Re: (Fytyra);Britma e Kadarese
ADVERTISEMENT
“KADAREIADA”, “SHERRIADA KADARE” DHE KADAREJA I SHERRIT. ?xml:namespace prefix = o ns = "urn:schemas-microsoft-com
ffice
ffice" />
Në gazetën “Rimëkëmbja” të datës 2 Dhjetor 2003 është botuar shkrimi me titull “Kadareiada vazhdon…hipokrizia politike vlon”. Në këtë shkrim është trajtuar dhe një prirje që shfaqet pa pushim në mjedise të caktuara politike, intelektuale e gazetareske shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë për të mbajtur shqiptarët nën ndikimin e pandërprerë të një panagjerizmi për Kadarenë, për të fetishizuar jo vetëm vlerat por dhe mangësitë e veprës letrare e sidomos të qëndrimeve të tij politike. Fryrjen e pandërprerë të kultit të Kadaresë shumë nga ithtarët e tij e përdorin për të afirmuar veten, për t’u bërë edhe ata njerëz të dëgjuar e për interesa të tjera edhe më meskine. Në tërë këtë fushatë panagjerizmi që karakterizon “Kadareiadën” vetë Kadareja ka parë gjithnjë vetëm të drejtën e tij për të marrë pa pushim lëvdata dhe asnjëherë nuk ka menduar e aq më pak vepruar për të vënë njëfarë rregulli, për të tentuar të rregullojë përmasën e glorifikimit dhe për të frenuar dalldinë e servilëve.
“Kadareiada vazhdon” është një konstatim që bëhet çdo ditë, madje edhe në ditën e rrenave që i takon të vijë një herë në vit më 1 Prill. Episodi më pikant i “Kadareiadës” në ditën e rremave të këtij viti, 1 Prill 2004, ishte shpërblimi prej “20 mexhitesh të thata” që i jepte Kadaresë gazeta “55” ku ishte botuar shkrimi prej 2 faqesh i teatrologut Mexhit Prençi nën titullin “Kadare për ngritjen morale të shqiptarëve”. Prençi ka futur një stil të veçantë të shkruari në gazetën “55” ( këtë stile ka përvetsuar komentuesi tjetër në këtë gazetë Mehmet Elezi) që shkrimet e përshkrimet hartimore i ndan me pjesëza të numerotuara. Asnjëherë më parë Prençi nuk kishte arritur deri në shifrën 20 të numerotimit të pjesëzave të tij hartimore nën të njëjtën temë hartimi. Prandaj tema “Kadare për ngritjen morale të shqiptarëve e kishte frymëzuar” duhet ta ketë frymëzuar në mënyrë të veçantë.
Mexhiti këtë hartim panagjerist për Kadarenë në ditën e rrenave të vitit 2004 e ka rrotulluar rreth librit eseistik të Kadaresë “Poshtërimi në Ballkan” botuar pak kohë më parë. Bash në ditën e rrenave Kadaresë i jepen “20 mexhite” ( kështu është më mirë t’i quajmë tani e tutje pjesëzat hartimore të Prençit) sepse “ Ky vision kadareian kundër rrymës antishqiptare ( me shqiptarë dhe të huaj që poshtërojnë Shqipërinë dhe shqiptarët, duke u mohuar vlerat e duke u atribuar mëkatet, buron nga atdhetarizmi i lartë dhe idealizmi i kulluar” ( mexhitja nr. 2). Mexhitja nr. 7 është shpërblimi që Kadareja ka shkruar për “poshtërimin në Ballkan” duke u nisur nga tri ngjarje shqiptare : fushata e antishqiptarizmit në Himarë; fushata e pamoralshme djallëzore për t’i mohuar Nënë Terezës origjinën shqiptare dhe mllefi i disa të vetquajturve përfaqësues të pakicave etnike që shpallin Shqipërinë vend shumë kombësh”. Mexhiten nr. 13 Kadareja e ka fituar për punën e tij në kundërshtimin e një filmi të italianit Xhani Amelio që ka poshtëruar refugjatë shqiptarë dhe të një farncezi që paska shkruar se shqiptarët e Shqipërisë veriore, kryesisht katolikët paskan zakon që të hanë çdo të dielë nga një anëtar të fisit,
Nuk kemi si ta dimë nëse është koinçidencë apo rreng i lejueshëm në ditën e rrenave por ama është fakt se po në datën 1 Prill 2004 në gazetën e Tiranës “Shekulli” është botuar një shkrim prej dy faqesh me shkronja të vogla nga Ismail Kadareja nën titullin “Riparimi i së keqes” ku Ismaili u vërsulet aq me inat, mllef e fyerje monstruoze shqiptarëve që bënë protesta në Kosovë sa ato fyerjet që u kanë bërë italiani Amelio gjithë shqiptarëve dhe ai francezi katolikëve “kanibalë” të Shqipërisë së Veriut të duken vetëm një shaka pa kripë për ditën e rrenave me të cilën nuk e vlen të meresh shumë. Fyerjet dhe sidomos interpretimet e Kadaresë për bashkëjetesën serbo–shqiptare në shekuj janë jo më me “atdhetarizëm të lartë e idealizëm të kulluar” sikurse shkruan Prençi kur i lëshon Kadaresë “mexhiten e dytë”, por një frymë antishqiptare që zor ta gjesh dhe tek qortuesi i rreptë i Kadaresë, Vuk Drashkoviçi. Nuk e dimë a do ti hedhë mexhite të tjera Prençi Kadaresë edhe për këtë “ese” llahtarisëse, por dimë të themi se poshtërim më të madh shqiptarëve në Ballkan nuk u ka bërë më shumë se Kadareja këto ditë. Prençi ka qenë i pafat që vazhdimin e tij të “Kadareiadës” në ditën e rrenave ia nxorri rrenë vet Kadareja me sherrin e tij të ri që kishte nisur qysh më 20 Mars 2004 me deklaratën “?xml:namespace prefix = st1 ns = "urn:schemas-microsoft-com
ffice:smarttags" />Po tregohemi të pabesë me aleatët” ( intervistë në TV “Klan” riprodhuar me shkrim nga “Panorama”).
“Kadareiada” e vazhdueshme herë pas here shoqërohet dhe me “Sherriada Kadare” që zakonisht i kanë nxitur vet Kadareja ose ithtarët e tij më fanatikë kur kanë tentuar që edhe dobësitë flagrante në sjelljet e veprën e Kadaresë ti shesin në publik për merita të veçanta. Kështu i ndodhi Kadaresë kur tentoi nëpërmjet një libri të porositur të hiqej si i persekutuar se i kishin zhdukur poemën mbi pashallarët e kuq dhe çdo gjë përfundoi në bllof të turpshëm për Ismailin. Kështu i ka ndodhur kur ka tentuar të hiqet për disident i regjimit komunist dhe të nxjerrë veprën e vet jashtë kornizave të realizmit socialist. Kështu i ndodhi dhe në fund të vitit 2003 kur u njoftua se Arkivi Qendror i Shtetit po përgatiste një botim me”spiunime intelektualësh “ për Kadarenë dhe u hap avazi që të botohen çka bërë Kadareja ndaj të tjerëve. Mjaftoi botimi i disa shkrimeve për poetin e persekutuar Bilal Xhaferri, ku përfshihej dhe një vjershë e tij qortuese për Kadarenë që të hapej historia se si Xhaferri e pësoi nga që u ngrit me kritika kundër një vepre të të përkëdhelurit Kadare në letërsinë shqiptare të kohës së komunizmit. Kadare si në shumë raste të tjera bëri atë që nuk duhej në këtë sherriadë, u hodh në sulme të paparimta kundër poetit që nuk jeton më. Kështu “Kadareiada” dhe “Sherriada Kadare” kanë bërë e do të bëjnë rrugë sëbashku.
Por, Kadareja për fat të keq shpesh bëhet edhe sherrxhi në politikë, sidomos kur tenton të luajë rolin e patriarkut të urtisë politike për shqiptarët dhe fshikullon çdo veprim politik e mendim politik që nuk përputhet me stereotipet që ka krijuar në kokën e tij dhe me shabllonet politike që ka mësuar në sallonet pariziane. Për këto kemi q enë të detyruar, jo të përmalluar, të polemizojmë shpeshherë. Por Kadare pa pushim fton për polemika te reja sepse angazhimin normal që duhet të ketë një njeri i letrave në politikë e ka kthyer në një politikanizëm pasionant që nuk i ka hije as një spekuluesi të rëndomtë në fushën e politikës e të diplomacisë. Kështu që Kadareja i sherrit krijon shumë me tepër arsye e shkase për reagime nga shqiptarë që nuk merren me probleme e letërsisë sesa krijojnë “Kadareiada” apo “Sherriada Kadare”.
Me intervistat, deklaratat e shkrimet më të fundit për ngjarjet në Kosovë Ismail Kadare po nxit sherrin më të madh e më të papranueshëm se kurrë në fushën e mendimit politik shqiptar. Pas reagimeve nervoze të ditëve të para, siç e ka zakon të veprojë kur zhvillimet nuk përkojnë me shijet dhe me angazhimet e tij politike, besonim se Kadareja do të qetësohej, të kthjellohej dhe të riparonte diçka nga mllefet e tepruar që derdhi kundër protestuesve shqiptarë në Kosovë. Por shkrimi i botuar në “Shekulli” më 1 Prill 2004 nën titullin “Riparimi i së keqes” na provoi se e keqja që e kishte zënë Kadarenë ishte e pariparueshme dhe ashtu si në plagët e shkaktuara nga djegia e fortë vazhdonte të përparonte në thellësi e të shkaktonte më shumë dhimbje.
Është e natyrshme të lindë pyetja: përse ka ndodhur kështu me Kadarenë? Përse ai shtyn më tej sherrin e vet? Përgjigjen e gjejmë në shumë pjesë të shkrimit të Kadaresë, sidomos në ato pjesë ku shfaqet dhimbja e tij e padurueshme që krushqit e martesës shqiptaro-serbe, të cilët i kishte ngrirë në vitin 1981, jo vetëm nuk po shkrijnë pas ndërhyrjes së NATO-s, por po ngurosen në mënyrë të pakthyeshme dhe që për herë të parë në historinë e përplasjeve shqiptaro-serbe shqiptarët u vunë flakën edhe ndërtesave të kishave ortodokse serbe. Pezmatimi për këto gjëra dhe mundësia e hapjes së një perspektive më të mirë për bashkimin Kosovë-Shqipëri duket e kanë bërë Kadarenë të hidhet i tëri në krahët e sherrit ndaj shqiptarëve, të bëhet krejt tjetër nga ai njeriu “ me atdhetarizëm të lartë e idealizëm të pastër” ( shqiptar) sikurse e ka cilësuar Mexhit Prençi.
Në shkrimin “Riparimi i së keqes” kemi materialin më të bollshëm të shohim anti-Kadarenë që na përshkruhet nëpër “Kadareiadë”. Marrëdhëniet e tanishme shqiptaro-serbe në Kosovë Kadareja ka parapëlqyer t’i trajtojë në një mënyrë që fajëson më shumë e kryesisht shqiptarët. Duket sikur Kadareja më shumë është i shqetësuar si të vendosë zhvillimet në Kosovë në kontekstin e filozofimeve që ka bërë kur është marrë me mendimet e Eskilit për raportet midis të drejtës e të padrejtës ( shih “Eskili” Tiranë 1986 fq. 6-7). Kadareja në parathënien për këtë botim ka cituar mendimet e Eskilit : “Ç’është e drejtë dhe e padrejtë nuk është përherë e lehtë të gjendet”. Më tej shkruan : “E drejta ose të drejtat sipas Eskilit bëhen disa herë të mjegullta, sepse ato janë në koflikt të vazhdueshëm”. Ka njerëz që pranojnë se “e drejta” mund të jetë njëkohësisht te të dy palët kundërshtare-vazhdon Eskili-por këta janë indiferentët, të lodhurit dhe shpirtdobëtit”. “E drejta s’mund të jetë njëkohësisht e të dy palëve-ngulmon ai- ajo i përket vetëm një ane”.
Sikur t’u ishte përmbajtur pa lëkundje këtyre mendimve të Esklilit Kadareja nuk duhej të kishte shkruar esenë “Riparimi i së keqes” ku cënimi i parë i madh i së vërtetës është kur ngulmon se e drejta në konfliktin që vazhdon ende në Kosovë prej shekujsh midis shqiptarëve e serbëve qenka njëkohësisht e të dy palëve. Serbët pa përjashtim janë konseguentë me mendimin e Eskilit sepse thonë në çdo rast e rrethanë se e drejta është vetëm në anën e serbëve, pavarësisht se gënjejnë haptazi. Kurse Kadareja i bën lëshim të madh qëndrimit serb dhe largohet nga Eskili duke pranuar se e drejta mund të jetë dhe është e të dy palëve në Kosovë. Për të justifikuar këtë largim nga Eskili, Ismaili largohet dhe nga formula e tij e vitit 1981 “krushqit janë ngrirë” dhe shkon më tej se revizionimi që i bëri kësaj formule më pas në “Tri këngë zije për Kosovën”, sepse shqiptarët e serbët do ti afrojë në të drejtën e përgjysmuar jo vetëm nëpërmjet zisë së përbashkët, por dhe të një lumtërie fiktive të përbashkët që paskan provuar gjatë shekujve.
Për të përligjur këtë largim nga qëndrimet e tij të vitit 1981 Kadareja është armatosur me teorizimet që ka bërë në parathënien e “Eskilit” lidhur me atë si e ka kuptuar Ismaili autorin e lashtë helen : “ e drejta nuk është e palëvizëshme, përkundrazi ajo mund të shtegtojë, mund të zhvendoset nga njëra palë tek pala kundërshtare. Me një fjalë teprimi i mbrojtjes së të drejtës tënde mund të çojë në padrejtësi ose në ikjen e së drejtës tek armiku yt”. Kështu përpiqet ta p araqesë Ismaili gjendjen tani në Kosovë pas protestave të mesit të muajit Mars, sikur tashmë e drejta në Kosovë u përket të dy palëve, madje me atë që bënë shqiptarët e drejta ka ikur nga këta e ka shkuar tek armiku i tyre, serbët. Ismaili bën ( mbase dhe mendon e beson vërtetë e sinqerisht) se duke trajtuar problemin kështu si në një teatër gjigand të lashtë grek-eskilian po u bën shërbimin më të mirë shqiptarëve. Por edhe sikur të veprojë me qëllim që të mbështesë sherrin e tij, edhe sikur të veprojë me mirëbesim për të ndihmuar shqiptarët në frymë të filozofisë eskliane, ka vend për shumë debat, qoftë përsa i përket vlerësimit të ndodhive e zhvillimeve , qoftë përsa i përket detyrës së shqiptarit si duhet ta kuptojë e ta mbrojë çështjen shqiptare në këto rrethana, si duhet ta kuptojë e zbatojë atë filozofi eskiliane që ka parashtruar Kadareja para gati një çerek shekulli.
Ky tekst u botua në gazetën “Rimëkëmbja” të datës 6 Prill 2004 me këtë shënim: Ky shkrim do të vazhdojë në numrin tjetër të gazetës ku do të fillojë edhe botimi i shkrimit të zotëri Eshref Ymeri me titull: “LAJTHITJA E RADHËS E ISMAIL KADARESË”. Gjatë ditëve në vazhdim ndodhën plot zhvillime që pasuruan me episode të reja “Sherriadën Kadare”, që vulgarizuan “Karadeiadën” dhe qëzhveshën më lakuriq shrrete që nxit Ismail Kadareja.
Episodi “Geixh” në “Sherriadën Kadare”
Në “Sherriadën Kadare”, këtë episod të ri nuk e futi ndonjë kalemxhi i rëndomtë por një person i jetës politike të Shqipërisë, vet kryeministri Fatos Nano, i cili deklaroi gjatë një emisioni televiziv në “Top Channel” : “Nikolas Geixh e ka çuar Kadarenë dhe e ka paraqitur në Amerikë ku s’po i shitej para se ta njihnin asnjë sasi e librave të tij të shquar si në Europë”. Këtë zbulim kryeministri i Shqipërisë e bëri për të lehtësuar pozitën e tij nga akuzat që i lëshohen për miqësinë që ka me Geixhin dhe sidomos pas zemërimit që shkaktuan në opinionin shqiptar disa deklara të bëra nga Geixh në një takim në Sarandë se ky qytet e kjo krahinë duhen helenizuar. Pra kryeministri shqiptar pozitën e vet u përpoq ta lehtësonte duke implikuar edhe Ismail Kadarenë si njeri që ka përfituar nga ndihma e Geixhit ( shih “Korrieri” 7 Prill 2004).
Ismail Kadare reagoi menjëherë nga Parisi me një deklaratë përgënjeshtruese lidhur me pohimin e Nanos dhe sqaruese për kohën e nivelin e marrëdhënieve të tij me Nikolas Geixh. Kadareja ka theksuar se marëdhëniet e tij me antishqiptarin e tërbuar greko-amerikan, Nikolas Geixh qenkan më të vona sesa i paraqet Nano. Kadare qenka takuar me Geixhin para 3 vitesh në Paris si “shkrimtari me shkrimtarin”. Por ama Kadare e pranon se Geixh i ka sugjeruar që Ismaili të ndërrojë botuesin amerikan të librave të tij, të pranojë një botues që ia rekomandon Geixhi se do të ketë tirazh shitjeje më të madh. Pak a shumë atë që ka thënë edhe Nano, pra Geixhi ka treguar kujdes që librave të Kadaresë t’u sigurojë një sukses më të madh në Amerikë. Ngulmimi i Kadaresë në faktin se librat e tij janë botuar në SHBA qysh para 33 vitesh e jo këto tre vite të fundit pasi u takua me Geixhin nuk e mohon interesimin e madh të Geixhit edhe për Kadarenë, përvec interesimit për Nanon , Berishën e një numër të madh politikanësh shqiptarë. As fjalët e Kadaresë se Nano fantazon te marëdhëniet e Ismailit me antishqiptarin e tërbuar Nikolas Geixh, që ia botuan më 7 Prill disa gazeta të Tiranës, nuk e ndryshojnë dot thelbin e deklaratës së Nanos. Në një mënyrë ose tjetër Nikolas Geixh i ka lëshuar tentakulat e tij edhe në drejtim të Kadaresë.
Polemikat e Kadaresë me kryeministrin Nano “të vërtetën eskiliane” e vendosin në anën e Nanos. As për hir të qenies në “fisin e shkrimtarëve” Kadareja nuk kishte përse të takohej me Nikolas Geixhin në Paris, duke ditur se cili është ai dhe nuk kishte përse ta mbante të fshehur këtë takim derisa ta denonconte vet kryeministri i Shqipërisë. Rezultati i gjithë kësaj është se opinioni public shqiptar e merr vesh në një mënyrë nga më të pahishmet një episod që e bën edhe më të shëmtuar “Sherriadën Kadare”. Shijen e keqe që i shton “episodi Geixh” këto ditë “Sherriadës Kadare” nuk e largojnë dot shurupërat ëmbëlsues që tentojnë të hedhin mbi të ithtarët e Kadaresë.
Diplomati Mirosh Sako ( bashkëqytetas gjirokastrit i Kadaresë) ka tentuar në një letër në “Shekulli” të datës 9 Prill të bindë lexuesin se “Kadare nuk ka nevojë për Nanon dhe për Geixhin”. Nëse Kadare nuk kishte nevojë të tillë nuk kishte përse të takohej me Geixhin në Paris, aq me tepër që sipas Ismailit kjo gjë qenka bërë me ndërmjetësinë e botuesit anglez të Kadaresë dhe të Geixhit. Dihet se punët nga më të mbrapshtat në mënyra të tilla kurdisen. Nëse Sako është plotëisht i bindur kur thotë se “Kadareja është i madh dhe nuk ka nevojë për Geixhin” nuk duhet të harrojë se Geixhi është më i fuqishëm dhe mund t’i imponohet Kadaresë, sepse është Geixhi që ka nevojë për Kadarenë, sikurse ka nevojë për Nanon e Berishën që të bëjë ato punë që ka në plan të bëjë në Shqipëri. Geixhi kur hiqet si shkrimtar vepron si politikan. Geixhi e di fare mirë se dhe Ismail Kadare të paktën qysh kur u arratis drejt Parisit është më shumë politikan se shkrimtar i Shqipërisë në Francë. Këtë ka dashur të japë të kuptojë edhe Nano kur “episodin Geixh” në veprimtarinë e Kadaresë e ka nxjerrë si mburojë para vetes.
Edhe më hollë se Mirosh Sako ka tentuar ta ndajë këtë “sherr kryeministror” për Kadarenë shkrimtari e publicisti Faruk Myrtaj në shkrimin “Si e ndihmon Fatos Nano Ismail Kadarenë” ( “Shekulli” 9 Prill 2004). Apologjinë e tij për Kadarenë Faruku e nis me fjalët :” Ajo që të trondit në psikikën shqiptare është prirja e saj për të bërë pis gjithçka”. Pra, përdor një truk “avokatie’ tejet të konsumuar se po të shkruhet e të thuhet ndonjë gjë që nuk e honepsin dot panagjeristët e apologjetët e Kadaresë gjithçka bëhet pis, qielli errësohet, dielli e hëna eklipsohen. Kurse idhullit të tyre ia lejojnë të bëjë pis cilin të dojë e kur të dojë, ia lejojnë me heshtjen e tyre ndaj shkrimit të ndyrë “Riparimi i së keqes” të bëjë pis shqiptarët e Kosovës më keq se kanë mundur t’i njollosin serbët. Faruk Myrtaj e quan se është në të drejtën e tij ta etiketojë në mënyrë fyese kryeministrin e Shqipërisë Fatos Nano, madje duke cituar një kalemxhi që nuk e vlen, Mustafa Nanon, meqenëse Myrtaj beson se ai këtë të drejtë e gëzon për hir të solidaritetit brenda “fisit të shkrimtarëve”.
Edhe pse Ismail Kadareja në shkrimin “Riparimi i së keqes” është shfaqur vetëm me portretin e politikanit të mbrapshtë, apologjeti i tij Faruk Myrtaj kërkon paprekshmërinë absolute për Kadarenë në emër të titullit të tij shkrimtar. Faruk Myrtajt mund të mos i pëlqejë, por unë e çmoj shumë një mendim të goditur dhe mësimdhënës të intelektualit Tahir Kolgjini :” Me qenë letrar asht nji meritë, por askush nuk mundet me përfitue vendimin e pafajsisë ose ate të mospërgjegjësisë për të vetmen arsye se asht letrar”. Kur ka shkruar kështu Tahir Kolgjini në mërgim para 3 dekadash polemizonte me një letrar të mërguar për figurën e rolin e Esat Pashë Toptanit ( libri “ Esat Pashë Toptani dhe akuzat që i bahen”, Stamboll 1977 fq.208). Shprehjen e mësipërme të Tahir Kolgjinit më është dashur ta përdor në një polemikë me shkrimtarin Kiço Blushi në tetor të vitit 1992. Por mendoj se kjo shprehje vlen edhe më shumë të përdoret sot në polemikat me Ismail Kadarenë, me apologjetët e panagjeristët e tij që kapen pas “argumentit” se askush nuk duhet të guxojë të shprehë qortim apo mospajtim me Kadarenë sepse ky është “shkrimtar i madh” paçka se në politikë dhe në sjellet njerëzore shpesh paraqitet mjaft i vogël e meskin.
Nëse “shkrimtari i madh” nuk do të dijë të mbajë vendin që i takon atje ku ai është i madh nuk mund të pretendojë paprekshmëri, pafajsi e mospërgjegjësi kur vepron si politikanist i vogël, sidomos kur vepron në dëm të shqiptarëve, siç ka vepruar në shkrimin më të fundit “Riparimi i së keqes”, ku e keqja shqiptare stërzmadhohet jashtë çdo përmase dhe vet Kadare kthehet në një të keqe të shëmtuar të shqiptarëve.
Myrtaj vepron thjesht si avokat i Kadaresë, jo si publicist apo si shkrimtar i shqetësuar për ato që ka shkruar mbrapsht Kadareja, kur predikon : ” Politika shqiptare kërkon vazhdimisht, me çdo kusht të bëjë bashkëfajtorë të gjithë faktorët e shoqërisë civile, të gjithë partnerët publikë. Së fundi dhe Kadarenë”. Si nuk qenka në gjendje Myrtaj të dallojë se qortime të tilla për aq sa mund të qëndrojnë i duhen drejtuar në radhë të parë Kadaresë që bën fajtorë mijëra shqiptarë të Kosovës për t’u bërë qejfin disa “damave të salloneve politike të Parisit” që kanë nevojë për bashkëfajtorë në orvajtjet antishqiptare, për të fajësuar shqiptarët për krime që i bëjnë serbët? Pse duhet ecur në këtë rrugë , siç bën Myrtaj, që politikanizmit të mbrapshtë të Kadaresë t’i vejë si mburojë statusin e “shkrimtarit” apo të njeriut nga “shoqëria civile”, të cilës po i thuret një kurorë shenjtërie të rreme?!
Myrtaj e përligj dëshirën e Kadaresë që të bashkëpunojë edhe me Geixhin për të botuar librat e tij. Myrtaj e quan të papranueshme bashkëpunimin me Geixhin vetëm nëse ky bashkëpunim bëhet nga ndonjë politikan. Logjika e do që të bëhet inversi i këtij arsyetimi justifikues. Një politikan mund të jetë i detyruar të “bashkëpunojë” ( të hyjë në kontakte e kompromise) edhe me armiq të tij e të vendit të tij kur ia diktojnë këtë gjë rrethanat politike. Pikërisht këtë është munduar t’ia shpjegojë Tahir Kolgjini atij letrarit me të cilin ka polemizuar për qëndrimet dhe veprimet e Esat Pashë Toptanit në rrethimin e Shkodrës dhe më pas në vitet e Luftës së Parë Botërore. Por edhe nëse politikani nga shtrëngimi rrethanor ose nga iluzionet e tij “bashkëpunon” ( jo në kuptimin agjenturor) me armikun, me antishqiptarin e deklaruar, një shrimtar nuk ka përse të bëjë bashkëpunim të tillë. Pra edhe në rastin e Geixhit kur me të hyjnë në bashkëveprime të caktuara Nano apo Berisha një gjë e tillë mund të gjejë njëfarë justifikimi. Por nuk mund të ketë kurrfarë justifikimi kur këtë e bën Kadareja si shkrimtar, aq meë tepër dhe i mërguar. Prandaj Myrtaj gabon shumë kur shfajëson plotësisht Kadarenë në krahasim me politikanët. Dhe këtë gabim e bën se është rob i ideve fikse se njeriut të letrave apo “ të shoqërisë civile” i falet çdo veprim dhe e ka të garantuar “ipso facto” mospërgjegjësinë për çdo gafë apo dinakëri që mund t’i bëjë edhe për tangërllëk. Detyrë e shkrimtarëve është që të japin shembullin e moralitetit njerëzor e politik para se t’u bëjnë politikanëve moralizime politike të destinuara vetëm për ta. Nëse politikanët në një vend nuk janë në terezi kjo do të thotë se edhe intelektualët e shkrimtarët e atij vendi janë edhe më keq.
Myrtaj shkruan : “Nëse Enver Hoxha apo N. Geixh ka ndihmuar Ismail Kadarenë si shkrimtar kjo nuk ka asgjë të keqe për Kadarenë, as për Shqipërinë”. Nuk ka dyshim se ndihma e madhe që i ka dhënë Enver Hoxha Kadaresë ka qenë me shumë dobi për Kadarenë dhe për Shqipërinë. Por, Enver Hoxha ishte shqiptar, ishte udhëheqësi kryesor i Shqipërisë, që në fund të fundit Kadarenë po e përkëdhelte dhe po e shpëtonte për Shqipërinë. Në këtë kuptim duhet falenderuar Enver Hoxha. Por, nuk mund të falenderojmë Nikolas Geixhin kur interesohet e kujdeset për Kadarenë, sepse këtë gjë ai e bën për qëllime krejt të ndryshme nga ato të Enver Hoxhës, e bën që këtë përkujdesje ta kthejë në dëm të Shqipërisë, edhe pse vet Kadareja mund të ketë përfitime meskine që i ka qejf. Prandaj Kadareja për të qenë shqiptar i mirë duhej të përbuzte e të flakte çdo përkujdesje nga Geixhi, pavarësisht se Fatos Nano, Sali Berisha e politikanë të tjerë herë nga halli e herë nga malli janë kënaqur me përkujdesjet e Geixhit. Kadareja duhet të mësohet me rregullin se nuk ka atribute të një pushtetari të lartë të Shqipërisë që të bëjë “realpolitikë”, edhe nëse ka ambicjen të merret me politikë personale.
Edhe Faruk Myrtaj që të veprojë si shkrimtar i mirë shqiptar duhet ta qortojë e jo ta ngushëllojë apo ta mbështesë e justifikojë Kadarenë kur këtij i lezetohet përkëdhelja e përkujdesja nga një armik i tillë i shqiptarëve si Geixhi. Nëse politikanët shqiptarë nuk janë të aftë apo nuk duan të bëjnë arsyetime të tilla është shumë keq për ta. Por është shumë më keq kur shkrimtarët shqiptarë nuk duan të bëjnë e pranojnë arsyetime të tilla. I takon shkrimtarit e publicistit më parë se politikanit e pushtetarit të heqë vijën e prerë të demarkacionit me armikun kombëtar dhe ta alarmojë opinionin publik sa herë duket se kjo vijë po maskohet ose po fshihet. Kurse shkrimtari e publicisti Faruk Myrtaj vetëm se i duhet të bëjë apologjinë e Kadaresë shmanget tërësisht nga një detyrë e tillë e shkrimtarit dhe e publicistit. Keq, shumë keq!.Ja dhe një dëm i madh që na bën takimi i Kadaresë me Nikolas Geixhin në Paris. Nano edhe sikur ta ketë tepruar me stërhollime ka bërë mirë që e zbuloi “episodin Geixh” në “Sherriadën Kadare”.
Hijet e diktaturës përvijohen edhe tani në “Sherriadën Kadare”
Sado që Kadare dhe apologjetët e panagjeristët e tij janë përpjekur që nëpërmjet “Kadareiadës” së përpunuar me kujdes pas rrëzimit të diktaturës komuniste të nxjerrin në pah vetëm imazhet e “Kadaresë disident” përsëri nuk ia kanë arritur kësaj dhe nuk mund t’ia arrijnë. Hijet e kohës së diktaturës dhe të diktatorëve përvijohen më dukshëm në “Sherriadën Kadare” se imazhet e disidentit Kadare në “Kadareiadë’.
Gazeta “Shekulli” ka disa kohë që boton përditë pjesë nga libri i tretë i Nexhmije Hoxhës ku pasqyrohet varianti i saj për miqësitë e për pabesitë midis dy familjeve kryesore të diktaturës komuniste, Hoxha dhe Shehu. Më 5 Prill 2004 në “Shekulli” është botuar nën titullin “Të internohet Bilal Xhaferri që kritikoi romanin e Kadaresë” teksti i një letre që Mehmet Shehu ia dërgonte Enver Hoxhës më 8 Prill të vitit 1968. Në këtë letër Mehmet Shehu sulmonte në mënyrën më të egër, në një frymë dogmatike të inkuizionit komunist, dy intelektualë disidentë të asaj kohe, poetin Bilal Xhaferri nga Çamëria dhe arsimtarin, kritikun e letrarin Qani Çollaku, nga Pogradeci.
I pari, bir i një të pushkatuari nga regjimi komunist, pas sulmeve që iu bënë u arratis dhe vdiq në rrethana misterioze në SHBA. Kur isha ambasador në OKB për herë të parë u njoha me pjesë nga i famshmi “Poemi kosovar” i Mitrush Kutelit që i kishte botuar Bilal Xhaferri në revistën që drejtonte “Krahu i Shqiponjës”. Vetëm pasi fillova punë në Gjykatën e Pogradecit në fillim të viteve 1980 munda të marr në dorë një kopje të vjetëruar të këtij libri nga të afërm të Kutelit, ndërsa “Poemi” dhe autori i vdekur ende quheshin gjysëmilegalë për shqiptarët në Shqipëri.
Qani Çollaku, vëllai i një heroi dhe i një dëshmori të Luftës Nacional-Çlirimtare pasi kishte bërë 7 vite burgim si i dënuar nga gjykata për agjitacion e propagandë në kohën kur shkova në Pogradec ishte i sëmurë rëndë dhe nuk jetoi gjatë. Kontaktin me të e pata aq sa mund t’i lejohej një të sëmuri në prag të vdekjes, nëpërmjet miqve të mi të ngushtë nga familja Çollaku.
Edhe pse ka rrjedhur shumë kohë ndjehesh i tronditur kur lexon në vitin 2004 atë letër që i shkruante Mehmet Shehu Enverit për të sulmuar e dënuar ende pa u akuzuar ligjërisht Qani Çollakun dhe Bilal Xhaferrin. As biografia familjare si bazë e njohur e Luftës Naciona-Çlirimtare nuk e pengonte drejtuesin e lartë të diktaturës komuniste të kërkonte linçim për njeriun që guxonte t’ia përplaste diktaturës në sy mendimin për të këqijat e saj, jo më nga pozita e “armikut të rrëzuar të klasës”, por nga pozita e pinjollit të familjes të lidhur aq shumë me gjak të derdhur me pushtetin e ri. Mjafton kjo letër e shkruar nga Mehmet Shehu për t’u thënë se bëjnë mirë të heshtin atyre që mundohen të portretizojnë “disidentin Kadare” në “Kadareiadën” e tyre paskomuniste.
Mehmet Shehu i shkruante Enverit : “Diskutimi i Bilal Xhaferrit ( për romanin “Dasma”) është gjithashtu një sulm kundër partisë, por i tërthortë ,godet egër dhe në mënyrë të poshtër Ismail Kadarenë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet tij, godet rëndë dhe vijën e partisë në art e letërsi.. Ky shkrimtar është i biri i një “çami” që ne e kemi pushkatuar si kriminel lufte…” . Pra Mehmet Shehu e mbronte figurën e Kadaresë si ikonën e vijës së partisë në art e në letërsi. Çfarë ironie, vetëm 3 ditë pasi është bërë i njohur ky tekst që ka qëndruar 36 vjet në Arkivë, grupi parlamentar socialist pushkatoi si “kriminele që rrënon miqësinë shqiptaro-greke” një rezolutë parlamentare për “Çështjen e Çamërisë”.
Kadare për shumë vite ishte një i përkëdhelur i familjeve Hoxha e Shehu. Më 9 Prilll 2004 në një emision televizv kushtuar grindjeve në familjen e Enver Hoxhës, nusja e djalit të tij nuk iu shmang dot komenteve vlerësuese për figurën e Kadaresë edhe pse kishte për të bërë komente qortuese për qëndrimet më të fundit shumë fyese e arrogante të Ismail Kadaresë për shqiptarët që protestuan në Kosovë.
Episode nga më të ndryshme në “Sherriadën Kadare” vazhdojnë të shtohen.
“Kërcënimi i AKSH-së” dëshmon se çfarë mund të sjellin sherret e Kadaresë
Episodi që “Gazeta Shqipëtare” e ka njoftuar më 8 Prill 2004 nëpërmjet titujve “AKSH kërcënon Ismail Kadarenë. S’kanë vdekur Avni Rustemët që të bëjnë pishman…” është më i riu në “Sherriadën Kadare” dhe njëkohësisht më i rëndi që ka prodhuar vet Kadare me sherret e tij në politikën shqiptare.
Sipas gazetës Kadareja është kërcënuar në këtë mënyrë nëpërmjet një deklaratë në faqet e Internetit, nënshkruar me pseudonimin Alban Kosova pas fyerjeve të rënda që Ismaili u drejtoi shqiptarëve të Kosovës në shkrimin e datës 1 Prill 2004 “Riparimi i së keqes”. “Gazeta Shqiptare” që i ka shumë qejf njoftimet për sensacion kur përmbajnë edhe doza të ndieshme të provokimit të ndjenjave kombëtare të shqiptarëve pasi ka bërë ca sqarime të përcipta për shkrimin e Kadaresë dhe për Frontin e Bashkimit Kombëtar Shqiptar si “truri politik i AKSH-së” ka nxjerrë më në pah pikat kryesore të tekstit të Internetit ku figuron edhe kërcënimi kundër Kadaresë. Madje “Gazeta Shqiptare” renditjen e pjesëve nga deklarata e nis me paragrafin kërcënues : “ Mbani gojën pra, Ismail Pasha i Parisit, se akoma nuk kanë vdekur Avni Rustemët që të bëjnë pishman përse ke le”.
Duket qartë në këtë formulin se redaktuesit e tij janë nën magjepsjen e figurës e të aktit që i atribuohet Avni Rustemit për vrasjen e Esat Pashë Toptanit në Paris në vitin 1920. Duket qartë se ende vazhdojnë të mbeten të ngulitur në disa mjedise politike e propagandistike dhe në mendësinë e disa njerëzve ato stereotipet e krijuara në të kaluarën, sidomos nën ndikimin e propagandës komuniste, për episode të caktuara të historisë së Shqipërisë dhe për vlerën e disa veprimeve që janë quajtur kulmi i atdhetarizmit por që janë akte e metoda të terrorizmit politik të mirëfilltë dhe luftrat politike me objektiv shoqëror e kombëtar nuk duhet t’i kenë në arsenalin e tyre. Për këtë jemi shprehur në disa raste, sidomos në një polemikë para disa muajve me zotëri Jakup Krasniqin që i jepte një interpretim të tillë si deklarata në Internet veprimit të Avni Rustemit kundër Esat Pashës në Paris.
Ky paragraph nga deklarata, siç na e ka bërë të njohur “Gazeta Shqiptare” përbën të vetmen pjesë të pasaktë të pabazuar dhe të papranueshme të deklaratës së lëshuar në emër të AKSH-së sepse : 1) Nuk ka përse të mbahen në piedestalin e mendimit politik aktet që përfaqësojnë terrorizëm politik në parim, 2) Është e papërligjur dhe e papranueshme që të kërcënohet me akt terrorist Ismail Kadareja, pavarëisht nga mëkatet që ka shkrimi tij që ka ngjallur zemërim të madh në shumë shtresa e njerëz në mjediset shqiptare. Por reagimi i bërë në Internet është i saktë, kuptimplotë dhe i nevojshëm kur i kujtohet zotëri Kadaresë se djegia e kishave serbe në Kosovë ka ardhur si kundërveprim i asaj pune armiqsore që kanë bërë këto kisha kundër shqiptarëve, jo për shkak të pozicionit fetar; kur i kujtohet Kadaresë se politika shqiptare në shumë drejtime ka qenë e pazonja dhe negative dhe mund ta pësojë keq kombi nëse shqiptarët nuk reagojnë dhe me forcë; kur Kadaresë i kujtohet se çfarë ka ndodhur gjatë 5 viteve në Mitrovicë dhe si serbët i provokojnë pa pushim shqiptarët etj.
Më 9 Prill “Gazeta Shqiptare” e plotësoi informacionin e saj dhe me deklarimet që bëri në ekranin televiziv Gafurr Adili, kryetari i FBKSH dhe me një njoftim të thatë se Kadare nuk dëshiron të shprehet për “kërcënimin që i ka bërë AKSH”. Adili spas “GSH” ka sqaruar se Alban Kosova është intelektual kosovar dhe deklarata e nënshkruar prej tij nuk është e strukturave të FBKSH. SipaS Adilit :”AKSH nuk kërcënon asnjë individ, qoftë dhe zoti Kadare”. Por, në të njëjtën kohë Adili flet me tone qortuese për qëndrimet e Kadaresë dhe i sugjeron të jetojë me popullin e tij që ta kuptojë më mirë atë. Me shumë të drejtë Adili ka theksuar : “ Mendoj se shkrimtari Ismail Kadare duhet të kërkojë falje publike për sharjet, ofendimet dhe fyerjet që i ka bërë ndaj popullit të Kosovës. Por ai nuk mund ta bëjë këtë gjë sepse ka frikë të rrezikojë ëndrrën e tij që është çmimi Nobel”.
Megjithatë duhet vënë në dukje se zotëri Adili e ka ngushtuar dhe thjeshtësuar shumë arsyen përse Kadare nuk mund të kërkojë falje publike. Janë më shumë detyrimet para një politike europiane që e shtyjnë Kadarenë të sillet kështu.. Kadarenë nuk e ka lënë asnjëherë megallomania të kërkojë falje publike për sherret që u ka bërë shqiptarëve. Edhe kur ai ka qenë i detyruar të marrë kthesa në deklaratat e tij ai përsëri ka vepruar me shumë cinizëm, ose duke i mohuar deklaratat e mëparshme, ose duke ua hedhur fajin të tjerëve se gjoja nuk e kanë kuptuar mendimin e tij të thellë, se janë keqinformuar nga shtypi i pakujdesshëm, se kanë keqinterpretuar medimin e tij për ta denigruar atë si shkrimtar i madh. Kështu bëri ai për shembull me deklaratat e tij skandaloze kur në fillim të vitit 2001 i fyu dhe i sulmoi luftëtarët e UÇK-së në Maqedoni dhe pastaj kur ngjarjet e nxorrën gabim u përpoq të mohonte ato që kishte thënë e të hiqej sikur ishte ai që kishte vlerësuar e ndihmuar më shumë luftën e tyre.Edhe tani pas botimit të shkrimit skandaloz “Riparimi i së keqes” e dinim se Kadare do të detyrohej të manovronte sërish me hiletë e megallomaninë e tij. Por nuk e prisnim që të fillonte shumë shpejt të bënte njëfarë kthese siç ka tentuar në intervistën që i ka dhënë më 6 Prill gazetës franceze “Le Monde” ( teksti i intervistës është botuar në Shqipëri nga gazeta “Albania” më 10 Prill 2004).
Kadareja kurdis sherrin e madh të fajsimit të shqiptarëve që nuk bëhen të mirë serbët
Në fillin Kadareja ka ripohuar para intervistuesit francez qëndrimin e tij thellësisht armiqsor e shpifës kundër protestuesve shqiptarë në Kosovë, duke këmbëngulur se shqiptarët ishin fajtorë pasi u sulën kundër një minoriteti, serbëve dhe u treguan të pabesë ndaj aleatëve. Kështu që intervistuesi francez qysh në fjalët e para e ka marrë atë që donte. Pasi ka kryer detyrën para frncezit Kadareja ka menduar pakëz të përmirësojë pozitën e vet të palakmueshme ku kishte rënë para shqiptarëve. Ai pohon se : ”mungesa e perspektivës për të ardhmen e Kosovës ka luajtur rolin e saj”. Përmend gjendjen e rëndë ekonomike, bllokimin e jetës së popullit shqiptar, provokimet nacionaliste të Beogradit, deklaratat serbe për rikthimin e Kosovës nën Serbi e dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Madje, Kadareja rrëfehet edhe kështu para francezit : “ E them me siguri që rol luajtën dhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Serbi”. Deklaratat eKoshtunicës i quan njësoj si të Milosheviçit
Dhe pasi ka thënë të gjitha këto ai e merr guximin që veprimet e shqiptarëve t’i cilësojë edhe një herë si “ idiote dhe barbare”. E merr këtë guxim sepse do të paraqitet para francezëve si “Mesia i Ballkanit”, të hiqet si supermeni i pajtimit në Ballkan që parashtron atë që nuk i paska shkuar në mendje ndokujt deri tani : “Problemi themelor që duhet zgjidhur është trajtimi i serbëve dhe shqiptarëve në mënyrë të barabartë”. Vini re mirë, nuk thotë në mnëyrë të drejtë, sipas parimeve, sipas të drejtave që i takojnë secilit në Kosovë, sipas pozitës që kanë në këtë vend, por thekson “trajtim të barabartë” që do të thotë shqiptarët duhet të kenë vetëm aq sa mund të kenë edhe serbët, ose serbët duhet të kenë gjithçka që duan dhe kanë të drejtë të kenë shqiptarët. Pra në një mënyrë të maskuar kërkon kantonizimin e Kosovës si Koshtunica, sepse dihet që në shtetin e Kosovës në pikëpamje të shtetshmërisë serbët e shqiptarët nuk mund të kenë trajtim të barabartë. Serbët nuk duhet të kenë më shumë se ato që parashikojnë standartet më të përparuara të trajtimit të pakicave. Kadare është i vetëdishëm, se shqiptarët në Kosovë janë ndjerë të nëpërkëmbur në çështje të tilla me rëndësi jetësore si privatizmi, proces që është penguar për t’u bërë qejfin serbëve dhe Serbisë. Kadare i ka pëmendur intervistuesit francez rolin negativ që ka lujatur në këtë drejti italinja Fuçi që kishte interesa në Serbi dhe që sapo është shkarkuar nga Holkeri, ndonëse shqiptarët ishin ankuar qysh herët kundër saj.
Kadare bën atë propagandën e rëndomtë se duhen ndaluar reflekset e vjetra raciste, se duhen trajtuar palët njësoj e të tjera përralla të bukura që mund të vlejnë në letërsinë për kalamaj, jo për të zgjidhur problemet shumë të mprehta në rajon. Madje Kadareja të mahnit me kthimin shumë shekullor tek literatura mbi armiqësitë greko-trojane si burim frymëzimi e model imitimi për të zgjidhur prpblemet e sotme,. sipa idesë së pendimit e të vrasjes së ndërgjegjes që na paskan lënë trashëgim grekët e lashtë.
E gjithë kjo vërdallisje nëpër errërsirën e historisë Kadaresë nuk i është dashur për pasionin e tij si shkrimtar, por për misionin e tij politik, për të shtruar detyrën e ditës : “Shqiptarët duhet t’u kërkojnë të falur serbëve për dhunën dhe djegien e kishave, pavarësisht se ata, serbët, kurrë nuk kanë kërkuar të falur për krimet e tyre”. Për t’ua mgarkuar shqiptarëve edhe këtë haraç që u takon ta paguajnë serbët që kurrsesi nuk duan ta pranojnë, Kadareja bën dhe një teorizim qesharak : “Në Ballkan të kërkosh të falur ka shumë rëndësi, një gjë e tillë është pjesë e themelit të psikologjisë ballkanike”. Pa të na thotë njëherë ky Kadareja se tek cili popull ballkanik e paska vënë re këtë “psikologji”? A dit ë na japë ndonjë shembull kur grekët u kanë kërkuar të falur fqinjëve? Mos grekët u kanë kërkuar të falur shqiptarëve për ndonjë gjë? Përkundrazi ata mbajnë në fuqi “Ligjin e luftës” edhe pse me shqiptarët nuk kanë qenë në luftë, edhe pse lufta ka mbaruar para shumë dekadash. Mund të na përmendë Kadareja ndonjë shenjë që tregon se grekët kanë ndërmend të kërkojnë falje çamëve për masakrat në kurriz të tyre, për spastrimin etnik, për pasuritë e grabitura? Grekët nuk i lënë çamët as të shkojnë lirisht të qajnë para pragjeve të tyre, para varreve të prindërve të tyre. Po turqëve, bullgarëve u kanë kërkuar ndonjë të falur grekët? Ata nuk duan as emrin t’ia lënë shtetit të tanishëm të Maqedonisë.
Po serbët kujt i kanë kërkuar të falur ndonjëherë për krimet që kanë bërë në Ballkan: shqipatëve, kroatëve, boshnjakëve, malazezëve?!. Do të bëhej shumë e gjatë lista e krimeve të serbëve veçanërisht ndaj shqiptarëve. Mjafton të kujtojmë 10 vitet e fundit, sidomos vitet 1998-1999. Po kroatët mos u kanë kërkuar falje popujve fqinjë ndaj të cilëve kanë bërë krime? Po malazezët u kanë kërkuar falje shqiptarëve se u kanë marrë tokat, i kanë dëbuar, i kanë asimiluar fetarisht e kombëtarisht?
Po shqiptarët kanë kërkuar ndonjëherë falje? Jo, sepse nuk kanë pasur kujt t’i kërkonin falje, as përse të kërkonin falje, sepse nuk kanë bërë pushtime, masakra. Përkundrazi shqiptarët janë mburrur me mazohizmin e tyre, e përmendin me krenari se asnjëherë nuk kanë pushtuar kënd dhe kënaqen me stoicizmin e tyre në buzë të greminës kombëtare për shekuj. Atëherë ku e ka psonisur atje në Paris ky Kadareja idenë e të kërkuarit falje si themel i psikologjisë ballkanike në marrëdhëniet midis popujve që kërkon ta bëjë tani shkopin magjik të zgjidhjes së problemeve të Ballkanit? Nuk e ka psonisur asgjëkundi, sespe as në Paris nuk mund të ketë shitore të “psikologjisë ballkanike të kërkesës së faljes”.
Kadareja me talentin e shkrimtarit që e dimë se e zotëron me bollëk ka trilluar gjithë këtë “filo zofi ballkanike të faljes” që t’u mbushë mendjen shqiptarëve se do të jenë ballkanasit më të mirë në rast se të parët u kërkojnë falje serbëve pa u pas asnjë faj, pa u pas bërë asnjë të keqe, edhe pse serbët nuk duan me kryeneçësi t’u kërkojnë falje shqiptarëve, ndonëse mbajnë mbi supe male fajesh historike dhe aktuale ndaj tyre. Bravo Kadare që u mëson shqiptarëve filozofinë e mazohizmit më ekstrem dhe psikologjinë e kërkesës më poshtëruese të faljes, madje jo vetëm ua mëson, por tenton t’ua imponosh me një dhunë psikologjkike, me një terrorizëm intelektual të pashoq. E pra as serbëve, as Drashkoviçit që në polemikat me Kadarenë e ka përpunuar shumë teorinë e fajsimit të shqiptarëve, nuk u ka shkuar në mendje që edhe barrën e të kërkuarit falje i pari t’ua lënë në derë shqiptarëve.
Kadareja është original në shtjellimin letrar ( trillues) të kësaj taktike e teze, por jo në zbulimin e saj. Është tashmë një politikë e njohur mjaft e përhapur kundër shqiptarëvet që këta të jenë kaviet për të eksperimentuar çdo gjë. Shqiptarët duhet të jenë të parët që të eksperimentojnë socializmin integral në format më të skajshme, Shqiptarët duhet të jenë të parët që t’i nënshtrohen eksperimentimit të marksizëm –leninizmit në formën më dogmatike, të eksperimentimit të shtetit e popullit ateist në botë, eksperimentimit të konvertimit masiv fetar nga myslimanë në katolikë, që të eksperimentojnë “shoqërinë multienike” par gjithkujt në vend të ndërtimit të shtetit kombëtar, që të braktisin zgjidhjen e çështjes kombëatre të papërfunduar për hir të integrimit europian, që të bëhen kavie e globalizmit pa pasur as ekonomi rudimentare kombëtare, që të provojnë të parët “dsikriminimin pozitiv”, domethënë që minoritetet midis shqiptarëe të trajtohen më mirë se shqiptarët etj etj. Tani na del dhe Kadareja e na thotë se duhet të jenë shqiptarët që t’u kërkojnë të parët falje serbëve, edhe pse nuk kanë bërë faj ndaj tyre, ose kanë bërë një faj që e shpik Kadareja për të qenë në rregull me arsyetimin e tij çapraz. Dhe pastaj apologjetët e Kadaresë shqetësohen përse ka njerëz që kritikojnë Ismailin, apo përse puna mbërrin deri tek kërcënime ndaj Ismailit.
Nuk ka shumë kohë që Ismaili pat deklaruar se paqja do të vendoset në Ballkan kur serbët t’u kërkojnë falje shqiptarëvet. E kemi qortuar këtë thënëie sepse i reduktonte në minimum kërkesat shqiptare dhe ishte një iluzion. Tani Kadareja e ka mbledhur mendjen se as kaq nuk shkëput dot nga serbët. Dhe rrugëdaljen e kërkon tek falja që u dashka të kërkojnë shqiptarët nga serbët. Kjo nuk është më as iluzion, as diziluzion, por poshtërsi intelektuale dhe tradhti politike. Pradaj të mos çuditet shumë Kadareja që në Internet shfaqen edhe shkrime me kërcënime terroriste kundër tij.
Ato që ka thënë në intervistën në “Le Monde” më 6 Prill Kadareja normalisht duhej t’i dinte edhe kur ka shkruar artikullin e botuar me 1 Prill nën titullin “Riparimi i së keqes”. Atëherë pse në atë artikull ai ka ngheshur të tëra të zezat në thesin që ua vë në shpinë shqiptarëve? Po më parë të shohin cilat janë këto të zeza dhe pse na duket të zeza ato që ka shkruar Ismail Kadareja për të fyer e nëpërkëmbur shqiptarët dhe për të marrë me të mirë serbët e miqtë e tyre në Paris e në Europë?
10 Prill 2004 (vijon) Eshref Ymeri