Femrat shqiptare, më konservatore se meshkujt
Pabarazia mes femrave dhe meshkujve në Shqipëri vihet re sidomos në politikë. Drejtuesja e re e Lëvizjes së Gruas për Integrim, zv.ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Klajda Gjosha, përcjell në një intervistë për gazetën “Shekulli” mendimet e saj për raportin vendimmarrës në Shqipëri prej nga ku mund të nxirren disa përfundime edhe për sfidat e së ardhmes. Eliminim i mentalitetit maskilist, pavarësi financiare dhe shkollim, këto janë sipas saj disa masa që duhen marrë për të zbutur diferencat e sotme.
Znj. Gjosha jeni një nga prezantimet më të reja publike të LSIsë në skenën politike. Cila është karriera juaj profesionale dhe si erdhët deri në detyrat politike dhe partiake që mbani aktualisht?
Në fakt prezantimi im në skenën politike nuk është aspak një rastësi pasi unë jam angazhuar në LSI që nga viti 2008. Kam jetuar në Britaninë e Madhe për rreth 7 vjet ku kam kryer shkollën e mesme, studimet Universitare për Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe më pas jam diplomuar me titullin Master për Studime Europiane. Me pak fjalë karriera ime politike ka nisur që në Universitet, ku unë me shumë pasion vendosa të studioja degë të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me politikën. Pasi u ktheva ne Shqipëri kam punuar gjatë në administratën shtetërore, duke fituar kështu një eksperiencë te mirë në disa fusha siç janë turizmi, punësimi dhe problemet sociale. Përsa i përket angazhimit partiak sic e përmenda edhe me parë, unë jam pjesë e LSI-së që nga viti 2008 dhe detyrat politike kanë ardhur gradualisht, pas një angazhimi tepër aktiv gjatë këtyre viteve. Njohja e mirë që unë kisha krijuar me strukturat politike të LSI-së, marrëdhëniet e mira me kolegët, përkushtimi im dhe patjetër mbështetja e madhe nga lideri z. Meta janë faktorë te rëndësishëm të zgjedhjes time në krye të Forumit te Gruas dhe më pas si Nënkryetare e LSI.
Drejtoni LGI-në, forumin e gruas, që përfaqëson një kategori shoqërore që sa vjen e fiton vëmendjen e politikës. Sipas jush cila është sfida kryesore e femrës shqiptare sot?
Është e vërtet që unë sot drejtoj një nga forumet më të rëndësishme brenda LSI-së por edhe atë faktor shoqëror që zë një vend të veçantë në jetën politike dhe sociale të vendit. Gratë dhe vajzat sot përbëjnë 50% të shoqërisë, ndaj vëmendja ndaj tyre duhet të jetë maksimale, për t’u dhënë atyre rëndësinë dhe vlerësimin e merituar. Gratë shqiptare ndër vite kanë pasur disa sfida, të cilat pak a shumë i përshtaten periudhave të ndryshme historike të vendit tonë. Në përgjithësi ato kanë bërë një rrugëtim të gjatë drejt emancipimit, por ky i fundit ende mbetet në një nivel mesatar, ndaj sfidat e një gruaje sot janë të shumta për të arritur atë qe ne e quajmë barazi gjinore në të gjitha fushat. Sfida nis me eliminimin e mentalitetit maskilist të shoqërisë tonë, e më tej vazhdon me shkollimin e tyre dhe me pavarësinë financiare që luan një rol të rëndësishëm.
Krahas detyrës partiake mbuloni edhe atë të zv.ministres së Punës dhe Çështjeve Sociale. Znj. Gjosha që edhe opinioni të sqarohet; a është papunësia në Shqipëri, një plagë, një problem relativ ekonomik dhe social, apo është elementi bazë i krizës ku ndodhemi?
Unë e kam marrë detyrën e Zv. Ministres të MPCSSHB vetëm para pak javësh dhe problematikat e papunësisë në fakt nuk janë në linjën timë direkte, pasi unë mbuloj çështjet e barazisë gjinore, megjithatë mund t’ju them se papunësia nuk është një çështje që ka prekur vetëm Shqipërinë, por gjithë rajonin si dhe vende tepër të zhvilluara të Europës Perëndimore. Patjetër që shifrat janë të larta kur krahasohen me numrin e popullsisë, megjithatë ka patur shumë politika favorizuese për zbutjen e këtij fenomeni si dhe faktori ndërkombëtar nëpërmjet projketeve të ndryshme ka luajtur një rol të rëndësishëm ne krijimin e vendeve të reja të punës.
Thuhet se në Shqipëri nuk ka barazi mes femrave dhe meshkujve ndonëse në një profesion si ai i gazetarit p.sh mundet fare mirë të flitet për një avantazh numerik të femrave. A ka në përvojën tuaj, apo edhe njohjen tuaj, pabarazi dhe ku konstatohet kryesisht?
Pabarazia mes burrave dhe grave duket qartë në arenën politike dhe në instancat më të larta drejtuese siç anë pozicionet e ministrave dhe në Parlamentin Shqipar, i cili sot përfaqësohet vetëm me 16.7% gra deputete. Lëvizja e Gruas për Integrim ka miratuar në Konventën Kombëtare respektimin e aspektit të barazisë gjinore në të gjitha instancat drejtuese të saj dhe kjo ka sjellë një risi ne politikën Shqipare. Ne shpresojmë që të gjitha partitë politike te ndjekin të njëjtën rrugë dhe ta vazhdojnë atë jo vetem në listat zgjedhore por edhe në emërimet e Kabinetit Qeveritar dhe deri te qelizat më të vogla të administratës.
Kush është faktori më konservativ në shoqërinë shqiptare; femrat apo meshkujt?
Unë do të thoja se gratë janë më konservatore kur bëhet fjalë per çështjet sociale, mënyra e jetesës, rritja e fëmijëve, paragjykimet mes njëra-tjetrës, por ato janë edhe shumë më liberale se burrat kur flasim për çështjet ekonomike. Ndoshta kjo spjegon qartë edhe pjesëmarrjen e tyre të ulët në arenën politike dhe në vendimarrje.
Jeni tashmë në politikë. Cili është modeli juaj apo si të thuash pika e referimit. Një konsideratë edhe për femrat kryesore në politikën shqiptare...
Për t’u treguar e sinqertë nuk mund të them se kam nje pikë referimi nga modelet e politikës shqiptare apo të huaj. Më pëlqen të jem gjithmonë vetvetja ashtu siç më njohin të gjithë miqtë e mi në jetën e përditshme dhe gjithmonë mundohem të reflektoj dhe ta ndërtoj figurën time politike mbi realitetin shqipar dhe mbi problematikat kryesore që ndeshin sot gratë dhe vajzat në Shqipëri.
LSI, një politikë e detajuar për gruan
Cili është programi i forcës suaj për përmirësimin e situatës së gruas në shoqëri?
Pas zgjedhjes time si kryetare, tashmë Lëvizja e Gruas për Integrim është paraqitur dhe me programin e saj, i cili është tepër gjithëpërfshirës, por që ka në fokus mbart figurën e gruas dhe rëndësinë e saj në çdo aspekt të jetës. Programi ngre disa çështje të rëndësishme si Punësimin, Shëndetësinë dhe ndërgjegjësimin e grave për izita periodike te mjeku, Arsimin Profesional, Kulturën, Traditën etj. Në kuadër të këtij programi ne kemi organizuar edhe disa tavolina të rrumbullakëta në qytete të ndryshme të Shqiperisë. Disa prej nesh kanë shpalosur dhe platformën tonë në disa televizione kombëtare dhe lokale. Lëvizja e Gruas për Integrim tani ka filluar të funksionojë në bazë të një plani të detajuar pune,deri për zgjedhjet e vitit 2013, i cili në fokus të tij ka përfshirjen e sa më shumë grave dhe vajzave në jetën politike të vëndit duke nxjerrë në pah vlerat më të larta që mbart figura e gruas.
/Shekulli Online/Skerdilajd Zaimi/