Re: GEZUAR KRISHTLINDJET DHE VITIN E RI !!!
Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëkombas kudo që ndodheni!
Pas 365 ditëve të kaluara në stresin e jetës së përditshme, sonte të gjithë kemi nevojë të bëjmë një pushim: - të mblidhemi pranë familjes, të afërmve, midis miqsh apo në shoqërinë e moshës për të pritur sa më gëzueshëm Vitin e Ri.
Duke dhënë e marrë urime, forcojmë atë që kemi aq shumë nevojë: lidhjet e miqësisë, familjen dhe shoqërinë. Një familje e bashkuar e ka më të lehtë të kapërcejë vështirësitë dhe të sigurojë të ardhmen e saj. Një shoqëri e bashkuar e ka më të lehtë të përballojë sfidat dhe të ecë me hapa të shpejtë drejt zhvillimit, begatisë dhe integrimit.
Viti 2005 bëri realitet disa prej synimeve tona. Zgjedhjet parlamentare dhe rotacioni paqësor që shoqëroi ato dëshmuan se Shqipëria është një vend demokratik, që është i vendosur të ecë përpara në rrugën e reformave dhe integrimit. Si President, jam krenar për qytetarët e mi, të cilët me përgjegjësi dhe sjellje civile morën pjesë masivisht në zgjedhje dhe respektuan vullnetin e shumicës. Ata lanë hapa pas klasën politike, e cila u ka borxh qytetarëve mbajtjen e premtimeve, me një politikë të moralshme dhe qeverisje të ndershme. Më 2006 urojmë që partitë dhe institucionet politike, të mos i shpërdorojnë energjitë e tyre njerëzore e materiale, por duke ruajtur dhe forcuar arritjet demokratike të deritanishme, t’i përdorin ato në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Të gjithë presin që politika të ofrojë zgjidhje të plota për problemet e pazgjidhura energjitike, papunësinë ende të lartë, përmasat shqetësuese të krimit në familje dhe luftën ndaj korrupsionit. Presin gjithashtu që shteti, shoqëria dhe familjet tona të kenë në qëndër të vemendjes, problemet e brezit më të ri: ata duan shkollim europian, kushte më të mira jetese, vende pune konkuruese dhe mbi bazën e meritave të marrin më shumë përgjegjësi publike, duke u dhënë më shumë besim e shpresë tek e ardhmja e Shqipërisë.
Bashkëqytetarë të dashur!
Pas pak minutash hyjmë në vitin e ri. Ne presim që viti 2006 të jetë viti i arritjeve të mëdha të shqiptarëve. Shqipëria pret të mbyllë me sukses bisedimet për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit. Në këtë mënyrë do ta mbyllim fazën e tranzicionit për të hyrë në një fazë të re zhvillimi, stabiliteti dhe demokracie. Kosova ka hyrë në rrugën e pakthyeshme të fitores së statusit përfundimtar. Gjithë shqiptarët presim që Kosova të bëhet shtet i pavarur, demokratik dhe europian.
Unë jam optimist për të ardhmen, ndaj ju ftoj edhe ju, me optimistëm të besoni në një Shqipëri ndryshe, në një të ardhme të bazuar në shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqënies dhe arritjen e standarteve euopiane. Për hir të interesave të mëdha që na bashkojnë është koha të lëmë pas ndarjet ideologjike të së kaluarës dhe konfliktet e tranzicionit, për të punuar së bashku në përparimin e Shqipërisë. Të gjithë ne duhet dhe mund ta bëjmë Shqipërinë europiane.
Në këto momente të fundit të vitit 2005 dhe trokitjes së Vitit të Ri 2006, jam i lumtur të ndaj me ju urimet më të përzemërta. Bashkë me ju të urojmë djemtë tanë ushtarë paqëruajtës në Mosul, Kabul e Bosnje; fëmijët jetimë, pensionistët e braktisur, ata që fati i keq nuk ua lejoi të festojnë; ata që sonte janë në detyrë, si dhe të gjithë shqiptarët, sidomos ata që jetojnë në emigracion, për të cilët duhet më shumë kujdes nga qeveria dhe shteti.
Gëzuar të gjithëve: shendet e mbarësi në familjet tuaja!
Qoftë e bekuar Shqipëria dhe shqiptarët!
Zoti qoftë me ne!