Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin?

Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin?

Një esse mbi identitetin shqiptar nga Ismail Kadare

Sprovë

1

Në shkurt të vitit 2006, kryekomisioneri i Këshillit të Evropës, Baroso, fluturoi me avion për në Tiranë, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Shqipërisë së vogël me kontinentin e madh evropian.
Disa vite më parë fjala “marrëveshje” e përdorur për Evropën, do të ishte fatale në Shqipëri, madje aq fort, saqë do të çonte në burg ose në pushkatim cilindo. Për Evropën ishte e përshtatshme vetëm një fjalë, ajo e kundërta me marrëveshjen, pra “mosmarrëveshja”. Mosmarrëveshje e plotë, e palodhshme, e përjetshme.
Ky ishte urdhri numër një i kohës. Programi i pandryshueshëm komunist. Thënë ndryshe: verdikti kundër Shqipërisë.
Në dhjetor të vitit 1990, ky verdikt u shkel me këmbë e u thye. Fjalët “e duam Shqipërinë si Evropa”, ishin të parat që gjëmuan në trajtën e një himni, e një programi të ri. E bashkë me to, disa javë më pas, shtatorja e njeriut më antievropian që kishte njohur ky vend, u thye e u zvarrit gjithashtu.
Që nga ajo kohë Evropa, më saktë Evropa atlantike nuk pushoi së qeni xanxa kryesore për shqiptarët.
Më 1997, kur për turpin tonë, shteti shqiptar ra, ishte Evropa që na u gjend në fatkeqësi. S’na erdhi ashtu siç e kishim pritur: me viza, para dhe, Zoti e di çfarë, por me armë dhe topa, për të na pajtuar me njëri-tjetrin. Përpara se Evropa me NATO-n të merrnin këtë vendim të madh, disa herë u ngrit dyshimi se mos shqiptarët e ndërkryer, ashtu të armatosur siç ishin, të qëllonin trupat ndërhyrëse.
Për fat të mirë, kjo nuk ndodhi. Midis marrëzisë, populli shqiptar e bëri së paku një gjë të mençur. Në vendin ku mosprekja e kufirit prej çizmes së ushtarit të huaj, ishte kthyer në mit, asnjë armë, qoftë edhe për zakon, nuk u shkreh kundër ushtrisë euroatlantike. Ishte hera e parë që në historinë shqiptare ndodhte një gjë e tillë. Ajo ishte një dëshmi e madhe: dëshmi prekëse, se atë ushtri që po zbarkonte nga deti dhe nga ajri, shqiptarët e quajtën si të tyren.
Vetvetishëm midis kaosit, pa retorikë integruese, pa u shtyrë prej askujt, shqiptarët treguan qartë se ndiheshin evropianë. Ata nënshkruan kështu një akt monumental: rigjetjen e Evropës së humbur.
Dy vite më pas, si një përgjigje e mirëkuptimit, ndodhi e pabesueshmja. E njëjta ushtri euroatlantike, me avionë, raketa e bombardime, ndërhyri për çlirimin e Shqipërisë së jashtme, Kosovës.
U duk sikur kontinenti mëmë, i penduar për harresën e gjatë, po kujtohej më në fund për popullin e braktisur.


2

Nëse marrëdhëniet e Evropës me më trillanin e tre gadishujve të saj jugorë, Ballkanin, mund të thuhej se ishin kundërthënëse, ato me shtetin e vogël shqiptar, e kapërcenin çdo përfytyrim.
Përpara se të kujtojmë tepër shkurt kronikën historike, le të sjellim ndër mend vitet e tranzicionit, ato që i mbajnë mend të gjithë.
Fill pas dehjes së parë për Evropën, madje mu midis dalldisjes për të, nuk u bë e qartë asnjëherë se çfarë e shtyu qeverinë e parë demokratike të bënte një lëvizje kundërthënëse. Krejt si një shpend i verbër, një dërgatë shqiptare fluturoi me avion për në Xhedal, fluturim pas të cilit Shqipëria u gdhi në Ligën Islamike.
Opozita e majtë bëri njëfarë zhurme, kundërshtuese, që u quajt me të drejtë e pasinqertë, ngaqë kur ajo vetë erdhi në pushtet, nuk bëri asgjë për ta rishqyrtuar anëtarësimin ende të paratifikuar në Parlament. Kjo u shpjegua dymënyrash. E para, se opozitës, së akuzuar, për shkak të liderëve të saj, si grekofile, i interesonte një ngjyrim i tejshquar islamik për t’u mjegulluar filogreqizmi i saj. E dyta, hotelet e shtrenjta të Dubait, të shoqëruar, ndoshta, nga dhurata të shtrenjta, ishin mjaft joshëse gjithashtu për të majtën.
Kur u duk se, pas kësaj turbullire, njëfarë konsensusi u arrit midis dy krahëve kryesorë politikë, të djathtës dhe të majtës, lidhur me Evropën, kur u duk se u kapërcye disi edhe xhelozia e secilës palë, që futjen në Evropë ta kryente ajo e kurrsesi pala tjetër; shkurt, kur u duk më në fund se dritëza e shumëpritur në anën tjetër të tunelit po shfaqej, në vend të kthjellimit të strategjisë politike shqiptare, ca re të zeza e mbuluan horizontin.
Ishin ca hamendje përherë e më shqetësuese, ca si mëdyshje kinse filozofike, kinse hamletiane: jemi apo s’jemi evropianë. Të jemi a të mos jemi të tillë. Është Shqipëria Evropë, a s’është Evropë. Është Lindje a Perëndim. Është më shumë Perëndim se Lindje. Është më shumë myslimane se e krishtere. Është edhe ashtu edhe kështu. S’është as ashtu, as kështu etj., etj.
U dukën si përçartje komike në fillim. Ndërkaq, hamendjet e hamletizmat sa vente shtoheshin. Le ta themi më mirë haptas atë që kemi fshehur. Përse të hiqemi ata që s’jemi? Përse, hiqemi si evropianë, kur dihet që s’jemi të tillë? Shkurt, përse të na vijë turp nga identiteti ynë joevropian?
Sa më shumë që nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Evropën afrohej, aq më fort ndiheshin murmurimat. Sa më shumë që afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera, besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale, aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mish i huaj, pra i padashur, për Evropën.
S’ishte mbushur as java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionerit evropian Baroso, ishte ulur në aeroportin e Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u shfaqën madje edhe atje ku priteshin më pak, si për shembull, në ndonjë deklarim të akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja. Thelbi i shkrimit të tij “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, është përpjekje për të treguar se shqiptarët vetëm përgjysmë i përkasin qytetërimit evropian. Sipas Qosjes shqiptarët s’kanë pse të shtiren si evropianë, ngaqë ata “i takojnë qytetërimit islamik hiç më pak se qytetërimit të krishterë”.
I turbullt, i cekët dhe i pasaktë, akademiku bie në kundërshtim me veten dhe shkrimet e tij të mëparshme ku ai me të drejtë, ka qenë ithtar i vendosur i tezës se atdheu është një, e fetë janë tri, pra, nuk janë fetë ato që kushtëzojnë identitetin por tjetër gjë. E megjithatë, kur vjen puna për të vërtetuar evropianizmin e munguar shqiptar, Qosja përdor pikërisht fjalët “islamik” dhe “i krishterë” thua se një shqiptar i krishterë mund të jetë evropian, por një shqiptar mysliman, kurrsesi!
Por keqkuptimet në shkrimin e Qosjes nuk janë vetëm këto. Përveç nervozizmit të papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar, nervozizëm që nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënë Terezës në institucionet e Kosovës, në këto shkrime spikat diçka e errët dhe e rrezikshme: ndarja e identitetit shqiptar.
Muzika ngjan si e njohur.
Askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se një identitet i ndarë është një komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa.
Ky nuk është as përfundim teorik e as filozofik. Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë në libra e ka ndier në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë.
Këto shpërngulje nuk ranë si rrufe në qiell të pastër. Ato ishin përgatitur për një kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadistë, nga akademikë të zinj si Vasa Çubrulloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej etheve shoviniste.
Në këtë përgatitje, po ta hulumtosh tani do të gjesh paradigmat e vjetra: Njëra prej tyre është identiteti joevropian i shqiptarëve. Shqiptarët, turq të ardhur nga Anadolli. Shqiptarët, myslimanë, mish i huaj për Evropën e krishtere. Shqiptarët, rrezik për qytetërimin evropian. Shqiptarët duhen mbajtur të tkurrur, të thyer në mes. Na lini ne ta bëjmë këtë punë.
Gjithë strategjia e Millosheviçit për të marrë dritën jeshile nga Evropa për zhbërjen e së paku gjysmës së kombit shqiptar, atij “që s’kishte identitet evropian”, domethënë të shqiptarëve më besim mysliman, bazohej në besimin e tij të verbër se Evropa do të binte në këtë kurth gjenocidar.
Ne e dimë ç’ndodhi. Evropa dhe SHBA-ja nuk ranë në kurth dhe kjo është një nga aktet më të ndritshme të qytetërimit perëndimor.

3

Përpara se t’i kthehemi tezave për identitetin e përgjysmuar shqiptar, le të hamendësojmë një çast se ndoshta mbrojtësit e tyre kanë të drejtë. Me fjalë të tjera të shtrojmë pyetjen se mos vallë gjithë këto vite, madje disa shekuj me radhë nuk e paskëshim ditur ç’kemi qenë? Ose e kemi ditur gabim? Mos na kanë gënjyer poetët, nga De Rada te Naim Frashëri, që të kujtojmë se jemi ata që s’jemi? Dhe prapë mund të vazhdonim. Mos vallë më 1990, kemi lëshuar britmën e gabuar “E duam Shqipërinë si Evropa?” Mos vallë ajo duhej të ishte: “E duam si Evropa, por e duam edhe si Azia”, ose “Hiç më pak se Azia?” Shkurt mos jemi ata që s’jemi?
E gjithë kjo nuk është aspak për të qeshur. Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla, ato kërkojnë një përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të tilla parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s’ka nevojë as për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese.
Letrat e Shqipërisë janë të qarta.
Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë.
Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”.
Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve. Historia e Shqipërisë, ashtu si e gjithë gadishullit, gjer në pushtimin otoman, është pjesë e kronikës mesdhetare evropiane. Së paku tri qytete kryesore të saj, me jetë të pandërprerë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën. Lidhjet ekonomike e ushtarake, ligjet rregulluese (statutet) e qyteteve, të rrugëve e porteve detarë janë të një natyre me ato të kontinentit. Gjurmët arkeologjike greko-iliro-romake, teatro e amfiteatro gjenden gjithashtu kudo. Historia e mesjetës shqiptare sipas veprës monumentale të Milan Shuflait, jepet në një tablo të plotë me principatat, kryezotët, aleancat, krushqitë e natyrisht grindjet e pashembullta, tradita e të cilave ka mbërritur e pazbehur aspak gjer në ditët tona.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, përmendja e të cilit ishte e ndaluar në Shqipëri për pesë shekuj, për shkak të sundimit otoman, u bë së pari një mit evropian, (mbi një mijë vepra historike e artistike, të shkruara për të), përpara se Evropa t’ia rikthente Shqipërisë në shekullin XX.
Letërsia e hershme shqipe, letërsi dygjuhëshe, shqip e latinisht, si në shumicën e vendeve evropiane, u zhvillua në të njëjtin nivel për gati tre shekuj. Emra të mëdhenj të saj si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani i botonin veprat e tyre dygjuhëshe në kryeqendrat kulturore evropiane, për t’i sjellë fshehtazi në Shqipëri, ku shkrimi dhe shtypshkrimi shqip ishin të ndaluara.
Në kushtet dramatike të ndalimit, më 1908, një komision i kryesuar nga Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri, me shpalljen e alfabetit latin si alfabet zyrtar të shqiptarëve, dhanë një kumt të qartë të evropianizmit shqiptar. Kjo ndodhte në prag të agut, pas një nate të gjatë pesëshekullore, kur mendjet ishin ende të turbullta, dhe alfabeti latin në Ballkan ishte tepër i rrallë.
Me këtë mall tragjik për Evropën e humbur, Shqipëria mbërriti në vitin 1912, vit i lirisë së saj. Më 28 nëntor u shpall pavarësia, dhe nga zgafellat e kombit u nxor flamuri i moçëm mbretëror me shkabë dykrenore, një nga emblemat e mëdha, e cila, prej botës romako-bizantine i kishte kaluar Evropës e kishte zënë vend në qendër të heraldikës së saj. Kontinenti nënë, në një vrull fisnikërie ua njohu atë shenjë shqiptarëve. Por gjestet e Evropës do të ishin më pas tepër të kursyera për ta.


4

Ishte e natyrshme që krahas kësaj historie filoevropiane, e kundërta e saj do të rrugëtonte paralelisht me të: kundërevropianizmi. Ai ishte i pashmangshëm sidomos gjatë pushtimit pesëshekullor osman. Programi kryesor i perandorisë, misioni i saj i shpallur ishte pushtimi dhe shkatërrimi i Evropës mbarë. Merrej me mend se sa e egër do të ishte kjo perandori me trojet e porsapushtuara të kontinentit armik.
Dhe egërsia nuk vonoi. Pas nënshtrimit fizik nisi ai shpirtëror. U lanë në këmbë kishat, por u ndaluan shkollat dhe gjuha e shkruar. Me sa duket qysh atëherë u kuptua se kishat, duke qenë dyllojëshe, katolike dhe ortodokse, ishin më pak të rrezikshme se gjuha, e cila ishte një. Shumë shpejt një besim i ri, do t’u shtohej të parëve, feja myslimane me xhamitë e saj. Por gjuha do të ishte prapë një, ashtu siç ishte identiteti i popullit.
Ky i fundit, qysh atëherë, natyrshëm e zuri vendin e vet mbi tre besimet kryesore të shqiptarëve. Qëllonte që brenda një familjeje të gjëllinin përbri besimi katolik dhe mysliman, të ndarë midis vëllezërve. Nisur nga kjo, s’duhej ndonjë filozofi për të kuptuar se fetë mund të ishin të ndryshme, por identiteti, ashtu si lidhja gjinore, mbetej gjithmonë një. Kishim pasur një atdhe për të tre besimet dhe kjo s’do të ndryshonte, dhe kjo s’mund të ndryshonte kurrë.
Nostalgjikët e sotëm të perandorisë otomane duket se e kanë harruar ç’ka ndodhur në atë kohë. Edhe sikur shtypje e plojë të tmerrshme të mos kishte pasur, do të mjaftonte tragjedia e ndalimit të shkollave për disa shekuj rresht, për të kapur përmasat e së keqes.
Shqipëria, ashtu si gjithë vendet e gadishullit, u dëmtua rëndë. U dëmtua e u tret trupi i saj, por po aq i lemerishëm ishte gjymtimi i trurit nga terri i gjatë i padijes. E veç kësaj ndërprerjeje ogurzezë do të mjaftonte të kujtonim nxënësit dhe mësuesit e masakruar, kur kapeshin duke mësuar shkrim e këndim, në bodrumet e fshehta, për të kuptuar se përse gjuha shqipe u ngrit më pas në statusin e martirit dhe përse zuri vendin e një tempulli.
Lufta për zbehjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimi me atë otoman, ishte e lodhshme dhe e përditshme. Perandoria, ashtu si kudo në Ballkan, u përpoq të krijonte të tjera zakone, stil, vese, arkitekturë, veshje, muzikë dhe letërsi. Diku ia dilte e diku kurrsesi. Letërsia e bejtexhinjve, për shembull, njëfarë brumi i përzier shqiptaro-turk, u thye përfundimisht, si një sajesë prej qerpiçi prej murit hijerëndë e monumental, ndonëse të ftohtë, të traditës së letërsisë dygjuhëshe shqiptaro-latine.
Gjatë kohës së komunizmit u bënë shumë përpjekje për ta rehabilituar këtë letërsi, me qëllimin meskin për t’ia kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos asaj katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi. Mirëpo kur studiuesit e morën nëpër duar, e panë se përveç që ishte qesharake për nga niveli, ajo ishte thellësisht e pamoralshme.
E paraqitur kinse si letërsi me probleme shoqërore-klasore e erotike (me gjasme tepër e guximshme për kohën), u pa se si ana shoqërore, si ajo erotike, ishin tepër të dyshimta. Kjo e fundit, për shembull, s’ishte aspak erotizëm normal, por i mbushur me motive ashikësh e dylberësh. Gjer këtu edhe mund të pranohej, madje mund të quhej tepër e përparuar, për të mos thënë që Shqipëria mund ta paraqiste sot si dëshmi të habitshme të vizionit të saj të emancipuar për homoseksualizmin, dy shekuj përpara Evropës së sotme!
Por kjo punë ishte më e ndërlikuar. E ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. Ne i dëgjojmë këto këngë ende sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh ç’thonë. Ato gjëmojnë disa herë nëpër lokalet e natës, madje, në programet televizive, e ne prapë shtiremi se nuk i kuptojmë.
Mjafton njëfarë përqendrimi në këto tekste e këto melodi, mjaftojnë dëshmitë e shkruara të kohës, për të kuptuar se cili është thelbi i kësaj nënkulture, të futur kontrabandë, nën pasaportën e artit popullor. “Çunat e vegjël”, adoleshentët, dylberë me shallvare mëndafshi e vetulla të hequra, nga njëra anë dhe ashikët e moshuar, “lalët” me mustaqe, që psherëtinin të dergjur për ta, nga ana tjetër, ishin personazhet kryesore të këtyre idileve të neveritshme.
Ende nuk dihet nga kishte buisur kjo kundërkulturë, që jo vetëm me shqiptarët, por me asnjë popull ballkanas s’kishte lidhje. Në thelb ajo bartte brenda saj një program të fshehur zhburrërimi e zvetënimi moral të pashembullt. Nuk duheshin veç disa breza “çunash” e “lalësh” të tillë që jo liria, por vetë ideja e lirisë të perëndonte përgjithmonë.
Kundër kësaj lyre që s’dije ç’emër t’i vije, u ngrit Rilindja Kombëtare Shqiptare. Me programin e saj të qartë evropianist, me kthjelltësinë e mendimit, strategjinë burrërore dhe idetë iluministe, ajo e mënjanoi si një rreckë atë kinse kulturë që po rrihte t’i zinte frymën Shqipërisë.
Pas tërheqjes së shtetit osman nga gadishulli, lufta midis identitetit të lodhur shqiptar dhe këtij kinse identiteti lëngaraq, u duk se do të përfundonte shpejt. Ky i fundit s’e kishte më përkrahjen e shtetit pushtues, kurse identiteti shqiptar, si një luan i zgjidhur nga zinxhiri, dukej se mund të fshinte çdo pengesë që do t’i dilte përpara.
Por nuk ndodhi ashtu.
Fill pas ardhjes së mbretit gjerman Vilhelm Vidit, i dërguari protestant i Evropës, në vendin me tri fe, rebelimi i Haxhi Qamilit ishte një ogur i keq. I nisur si mllef kundërevropian ai përfundoi në tërbim antishqiptar. Nën daullet dhe klithmat “Dum Babën!”, që do të thoshte, as më pak as më shumë: “Duam robërinë!” hordhitë e haxhiqamilistëve digjnin flamurin shqiptar, mbyllnin shkollat shqipe, masakronin nxënës e mësues, si dikur.
Ky rebelim egërshan u shfaq kështu befas si krah i armatosur i asaj dergjjeje të përgjumur shallvaresh e psherëtimash, që shqiptarët nuk e kishin marrë seriozisht.


5

Nga burrat e shtetit, mbreti Zog ishte një ndër ata që më së shumti u shqetësua nga një përsëritje e mundshme e haxhiqamilizimit. Përpjekjet e tij, shpeshherë të dëshpëruara, për një shtet shqiptar evropian, binin ndesh me fytyrën reale të Shqipërisë. Shqipëria ishte e vonuar. E përveç vonesës, ajo kishte një pengesë tjetër. Ndërsa në vendet e tjera feja zotëruese e krishtere ndihmonte për ndarjen nga tradita otomane, në Shqipëri, ajo traditë mund të strehohej pikërisht pas fesë zotëruese, myslimanizmit. (Parazitë të shumtë do t’i ngjiteshin kësaj feje, sidomos në shekullin e njëzetë, duke përfshirë edhe të fundit, atë më të rrezikshmin, terrorizmin.) Por jemi ende në fillim të shekullit.
Faik Konica, qysh pa u përmbysur perandoria, u drejtoi një thirrje “muhamedanëve shqiptarë”. Thirrja ishte profetike: otomanët po rrëzoheshin, ç’do të bënin myslimanët shqiptarë?
Konica dhe gjithë mendjet e ndritura të kohës e kuptonin se çështja e myslimanizmit shqiptar, ishte në të vërtetë çështja e ekzistencës së Shqipërisë. Vetëm me të krishterët Shqipëria nuk mund të bëhej. Ndaj programi i një Shqipërie evropiane, ishte i pandarë nga ai i një myslimanizmi kombëtar e njëherësh evropian.
Shqiptarët ishin familjarizuar ndërkaq me idenë se identiteti shqiptar, duke qenë një, qëndronte vetvetiu mbi të tre besimet e tyre. Të tre ata ishin njëlloj të ligjshëm dhe çdo fryrje e njërit në dëmtim të tjetrit, do ta prishte drejtpeshimin historik. Pra do të kishte tre përbërës të një identiteti dhe jo një identitet i ndarë më tresh.
Natyrisht që kjo çështje e zgjidhur parimisht e filozofikisht, gjatë kohës kur ende Shqipëria nuk ekzistonte si shtet më vete, paraqitej më e ndërlikuar në kushtet e pavarësisë. Mbreti Zog, i cili u ndesh me të, do ta kuptonte se një shtet shqiptar në Evropë nuk mund të mbahej në këmbë jashtë zakoneve të kontinentit: aleancave, traktateve e gjeostrategjisë, me fjalë të tjera, jashtë kushtëzimit evropian. Për ta përshtatur vendin me këto zakone të reja, ai e quajti të ngutshme nxjerrjen e ligjeve dhe dekreteve që rregullonin marrëdhëniet e të tre besimeve me shtetin. Merrej me mend që një vend të rëndësishëm do të zinin çështjet e besimit mysliman. Ndër to, kryesorja ishte ndarja e tij me çmërsin e shtetit të perënduar osman. Kështu ai nxori dekrete që disa herë u dukën tejet të guximshme e të parakohshme, si ai për ndalimin e qylafit turk për burrat, ose të ferexhesë për gratë. Dekreti i tij më befasues ishte ai i ndryshimit të lutjes në gjunjë. Duke u nisur nga një nyje e Kanunit të moçëm, që ndalonte rreptësisht rënien në gjunjë të burrave, e që një burrë të gjunjëzuar e quante të vdekur moralisht, mbreti, nëpërmjet Bashkësisë Islame, urdhëroi myslimanët shqiptarë të faleshin këndej e tutje pa e ulur dinjitetin shqiptar, domethënë në këmbë!
Dhe ashtu u bë. Mund të dukej se mbreti Zog, në përpjekje për krijimin e “myslimanit evropian”, po kryente ca bëma që mund të dukeshin donkishoteske. Por s’ishte fare ashtu. Në të njëjtën kohë afërsisht, sado e habitshme të dukej, në Turqi, në bërthamën e ish-perandorisë së rroposur, po përparonte ideja e një “Turqie evropiane”.
Po vërtetohej ideja e rilindësve se myslimanizmi shqiptar nuk do të ishte pengesë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Evropës.
Ndërkaq, në hapësirën shqiptare, që kishte mbetur jashtë kufijve shtetërorë, po ndodhte një zhdrivillim i kundërt. Rrethet shoviniste në vendet fqinje, kryesisht në Jugosllavi, e kuptuan shumë shpejt se mund ta shfrytëzonin myslimanizmin kundër identitetit shqiptar. Si vende të krishtera që ishin, do të ngjante e logjikshme që ato të përpiqeshin të dobësonin myslimanizmin te shqiptarët. Por, për një paradoks të madh, ato bënë të kundërtën. Dukej qartë se ajo që i shqetësonte ata nuk ishte myslimanizmi, por identiteti shqiptar. Ndaj në mënyrë të ethshme shpresonin që me anë të fesë t’i merrnin frymën identitetit.
Strategjia e tyre ishte afatgjatë. Sa më shumë që shqiptarët të ngjanin jo si shqiptarë me besime të ndryshme, por thjesht si myslimanë pa komb, aq më të huaj do të dukeshin në sytë e Evropës. Dhe kështu, Evropa, e mësuar me zakonin e mbrapshtë që popujt myslimanë t’i përftonte më lehtë si koloni, se sa si popuj sovranë, të tillë do t’i përftonte dhe shqiptarët, gjersa t’i harronte.
Shqipëria zyrtare ndërkaq ishte pengesë për këtë harrim. Mbreti Zog sikur ta ndiente të keqen, vazhdonte me dëshpërim evropianizmin e ngutshëm të vendit. Por një ngjarje e beftë do të ndërlikonte gjithçka: pushtimi italian.
Nga dëshpërimi dhe zia si një ngushëllim i papritur do të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Por hareja për këtë s’do të vazhdonte gjatë. Pushtimin fashist do ta zëvendësonte diktatura komuniste, më saktë një diktaturë dyfishe; shqiptare dhe serbe, e para mbi vendin amë, e dyta mbi Kosovën.
Procesi i evropianizimit jo vetëm u ndërpre, por urrejtja kundër Evropës, u bë baza e strategjisë komuniste. Kjo urrejtje ishte dhurata më e çmuar që komunizmi shqiptar u bëri jugosllavëve. Shqipëria u nda përsëri nga Evropa, këtë herë edhe më tragjikisht.
Më 1947-ën, Enver Hoxha, të vetmen “sprovë historike” që shkroi ia kushtoi himnizimit të Haxhi Qamilit. Urrejtja kundërevropiane u shkri me atë kundërshqiptare si trupi me hijen e vet.
Ëndrra jugosllave po njëmendësohej nëpërmjet Enver Hoxhës. Dhe ndodhi ajo që pritej, Evropa e harroi Shqipërinë.
Me duar të lira tashmë, jugosllavët iu turrën identitetit shqiptar.


6

Rretheve shoviniste në Jugosllavi dukej se iu erdhi dita. Armiqësimi i Shqipërisë komuniste me Evropën ishte argumenti më i mirë për ta, për t’i paraqitur edhe shqiptarët e Jugosllavisë si kundërevropianë.
Thelbi i strategjisë jugosllave mbetej i pandryshuar: të tkurrej, të shkonte drejt tretjes shtati i këtij populli, që edhe pa këtë, ishte mpakur pa pushim. Ai nuk po e kapërcente dot shifrën fatale, një milion, në kohën që popujt e tjerë ishin katërfishuar e disa herë tetëfishuar.
Pra, thelbi mbetej statusi i gjymtuar i Shqipërisë. Njëfarë gjenocidi i ftohtë, i vazhdueshëm. Pyetja, a ka shqiptarë normalë, thënë ndryshe shqiptarë që ishin vërtet shqiptarë, kishte përgjigje mohuese. Nga jugu, nga rrethet shoviniste greke vinte ideja e mbrapshtë se ortodoksët në Ballkan, përveç sllavëve, ishin të gjithë grekë, pra rrjedhimisht nuk kishte, madje nuk mund të kishte shqiptarë ortodoksë. Ata që hiqeshin të tillë, nuk ishin veç grekë, që rastësisht kishin mbetur brenda kufijve të Shqipërisë dhe që flisnin gjuhën shqipe, natyrisht përkohësisht!
Të dehur nga kjo ide, jugosllavët po josheshin nga një neps edhe më i madh: t’i shkëputnin kombit të vjetër, një copë më të madhe: myslimanët. Ndryshe nga mënyra greke, që kujtonin se marrëzinë e tyre mund ta arrinin me ca shpallje e ca mallkime shkronjash, si dikur, sllavët e kuptonin se procesi do të ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Meqenëse s’dukej asnjë shpresë se shqiptarët do ta zëvendësonin identitetin e tyre me atë sllav, e vetmja mënyrë mbetej ajo e tërthorta, përdorimi i një identiteti të tretë.
Pas heqjes së ortodoksëve dhe myslimanëve, trupit skeletik të kombit, nuk do t’i mbetej veçse pakica katolike, e vetmja për të cilën ndonjë fqinj tjetër, ta zëmë Italia, nuk po tregonte ndonjë padurim gllabërimi. Por pakicës, sado rrënjëse të ishte do t’i gjendej zgjidhja. E bashkë me të do të përfundonte kështu problemi shqiptar.
Për të njëmendësuar ëndrrën e tyre makabre, jugosllavët kishin nevojë për përvojën otomane. Kështu qysh në vitet ’50, ata filluan programin e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve drejt Turqisë. E bënë këtë si një test në sytë e Evropës dhe të kampit socialist, pa u shqetësuar prej askujt, madje as prej atij që hiqej si miku i shqiptarëve e që në të vërtetë ishte armiku i tyre më i madh, Stalinit.
Zëvendësimi i gjuhës shqipe prej turqishtes po nxitej edhe më fort, e bashkë me të, pakësimi i shkollave për shqiptarët. Politika e vjetër osmane: mjaft i keni xhamitë, s’ju duhen shkollat, po përparonte si në ethe. Krahas gjuhës, i gjithë ngjyrimi kombëtar po zbehej me shpejtësi. Muzika po orientalizohej më fort se më parë, veshjet e famshme tradicionale, ato që edhe gjatë periudhës së gjatë otomane ishin ruajtur, po zëvendësoheshin, jo prej veshjeve të kohës si kudo, por me petka arabe që nuk ishin njohur kurrë në këtë vend.
Jugosllavia, kjo primadonë e “botës së tretë”, po i ofronte kësaj bote popullsinë më të padëshiruar të saj, shqiptarët. Ajo përpiqej që këta të ngjanin sa më pak evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë. Kështu, kur të vinte çasti fatal, që ajo e përgatiti me aq kujdes, t’i thoshte Evropës, se ajo nuk po zhbënte një popull normal të këtij kontinenti, por një nënpopull.
E gjithë kjo ethe shkombëtarizimi shoqërohej nga propaganda për rrezikun e krijimit të një pyke të myslimanizmit në brinjët e Evropës. Parashikoheshin skenarë ogurzinj me trekëndësha islamikë, me qendra terroriste, fundamentaliste, me xhihad version ballkanik etj., etj.
E gjithë kjo në pritje të çastit fatal, kur rebelimi shqiptar do të shpërthente. Ai rebelim do të paraqitej si luftë për islamin, e jo si luftë për liri. Si luftë kundër krishterimit serb e jo kundër krimit serb. Shkurt, si luftë kundër qytetërimit evropian, në emër të një tjetër qytetërimi.
Nuk ishte e lehtë për shqiptarët e Kosovës t’u shmangeshin këtyre kurtheve. Por ata ia dolën dhe kjo ishte një meritë e tyre e jashtëzakonshme. Ata i treguan gjithë botës se luftonin në radhë të parë për liri. Dhe prapë për liri. Ata i treguan Evropës se s’kishin asgjë kundër krishterimit serb, e aq më pak atij evropian, ngaqë krishterimi ishte gjithashtu besim i tyre, vëllam i vjetër i myslimanizmit, madje krishterimi shqiptar ishte më i moçëm se ai sllav.
Në çaste të vështira, popujve u ndriçohet mendja në mënyrë të ethshme. Një shekull më parë, në ag të shkëputjes nga osmanët, Rilindja Shqiptare e flakëroi mendimin shqiptar, duke hedhur idenë e harmonisë fetare në interes të lirisë e të kombit. Një shekull më pas, kundër propagandës serbe që këmbëngulte t’i jepte shqiptarët si turq apo aziatikë të ardhur vonë në Ballkan, dhjetëra-mijëra të rinj myslimanë shqiptarë më 1981-shin e 1991-shin, kërkuan rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar, aspak për arsye fetare, por thjesht për të treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve.
Gjëmimi i bombave sipër Jugosllavisë ishte njëkohësisht një lajm i madh. Një lajm nga ata që i vinin Shqipërisë një herë në një mijë vite, e Evropës vetë, një herë në shekull. Ishte lufta e parë e Aleancës Atlantike, e njëkohësisht e para luftë për shkaqe morale, në kontinent. Dhe s’ishte vetëm kaq. Ishte hera e parë që koalicioni i madh euroatlantik, që identifikohej së shumti si krahu i armatosur i qytetërimit të krishterë perëndimor, kishte hyrë në luftë për mbrojtjen e një populli me shumicë myslimane, kundër një tjetri që kërkonte të përligjte krimin pas kryqit. Evropa dhe SHBA-ja nuk i kërkuan popullit shqiptar as ndërrim feje dhe asgjë tjetër të kësaj natyre. E mbrojtën ashtu siç ishte, shqiptar në radhë të parë, trefetarësh pastaj. Me këtë luftë, që ndiqej ditë pas dite e orë pas ore nga mbarë planeti tokësor, Evropa atlantike po emanciponte, veç të tjerash, vetveten.
Të gjendur befas në qendër të historisë evropiane, a mund të thuhet se shqiptarët i kapën përmasat e asaj që po ndodhte?
Vështirë të thuash “jo”, por po aq vështirë të thuash “po”.


7

Në kohën e tanishme, viti 2006, çështja e raporteve të shqiptarëve me kontinentin nënë, është ende në zhvillim e sipër. Të ndërgjegjshëm për një pjesë të gjërave, shqiptarët paraqiten po aq të pandërgjegjshëm për të tjerat.
S’është fjala vetëm për mosmirënjohjen që shfaqet aty-këtu. Për qirinjtë e shuar fill pas kapërcimit të tmerrit dhe për nervozizmin kundër katedrales, që askush nuk ua kërkoi si shpërblim për asgjë. E bashkë me katedralen, murmurima e panjerëzishme kundër Rugovës të porsaikur, që me funeralin e tij i bëri një shërbim të fundit Kosovës. (Ka gjasë që prania e fuqishme evropiane në këtë mort të ketë rizgjuar ca demonë të vjetër.)
Është folur shpesh për atë pjesë të Shqipërisë që, ndonëse s’guxon të dalë haptas, është kundër Evropës. Është folur për mafien dhe krimin e organizuar, që duke mos njohur komb e atdhe, s’kanë si të çajnë kryet për to. Është folur për politikanë të korruptuar, që ashtu si mafia tmerrohen nga ligjet e demokracisë e nga standardet e Ballkanit evropian. Është folur për fjalimet antiamerikane në parlamentin shqiptar më 1997-ën, që kanë shkaktuar, me siguri, lot nostalgjikë, në sytë e stalinistëve shqiptarë. Janë të njohura udhëtimet gjysmë të fshehta të politikanëve shqiptarë të të dy krahëve, në vende, disa herë të cilësuara si terroriste, me qeveri të dyshimta, që s’i duan as popujt e vet, e me të cilat s’na lidh asgjë.
Të gjitha këto dihen. E keqja është se kujtesa e politikës shqiptare është e shkurtër dhe, veç kësaj, disa nga politikanët tanë, dinakërinë e tyre e kujtojnë për zgjuarsi.
Është e kuptueshme që dhe haxhiqamilizmi dhe komunizmi shqiptar do të linin pas vetes një frymë të sëmurë kundërevropiane. Është e kuptueshme që shumë njerëz do të ndihen keq në familjen e sotme të popujve.
Problemi i mirëkuptimit ose moskuptimit shqiptar me kontinentin, është në thelb mirëkuptimi ose moskuptimi me vetveten.
Raportet me Evropën s’mund të jenë veçse të qarta e pa dyfytyrësi. Mesazhi i Evropës më 1997-ën dhe 1999-ën, ishte i qartë. Ajo na quante të vetët ashtu siç ishim, me atë identitet që kishim. E vetmja kërkesë e saj ishte ajo që iu bë gjithë popujve të tjerë të ish-Lindjes komuniste: emancipimi, demokracia.
Trillet, nazet dhe dyshimet nuk janë pa një burim. Një pjesë vijnë nga keqkuptimet tona të vjetra, një pjesë nga dredhitë e sotme. Ende disa vite më parë ishin të kuptueshme. Por në pranverë të këtij viti, ato janë të tepërta.
Pengesat që s’na lënë, ose na duket se s’na lënë, t’i afrohemi Evropës, përpara se t’i kërkojmë jashtë, duhet t’i kërkojmë brenda nesh. Nuk është pengesë asnjëra nga fetë, e sidomos nuk është myslimanizmi ndaj të cilit dyshimi ngjan më i lehtë.
Është thënë me të drejtë se të tri besimet janë të barasligjshëm në Shqipëri. Duke mos qenë pengesë asnjëri, po aq mund të thuhet se asnjëri s’është lokomotivë që na tërheq drejt Evropës. Në pengojnë, ata pengojnë të tre bashkë, e, në tërheqin, këtë e bëjnë të tre njëlloj.
Një shqiptar mysliman, është po aq i natyrshëm si shqiptar dhe si evropian, sa një katolik, e po aq sa një ortodoks.
Në acarimet e shpesh në përpjekjet me turqit osmanë, shqiptarët myslimanë ishin në vijën e parë. Feja e njëjtë me pushtuesin, nuk ua mjegulloi idenë e lirisë. Bilbilenjtë, ata që në mënyrë aq të padenjë u përgojuan në Kuvendin shqiptar më 2006-ën, ishin një nga familjet martire, 13 djem oficerë të së cilës u varën brenda ditës nga pushtuesi me të njëjtën fé.
E njëjta gjë ka ndodhur me shqiptarët ortodoksë. Martirët e vijës së parë kundër trysnisë mizore të shovinizmit fqinj, ishin pikërisht ata. Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj që feja e njëjtë me kundërshtarin nuk ua zbehu për asnjë çast idenë e lirisë.
Rexhep Qosja ka të drejtë kur thotë se nëse shqiptarët do të kishin ruajtur besimin fillestar, rikthimi i tyre në Evropë do të kishte qenë më i lehtë. Por kjo keqardhje e tij, nëse mund ta quanim kështu, bie ndesh me këmbënguljen se gjysma jonë i përket ndërkaq qytetërimit lindor. Me këtë pranohet ngadhënjimi i vonuar i shtetit osman. Me këtë pranohet se në gjithë gadishullin ballkanik i vetmi popull që u thye, qoftë edhe përgjysmë, ishim ne.
Në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë, ne do të ishim të detyruar ta pranonim. Por kjo, për fat, nuk është kurrsesi ashtu.
Siç u tha më lart, kombet nuk ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet.
Nostalgjia e tërthortë që po shfaqet sot tek ne për otomanizmin nuk është vetëm e habitshme. Ajo është në radhë të parë poshtëruese. E po ashtu fantazma e Haxhi Qamilit, që përherë e më shpesh shfaqet në trojet shqiptare. Shtatorja që iu ngrit në qendër të Tiranës, më 2001, një shefi otoman, i shpallur si kinse themeluesi i qytetit, ka qenë fyerja më e madhe për kryeqytetin e shtetit, për historinë dhe ndërgjegjen shqiptare. Vetëm një popull që nuk e meriton lirinë mund t’i ngrejë shtatore pushtuesit të vet.
Bashkia e Tiranës, e drejtuar në atë kohë “nga haxhi qamilët”, siç i cilësoi me të drejtë arkitekti Maks Velo, e ngriti atë shtatore natën dhe pa lajmëruar askënd, si keqbërësit. Banorët e pallateve rreth sheshit ku ajo ende ngrihet sot, e mbajnë mend njeriun që printe vallen rrotull shtatores atë natë. Ky njeri mban një nga postet më të rëndësishme në qeverinë e sotme.
Kjo shtatore është mishërimi i korrupsionit politik dhe moral të shkallës më të errët. Historianët e kanë shpallur të rremë këtë kinse themelues. Emri i Tiranës si vend vendbanimi, është shumë më i vjetër se koha e këtij pashai.
Klisheja krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu, thënë ndryshe një “vend i as-as-it”, s’na bën kurrfarë nderi. Së pari, sepse nuk është e vërtetë, së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të tillë, është njëlloj si të vetëshpallesh “gjysmak”, që në shqip midis të tjerash do të thotë “tarrallak”.
Ideja e përhapur andej-këndej, dhe fatkeqësisht e përkrahur nga Qosja, se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit”, të kujton një nga njollat historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit.
Ide të tilla delirante, ato me të cilat, Shqipëria, për një kohë të gjatë, u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve. Por jo politikanëve tanë. Me sa duket, reflekset e vjetra të zyrave të Enver dhe Nexhmije Hoxhës, iu vijnë në mendjet e tyre prej mitomanësh.
Janë këto, me sa duket, që shkaktojnë çoroditjen kryesore në politikën shqiptare. Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të gjithë gamën që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoiste. Janë këto reflekse, që i shtyjnë këta politikanë, që, në vend që të përqendrohen në çështjet e ngutshme madhore përpara të cilave ndodhet kombi shqiptar: mirëqenia, hyrja në Evropë dhe statusi i Kosovës, fillojnë e joshen nga fantazira pa kuptim, për të cilat nuk kanë as mundësi, as shtat e as tagër moral nga populli i vet. Të brengosesh se si do të pajtohet Perëndimi me Lindjen, të kinse ndërhysh, për shembull, në kinse rolin e ndërmjetësit, në mosmarrëveshjet SHBA - Iran, për energjinë bërthamore, kjo, në rastin më të thjeshtë quhet ëndërr në diell, kurse në rastin më të keq, e ka emrin korrupsion politik.
Misioni i shqiptarëve në këtë planet, fati apo e thënia e tyre, është një dhe i pandryshueshëm: mbrojtja e interesave të vendit të tyre, që quhet Shqipëri dhe i popullit të tyre që mban emrin shqiptar.
Programi i çdo populli të qytetëruar është ky dhe vetëm ky. Miqësitë, aleancat, strategjitë, kanë lidhje me të dhe vetëm me të. Ky nuk është etnoegoizëm. Kur çdo popull në mënyrë të natyrshme, njerëzore e demokratike e kryen këtë mision ndaj vetes, ai e ka kryer atë ndaj gjithë njerëzimit.
Ky është thelbi i idesë evropiane, fundaja mbi të cilën ngrihet Bashkimi Evropian, ai që ndryshe quhet Evropa e Kombeve.
Ne nuk e kemi shpikur Shqipërinë, ashtu siç kanë dashur të na mbushin mendjen disa. Ne nuk e kemi shpikur as ngulitjen e saj në Evropë, siç kanë dashur të na mbushin mendjen ca të tjerë. Humbja dhe rigjetja e kontinentit nënë, nuk të bën më pak evropian se të tjerët. Përkundrazi, ajo të bën më shumë.
Në mbyllje të kësaj sprove, le të përpiqemi ta shohim atë që ka ndodhur, nga një kamera e largët, nga ato që të japin mundësi t’i skajosh gjërat në një tablo sa më të përgjithshme.
Është një kontinent që shekuj më parë është quajtur Evropë. Është një gadishull jugor i saj, ai më i ndritshmi dikur, dhe më i errëti pastaj, me emrin Ballkan. Ishte një perandori që u shfaq përbri, perandoria osmane, me një program e një ëndërr të mbrapshtë: të zhdukë nga faqja e dheut Evropën. Ndodh kacafytja e madhe midis të dyve. Gjatë saj, perandoria e re i shkul së vjetrës gadishullin ballkanik, djepin e qytetërimit të saj. Pesë shekuj më pas, gadishulli në fjalë, në mes të të cilit ndodhet Shqipëria, shpëton nga kthetrat e osmanëve. Perandoria e tyre bie. Kthimi i Ballkanit te kontinenti nënë është i gjatë, i mundimshëm.
Dhe ja epilogu: popujt e Ballkanit, janë vënë në radhë përpara Portave të Evropës. Përbri, është Turqia, bërthama e dikurshme e perandorisë së tmerrshme. Për pesë shekuj ka kujtuar se popujt ballkanas, pasi ia ka zhvatur Evropës, po i çon si trofe, drejt kontinentit të vet. Por ç’po na shohin sytë? Një gjë tejet të pabesueshme. Ka vërtet një trofe, por jo ashtu siç është kujtuar. S’janë popujt ballkanas që Turqia po i çon si robër drejt Azisë, por përkundrazi, janë ata, që po sjellin si trofe një hanëme të vjetër: Turqinë.
Natyrisht që Turqia nuk është robinë, në kuptimin e mirëfilltë. Natyrisht që ajo po e kërkon vetë, madje me këmbëngulje të pranohet në Evropë. Natyrisht që ajo, ndërsa lëshonte kërcënime e mallkime kundër Evropës, fshehtazi joshej prej saj. Dhe ky ka qenë ngadhënjimi i madh i Evropës.
Ana e fshehtë e historisë, shfaqet këtu në formën më tronditëse. Pyetja: kush u thye prej kujt, ngrihet me gjithë peshën e saj.
Dy rrjedha të historisë kanë ecur paralelisht. Në atë të jashtmen, perandoria osmane, godiste, fitonte, robëronte. Por në një rrjedhë të brendshme, të fshehtë, ajo goditej, humbte, robërohej.
Popujt e Ballkanit bashkërisht ishin aktorët e kësaj lufte. Ishin ata që, vit pas viti e shekull pas shekulli, bashkë me energjinë e tyre, bashkë me zyrtarët e lartë, gjeneralët, guvernatorët dhe aventurierët, që ia dhanë pa kursim, i ngjitën perandorisë joshjen evropiane. Historia e pushtuesit të pushtuar, si në rastin e Romës me Greqinë, në njëfarë mënyre u përsërit.
Rrjedhimisht, asnjë nga popujt e Ballkanit nuk u thye. E aq më pak shqiptarët. Nëse ka pasur për ta një fat historik të paracaktuar, ai është i ndryshëm nga ai i ndërmjetësit.
Popujve ballkanas, e midis tyre shqiptarëve, pa e ditur as ata vetë, madje pa e ditur as Evropa, fati u caktoi të jenë komando të Evropës, mu në qendër të botës osmane. Si të tillë ata kanë qenë përherë, ndonëse me dhembje, në rrënjët e Evropës. E qenia me dhembje nuk është kurrë një mungesë, përkundrazi.

FUND

Botohet me shkurtime. Teksti i plotë do të vihet në qarkullim së shpejti nga shtëpia botuese “Onufri”.
 

padyshim

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

qe kadareja ka filluar te rrjedhe kjo nuk ka dyshim por une kam vetem nje problem (well ..dy). 1-po me kenget popullore te Shqiperise se Mesme c'pati ky vllai? une gjithe jeten i kam pelqyer dhe nuk kam menduar se jane kenge pedofilash apo homosh? epo edhe une shqip flas mu(n) si Kadareja, dhe nuk e kuptoj se si ai shikon aty dicka dhe pastaj thote se "ne te gjithe e dime kete!!??"
2- "gjoja themeluesi i Tirane??!!" edhe une kam rezerva per cilesine e monumentit, por te vesh ne dyshim nje fakt historik qe eshte i ditur nga te gjithe historianet, eshte pak si i forte per shijen time katunare dhe te prapambetur.
"hajt mo..3: Bejtexhinje ne Betejen e Madhe me Shkrimtaret E Veriut Katolik??!! hmmm.... dikush permendte Falaccin me siper. Falacin ta puthesh mu ne balle sepse kurre nuk e ka lene veten te bjere pre e filmave fantastiko-shkencore apo video-games. "The Duel between the Knight of Darkness and the Blind Bard continues...."
 

hawk

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Valle USA cilesohet si vendi me i zhvilluar i botes sepse ka art,defrim... !?!?!?
"Nje veper arti eshte koplet e pavlere"-thote Oscar Wild.
Besoj se duhet te kete patur nje arsye per te nxjerre kete aforizem.
Nejse,secili e mendon zhvillimin sipas menyres se vet.
 

jimmy84

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

</font><blockquote><font class="small">Citim:</font><hr />
</font><blockquote><font class="small">Citim:</font><hr />
Qe Kadareja ka qene azio-fobist /pf/images/graemlins/laugh.gif kjo kuptohet lehte edhe ne veprat e tij. Por kur del me flamurin e krishterimit merr tamam pamjen e nje Don Kishoti klasik. Ne nje kohe qe ne Europe po shkohet drejt zhdukjes se kufijve kontinentale (nga ana kulturore) Kadareja si proven kryesore te identetit europian ne nxjerr: Krishterimin dhe Gjeografine.

[/ QUOTE ]

shtrohet pyetja : ku e di TI ose ku e dini JU (ti me shoket e tu) se nga po shkon europa, qofte kulturisht. bile aq mire sa te etiketosh kadarene "don kishot". a keni me shume pervoje nga ai ? keni pare bote me shume ? njihni me shume europiane ? keni shkruar me shume ? apo jeni me te zgjuar ?

[/ QUOTE ]
Ku e di une nga po shkon Europa kulturalisht? O cun, nqs me pare dallohej qarte nje europian nga nje afrikan, kjo ishte sepse afrikani banonte ne Afrike dhe ishte i ZI, kurse europiani i BARDHE. Ne Boterorin e Futbollit po te shohesh e vetmja skuader europiane 100% e BARDHE ishte Ukraina. Nuk e kam fare problem kete fakt se nuk kam probleme "ngjyrash" por ja ben "muu" qe tani nuk dallohet dot aq lehte europiani nga afrikani dhe aq me pak nga aziatiku. Nuk ka qytet te madh sot ne Europe qe te mos kete nje China-Town dhe nje pakice afrikanesh. Dhe te gjithe po t`i pyesesh do thone "Jemi angleze/franceze/gjermane etj.Tani si mendon ti, keta miliona zezake, aziatike etj kur vijne i lene "trute" ne vendin e tyre dhe behen europiane? Aspak. Ata sjellin edhe kulturat dhe zakonet e tyre. Pra nuk jemi ne mesjete qe kufijte kombetare dhe kontinentale te jene edhe kufij KULTURALE. Tani kufijte jane gjithmone e me shume formale. Prandaj normale qe ai qe i kujton akoma kufijte shteterore dhe aq me pak kufijte kontinentale si kufij kulturash eshte Don Kishot.
Persa i perket kush eshte me i zgjuar...me vjen keq po sic thashe budallalleku nuk ka brire po kur hap gojen ja ben "muu". Te vazhdosh te thuash "Identiteti europian i shqiptareve" mua me duket sa absurde aq edhe me efekt te kundert. Per kete "identitetin europian" duhet te therrasin turqit por jo ne. Sepse identitetin europian shqiptareve nuk ua garanton gjeografia dhe as FEJA...por HISTORIA.Shqiptaret kane qene europiane kur krishterimi as ishte ne kete bote dhe kur koncepti "gjeografi" s`ekzistonte akoma.
P.S Nuk e dija qe duhet te shkruash nje tufe vjershash per Partine dhe xhaxhin, qe te mund te flasesh per vendin tend. /pf/images/graemlins/thumbsup.gif
 

padyshim

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

me kete kenge pershendes Ismail Kadarene dhe te gjithe ata te tjeret qe i vjen turp nga baba i vet mysliman.
Krisi pushka moj
Gjemoi deti
Kujtoi Nemcja se u bo' qometi
S'osht qomet more osht tufon
Bjen Kavaja me gjith' Tirone
Gajret cuna ju falte Zoti
Se Princ Vidin se zen k'tu moti
Se Princ Vidin se zen k'tu moti
Kemi lemun or prej baroti
Zoje e Vidit po krifte floket
Refik Bej o ci bone shoket
Refik Bej o ci bone shoket
Shif se t'hiken o porsi lopet
Ky Princ Vidi po bon medet-e
Ngeli asqeri ne Shkozet-e
Ne Shkozet more ne Kashar-e
Bohet pushke o me katunare
Mal me mal po kendon bilbili
Trim mbi trimat Haxhi Qamili
HAxhi Baba me vegjeli-e
Gjeti Vidin me 12 mije
Haxh Baba me vegjeli-e
Gjeti Vidin me 12 mije.
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Haxhi Qamili që njohim ne!

Letër e hapur Profesor Rexhep Qoses!

I nderuar Profesor,

kam ndjekur me vëmendjen e një ish-studenti letërsie polemikën në shtyp mes Ismail Kadaresë dhe jush dhe nuk mund të them se nuk kam mbetur i befasuar. Kam mbetur i befasuar jo nga debati në thelb (edhe më parë kam qenë i qartë për këtë); as nga ideja e polemikës (në këto hapësira të zhuritura kulturore, e gjitha kjo ishte një mundësi më shumë për të gjithë ne), por kam mbetur i befasuar në radhë të parë nga një lloj mllefi dhe mërie të verbër që shoh të ngrejë krye aty – këtu dhe që e shoqëron atë. Mëri, e cila justifikon edhe qëndrime shpesh ekstreme, në kundërshtim me qëndrime që të dy ju keni mbajtur ndaj njëri – tjetrit në të shkuarën. Por, kjo ka pak rëndësi. Nuk kam pasur asnjë ide të përfshihem në këtë polemikë, që personalisht e quaj padyshim shumë të rëndësishme në këto 15 vjet, por me sinqeritet po ju them se pak ditë më parë, befasimi im i tejkaloi kufijtë e normalitetit të tij. Ndaj, vendosa t’ju dërgoj këtë letër të hapur, jo për të dhënë një gjykim mbi këtë polemikë, por mbi të gjitha, për të sqaruar me sa duket, o një keqkuptim tuajin, ose një moment mërie që ju ka bërë të merrni një pozicion shumë të çuditshëm ndaj një momenti të rëndësishëm historik. E kam fjalën për qëndrimin tuaj ndaj Haxhi Qamilit dhe lëvizjes së tij.

I nderuar Profesor,

Nuk do t’ju bëj asnjë koment mbi lëvizjen në fjalë, nuk do t’ju referohem as citimeve historike (besoj se sikurse e dini veç Enver Hoxhës askush tjetër në Shqipëri nuk ka guxuar deri më sot t’i dalë në krah Haxhi Qamilit), por do t’ju sjell një përzjerje të të gjithave. Duke nisur që nga kujtimet që ekzistojnë për të në Tiranë dhe që vijnë nga fëmijëria ime, koha kur Haxhi Qamili bashkë me Enver Hoxhën ishin të dy bashkë në fuqi. Njëri i vdekur e tjetri i gjallë!

Ju e quani Haxhi Qamilin, “Prijës i një Kryengritjeje kundër feudalëve dhe pushtimit të huaj”. Po ju tregoj atëherë profesor se cili është Haxhi Qamili në kujtesën e qytetit të Tiranës e madje, edhe të shumë historianëve që janë marrë me të.

I lindur në një familje fshatare të Sharrës, fare pranë Tiranës, Haxhi Qamili kishte vuajtur që në fëmijëri nga sëmundje mendore. Duke mos pasur mundësi financiare, i jati e kishte dërguar për ta mbajtur dhe për ta kuruar te bejlerët e Tiranës, madje, te një ndër më të njohurit prej tyre, Murat Toptani. Skulptor, piktor, poet, një ndër patriotët më të flaktë, i martuar me vajzën e Naim Frashërit, ky i fundit kishte pranuar ta mbante pranë familjes së tij dhe të të vëllait. Fatkeqësisht qëndrimi nuk qe i suksesshëm: Haxhi Qamili u largua nga familja bujare një vit më pas, e para, sepse sa herë gjente sapun e hante, duke i shkaktuar vetes probleme dhe e dyta, sepse një ditë i hëngri veshin një shërbëtori tjetër! Djali u rikthye te prindërit dhe filloi të merrej me kultivimin dhe shitjen në pazarin e Tiranës të prasëve dhe të lakrave. Kjo punë vazhdoi deri në vitin 1912, kur ai ju bashkua trupave besnike vullnetare të Esat Pashës, të quajtura batalioni “Erzeni” që shkuan për të ndihmuar Hasan Riza Pashën në mbrojtjen e Shkodrës. Pas dorëzimit të Shkodrës malazezëve nga Esta Pasha, Haxhi Qamili u kthye bashkë me të në Tiranë. Si çdo njeri jo normal ai kishte rënë në sy në luftë dhe kjo i krijoi një lloj vendi në atë shoqëri ku trimëria dhe guximi kishin jo pak vlerë. Ai ishte një “trim” i Esat Pashës dhe zbatonte me verbëri urdhërat e tij dhe të Xhaf Balit. Në fakt, pavarësisht kësaj, ai do të kishte vdekur një njeri i panjohur, ndoshta do të kishte arritur edhe ditët e komunizmit, nëse zhvillime të rëndësishme politike nuk do të zaptonin krahinën e tij. Esat Pasha kërkonte të zgjidhej Mbret i Shqipërisë dhe minimi që ai i bëri Princ Vidit ishte evident. Minimi filloi duke shfrytëzuar ndjenjat fetare dhe mbi të gjitha dashurinë për Turqinë që ekzistonte e fortë në disa zona të Shqipërisë së Mesme. Ideja që në vend të Princ Vidit të vinte në krye të fronit shqiptar një Princ Mysliman u bë dominante. Ideja e ideuar dhe e manipuluar nga Esat Pasha u bë problematike. Për t’i bindur fshatarët e varfër dhe fantikë të zonës, shumë prej të cilëve as e konceptonin Shqipërinë e pavarur, Esat Pasha veshi si djalin e Sulltan Hamitit një kushëririn e tij nga Elbasani, Dervish Biçakun dhe e shëtiti në gjithë fshatrat e zonës. Truku ishte i vlefshëm për t’ju treguar atyre që Turqia nuk i kishte harruar dhe se ata duhej të përpiqeshin për të. Në këtë valë fanatizmi e regresi, Haxhi Qamili ra në sy në betejën e Prezës. Ideja e tij se pushka e kaurrit nuk merr nishan mirë dhe plumbi shkon shtremët, bëri bujë në atë kohë. Me këtë teori dhe me një guxim që e ka çdo njeri që nuk mbush mirë nga trutë e kokës, Haxhi Qamili filloi të ngrejë mitin e tij.

I nderuar profesor,

Jam i sigurtë se jeni dakord me mua, se në situata si këto, gjithfarësoj aventurierësh, intrigantësh, gangsterësh e psikopatësh, shndërohen fare thjeshtë në heronj. Haxhi Qamili ishte njëri prej këtyre. Padyshim ndër më famëkëqinjtë në historinë e vendit tim. Ju kujtoj se thirrja bazë e tij ishte: Dum Babën (sulltanin); jo Papën! Se mëria më e madhe qe ndaj atdhetarëve dhe protagonistëve të pavarësisë dhe urrejtja më e madhe ndaj flamurit shqiptar që e thërriste: “flamuri me sorrën!”.

Ju thoni se ai ishte prijësi i një rebelimi ndaj feudalëve! Gaboni i dashur profesor. Po ju them se ai gjuante, arrestonte, poshtëronte e madje, ekzekutonte vetëm ata që donin Shqipërinë, që visheshin si evropianë, ose që kishin dalë nga rruga e Allahut, siç thoshte ai. Po, është e vërtetë se ai i dogji sarajet e Esat Pashës, por e bëri këtë vetëm atë moment që e mendoi veten më të fuqishëm se Pasha dhe kur sinqerisht ëndërroi se ishte prijës i zonës. Po ju them dhe kjo është krejtësisht e vërtetë, se ai nuk dogji asnjë shtëpi feudali të madh. Në Tiranë dogji shtëpitë e Murat, Refik dhe Abdi Toptanit, të tre protagonistë të pavarësisë dhe ithtarë të saj. Dy prej tyre janë nënshkrues të aktit të pavarësisë, ndërsa i treti, njeriu që ngriti flamurin e pavarësisë në Tiranë, më 26 nëntor. Rasti e solli që shtëpitë e të tre këtyre të ishin ngjitur me shtëpinë e çifligarit dhe pasanikut më të madh të fisit Toptani, Zija Beut, pasuria e të cilit nuk u prek, madje u ruajt, sepse Zija Beu ishte mysliman i mirë dhe nuk merrej me politikë! Në Elbasan, gjuetia e tij nuk ishte Shefqet Bej Vërlaci, pasaniku më i madh i Shqipërisë, me të cilin kishte marrëdhënie thuajse normale, por Aleksandër Xhuvani, gjuhëtari i njohur, Taqi Buda (i jati i Aleks Budës dhe luftëtar i pavarësisë) dhe protagonistë të tjerë të gjuhës shqipe dhe pavarësisë. Dhuna dhe poshtërimi që ata kanë provuar thjesht sepse donin një Shqipëri të pavarur, pa Turqinë, ka qenë i tmerrshëm i nderuar profesor. Brenda kësaj logjike, nuk do të harroj të të them, se gjuetia e tij më e dhunshme kanë qenë librat shqip. Mjaftonte një prej tyre që shtëpia të merrte zjarr në çast.

I nderuar profesor,

Ju thoni se: “nuk mund të besohet se prijësi i një kryengritjeje fshatare kundër feudalëve dhe kundër sundimit të të huajve, sidomos serbëve dhe grekëve në Shqipëri, nuk e dinte se në vitet 1914 – 1915 as mund ta bënte Turqinë më sovrane në Shqipëri, as mund ta çonte Shqipërinë përtej Adriatikut dhe Mesdheut dhe ta bashkonte me Perandorinë Otomane. Shqipëria ishte me kufij të caktuar ndërkombëtarisht, të njohur nga konferenca e Ambasadorëve në Londër…”. Në këtë rast, besoj se keni për Haxhi Qamilin një përfytyrim krejt të gabuar. Ky analfabet dhe injorant, që shfaqte herë herë elementë të Panço Vilës apo Pugaçovit, që ngjan si dy pika uji me Mulla Omarin e Afganistanit të 2001, as kishte idenë e shteteve, hartave dhe konferencave. Këtij besimi tuajit, po i përgjigjem me një frazë të Haxhi Qamilit që është ende e famshme në Shqipëri. Kur donte të sulmonte Durrësin dhe kur i thanë se Princ Vidi ka Austro – Hungarinë dhe flotën italiane, ai u përgjigj: “Unë kam Shijakun dhe Kavajën!”.

I nderuar Profesor,

Bota e këtij aventurieri injorant, analfabet dhe fanatik, nuk shkonte tej Shijakut dhe Kavajës; as kishte ideologji politike dhe as gjë tjetër. Veç dashurisë dhe përkushtimit për Dovletin, me të cilin motivonte edhe mbështetësit e ndjekësit e tij, ai nuk kishte motiv tjetër në jetë. Por, siç ndodh shpesh me popuj që bëhen gazi i vetvetes, ai u shfaq në portat e Shtetit të pavarur shqiptar, pikërisht atëherë kur Shqipëria kishte më shumë se kurrë nevojë për maturi, ngut për të ecur përpara dhe për të krijuar strukturën e një shteti të vërtetë. U shfaq si çdo fatkeqësi, por mbi të gjitha, si një fenomen, që mund të quhet Haxhiqamilizëm dhe që shfaqet, në përmasa më minore, aty këtu në shoqërinë shqiptare edhe 100 vjet më pas.

Besoj se ju e dini fundin aspak dinjitoz të këtij “trimi të çartur” dhe “antifeudali të madh”. Pasi Esta Pasha u kthye në Durrës me ndihmën e serbëve dhe pasi i mbetën fare pak mbështetës, Haxhi Qamili u paraqit vetë në dyert e shtëpisë së tij. Esat Pasha i kërkoi që ai të varte në litar 40 miqtë e vet të ngushtë, zullumqarë të përbashkët, nëse donte që t’i falte jetën. Haxhi Qamili e bëri këtë me shumë zell, me shumë pasion, pa kuptuar sesi një njeri që nuk e mbante fjalën kurrë dhe i pabesë, Esat Pasha, do ta varte edhe atë. Dhe kështu bëri realisht! Besoj se zoti i ka bashkuar këta dy zullumqarë të mëdhenj, të ndryshëm në llojin e tyre, në ferrin dantesk!

I nderuar profesor,

Po e mbyll këtë shkrim që as vetë nuk di si ta etiketoj, me një ndjesi të mirë. Me ndjesinë se fati e ka sjellë që ju të jeni në kulturën dhe shoqërinë shqiptare thuajse 90 vjet pas zhdukjes së Haxhi Qamilit. Nëse do të kishte qenë ndryshe, fati do ishte shumë pak bujar me ju. Një ditë, në shtëpinë ku ju jetoni bashkë me 10 mijë librat tuaj do të shfaqej një personazh që s’mund të mos quhej komik: i shkurtër, me poturre të bardha, por të zgjyrosura, me pallto gjenerali që e kishte vjedhur në garderobën e Fadil Pashë Toptanit, me qeleshe të ulët tiranase, por me shirita ari në mëngë dhe me një shpatë jatagan që e kishte gjetur s’di ku! I shoqëruar nga një dyzinë bashibozukësh do të digjte fillimisht gjithë librat shqip, pastaj, fati juaj do të ishte peng i idesë që do t’i lindte në moment në kokën e tij gjysmake. Me shumë gjasa, një ide jo aq e mirë. Gëzohem pra që jetoni 90 vjet më pas, sepse shumë punëtorë të gjuhës dhe kulturës shqiptare të kohës, nuk do të donin ta sillnin në mend atë moment…

Me nderime

Blendi Fevziu
 

hawk

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Personazh shum i lakuar Haxhi Qamili.
Nuk jam ne gjendje te gjykoj vertetsine e fakteve te sjellura me lart nga letra e Fevziut. E di qe Fevziu dhe kanali ku ai punon jane kamaleont te politikes.

Natyrisht H.Qamili eshte nje personazh i Servantesit por fatkeqsisht realisht i eksistuar me apo pa superlativat e hiperbolat qe dikush mundohet ti atribuoje.
Me vjen keq qe lakohet kaq shum ky aventurier te cilin Fevziu e krahason "krejt" rastesisht me M.Omarin e larget por duke harruar te na sjelle fakte mbi njohurite dhe praktiken e ketyre mesimeve te perbashketa me M.Omarin nga ky personazh.
Pa dashur te zgjatem me tek H.Qamili i cili per mua dhe per historine,madje edhe per historine e Fevziut nuk ishte integralist apo nje ideolog i hershem,para El Banna-s madje,i rrymave radikale fetare apo i tendences per rikthimin e Islamit ne origjine e as te udheheqes me ane te Islamit. Kjo eshte e qarte nga injoranca fetare,nga idealet,nga personat te cileve i sherbeu ai realisht dhe personave(sulltanit) te cilit pretendonte ti sherbente duke harruar se sulltani si H.Qamili kishte Islam vetem emrin.
Lakohet ky personazh jo sepse la gjurme pozitive apo dhe negative ne histori sepse sic thashe i ngjet Don Kishotit por sepse ka ngjyresa fetare.
kjo mjafton per ti vendosur ne nje emeruas te perbashket z.Kadare,z.Fevziu dhe pronarin(apo ish-)e vendit ku punon ky i fundit.


Do i lutesha anetareve te forumit te na sjellin edhe don Kishotin e Mirdites pra Gj.Markagjonin se bashku me aventurat e tija "haxhiqamileske" se nuk po kerkoj ndonje krahasim me te hershem me p.sh P.Bogdanin i cili "sorres"se H.qamilit i vinte ne koke simbole fetare.

Kadare si gjithmone na hap diskutime te tilla qe burojne nga atdhetarizmi dhe dashamiresia per nje pjese te popullit Shqipetare per te cilin mundohet te gjeje cdo preteks per ta diskretituar duke e perjashtuar nga vendi i vet.
Ai qe mohon origjinen e vet eshte njeri pa identitet.
 

padyshim

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

kjo puna e Haxhi Qamilit nuk eshte aq e qeruar sic po mundohet te na e nxjerre tani IK apo ky Fevziu qe e ka me t'tregume aty ke qyri. Haxhiu dhe njerezit qe i vinin prapa donin nje mbret ose princ mysliman dhe jo krisitan si princ Vidi. Kur mileti therriste Dum Baben, nuk eshte se donin sulltanin qe te vinte prape por donin fene e vet, dhe qe kryet e vendit te ishin po te kesaj feje. Baba ne kete rast (Sulltani) ishte ne te njejten kohe edhe kreu i myslimanllekut ne bote (atij sunnit). pra duke therritur Dum Baben NUK DUM PAPEN (kjo pjesa e fundit e parrulles eshte lene jashte gjithe keto vjet, duke ja deformuar kontekstin vete frazes dhe duke i dhene nje kuptim te ri dhe te rreme), Shqiperia e mesme shprehte preferencen e saj fetare. mos harroni qe e gjithe kjo ndodhte fill pas masakrave qe kristianet kishin kryer mbi myslimanet e Maqedonise qe nga Prilepi (tani IRJM) deri ne Seres (tani Greqi), biles edhe tutje ne Bullgari. Mileti kete e dinte sepse kishin qene ushtare vete andej pari.
Por kur do ta tregosh historine si do vete, e kenaq fare dhe njerez si puna ime qe nuk ma ndjen per pune feje, i ben te lexojne pak me shume se Kadarene apo keta te tjeret me komplekse inferioriteti qe sic e kam thene me lart i vjen turp nga baballaret dhe familjet e veta.
 

hawk

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Atyre qe i vjen turp per baballaret,origjinen,prejardhjen,besimin fetare etj etj jane njerez pa identitet.
Ne rastin e Esat Toptan Kadarese le te kerkoje me perpara identitetin e vet e pastaj te popullit tone.

Ne,duke shpresuar shumica e popullit, nuk e kemi identitetin ne shitje.
 

padyshim

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

ah se mu kujtua dhe nje gje tjeter per kete Mulla Omarin tone. Sa te krishtere vrau kjo levizja Dumbabiste? Te krishteret e Kavajes e te Durresit? po ato llacofacet e Tiranes vuajten gje?
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Urrejtja e vetvetes
Nga Virion Graçi

Midis dëmeve anësore që kanë shkaktuar debatet “e personalizuara” të identitetit tonë kombëtar, reduktuar de facto në sprovë të identitetit vetjak të Qosjes dhe të Kadaresë, nga më të qortueshmet mund të jetë analiza e M. Velos, e titulluar “Qosizmi ose teoria e urrejtjes”. E njoh Velon, respektoj jetën dhe kalvarin e tij të vuajtjeve, jo vetëm si antikomunist i hershëm, por edhe nervin e tij qytetar, sedrën e tij emancipuese si dhe aftësitë e shumanshme krijuese si arkitekt, piktor, shkrimtar, publicist. Në shkrimin e sipërpërmendur Velo bën po ato gabime për të cilat qorton Qosjen; urrejtje mbi baza fetare, racizëm brenda llojit, interpretime historike të gabuara a enkas gricëse si dhe një varg komentesh provokuese në pasaktësinë e tyre.
I pari gabim është supozimi i padrejtë se qëndrimet e Myftinisë së Shkodrës për vendosjen a jo të shtatores së Nënë Terezës në qytetin e tyre kanë lidhje me porositë e Qosjes dhe me Prishtinën e sotme. Komunitetet fetare në Shkodër, edhe në këtë rast e kaluan pozitivisht sprovën e mirëkuptimit midis tyre. Pse të mos kish diskutime, dhe pse të mos kishte përfundime të pranuara nga të gjitha anët, pas rrahjes së mendimeve, sikurse ndodhi? Unanimiteti mbyllasysh, pa diskutime të hapura, pa rrahje mendimesh e ballafaqime provash e argumentesh nuk është tjetër përveçse totalitarizëm.
I dyti gabim i Velos është joshja dhe artikulimi prej tij i pikëpamjes për “popuj të dorës së dytë”, tezë shovinistësh antishqiptare. Kosovarët nuk janë popull tjetër përveçse shqiptarë dhe vendi ynë në familjen e popujve nuk varet nga të tilla dëshira “jurish” të specializuara e të padukshme njëkohësisht.
I treti gabim i Velos është cilësimi i Qosjes si “akademik i kategorisë së dytë”. Pavarësisht angazhimeve të tjera të tij, për të cilat janë mbajtur dhe po mbahen qëndrime, (edhe autori i këtyre radhëve ka shprehur mospëlqimin dhe zhgënjimet e tij për disa aspekte të tjera të Qosjes), angazhimet e mirëfillta në lëmin e historiografisë së letërsisë shqipe, të kritikës letrare, të albanologjisë në përgjithësi e bëjnë atë një emër të përveçëm në kulturën tonë. E ne nuk kemi shumë të tillë. Brezi im e lexoi në kohën e duhur Qosjen, kur ishim studentë të filologjisë shqipe dhe pamë me habi dhe nderim se vepra e tij individuale ishte shumë herë më e madhe dhe më cilësore se e gjithë puna e katedrave, instituteve, akademisë e grupeve kërkimore të marra së bashku në Shqipërinë zyrtare. Velo ka kritikuar shpesh përtacinë dhe dembelizmin e shqiptarëve, duke e quajtur shtresëzim a mbeturinë të qytetërimit oriental. Qojsa vetëm në këtë pikë “nuk është” shqiptar-zelli për punë intelektuale dhe prodhimtaria e tij i kapërcejnë caqet e të zakonshmes.
I katërti gabim i Velos është cilësimi “tradhtarë” i atyre që u përkasin besimeve të tjera, jo të krishtera. As kjo nuk ka nevojë për koment sikurse, edhe anatema e tij se “ të paktën tani pasardhësit e tradhtarëve duhet të heshtin”. ( v.o :-as shoku Shpati nuk do t’ia lejonte vetes një arrogancë të tillë). Se cilët janë tradhtarët dhe cilët janë besnikët këtë e vendos Velo. duke peshuar në kandarin e tij pëlqimet e lira të njerëzve ndaj Krishtit a Muhamendit. Meqë Velo është duke kandarosur, sikurse “juria” e padukshme që përcaktoka edhe sot e kësaj dite sërën e pupujve në familjen e madhe të tyre, s’po e ndërpresim nga puna për ta pyetur se ku i ka vendosur të tjerët, ateistët dhe ndjekësit e sekteve më të reja fetare.

Vazhdimi i artikullit ketu:

http://www.albpr.org/g-news/modules.php?name=News&amp;file=article&amp;sid=232
 

shuquri

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Ky Maks Veloja qenka burrë e shkuar burrit! Ah ti kishim veq nja dhjetë sish, do ta kishe parë ti se cfar emri do kishte Shqipëria. Ai do të votonte për Serbinë. Pfu! Dhe keshe po mbroj Kadaren. Kadareja s´ka nevojë për mbrojtje, o shoko, ai është përmendore e gjallë e shqiptarisë dhe kurr s´do të votonte kundër bashkimit Shqipëri-Kosovë. Por nejse,se ajo punë larg është nga momenti.
 

OROSHI

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

</font><blockquote><font class="small">Citim:</font><hr />
Atyre qe i vjen turp per baballaret,origjinen,prejardhjen,besimin fetare etj etj jane njerez pa identite...


Po kapem vetem tek keto tre rreshta te zotit Hawk!!
O zoti Hawk,per cilet baballare e ke fjalen,sepse edhe P.Bogdani eshte nje nder baballaret tane ma te lavdishem!
Apo mos te vjen turp per Marin Barletin?
Apo per Gjon Gazullin?
Apo per Gjergj Fishten etj etj etj!
Besoj qe edhe ty te vjen ma teper turp per sojin e H.Qamilit,Ballaban Pashes,Turgut Pashes,Mehmet Pashes,Esat Toptanit...sesa per per figurat katolike te cilet edhe pse nen shtypjen gjakatare turkoshake,nuk e ulen kurr penen apo pushken per te vetedijesu shqiptaret mbi identitetin e tyne shqiptar(e jo arrnaut)!

Persa i perket "levizjes se Mirdites" ka qen thjeshte nje levizje per t'u shkeput nga obskurantizmi/anadollaklleku qe kishte hy ne mase ne mbar token Ilire!
 

hawk

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Krenohem me Fran Bardhin dhe turperohem me ato qe e vrane sepse kerkonte prifterinj shqipetare.
Krenohem me Nene Terezen por turperohem me ato qe e mitizojne duke e bere patriote te barabarte me rilindasit.
Turperohem nga Enver Hoxha e z.Kadare.
Krenohem me N.Frashrin,Fan Nolin e jo me mesimet politike te Fishtes te diktuara nga Italia e Vatikani e te percjelluara me zell te madh nga fryma fetare.
Krenohem me disa lider politik aktual por kurrsesi me ato qe digjnin e shkattronin para 10 ose 8 viteve shkolla,banka,e istitucione te tjera se na paskekan qene prone e kishes.Ku u fute ti O PATRIOTI i shekullit kur ndodhnin keto gjera??
Krenohem me Hodo Sokolin,Oso Kuken,Hamza Kazazin...e shkodrane te tjere te cilet patologjia jote islamofobe i anashkalon.
Ti ndjen neveri ndaj elementit qe identifikohet tek besimi i 90 % te popullit qe ka flamurin per te cilin ti cirresh ne forum.
Ato qe mohojne nje pjese te popullit te tyre si dhe figurat e shquara per arsye ideologjikofetare nuk jane dinjitoz te dalin me flamurin e atije popullit te cillin e etiketojne si anadollak.
Me vjen keq qe te ofendova komshiun tend z.Markagjoni por nje person i inspiruar nga agjenturat e huaja dhe i mbeshtetur edhe nga nje pjese e klerit nuk me duket luftetare lirie dhe nacionalist i madh.Nuk shoh ideale nacionalizmi tek nje person dhe pjella e tije ne forum te cilet kane ideale fetare.Feja dhe nacionalizmi jane pag larg..kete na e meson nene Tereza.

Shqiperia e 1921 kishte nje shtet te cilin krye anadollaku i Mirdites kekronte ta dobesonte madje kunder vullnetit te patriotit te tije Fishtes.Me mire te te quajne anadollak(ne mentalitet) se "cub"...e ti e di mire se kush etiketohet ne kete menyre.

Duhet te kuptosh mire dallimin mes idealeve fetare dhe atyre nacionale.As njeri nga te dy nuk mund te mohojne edhe nje perqindje te pa perfillshme te popullit te tyre.Te edukuarit me shembuj si Markagjoni,P.Bogdani natyrisht qe do te perfaqsojne patologjine e tyre ne te gjitha sferat e shoqerise,fatkeqsisht edhe ne forum.
 

Kondrapedali

Kondrapedali
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

</font><blockquote><font class="small">Citim:</font><hr />
Krenohem me N.Frashrin,Fan Nolin e jo me mesimet politike te Fishtes te diktuara nga Italia e Vatikani e te percjelluara me zell te madh nga fryma fetare.


[/ QUOTE ]

/pf/images/graemlins/eek.gif /pf/images/graemlins/eek.gif /pf/images/graemlins/eek.gif /pf/images/graemlins/eek.gif

Hawk, a e ke me imen a? A e ke lexu ti Fishtën apo shkon kshu m'tym? Fishta me msime politike? E vetmja jga që Fishta kish për zemën ishte Shqipnia e kjo e drejtume prej shqiptarvet e t'hujt (kjoshin katolik a dreqën) aj s'dojte m'i pa me sy. Se ku e gjete ti q! Fishta msojte msimet politike t'italjanit e t'Vatikanit un kte s'mrrij m'e kuptu.

Se mos ke lexu nai vjersh t'rinis tij e kujton se ke njoft Fishten? /pf/images/graemlins/tipsy.gif
 

hawk

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Ca ke kunra a t'hini kamaleci n'tela aaa!? /pf/images/graemlins/laugh.gif

Perse evidenton Fishten mes gjithe atyre emrave...e kjo nuk eshte hera e pare.Ti nuk je as i biri /pf/images/graemlins/shocked.gif.

Ktu flitet per Kadarene e jo per Fishten.
Meqenese rreshti qe ke cituar flet per ngjyrat politike te Fishtes,keto me shume se ne vjersha i gjen ne publicistiken e prelatit te larte.
I kam cituar ne tema te tjera... /pf/images/graemlins/thumbsup.gif
 

OROSHI

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

"zatni" Hawk,jane pikerisht ato dy rreshta qe ke shkru per Fishten,qe ja vlen(dhe ka material boll)per me te kundershtu,per rreshtat e tjer mund te vazhdosh pa pra!
Fishta,mor "zatni" Hawk,nuk ka ken asnjiher i ndikum nga Italia apo Vatikani,ne rradh te par ai ishte nji mbrojtes i dukshem i "vijes austriake"(nder prifterinj kjo)sepse edhe shkollen e ka mbaru ne Sarajev e cila ishte nen protektoratin Austriak!
Jo per gja,por e keni ba si mod kyt permenjen e Vatikanit,tamam si neper demostratat islamike(ne boten islame cdo gja asht islame,edhe uji asht islam)te cilet bertasin po te njajtat sllogane:Amerika/Izraeli/Evropa.......!E shofin n'anderr te shkretet per me fut durt e tyne te flliqta e te perlyeme me gjakun e sdi se sa bashkatdhetarve t'yne,pa le ma te ndonji turisti,ne zemrzen e Evropes!
Persa i perket Mirdites,perderisa kjo krahin asht ba qender diskutimi per ty,dmth se ja vlen barra qeran me diskutu!
Ta kam pranu disa her,mirditasit kan ba mir e kan ba keq,si gjith shqiptart,gjithsesi Mirdita ka figura te mdhaja te cilet ne kohra te ndryshme kane pas ndikim te madh ne politike dhe ne vendimmarrjen e fateve te kombit shqiptar!

Ismail Kadare asht antar i komunitetit 70%,politikanet qe "masakrojne" kete komunitet,jane pikerisht te dale nga gjiri i ketij komuniteti!

Hawk,asht si puna e shembjes se komunizmit,kush e shembi?Vete bijte e komunisteve! /pf/images/graemlins/wave.gifSelam!
 

Kondrapedali

Kondrapedali
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Siç ta tha edhe Oroshi, ajo që ti ke than për Fishtën e vlen nji reaksion të till.

Masnej ti pse kape me mu pse s'kam permen Kadaren kur ti ke shkru nji faqe e veç e ke cik nji her?

Manej për Kadaren nuk kam ça them. Aj a i miri vedit ...!
 

jimmy84

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

</font><blockquote><font class="small">Citim:</font><hr />

Te edukuarit me shembuj si Markagjoni,P.Bogdani natyrisht qe do te perfaqsojne patologjine e tyre ne te gjitha sferat e shoqerise,fatkeqsisht edhe ne forum.

[/ QUOTE ]
Nuk dua te duket tani si nje turme qe duan te lincojne ndonje po...mire me Markagjonet, po me Bogdanin c`pate? Apo e ke me kozmogonine e Pjetrit ti?
Sa per Fishten, fol me Oroshin se e ke prek ne tela.
Oroshi, mesa kam lexuar une di qe Fishta ka qene cike italianofil. /pf/images/graemlins/laugh.gif E pranoj qe kane qene autore kamunista. Prandaj s`po flas me shume bindje. Po vertet e paske ti qe ka qene pro-austriak? Jo se nqs ti mendon qe austriaket kane qene me te mire se italianet...urime.
 

jimmy84

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Ke te drejte Kondre po coje deri ne fund. I miri i vedit dhe e keqja e te tjereve.
Kadareja? Si tha Kadareja ne Skoci: "Une nuk kam qene disident sepse ne Shqiperi nuk ka patur disidente"
Po Kasem Trebeshina cfare ishte? Po Bilal Xhaferri? Dhe kush ishte "bajraku" i Partise kunder tyre?
Nejse me kete fytyre qe nxorri Kadareja tregoi qarte qe ne te gjitha veprat qe ka bere para komunizmit nuk ka shkruar Kadareja por "maska" e tij. Dhe c`eshte me e bukura kjo maske eshte shume me e bukur se fytyra e vertete. Se sa kishte masken...i ka bere himne dhe hosanara komunizmit dhe Enverit por ka bere edhe vepra te bukura. Qe pas renies ka lene vetem gafa (si ajo e "jashteqitjeve te kombit", qe ishte doli e goditur kur iku vete Kadareja pas pak ditesh) dhe ka leshuar vetem propagande percarese. Jo feja, jo perkatesia etnike. Dhe me ke debaton? Me nje qe ka qene pro-perendimor qe ne kohen e Titos. Nje akademik qe edhe Titoja s`i beri dot gje po vajti i mori pashaporten qe te mos dilte dot jashte. Nje akademik qe eshte shkrimtar, kritik dhe eseist shume here me i fuqishem se Kadareja.
Dhe tani ne konferencen e fundit letrare qe u mbajt ne Kosove perseriti historine e dhelpres me rrushte. Nuk gjeti budallallek tjeter po tha "S`du, kom pune".
 

OROSHI

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Tani o Jymi e menderose fare!

Se sa ka qene Qosja armik i regjimit serb nuk mund ta thuash as ti e as une!Jane ca bashkmoshatare te tij qe vertetojne te kunderten!
Persa i perket Trebeshines,mos u kreno shume me ate,sepse sapo doli nga Shqiperia,mohoi qe te kete gjak shqiptar ne deje!
Se sa e mire ka qene Italia apo Austria,kete e verteton vete exzistenca e shtetit Shqiptar!

Persa i perket historise se mirditasve,eshte icike e ngaterruar-e para,duke qene te rrethuar nga bashkekombas besethyer/fethyer(flasim gjithmone duke iu pershtat kohes se atehershme)jane mundu te mbijetojne nga marrveshje laramane,si me turqit ashtu edhe me te tjeret(italianet,serbet,austriaket etj)!

Mendoj qe Kadareja eshte nje nder shqiptaret e rralle qe ne duhet te krenohemi qe e kemi!
 
Top