Re: Futbollistet Shqiptare ne Europe
Çështja Nini: Pirro Dhima po punon kundër Shqipërisë
Familja Nini nga Himara vazhdon të qëndrojë mes Greqisë dhe Shqipërisë, teksa nuk ka vendosur ende se cilin vend do të përfaqësojë talenti 16-vjeçar i futbollit në të ardhmen.
Sotir Nini, fenomeni që ka habitur të gjithë Greqinë me talentin e tij në futboll vazhdon të mbajë hapur një polemikë mes dy vendeve. Lojtari i ri ka refuzuar ftesën e parë të bërë nga tekniku i kombëtares shqiptare U-21, Artan Bushati për miqësoren me Turqinë. Ndërkaq, lojtari do të marrë pas pak ditësh edhe një tjetër ftesë për miqësoren që për ironi të fatit do të luhet në në Greqi ndaj vendasve. Megjithatë, aktualisht sipas teknikut Bushati shpresat që Sotir Nini të luajë me Shqipërinë janë ende, pasi lojtari nuk ka bërë një zgjedhje përfundimtare. Përveç kësaj, tekniku ka dalë kundër ish-peshëngritësit Pirro Dhima, që po ndikon negativisht në këtë çështje duke bërë propagandë në media që Nini të luajë me Greqinë. “Kam kontaktuar me familjen e tij, duke qenë se ai është vetëm 16 vjeç dhe normalisht janë prindërit ata që vendosin, thotë tekniku i kombëtares Shpresa në lidhje me këtë çështje. Herën e parë e refuzuan ftesën, duke qenë se bëhej fjalë për një ndeshje të caktuar në datë jozyrtare. Nuk më vjen mirë edhe për faktin që një njeri si Pirro Dhima të bëjë propagandë kundër Shqipërisë dhe tq quajë lojtarin një grek”. Në bisedat e fundit, Bushati nuk ka marrë një përgjigje negative përfundimtare, teksa familja e Sotir Ninit ka kërkuar kohë që të marrë një vendim të drejtë për djalin e tyre. “Herën e fundit që folëm, atë më bënë të ditur se nuk e kishin marrë ende një vendim dhe se do t’u duhej pak kohë. Me këtë u nënkuptua se ata nuk e kishin marrë ende një vendim dhe und të thuhet se Nini është midis Greqisë dhe Shqipërisë”, deklaroi tekniku shkodran. Talenti do të marrë brenda pak ditësh edhe ftesën për t’u grumbulluar në miqësoren e datës 6 shkurt dhe këtë e konfirmon edhe trajneri i përfaqësueses U-21. “Do t’i dërgojmë një ftesë për ndeshjen e Greqisë dhe pastaj të shohim e çfarë do të vendosë. Këtë herë bëhet fjalë për një ndeshje që luhet në një datë zyrtare dhe klubi i Panathinaikosit nuk mund ta pengojë”, deklaron trajneri i kombëtares Shpresa, Artan Bushati.
* Kush është
Futollisti Sotir Nini ka lindur më datë 3 prill 1990 në Himarë të Vlorës dhe është transferuar në Zakintho të Greqisë bashkë me prindërit e tij. Në vazhdimësi erdhi në Athinë, në Nea Jonia, dhe vazhdoi në Akademinë e Apollonit të Athinës. Më 2003-in u pranua nga Panathinaikosi.
* Çmimi
Nini u zgjodh lojtari më i mirë i javës së 16-të të kampionatit të Superligës në Greqi. Në debutimin e tij futbollisti i talentuar 16-vjeçar i Panathinaikosit u votua nga mediat si lojtari më i vlefshëm i kësaj jave, duke marrë 72,8% të votave në total.
* Refuzimi
Talenti 16-vjeçar i Panathinaikosit, Sotir Nini ka refuzuar ftesën e bërë nga trajneri i kombëtares U-21 për ndeshjen me Turqinë. Ai ishte i detyruar t’i përgjigje thirrjes pozitivisht, por fakti që ndeshja me Turqinë nuk është në një datë zyrtare, bën që ai të mos e pranojë ftesën.