Diabolis Dassaretis
Forumium praecox
Fati (dhe të tjera)
Fati
E ndava mendjen njëherë e mirë dhe vendosa. Në sekondë po filloja të kërkoja Fatin tim. I veshur si për çdo ditë të zakonshme, me xhepat mbushur po me të njëjtat vogëlsira, dal në rrugë të madhe. Gumëzhitja e njerzve dhe makinave që ka bërë me vite fole në veshë, me shtyn me turmën duke harruar se sot e kam pushim, se nuk po shkoj në punë por kam dalë për të kërkuar Fatin. Ndal hapat e instiktivisht ngre kokën lart me mendimin se ku tjetër veçse lart do jetë Fati im. E meqë ndodhem në Tiranë filloj e thërras “O Fate, o Fate”.
“Ha mre çdo?” më përgjigjet një kokë burri bustin e të cilit nuk e shikoja dot prej poshtë.
“Fati je ti” e pyes sa për kot se e marr me mend që ai ka për të qënë.
“Po, Fate, Fati si t’dush, si a puna?”
Unë vërtet që vendosa të kërkoja Fatin, por nuk kisha menduar asnjëherë çdo bëja kur ta takoja, ndaj për të fituar kohë e ftova “po pate kohë, a nuk zbret poshtë se më duhesh?”
“Si jo me”, ma kthen Fatja “gjithë ditën e perëndisë”.
Duke pritur Faten, vura re një alamet femre atje lart që mbasi mbaroi biseda jonë vari turinjtë e u zhduk. Kur u shfaq Fatja, me kokë akoma nga e zhdukura pyes “kush ishte ajo turivarura atje”.
“Fatmira” ma kthen Fatja “s’bo për ty, shkon me ato që kan pare”, dhe duke më dhënë dorën vazhdon “pa hë, si mun të nimoj?”
“Puh” thashë me vete se përsëri s’mendova gjë, e gjoja i shpenguar i përgjigjem “Hiç mo, ja me u sjellë vërdallë, ditë e bukur, kohë e bukur, shohim dy gjëra, këmbejmë dy fjalë”.
“Hip” më thotë Fatja e prej asaj minute u rehatova mirë e bukur, e lëshova komplet veten në duart e Fates. Lashë erën të më rrihte, dëgjoja muzikën që kishte Fatja për zemër, e as nuk e prishja terezinë kur ndërsa mendoja se do shkonim majtas Fatja, Fati im më çonte në të kundërt. Këtu më lindi dyshimi se patjetër duhet të ishte dikush mbi Faten që e shkruante Fatin që ndiqte Fatja. E bluajta me nge në kokë dhe i lëshova Fates që fluturonte një pyetje që e gjeti komplet gafil e mënd na përmbysi “Dua të më çosh tek Fati ai më lart se ti, ai që shkruan Fatin tim”.
“Tek Fati e, e njef ti shefin.” Më pyet Fatja me sy të shqyer.
“Jo nuk e njoh,” i them i çuditur se dhe ai tjetri e paska emrin Fat, “por kam gjëra me rëndësi për ti thënë”.
“Pash zotin, pash zotin, a janë t’mira, a si shko vetë, bashkë as jena pa as jena taku”.
“Mblidh veten Fate” i them, “për ty kam vetëm fjalë të mira, ose po deshe nuk po tregoj që kam qënë me ty”.
Fates i ndroi çehrja për mirë “më qafsh, kam dy kalamaj për të rritur, thuaj ndonjë fjalë të mirë.” Mendova dy kalamajtë e mi e mendimi se përsëri Fati i kalamajve të mi do ishte në dorë të kalamajve të Fatit, më uli vetullat, “le mos humbim më kohë Fate, shkojmë.”
Fati, shefi i Fates na priste me cigare në gojë e vetulla ulur si retë me shi në Dajt. Poqëm duart, e ai më mori mënjanë duke më thënë vetëm “Po të dëgjoj”. U topita një sekondë se isha unë ai që duhet të pyesja Fatin që shkruante Fatin tim dhe jo e kundërta, por bëra si bëra e i lidha fjalitë “Kam ardhur të flas për Fatin, Fatin që na ka zënë derën. Po më parë dua të më tregosh ç’ke shkruar për Fatin tim. Ma ke zbardhur a ma ke nxirrë.”
“Unë nuk i kam më dosjet, por kam mundësi të ti zbardh edhe po të ti ketë nxirrë ndokush, por më parë duhet të bësh një shërbim të vogël. Ai Fati që përmend ti vjen sot nga Greqia, të shkosh e ta ndjekësh prej Kakavije e këtej. Po pranove një njeriu ynë do të të thotë hollësitë dhe do të çojë atje për gjysëm ore.”
Nuk mundja ta çkoklavitja këtë lëmsh. Një Fat më kthente majtas kur doja djathtas, ky Fati tjetër, shef i të parit, donte të përgjoja një Fat që kishte më shumë fate në dorë, dhe e gjitha kjo të merrja vesh Fatin tim. E kujt i jepet kjo mundësi mendova. “Pranoj” thashë sikur po pranoja të merrja mbi supe Dajtin me gjithë antena.
Sa mirë i kopsitinin punët këta Fatet e vegjël, pesë minuta dhe unë isha mbi qiellin verdhan të Tiranës, në fillim të misionit përgjues të atij Fatit të madh.
“Foti” më thotë shoqëruesi im, duke i rënë gjoksit me dorë.
“Grek je ti more” e pyes shqip duke thirur sa më lejonin kordat e zërit, e vetes me ç’mbetej i thashë “komplot ndërkombëtar”.
“Ha, ha ha,“ qeshi ai “Fati, o Fati quhem po punoj herë andej e herë këtej. E kam kollaj kështu. Shtrëngohu fort” e të nisi të më sjellë nëpër qiell jo vetëm majtas dhe djathtas po dhe poshtë e lart sa nuk e rrëfej dot. Mbritëm shëndoshë e mirë, ndërkohë që Fati i madh kishte ardhur nga Greqia dhe po bënte një takim me popullin. Atje duhet të shkoja dhe unë e të bëja pyetje me spec që ta zinin Fatin gafil.
Çuditesha me vete kur njerzit theshin se e kishin takuar Fatin dhe më parë, e se ai nuk përtonte të takonte asnjë. Kishim të njëjtin Fat, por unë si duket kam rastisur moskokçarës, të paktën deri më sot. Hajde ta dëgjoje Fatin, ç’nuk kishte bërë ai për ne, apo nuk ishte i gojës, nga sa fliste e morra me mend se vërtet ai ishte jo vetëm Fati im por dhe fati i atyre përreth edhe i gjithë Fateve që kisha takur, troç ai ishte Fati i Shqipërisë që s’kishte punë, ujë, drita, .., ishte e ardhmja po e po, por ishte e tashmja më e mjerë që mund të bëhet. Nuk e bëra të gjatë, pa u merakosur se do ma zverdhin dhe më apo do ma nxinin fare dosjen pyeta prej andej nga rrija, “Si guxoni Zoti Fat që shisni dokra për fatin e nesërm të këtyre njerëzve kur i lini sot dhe gjithë ditën pa punë, pa ...” dhe numurova nja njëqind mungesa që i duhen një njeriu të rrojë si njeri. Dhe e di ç’ndodhi. Tak fak, Fati përgjigjen, “Në s’të pëlqen shko e kërkoje Fatin gjetiu se unë Fati deklaroj para këtyre njerëzve se Fati i Shqipërisë është në duar të sigurta.” Duartrokitje nga salla, gati sa nuk më nxorrën për leckash jashtë.
Më në fund e kisha pyetur Fatin dhe kisha marrë vesh c’mendje kishte dhe për nja pesëdhjet vjet. Do merrja një vendim të tmerrshëm. Do ikja nga vendi im, do dilja për kësmet, mbase gjeja vërtet ndonjë fat më të mirë, që të më jepte punë e ato njëqind gjërat elementare për vete e kalamajtë. Me vrap ke Foti. “Ngrihemi i them”.
“Nuk shkulem nga vendi”, ma kthen Foti, “ të paktën me ty, jo”.
E zura për gryke dhe e detyrova të ngrihej, por një dite e tillë si mund të kalonte pa u përplasur dhe me shtyllën e flamurit. Nisa të thërras me të madhe Foti, Fati, Fati, Fati, derisa e ndjeva se koka mu përplas mbas një nënkrese jo dhe aq të fortë. Isha qull në djersë, me sy mbyllur dhe dëgjoj zërin e trembur të gruas time. “Fat, Fat, ç’pate, pe ndonjë ëndërr të keqe?”
I rashë ballit me dorë, “Mos, dhe mua me quajnë Fat.”
“Ngrihu të keqen” vazhdon gruaja mëngjesin e ke gati, Fat fri. “Lë gomari që na ngordhi, po dhe mizat s’na lënë rehat” i përgjigjem si një harbut babaxhan në fundjavë.
“S’ke turp” ma kthen ajo.
“Po jo moj jo, se thashë për ty, pashë atë endrrën... e di ti.” Dhe mbyll hëm gojën që më shqyhet, hëm bisedën pa e zgjatur.
Ha me përtesë dhe me dyzimin në kam vërtet dhimbje koke a jo. “Do të bëj një kafe Shqipërie” më thotë gruaja, “është taze”. Unë tund lehtë kokën për të miratuar, e nuk përsëris për herë të kushedi se satë se kafja që na vjen në pako të mbështjella me gazeta rrethuar me ngjitësa shirit që nga përtej oqeanit nuk është as taze, dhe as prej Shqipërie. Si i dehur nga aroma e këndshme e kafes së pjekur nis e lexoj në gazetën e ngjitur në të katër anët. Nga njëra anë dikush shpjegon FAT32 (File allocation table) e hardiskut, kapërdihem duke pirë një gllënjkë kafe turke, dhe e kthej fletën nga ana tjetër, ku që në krye lexoj “Analiza”.
“Ku, ku, ku,” gati sa nuk mbytem. Gruaja nuk ma kursen kurrizin, dhe duke më parë në sytë që patjetër janë shqyer më zgjat nje gotë me ujë dhe një copë bukë pa më dhënë asnjërën, duke pyetur “me se u mbyte?”
“Më këtë” nxjerr një zë shpellor e vë gishtin mbi emrin e autorit.
“Me Fat...”, vetëm kaq shqiptoi ajo se në mënyrë të rrufeshme ja zura gojën me dorë.
“Mos ja përmend emrin” - i them duke hequr dorën nga goja mbas miratimit të saj të trembur, “po lexoje ç’thotë”.
Ajo nis shtruar duke bërë kujdes që të jetë aq larg sa të mos e arrij. “Fakti që shoqëria shqiptare nuk po rritet pa korrupsion nuk duhet të na çojë në, në ...atalitet. Për ta liruar shoqërinë prej korrupsionit që e ka kapërthyer, thënë me gjuhën e dietologëve për ta bërë, ... për ta bërë, ... nuk lexohet këtu, po vazhdoj më poshtë. Duhet...”
“Prit moj prit” i them “përmes shiritit ngjitës lexohet që ç’ke me të, sille këtu gazetën” dhe zgjat dorën.
“Nuk lexohet, nuk lexohet...” nisi të hakërohej ime shoqe e duke thënë kështu e kruaj me thua mbi gazetë, “merre tani e më ler rehat se ma prishe ditën që në mëngjes”.
“Po ç’ke bërë moj” i them, “e ke rrjepur fare, si ta lexoj më poshtë kur nuk i del fjalisë kuptimi.”
“Lexoje në internet.”
“Po kjo është gazetë e vjetër moj, e në arkiv është me dollarë.”
“Shikoji datën e le të ta gjejnë në bibliotekë”.
“S’mjafton që e prishe, por dhe tallesh tani.”
Ajo hesht, më shikon në sy dhe përmatanë tyre, unë as jap as marr, por dorzohem dhe e pyes “Hë?”
“Fat free.”
“Jo këtë ma the njëherë” dhe unë i tregoj pjatën thuajse bosh, “por më thuaj ç’fjalë grise?”
“Fat free.” Përsërit ajo e unë shoh një pikë loti ti mblidhet në sy.
“Ooo”, hap duart dhe e pushtoj ngadalë zonjën time, pa guxuar ti them gjë tjetër, qoftë dhe një më fal. E ashtu mendoj se sa çuditshëm hallkat e zinxhirit të fatit rrethojnë fatin e një populli.