Re: Joshje per investitoret e huaj????
Gazeta Shekulli
Berisha: Toka falas për bizneset e huaja
“Do t’u ofrojmë tokën me një euro, do t’u ofrojmë kualifikimin e punëtorëve me një euro, do t’u ofrojmë ujë teknologjik me një euro”
Nevila Perndoj
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje nismën më të re të qeverisë “Shqipëria, 1 euro”, që synon thithjen sa më shumë të investimeve të huaja, duke filluar që nga qiraja e tokës që do të jetë një euro për të gjithë sipërfaqen ku do të ngrihet biznesi i huaj. Në këtë rast, shteti ofron tokën me një shumë krejtësisht simbolike, ndërsa investitori ndërton dhe ushtron biznesin. “Do të sillen të gjitha propozimet në mënyrë që pas lëvizjes së madhe fiskale dhe revolucionit fiskal që ka nisur me sukses të admirueshëm, ne të vazhdojmë përpjekjen tonë për të shndërruar Shqipërinë në më të mirën dhe më të lirën për investitorët e huaj dhe ata vendas. Do t’u ofrojmë tokën me një euro, do t’u ofrojmë kualifikimin e punëtorëve me një euro, do t’u ofrojmë ujë teknologjik me një euro, do t’u ofrohet regjistrimi i biznesit me një euro, do t’u ofrohet hyrja në Shqipëri me një euro”,- tha dje kryeministri Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Kreu i ekzekutivit ka kërkuar që deri në datën 10 shtator të gjithë ministrat do të shqyrtojnë gjithçka në veprimtarinë e tyre, sa i përket listimit të pronave publike. “Natyrisht, bëhet fjalë për pronën publike, pasi për pronën private do të ndiqen vetëm rregullat e tregut dhe asnjë rregull tjetër. Në varësi nga numri i të punësuarve dhe prodhimi, Ministria e Ekonomisë ka marrë detyrën për të përcaktuar kriteret e adoptimit të nismës “Shqipëria, një euro”,- shtoi Berisha. Kreu i ekzekutivit siguroi se përfituesit kryesore në këtë drejtim do të jenë vetë shqiptarët. “Me masat paraprake që do të ndërmerren, kam kënaqësinë t’ju informoj se ka një interes të madh në rritje për investime, të cilat janë në konkretizim e sipër. Ky interes i madh do të vijë gjithnjë duke u rritur, me kusht që ne të zbatojmë ligjin. Çdo ditë e më tepër investitorët shprehen të kënaqur se nuk iu kërkohen më ryshfete”, - tha ai. Berisha përmendi se një rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të ketë edhe diplomacia shqiptare. “Ky interesim do të shoqërohet me një orientim total të diplomacisë shqiptare drejt tërheqjes së investimeve. Do të sillen në Shqipëri dhe do të trajnohen mjaft ekipe të specializuara për njohuritë në këtë fushë. Sfida është e madhe, por sa ç’është e tillë është dhe tërheqëse. Unë kam shumë besim se ne do ta përmbushim atë. Ne do të qëndrojmë në këtë sfidë dhe në këtë mënyrë do t’i bëjmë një shërbim shumë të madh vendit. Në këtë mënyrë do t’i mundësojmë Shqipërisë dhe shqiptarëve të shkëputen nga armiku i tyre më i egër në Shqipërinë moderne, skamja dhe varfëria”, - tha ai. Kryeministri Berisha theksoi se më këtë nisëm, Shqipëria do të mund të shndërrohet në vendin më të mirë dhe më të lirë njëkohësisht. “Vetëm në këtë mënyrë sloganin “Shqipëria vendi më tërheqës për investimet e huaja” do të mund të shndërrojmë në realitet. Kjo është sfida jonë absolute. Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të realizojmë për këtë vend kaq të varfër standardet e BE- së, projektit ëndërr të këtij shekulli për shqiptarët. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbajmë energjinë e kombit brenda për të ndërtuar vendin dhe jo të ndërtojmë rrugët, fermat apo sipërmarrjet e të tjerëve”, -tha ai.
Thënia
Do t’u ofrojmë tokën me një euro
Do t’u ofrojmë kualifikimin e punëtorëve me një euro
Do t’u ofrojmë ujë teknologjik me një euro
Do tu ofrohet regjistrimi i biznesit me një euro
Do t’u ofrohet hyrja në Shqipëri me një euro