Femra dhe shoqeria, problemet sociale ne Shqiperine e sotme...

Hektor12

Locus omnem
Ky është nga ato shkrime që fjalët të bëhen lëmsh në fyt dhe në mëndje dhe nuk di nga ta kapësh fillin.
Gratë që hanë dhe tashmë shtohen me një ritëm makabër, ritëm skizofren, ritëm që veç burrecat e një vendi (jo shteti) barbar mund ta arrijnë.
Nuk po dua të imagjinoj skenën e fundit të jetëve të tyre, ankthin, tmerrin, sytë e shqyer dhe vetminë makabre, nuk po dua të imagjinoj, por vuajtjen, ankthin dhe frikën i kam në sy dhe në shpirt.
Armata e hiç-ëve
Një lukuni kaotike shqiptarësh arsimohen prej vitesh në fusha universitare si psikologji, sociologji, punonjës socialë etj, por kjo lukuni e çorganizuar në strukturën dhe thelbin e saj kurrë nuk i uli të ndenjurat dhe të studiojë pikërisht këtë fenomen kaq kriminal shqiptar, fenomenin e shqyerjes dhe krimit në familje sidomos atë të vrasjes barbare ndaj grave.
Kjo lukuni hiç-ash, bashkë me shushunjat e pjesës më të madhe të pseudo shoqërisë civile shqiptare, që masturbohet nëpër salla konferencash të Rogner-it, Sheraton-it, Hotel Tiranës, etj, nuk po justifikon as semestrin e parë të vitit të parë të shkollave që kanë bërë. Ende ne shqiptarët e viteve 2000 po përpëlitemi mes llahtarës së pasojave, por dhe pyetjeve pa kokë.
1. Pse meshkujt shqiptarë zënë vendin e parë në rajon për trafikimin me qëllim prostitucioni të bashkatdhetareve të tyre, ç’i shtyn ata, si funksionon truri, gjeneza dhe morali i tyre?
2. Në ç’stad ndodhet familja shqiptare, si, pse, çfarë të kaluare ka, si krijohet ajo në numrin më të madh të rasteve, me shkesi, dashuri, interesa mbijetese, a ndikon lloji i krijimit të një martese në ecurinë e saj?
3. Çfarë koncepti kanë meshkujt shqiptarë për bashkëshortet e tyre, çfarë modeli kanë pasur në familjet e origjinës?
4. A ndikon formimi i tyre arsimor, profesioni, ana financiare, veset, alkooli, kumari në këtë llahtar që ka pushtuar familjen shqiptare?
5. A ka statistika me të dhëna të detajuara, po bazë të dhënash a ka kjo dynja e organizuar që gjasme quhet shtet, se sa gra të dhunuara ka në territorin e Shqipërisë, në total, sa të divorcuara dhe sa me urdhër mbrojtje nga burrat mostra dështakë.
Këto pyetje dhe dhjetëra të tjera rrinë mbështetur në tëmthat tanë fiks si pushka a thika e burrecave ndaj femrës shqiptare.
Pyetje që s’duan mund, duan thjesht shpirt e përkushtim për t’ju përgjigjur, e të mendosh se ka disa drejtori që hanë bukë haram gjasme se mbrojnë gratë nga dhuna, Drejtori të tilla harami dhe bashkëpunimi në krim ke në ministrinë e Kserës, në ministrinë e Nokës, por dhe ato drejtori si gati të gjitha drejtoritë e këtij shteti palaço bëjnë sikur, dhe ato rrahin ujë në mulli, ujë i cili nuk është ujë, por është gjak femrash shqiptare, gjak, i cili, falë dhe tyre, po shtohet në mënyrë tragjike.
Armata e medias kriminale
Çdo ditë perëndie në mënyrë perverse, sidomos në mediat kryesore kombëtare, shikon se si pikërisht kjo media që duhet të luante një rol edukativ, parandalues dhe ndëshkues është shndërruar në zëdhënësen më makabër të krimit.
Mediat shqiptare po stimulojnë, amplifikojnë, reklamojnë në mënyrë barbare vrasjet ndaj grave. Kronikat e tyre tashmë janë shndërruar në një shëmbëlltyrë perverse të telenovelave horror. Niveli i tyre profesional, human dhe atdhetar tashmë ka cakitur fundin.
Media shqiptare e ka flakur në tualet kodin e etikës bashkë me moralin, dinjitetin dhe profesionalizmin e saj.
Është kjo media, që kurrë nuk pati këllqe të hetojë mafien makabër në politikë, të ketë kurajë të hetojë pasuritë dhe lidhjet e politikës me krimin, është pikërisht po kjo media që bashkë me vrasësin kap thikën dhe mbas vdekjes ja ngul dhe tre herë të tjera shqiptares së mjerë, dhe bashkë me kronikën perverse që transmeton, arrin që dhe një kodoshi pasiv t’ia ngrejë puplat e krimit dhe ta stimulojë që të ndjekë fatin e kodoshit vrastar të mëparshëm.
Armata e politikës kriminale
Ndërkohë që Berisha, një ndër liderët më përçarës dhe krimndjellës të këtij vendi, qurravitet për humbjen, por ndërkohë vazhdon është në detyrë, një grua e ndjerë, e mjerë, e vetmuar vritet në Shqipëri.
Ndërkohë që Rama s’arrin të menaxhojë qurravitjet e deputetëve të listave të qylit dhe ambiciet e tyre me “hallin e madh” se do jenë deputetë apo ministra, dhe hallin tjetër se sa shumë do ia kafshojë Meta pushtetin, pikërisht në ato dakika një grua është duke u rrahur dhe vrarë barbarisht nga burreci pa zot, pa shtet, ndaj dhe pa frikë. Të dy sa më sipër heshtin, dhe heshtja është kurajë për burrecat pa shtet, ndaj pa frikë.
Armata e krimit policor, gjyqësorit dhe prokurorisë antishqiptare
Çdo vrasje, përsëris, çdo vrasje është një vrasje e paralajmëruar, policia shqiptare tashmë ka damkën në surrat, të kompromisit, kodoshllëkut dhe bashkëveprimit me krimin. Parandalimi, hetimi, qoftë dhe këqyrja e vendit të ngjarjes pa zhdukur, manipuluar ose shitur provat tashmë janë fjalë të huaja në punën e policisë shqiptare.
Rezulton pa përjashtim se çdo viktimë ka shkuar paraprakisht në polici, por ajo është injoruar, përdhosur dhe i është dhënë çakallit burrec për ushqim.
Por policia shqiptare nuk ndalet me kaq, pasi e flak tutje të mjerën e dhunuar, e dhunon dhe mbas vdekjes. Deklaratat e policisë shqiptare janë dhe ato idiote dhe kriminale njësoj si sjellja e saj.
Përherë fajin indirekt e ka viktima, që sipas kësaj policie viktima kish probleme, depresioni, xhelozie etj (me pak fjalë e kish hallall vdekjen).
Nuk dua të merrem më me këtë polici pasi personalisht ja kam hequr vizën, tashmë të gjithë shqiptarët janë nën pushtetin e krimit dhe të rastësisë së mbijetesës.
Prokuroria dhe gjyqësori shqiptar, e njëjta gjë sa më sipër, të treja janë pjella të një nëne, nënës antishtet, korrupsion dhe vëllavrasje pa ndalim.
3 fjalë të fundit
Mendoj për ato të mjera, të cilat ndoshta ditën që ju prenë jetën, ju prenë dhe vuajtjet që kush e di sa kohë i hiqnin në shpirt, mendoj për krijesat e tyre të lëna pas mes traumës barbare, braktisjes totale nga shteti dhe strukturat e tyre që duhet t’i ndihin dhe tundimit për të qenë fotokopje të trishta të modelit familjar.
Mendoj për çdo grua shqiptare në çdo cep të kësaj toke të vogël që quhet Shqipëri, njoh, ndjej mbijetesën e tyre të stërmundimshme për mbijetesë, për të çuar përpara këtë popull me zemrën, shpirtin e plagosur dhe barkun pjellor, bark, i cili pavarësisht thikave vazhdon rigjeneron shqiptarë dhe ndjehem e mpakur, e trishtë e vetmuar.
Ruajna o veç ti o perëndi nga shqiptarët tanë.
 

dr love

Locus omnem
Femra ktu te ne eshte e detyruar ti nenshtrohet burrit..ambjentit..pa ndr mentaliteti nuk ndr asgje..mbase pas disa dekadash sterniprit tane do mendojne me te lire nga paragjykimet.Ku te shkoj nje femer e dhunuar kur s'ka pune..shtepi..pa perkrahje..me e forta eshte se as prinderit se perkrahin..dhe detyrohet rri duron dhunen.deri sa arrihet ne krim..Ka dhe femra te forta qe kan ecur perpara..po ato behen egoiste..cinike me keq se meshkujt..dhe prap me e forta eshte se keto tipe sulmojne femrat me te dobta...mundohen ti shkelin.Femrat jan xheloze per njera tjetren..pra ka disa kategori....Nuk di cte them..ne jemi te keqiat e njera tjetres..
 

Landi78

Forumium maestatis
Cdo femer ka nje emer, cdo emer ka nje person brenda tij, cdo person ka nje personalitet, cdo personalitet ka nje historik dhe cdo historik nuk eshte universal per cdo femer!!!!!
 

Hektor12

Locus omnem
Mbase duhet me shume dhe po jua risjell perseri ne krye se po mbushet forumi me bidalliqe qe vetem te problemeve sociale sjane... po behet cic mic me ca tema qe kushedi ku ishin fshehur dhe qe skane asnje lidhje me problemet socile ne pergjithesi dhe ne ket rast te femres shqiptare. E kam thene ka edhe ketu antare femra hiqen te lira po vetem ne mendim te shtypura dhe vazhdojne te shtypen
 

Hektor12

Locus omnem
shiko si mesohen njerezit ,,, psh dua te studioj jashte eshte fenomen social dhe ka shume ndikim ne jeten sociale te shqiptareve
 

Hektor12

Locus omnem
Kur do të emancipohet mashkulli shqiptar?

Shkruan: Iliriana SHABANI

Femrat shqiptare, mbyllur mbrenda katër mureve, të dobëta e të pa zhvilluara, jan shtypur e mbytur nga zgjedhja e rëndë e një edukate që s’këshillon e s’porosit asgjë tjetër veçse ndalime: mos prek! mos dil! mos hy! mos fol! mos qesh! mos qaj! e plot mosa tjerë të një edukate, e cila mashkullin e ka normë, e femrën përjashtim, anomali, kërcënim që duhet kontrolluar.

Femra te ne është një qenje e shtypur nga mashkulli e cila, në një akt final të poshtërimit të saj, shahet, përqeshet e fyhet – pse është e shtypur! Ajo ta djegë zemrën për pa drejtësit që i bëhen. Kjo femër e gjorë, e pashkolluar dhe e robëruar për jetë, si mund të bëhet nanë e mirë, edukatore e denjë!?

Çfarë aftësish mund të ketë një skllave e tillë për të rritur fëmijë, ata fëmijë që do të jenë shpresa e nesërme e vendit tonë, mburoja e atdheut dhe krenarija e kombit!?

Ai atdhe ideal që e ëndërruan dëshmorët tanë do të mbetët një dëshirë e varrosur nën dhe bashkë me kufomat e tyre, përderisa femra shqiptare të mos ketë p.sh. mundësi për shkollim të barabartë me meshkujt. Si është e mundur që ndër shqiptarët, ku gjysma e demografisë janë meshkujt e gjysma femra, meshkujt janë kaq të mbireprezentuar në arsim të lartë!?

Unë akuzoj të gjithë ata “patriotë”, “politikanë”, “udhëheqës”, “baballarë të kombit”, me mjekra, syze, shalle, kostume, e flamuj simpatikë kuqezi nëpër tavolina, që heshtin si qyqe e s’e ngritin zërin të kërkojnë lirinë e femrës shqiptare, ta provojnë kapacitetin e saj, për t’i zhvilluar cilësitë e brendëshme të saj, për të fisnikruar shpirtin e saj të shtypur me shekuj; i akuzoj, pra, të gjithë që janë pjesëmarrës direktë në krimin masiv që kryhet përditë kundër gjysmës së kombit shqiptar, kundër fëmijëve të tij e ardhmërisë së tij.

Për të pasur gjenerata të reja e mendjendritura, shpresërisht ca më të mira se gjenerata jonë, duhet të kemi familje të lumtura ku dominon drejtësia e respekti në familje: si do të presim nga fëmijët tanë që të kenë respekt për jetën e pronët e tjetrit, kur qysh në familje i mësojmë sistematikisht, duke i shtypur gratë, që respekti për jetën është iluzion?

Ku qëndron problemi!?

Dihet thjeshtë se problemi është mu aty: në edukatën familjare.

Ne jemi ata prindër që vendosim për fatin fëmijëve tanë, pa marrë parasyshë a është vajza a po djali. Ne jemi ata prindër të cilit i ndalojmë vajzat tona nga shkolla, ne jemi ata që nuk duam ta pranojm se femra është thelbi i shoqërisë dhe i qenies njerzore.

E kur femrën e lëmë mbas dore, atëhere vuan gjithë populli. Herët a vonë, prej kësaj vuajmë edhe ne. Por mjerisht, të shpeshtën jemi aq injorantë, sa s’e vërejmë shkakun e vuajtjeve tona. E s’e vëmë re që shkelja e femrës është primitivizëm, ngecie, papërsosmëri, katastrofë morale e etike, në aspektin demokratik të një populli.

E megjithatë: të gjithë flasin për lirinë. Liri majtas, djathtas, liri me grushta, liri gjithandej: liri prej komunizmit, prej pushtimit, prej regjimit, prej krimit, prej taksave. Liri prej lirisë, po deshe: pazari ballkanik i ha të gjitha…

E ku mbeti liria e femrës!?

Pse vetëm kjo qenka e parakohëshme, e parealizueshme, e padëshirueshme, e nxituar, e qortuar, e vonuar? Pse vetëm kjo – pse vetëm femra! – kaq e mohuar!?

Të gjithë flasin për vetvendosje. Vetvendosje për Kosovën, vetvendosje për shqiptarët në IRJM, vetvendosje për bashkim kombëtar. Vetvendosje për shitësin analfabet të djathit në çarshinë kosovare, që vë ende gisht e nënshkruhet me çirilicë. Por jo vetvendosje për Flora Brovinën, a jo! atje nuk është koha të shkohet ende.

Pse këtë problem e lëmë të zhvarritet ndër shekuj? A nuk është koha që t’i dhëmë fund kësaj shtypjeje të egër?

Ju ftoj: ju meshkujt jeni ata që duhet t’i jepni fund shkeljës së të drejtave të femrës. Ju porosis: ju, e jo femra, jeni ata që keni nevojë për emancipim.
 

Hektor12

Locus omnem
Femra në shoqërinë shqiptare. Dimensioni dhe roli i saj në aspektin shoqëror

Shoqëria jonë është një shoqëri që kryesisht shquhet për rrënjët e saj të thella në patriarkalizëm, megjithëse kohët e fundit ne shohim një shoqëri konservatore, madje deri moderne. Roli dhe pozicionimi i femrës mes konservatorizmit dhe patriarkalizmit tregon për hapat që kanë bërë femrat e shoqërisë tonë për të shuar pabarazitë mes tyre dhe meshkujve. Me emancipimin e shoqërisë dhe hapjen e saj drejt vendeve perëndimore, po kështu dhe me një hov të madh që mori zhvillimi i mjeteve të komunikimit, femrës i’u dha shumë liri, të drejta dhe dukej sikur ishin hapat e parë të një revolte ; ajo kërkonte medoemos të dëgjohej. Barazia gjinore mes femrës dhe mashkullit në shoqërinë shqiptare ende nuk ka arritur perfeksionimin e duhur, megjithëse pretendohet që femra në një aspekt tre dimensional; psikologjik, kulturor dhe sociologjik, të jetë në rrugën e drejtë të përparësisë. Kjo dëshmohet me karakterin e saj të fortë , vendosmërinë dhe nevojën e përfshirjes në vendimarrje, politikbërje si një tregues i logjikshëm i c’rrënjosjes së mentalitetit shqiptar. Ndonëse shoqëria jonë e do dhe e propagandon së tepërmi emancipimin, ende në shumë zona te thella të vendit nuk jehon “reforma” e këtij emancipimi.
Shoqëria jonë që me ndryshimin drastik që ka pësuar nga ndërrimi i sistemeve; që për hir të së vërtetës ka qënë një proces i gjatë , i vështirë dhe shpesh herë i keqinterpretuar, ka pësuar një shndërrim të dukshëm të një sërë aspektesh kulturore, shoqërore, politike duke dashur gjithnjë të rifitoj në kohë dhe hapësirë instrumentat e duhur sa i takon sferës shoqërore. Emancipimi i gruas në Shqipëri erdhi si domosdoshmëri e grave për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për t’u ndjerë të vlerësuara e të pranuara nga shoqëria. Në ndihmë të kësaj ka ardhur jo vetëm apelimi për të drejtat e gruas nga organizata të ndryshme jo qeveritare por ka lindur si domosdoshmëri punëdhënia, vendimarrja, mbështetja. Duke qënë se jemi një shoqëri demokratike ku liria e fjalës dhe e shprehjes janë një e drejtë themelore e qytetarit, qasja me këtë realitet social nuk ngjan e pamundur dhe ka shumë gjasa që të pranohet. Mbase është shumë herët të pranojmë e të flasim për barazitë gjinore apo për të drejtat e femrës të barazvlerësuara me ato të një mashkulli, por nuk duhen nënvlerësuar potencialet dhe angazhimi i gruas në sferën kulturore, shoqërore, politike të vendit. Organizatat jo qeveritare shtrojnë si një problematikë të mprehtë rregullimin me ligj të disa të drejtave që duhet të gëzojnë gratë, deri tek imponimi i respektimit të këtyre të drejtave dhe nxitjen e një kulture të re në shoqëri, pjesmarrjen e gruas në të gjitha fushat shoqërore, politiko – ekonomike në mënyrë që të bëhet e mundur barazia gjinore dhe të mos ngelë vetëm një sprovë e dështuar. Roli i femrës si e aftë për të përballuar cdo problematikë në një rrafsh kontekstual me meshkujt con dhe në forcimin e mëtejshëm të bërthamës së familjes, duke eleminuar hapur divorcet apo dhunën në familje.
Ashtu sic e përmendëm dhe më sipër me ardhjen e demokracisë dhe me kalimin në një sistem të ri i lind e drejta cdo gruaje, femre, vajze në shoqërinë tonë të ndjehet e lirë dhe të gëzojë të drejtat e saj të mohuara, deri në shtypje . Kapitullimi i një sistemi dhe ardhja e demokracisë ishte më shpresëdhënës për një frymë e formë të re që do merrte shoqëria shqiptare në shumë aspekte të saj. Demokracia dukej sikur do hapte dyert e do rriste më shumë shanset që të gjitha të drejtat e mohuara të grave të prireshin drejt një ridimensionalizimi qoftë ligjor qoftë në vetë ndërgjegjësimin e shoqërisë. Roli i mohuar i grave në shoqëri dhe të gjitha të drejtat e shtypura do bëheshin pjesë e rëndësishme e politikave sociale duke u trajtuar në favor të tyre. Faktikisht dukej një realitet tejet premtues, i cili do c’rrënjoste njeherë e përgjithmonë divergjencat sociale në shoqëri , dhe do kthehej në një factor kyc që gratë të zinin postet e merituara.
Zonat e thella malore të Shqipërisë ende sot vuajnë pasojat e mentalitetit, e sistemit të degraduar të diktaturës , dhe shumë nga të drejtat e grave as që njihen. Gruaja konceptohet si kafshë pune, e painformuar, e dhunuar dhe përherë shkak xhelozie. Falë sistemit demokratik ne jemi ende shtresë ndjellës se femrat e këtyre zonave do të kenë shansin e mirë për të qënë të lira, të hapura dhe me të drejta. Në shumë raste kemi gra që bëjnë punën e burrave të tyre, punë të rënda punë krahu; mjelin bagëtinë, cajnë dru, lërojnë tokën, dhe për më tëpër jetojnë në kushte primitive. Familja tradicionale, sidomos ajo në zonat e thella veriore të vendit bën që gratë të mos jenë të pavarura ekonomikisht, dhe si rrjedhojë të mos jenë të barabarta me burrin dhe të mos kenë liri të drejta dhe privilegje. Për shkapërcimin e kësaj disbalance shoqëria ka nevojë për shumë ndërgjegjësim dhe sensibilizim. Historia na ka dëshmuar kohë pas kohe portretizimin e mashkullit si steriotip; të fortin e shoqërisë, me pozitë të lartë ,dhe të aftë për të gllabëruar gjithnjë poste vendimarrëse. Nga kjo tregohet se femrës i duhet të luftoj fort për të siguruar pozitat e favorshme, për të treguar se di të rivalizoj një mashkull dhe se kauza “gender” duhet të bëhet më pak e ndjeshme. Femrat provojnë t’i shkojnë përshtat ekonomisë së tregut duke paraqitur aftësitë e tyre në jo pak fusha. Nisur nga ky fakt shembujt I kemi vital dhe konkret në shoqërinë tonë. Kryeparlamentarja e vendit Jozefina Topalli apo dhe kryeprokurorja Ina Rama janë një rast I mirëfilltë për t’u përshëndetur si zonja të pushtetshme, me pozitë shoqërore, me një status shoqëror të barazvlefshëm me atë të një burri. Emancipimi dhe forca e shoqërisë së hapur ka provuar se femra ka një rol dhe një kontribut të pashlyeshëm në shoqëri. Njëherazi kjo hedh poshtë dhe supermacinë e meshkujve të cilët nuk janë të vetmit që kanë status hierarkik apo dhe poste drejtuese apo me ndikim public në jetën e vendit, duke e ngritur kështu femrën si një produkt mirëfilli demokratik e të emancipuar.


Media ,aktor i rendesishëm i promovimit të vlerave dhe identitetit të femrës

Zhvillimi i befte që ka pësuar media dhe teknologjia e komunikimit në vendin tonë ka parë si domosdoshmëri mundësinë e krijimit të hapësirave të nevojshme për praninë e vazhdueshme të gruas në ekran. Roli i imazhit dhe portretizimit të saj në media vjen si një zë i fuqishëm i grave dhe i nevojës së tyre për të promovuar edhe më tej rolin e femrës në aspektin e progresit shoqëror të vendit. Shpesh herë marrdhënia mes femrave dhe medias është parë dhe gjykuar negativisht për efektet që sjell tek publiku larmia e portretizimit të femrës. Kjo shpjegohet me faktin se media duke qënë një “institucion” me karakter ndërgjegjësues aq sa dhe promovues të vlerave rreket të përcoj mesazhe të ndryshme tek publiku. Në të njëjtën kohë është po media (me karakter edukues parësorisht) e cila “guxon” t’a përdor imazhin e femrës. Portretet mediatike na ofrojnë femra të hapura ndaj seksualitetit, femra gjysmë të zhveshura, këngëtare në aspirata të më kotshme për t’u bërë të famshme, apo stile jetese të huazuara por asnjëherë të përshtatura me kohën që jetojmë. Media tenton të rrotullohet drejt modernes dhe perfeksionimit ndaj dhe shpesh herë ajo përqafon modele të gabuara duke i’u përgjigjur një audience selektive. Hapësira që zënë femrat, pseudo këngëtaret dhe serialet televizive të ekspozuara ndaj lakuriqësisë apo dhe në rastin më të keq montimet filmike janë cilësuar si modele të pabaza duke cuar modernizimin në bastardim të ekranit dhe imazhit femëror. Këto efekte që ofron ekrani kërkon ti’a servir shoqërisë deri në imponim në formën e një mesazhi por që ka pasoja tejet negative.
Nëse do flasim për median në një tjetër aspekt në atë të formësimit të identitetit të femrave kjo shkon paralelisht me emancipimin e tyre në shoqëri. Nga kjo del aspekti promovues i vlerave që të ofron media. Shoqata të ndryshme, organizata jo qeveritare kanë ndikuar në rritjen ndjeshëm të fleksibilitetit ndaj pjesmarrjes së gruas në shoqëri, në politikë dhe si rrjedhojë edhe në media. Përdorimi i medias për të hedhur dritë edhe më tej kah portreti i grave, performanca dhe mesazhi që ato kërkojnë të përcjellin si zë i shoqërisë mbetet gjithnjë pjesë e rëndësishme e programacionit të një medie.

Marre nga faqia zurtare e Avokatit te Popullit te RSH
 

Hektor12

Locus omnem
Burra dhe gra. Aspekte gjinore në shoqërine shqiptare

“Sot ka meshkuj shumë dhe burra pak”, dëgjova një ditë rastësisht gjatë bisedimeve, në një nga tryezat e zakonshme. Një thënie e tillë më ka ngelur në mëndje, jo aq për faktin se u tha nga nga një ekspert i fushave sociale, por për faktin se u citua një zotëri.
Përditshmëria jetësore? Femra të zonjat, kapacitete intelektuale, krijesa të guximshme, të bukura, energjike me plot dëshirë për të jetuar dhe meshkuj pasivë, të zhburrëruar që preferojnë të jetojnë si parazitë në kurriz të gruas.
Si rrjedhim, pesha e familjes bie mbi gruan, e cila është e detyruar të lërë mënjanë feminilitetin e saj dhe të veshë pantallonat..të jetë njëkohësisht burrë dhe grua, për të plotësuar figurën munguese mashkullore.
Në të vërtetë, fenomeni “grua” në shoqërinë e sotme shqiptare, rrallë herë mund të vecohet nga sfidat dhe përditshmërite me te cilat përballet, duke filluar frikat dhe dëshirat; përgjegjesitë familjare; nevoja për t’u zhvilluar, më së shumti duke konkuruar në të gjitha fushat e jetës me figurën mashkullore.

  • Meshkujt dhe femrat objekt
Por jo vetëm. Fatkeqësisht, shumë herë, gratë bëhen objekt i luftës brenda llojit. Madje më tepër se ostiliteti mashkullor, është fryma që një matriarkat i fshehur përcon prej shekujsh, duke i dhenë figurës mashkullore vlera të cilat tashmë po duket se ekzistojnë vetëm në vepra epike sic janë guximi, besa, apo burrëria.
Madje po ta shohim përtej kësaj, dhe më gjërësisht, do shohim se shoqëria po mimetizon nga dita në ditë fgurën mashkullore me atë të mashkullit objekt, si përgjigje e femrës objekt, ku favoret fitohen lehtësisht jo përmes punës dhe vlerave por joshjes dhe sensualitetit.

  • Dominues dhe të nënshtruar
Megjithatë, po të hedhim një vështrim rrotull, pa iu referuar tendencave, do shohim meshkuj dominantë dhe femra të nënshtruara, të cilat e kanë vënë figurën mashkullore në një piedestal të pa merituar dhe veten në shërbim të këtij ideali duke anulluar cdo ide, ëndërr apo dëshirë personale për hir të familjes, fëmijëve apo të mirës së përgjithshme.
Dominanca e roleve, duket sikur percaktohet nga forca fizike apo statusi social dhe ekonomik, ne nje kohe qe të dominosh do të thotë të tregosh butësi, qetësi dhe forcë, jo të abuzosh me fuqinë fizike apo të nëncmosh.


  • Gratë dhe burrat në familje
Fillon nga mungesa e vëmendjes, përcmimi, mosmarrja e përgjegjesive familjare, deri tek mungesa e respektit, sjellja jo e përshtatshme, grindjet e vazhdueshme, abuzimi i forcës fizike ndaj bashkësjortes dhe fëmijëve. Kjo është dhuna në ambientet familjare.
Jo rrallë herë, në shoqërinë shqiptare, që nga shtresat e ulëta, të mesme apo shtresat intelektuale; në zonat rurale apo në qytet, shohim nëna dhe bashkëshorte të përkushtuara të cilat shpërblehen moralisht pak e aspak për punën dhe përpjekjet e tyre pa fund.
Dhuna në familje është më shumë se kaq, por jo vetëm. Dhunë është dhe justifikimi i shoqërisë ndaj sjelljeve të dhunshme ndaj bashkëshortes apo të dashurës, duke kërkuar shkaqet tek viktima më shumë se tek dhunuesi. Më shqetesuese , ndër te gjitha, mendoj se është lufta brënda llojit…gra drejt të 50-tave që po maskulinizohen duke u mbruajtur me ide patriarkale dhe maskiliste, të cilat luftojnë brezat duke mbrojtur ideologjinë që “gruaja duhet te durojë, duhet të shtypet ashtu sic kemi bërë dhe ne”. Fatkeqësisht, arrijmë në konkluzionin që vetë gratë diskriminojnë gratë, duke justifikuar sjelljet e dhunshme të burrave, duke filluar në familoje, nga nënat që i kanë rritur nën një të tillë fryme, deri tek institucionet private, publike dhe shtetërore.

  • Gratë dhe burrat në institucione
Dhuna ne familje dhe diskriminimi gjinor, shumë herë bëhen shkak i shpërbërjes së familjes, e cila në rastin më të mire përfundon me zgjidhjen e martesës për të mos përmendur rastet ku viktima lëndohet apo humbet jetën.
Raste të tilla trokasin plot pranë dyerve të institucioneve të drejtësisë, denoncime rë rasteve të dhunës pranë organeve të rendit, viktima të dhunës në familje që cdo ditë trajtohen nga organizata të shoqërisë civile.
Po, gratë kanë filluar të ndërgjrgjësohen, tregojnë guxim duke tejkaluar kapacitetin e tyre, për të denoncuar dhunën. Gratë kanë filluar të zgjohen, sepse kur knë jetuar më të keqen, asgjë nuk i trëmb më dhe kuptojnë që në jëtë mund të jenë të zonjat e vehtes dhe mund t’ia dalin vetë…për veten e tyre…për fëmijët e tyre.
Por të mos harrojmë, që për viktimat e dhunës, për gra që nga frika nuk kanë kaluar pragun e derës së shtëpisë, t’i drejtohesh institucioneve të rendit dhe drejtësisë, ështe një përpjëkje përtëj mundësive të tyre (pa përjashtuar mundësitë ekonomike, pa llogaritur gjëndjen morale dhe psiqike).
Shumë herë, për fat të keq, ndjehen të diskriminuara nga burrat dhe të tradhëtuara nga gjinia e tyre dhe për këtë humbasin shpresën për të marrë drejtësi dhe rivendikuar të drejtat që i takojnë – sic janë e drejta për të jetuar dhe për t’u gjykuar në mënyrë të barabartë pranë organeve të drejtësisë.
Për këtë nevojitet shumë kohë dhe ndërgjegjësim, por kjo do të thotë që nuk duhet të humbasim shpresën dhe as të shkurajohemi.
Duke konkluduar, qëndron fakti që jo vetëm për hir të balacës gjinore, por për një efektivitet më të lartë, duhet që në institucionet e rendit dhe të drejtësisë duhet që gra dhe burra jo vetëm të ndërveprojnë por edhe të bashkëpunojnë.
Viktimat e dhunës. besimi i të cilave është thyer dhe vetëvlerësimi i tyre, është pothuajse ne zero, duhet të mund të shohin se shoqëria ka gra të forta, të pavarura të cilat dinë t’i japin derjetim jo vetëm jetës së tyre por edhe të ndihmojnë gratë të përmirësojnë jetën tyrë..dhe jo vetëm….
Gratë kanë nevojë të ndërgjegjësohen që shoqeria ka dhe burra të mirë, jo vetëm si ata që kanë ndeshur në jetë, apo që i kanë dhunuar brënd dyerve të shtëpisë.
Kanë nevojë të konfrontohen me njerëz pozitivë, në mënyrë që t’i rikthehet besimi tek figura mashkullore, por mbi të gjitha burra dhe gra, duhet të bashkeveprojnë me njëri-tjetrin dhe të ngrenë zërin që shoqëria të jetë më e mire…. por për këtë, më parë, duhet filluar nga vetja.

Edlira Grabova 12. 10. 2013
 

Hektor12

Locus omnem
Me ca po lexoj me duket se flet drejt se njof drejt per drejt di qe punon ke zyra e avokatit te popullit ..
 

dr love

Locus omnem
Drejt flet..po sa kollaj eshte te flasesh..realiteti eshte ndryshe..vetem ata qe e provojne por skan force te ndryshojne gjerat e dine me mire te verteten
 

Hektor12

Locus omnem
Ne ket emoment gjeja me e lehte eshte te japesh keshilla ... na perket te njohim gjendjen dhe te japim mendimin tone ... Perderisa eshte nje problem i shoqerise shoqeria duhet te vleresohet, per fat te keqe akoma patriarkalizmi eshte i fuqishem ...
 
Top