidencën birit të tij… Kjo diktaturë, megjithëkëtë, është cilësuar, në mediat e mëdha amerikane dhe franceze, si "regjim i moderuar", dhe diktatori është konsideruar si krejtësisht i frekuentueshëm…
(2)Në filmin Gjeneral della Rovere (1959), Roberto Rossellini tregon historinë e një batakçiu (luajtur nga Vittorio De Sica) i bindur nga pishtuesit nazistë për t'u hequr si gjenerali della Rovere, njëri nga krerët e Rezistencës, me qëllim që të zbulojë emrat e partizanëve, dhe që, pak nga pak, përfundon duke u njëjtësuar pikë për pikë me rolin e tij, saqë bëhet vërtet si partizan i Rezistencës dhe vdes si hero.
(Ignacio RAMONET është kryeredaktori i Le Monde Diplomatique