Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin?

Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin?

Një esse mbi identitetin shqiptar nga Ismail Kadare

Sprovë

1

Në shkurt të vitit 2006, kryekomisioneri i Këshillit të Evropës, Baroso, fluturoi me avion për në Tiranë, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Shqipërisë së vogël me kontinentin e madh evropian.
Disa vite më parë fjala “marrëveshje” e përdorur për Evropën, do të ishte fatale në Shqipëri, madje aq fort, saqë do të çonte në burg ose në pushkatim cilindo. Për Evropën ishte e përshtatshme vetëm një fjalë, ajo e kundërta me marrëveshjen, pra “mosmarrëveshja”. Mosmarrëveshje e plotë, e palodhshme, e përjetshme.
Ky ishte urdhri numër një i kohës. Programi i pandryshueshëm komunist. Thënë ndryshe: verdikti kundër Shqipërisë.
Në dhjetor të vitit 1990, ky verdikt u shkel me këmbë e u thye. Fjalët “e duam Shqipërinë si Evropa”, ishin të parat që gjëmuan në trajtën e një himni, e një programi të ri. E bashkë me to, disa javë më pas, shtatorja e njeriut më antievropian që kishte njohur ky vend, u thye e u zvarrit gjithashtu.
Që nga ajo kohë Evropa, më saktë Evropa atlantike nuk pushoi së qeni xanxa kryesore për shqiptarët.
Më 1997, kur për turpin tonë, shteti shqiptar ra, ishte Evropa që na u gjend në fatkeqësi. S’na erdhi ashtu siç e kishim pritur: me viza, para dhe, Zoti e di çfarë, por me armë dhe topa, për të na pajtuar me njëri-tjetrin. Përpara se Evropa me NATO-n të merrnin këtë vendim të madh, disa herë u ngrit dyshimi se mos shqiptarët e ndërkryer, ashtu të armatosur siç ishin, të qëllonin trupat ndërhyrëse.
Për fat të mirë, kjo nuk ndodhi. Midis marrëzisë, populli shqiptar e bëri së paku një gjë të mençur. Në vendin ku mosprekja e kufirit prej çizmes së ushtarit të huaj, ishte kthyer në mit, asnjë armë, qoftë edhe për zakon, nuk u shkreh kundër ushtrisë euroatlantike. Ishte hera e parë që në historinë shqiptare ndodhte një gjë e tillë. Ajo ishte një dëshmi e madhe: dëshmi prekëse, se atë ushtri që po zbarkonte nga deti dhe nga ajri, shqiptarët e quajtën si të tyren.
Vetvetishëm midis kaosit, pa retorikë integruese, pa u shtyrë prej askujt, shqiptarët treguan qartë se ndiheshin evropianë. Ata nënshkruan kështu një akt monumental: rigjetjen e Evropës së humbur.
Dy vite më pas, si një përgjigje e mirëkuptimit, ndodhi e pabesueshmja. E njëjta ushtri euroatlantike, me avionë, raketa e bombardime, ndërhyri për çlirimin e Shqipërisë së jashtme, Kosovës.
U duk sikur kontinenti mëmë, i penduar për harresën e gjatë, po kujtohej më në fund për popullin e braktisur.


2

Nëse marrëdhëniet e Evropës me më trillanin e tre gadishujve të saj jugorë, Ballkanin, mund të thuhej se ishin kundërthënëse, ato me shtetin e vogël shqiptar, e kapërcenin çdo përfytyrim.
Përpara se të kujtojmë tepër shkurt kronikën historike, le të sjellim ndër mend vitet e tranzicionit, ato që i mbajnë mend të gjithë.
Fill pas dehjes së parë për Evropën, madje mu midis dalldisjes për të, nuk u bë e qartë asnjëherë se çfarë e shtyu qeverinë e parë demokratike të bënte një lëvizje kundërthënëse. Krejt si një shpend i verbër, një dërgatë shqiptare fluturoi me avion për në Xhedal, fluturim pas të cilit Shqipëria u gdhi në Ligën Islamike.
Opozita e majtë bëri njëfarë zhurme, kundërshtuese, që u quajt me të drejtë e pasinqertë, ngaqë kur ajo vetë erdhi në pushtet, nuk bëri asgjë për ta rishqyrtuar anëtarësimin ende të paratifikuar në Parlament. Kjo u shpjegua dymënyrash. E para, se opozitës, së akuzuar, për shkak të liderëve të saj, si grekofile, i interesonte një ngjyrim i tejshquar islamik për t’u mjegulluar filogreqizmi i saj. E dyta, hotelet e shtrenjta të Dubait, të shoqëruar, ndoshta, nga dhurata të shtrenjta, ishin mjaft joshëse gjithashtu për të majtën.
Kur u duk se, pas kësaj turbullire, njëfarë konsensusi u arrit midis dy krahëve kryesorë politikë, të djathtës dhe të majtës, lidhur me Evropën, kur u duk se u kapërcye disi edhe xhelozia e secilës palë, që futjen në Evropë ta kryente ajo e kurrsesi pala tjetër; shkurt, kur u duk më në fund se dritëza e shumëpritur në anën tjetër të tunelit po shfaqej, në vend të kthjellimit të strategjisë politike shqiptare, ca re të zeza e mbuluan horizontin.
Ishin ca hamendje përherë e më shqetësuese, ca si mëdyshje kinse filozofike, kinse hamletiane: jemi apo s’jemi evropianë. Të jemi a të mos jemi të tillë. Është Shqipëria Evropë, a s’është Evropë. Është Lindje a Perëndim. Është më shumë Perëndim se Lindje. Është më shumë myslimane se e krishtere. Është edhe ashtu edhe kështu. S’është as ashtu, as kështu etj., etj.
U dukën si përçartje komike në fillim. Ndërkaq, hamendjet e hamletizmat sa vente shtoheshin. Le ta themi më mirë haptas atë që kemi fshehur. Përse të hiqemi ata që s’jemi? Përse, hiqemi si evropianë, kur dihet që s’jemi të tillë? Shkurt, përse të na vijë turp nga identiteti ynë joevropian?
Sa më shumë që nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Evropën afrohej, aq më fort ndiheshin murmurimat. Sa më shumë që afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera, besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale, aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mish i huaj, pra i padashur, për Evropën.
S’ishte mbushur as java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionerit evropian Baroso, ishte ulur në aeroportin e Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u shfaqën madje edhe atje ku priteshin më pak, si për shembull, në ndonjë deklarim të akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja. Thelbi i shkrimit të tij “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, është përpjekje për të treguar se shqiptarët vetëm përgjysmë i përkasin qytetërimit evropian. Sipas Qosjes shqiptarët s’kanë pse të shtiren si evropianë, ngaqë ata “i takojnë qytetërimit islamik hiç më pak se qytetërimit të krishterë”.
I turbullt, i cekët dhe i pasaktë, akademiku bie në kundërshtim me veten dhe shkrimet e tij të mëparshme ku ai me të drejtë, ka qenë ithtar i vendosur i tezës se atdheu është një, e fetë janë tri, pra, nuk janë fetë ato që kushtëzojnë identitetin por tjetër gjë. E megjithatë, kur vjen puna për të vërtetuar evropianizmin e munguar shqiptar, Qosja përdor pikërisht fjalët “islamik” dhe “i krishterë” thua se një shqiptar i krishterë mund të jetë evropian, por një shqiptar mysliman, kurrsesi!
Por keqkuptimet në shkrimin e Qosjes nuk janë vetëm këto. Përveç nervozizmit të papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar, nervozizëm që nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënë Terezës në institucionet e Kosovës, në këto shkrime spikat diçka e errët dhe e rrezikshme: ndarja e identitetit shqiptar.
Muzika ngjan si e njohur.
Askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se një identitet i ndarë është një komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa.
Ky nuk është as përfundim teorik e as filozofik. Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë në libra e ka ndier në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë.
Këto shpërngulje nuk ranë si rrufe në qiell të pastër. Ato ishin përgatitur për një kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadistë, nga akademikë të zinj si Vasa Çubrulloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej etheve shoviniste.
Në këtë përgatitje, po ta hulumtosh tani do të gjesh paradigmat e vjetra: Njëra prej tyre është identiteti joevropian i shqiptarëve. Shqiptarët, turq të ardhur nga Anadolli. Shqiptarët, myslimanë, mish i huaj për Evropën e krishtere. Shqiptarët, rrezik për qytetërimin evropian. Shqiptarët duhen mbajtur të tkurrur, të thyer në mes. Na lini ne ta bëjmë këtë punë.
Gjithë strategjia e Millosheviçit për të marrë dritën jeshile nga Evropa për zhbërjen e së paku gjysmës së kombit shqiptar, atij “që s’kishte identitet evropian”, domethënë të shqiptarëve më besim mysliman, bazohej në besimin e tij të verbër se Evropa do të binte në këtë kurth gjenocidar.
Ne e dimë ç’ndodhi. Evropa dhe SHBA-ja nuk ranë në kurth dhe kjo është një nga aktet më të ndritshme të qytetërimit perëndimor.

3

Përpara se t’i kthehemi tezave për identitetin e përgjysmuar shqiptar, le të hamendësojmë një çast se ndoshta mbrojtësit e tyre kanë të drejtë. Me fjalë të tjera të shtrojmë pyetjen se mos vallë gjithë këto vite, madje disa shekuj me radhë nuk e paskëshim ditur ç’kemi qenë? Ose e kemi ditur gabim? Mos na kanë gënjyer poetët, nga De Rada te Naim Frashëri, që të kujtojmë se jemi ata që s’jemi? Dhe prapë mund të vazhdonim. Mos vallë më 1990, kemi lëshuar britmën e gabuar “E duam Shqipërinë si Evropa?” Mos vallë ajo duhej të ishte: “E duam si Evropa, por e duam edhe si Azia”, ose “Hiç më pak se Azia?” Shkurt mos jemi ata që s’jemi?
E gjithë kjo nuk është aspak për të qeshur. Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla, ato kërkojnë një përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të tilla parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s’ka nevojë as për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese.
Letrat e Shqipërisë janë të qarta.
Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë.
Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”.
Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve. Historia e Shqipërisë, ashtu si e gjithë gadishullit, gjer në pushtimin otoman, është pjesë e kronikës mesdhetare evropiane. Së paku tri qytete kryesore të saj, me jetë të pandërprerë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën. Lidhjet ekonomike e ushtarake, ligjet rregulluese (statutet) e qyteteve, të rrugëve e porteve detarë janë të një natyre me ato të kontinentit. Gjurmët arkeologjike greko-iliro-romake, teatro e amfiteatro gjenden gjithashtu kudo. Historia e mesjetës shqiptare sipas veprës monumentale të Milan Shuflait, jepet në një tablo të plotë me principatat, kryezotët, aleancat, krushqitë e natyrisht grindjet e pashembullta, tradita e të cilave ka mbërritur e pazbehur aspak gjer në ditët tona.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, përmendja e të cilit ishte e ndaluar në Shqipëri për pesë shekuj, për shkak të sundimit otoman, u bë së pari një mit evropian, (mbi një mijë vepra historike e artistike, të shkruara për të), përpara se Evropa t’ia rikthente Shqipërisë në shekullin XX.
Letërsia e hershme shqipe, letërsi dygjuhëshe, shqip e latinisht, si në shumicën e vendeve evropiane, u zhvillua në të njëjtin nivel për gati tre shekuj. Emra të mëdhenj të saj si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani i botonin veprat e tyre dygjuhëshe në kryeqendrat kulturore evropiane, për t’i sjellë fshehtazi në Shqipëri, ku shkrimi dhe shtypshkrimi shqip ishin të ndaluara.
Në kushtet dramatike të ndalimit, më 1908, një komision i kryesuar nga Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri, me shpalljen e alfabetit latin si alfabet zyrtar të shqiptarëve, dhanë një kumt të qartë të evropianizmit shqiptar. Kjo ndodhte në prag të agut, pas një nate të gjatë pesëshekullore, kur mendjet ishin ende të turbullta, dhe alfabeti latin në Ballkan ishte tepër i rrallë.
Me këtë mall tragjik për Evropën e humbur, Shqipëria mbërriti në vitin 1912, vit i lirisë së saj. Më 28 nëntor u shpall pavarësia, dhe nga zgafellat e kombit u nxor flamuri i moçëm mbretëror me shkabë dykrenore, një nga emblemat e mëdha, e cila, prej botës romako-bizantine i kishte kaluar Evropës e kishte zënë vend në qendër të heraldikës së saj. Kontinenti nënë, në një vrull fisnikërie ua njohu atë shenjë shqiptarëve. Por gjestet e Evropës do të ishin më pas tepër të kursyera për ta.


4

Ishte e natyrshme që krahas kësaj historie filoevropiane, e kundërta e saj do të rrugëtonte paralelisht me të: kundërevropianizmi. Ai ishte i pashmangshëm sidomos gjatë pushtimit pesëshekullor osman. Programi kryesor i perandorisë, misioni i saj i shpallur ishte pushtimi dhe shkatërrimi i Evropës mbarë. Merrej me mend se sa e egër do të ishte kjo perandori me trojet e porsapushtuara të kontinentit armik.
Dhe egërsia nuk vonoi. Pas nënshtrimit fizik nisi ai shpirtëror. U lanë në këmbë kishat, por u ndaluan shkollat dhe gjuha e shkruar. Me sa duket qysh atëherë u kuptua se kishat, duke qenë dyllojëshe, katolike dhe ortodokse, ishin më pak të rrezikshme se gjuha, e cila ishte një. Shumë shpejt një besim i ri, do t’u shtohej të parëve, feja myslimane me xhamitë e saj. Por gjuha do të ishte prapë një, ashtu siç ishte identiteti i popullit.
Ky i fundit, qysh atëherë, natyrshëm e zuri vendin e vet mbi tre besimet kryesore të shqiptarëve. Qëllonte që brenda një familjeje të gjëllinin përbri besimi katolik dhe mysliman, të ndarë midis vëllezërve. Nisur nga kjo, s’duhej ndonjë filozofi për të kuptuar se fetë mund të ishin të ndryshme, por identiteti, ashtu si lidhja gjinore, mbetej gjithmonë një. Kishim pasur një atdhe për të tre besimet dhe kjo s’do të ndryshonte, dhe kjo s’mund të ndryshonte kurrë.
Nostalgjikët e sotëm të perandorisë otomane duket se e kanë harruar ç’ka ndodhur në atë kohë. Edhe sikur shtypje e plojë të tmerrshme të mos kishte pasur, do të mjaftonte tragjedia e ndalimit të shkollave për disa shekuj rresht, për të kapur përmasat e së keqes.
Shqipëria, ashtu si gjithë vendet e gadishullit, u dëmtua rëndë. U dëmtua e u tret trupi i saj, por po aq i lemerishëm ishte gjymtimi i trurit nga terri i gjatë i padijes. E veç kësaj ndërprerjeje ogurzezë do të mjaftonte të kujtonim nxënësit dhe mësuesit e masakruar, kur kapeshin duke mësuar shkrim e këndim, në bodrumet e fshehta, për të kuptuar se përse gjuha shqipe u ngrit më pas në statusin e martirit dhe përse zuri vendin e një tempulli.
Lufta për zbehjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimi me atë otoman, ishte e lodhshme dhe e përditshme. Perandoria, ashtu si kudo në Ballkan, u përpoq të krijonte të tjera zakone, stil, vese, arkitekturë, veshje, muzikë dhe letërsi. Diku ia dilte e diku kurrsesi. Letërsia e bejtexhinjve, për shembull, njëfarë brumi i përzier shqiptaro-turk, u thye përfundimisht, si një sajesë prej qerpiçi prej murit hijerëndë e monumental, ndonëse të ftohtë, të traditës së letërsisë dygjuhëshe shqiptaro-latine.
Gjatë kohës së komunizmit u bënë shumë përpjekje për ta rehabilituar këtë letërsi, me qëllimin meskin për t’ia kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos asaj katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi. Mirëpo kur studiuesit e morën nëpër duar, e panë se përveç që ishte qesharake për nga niveli, ajo ishte thellësisht e pamoralshme.
E paraqitur kinse si letërsi me probleme shoqërore-klasore e erotike (me gjasme tepër e guximshme për kohën), u pa se si ana shoqërore, si ajo erotike, ishin tepër të dyshimta. Kjo e fundit, për shembull, s’ishte aspak erotizëm normal, por i mbushur me motive ashikësh e dylberësh. Gjer këtu edhe mund të pranohej, madje mund të quhej tepër e përparuar, për të mos thënë që Shqipëria mund ta paraqiste sot si dëshmi të habitshme të vizionit të saj të emancipuar për homoseksualizmin, dy shekuj përpara Evropës së sotme!
Por kjo punë ishte më e ndërlikuar. E ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. Ne i dëgjojmë këto këngë ende sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh ç’thonë. Ato gjëmojnë disa herë nëpër lokalet e natës, madje, në programet televizive, e ne prapë shtiremi se nuk i kuptojmë.
Mjafton njëfarë përqendrimi në këto tekste e këto melodi, mjaftojnë dëshmitë e shkruara të kohës, për të kuptuar se cili është thelbi i kësaj nënkulture, të futur kontrabandë, nën pasaportën e artit popullor. “Çunat e vegjël”, adoleshentët, dylberë me shallvare mëndafshi e vetulla të hequra, nga njëra anë dhe ashikët e moshuar, “lalët” me mustaqe, që psherëtinin të dergjur për ta, nga ana tjetër, ishin personazhet kryesore të këtyre idileve të neveritshme.
Ende nuk dihet nga kishte buisur kjo kundërkulturë, që jo vetëm me shqiptarët, por me asnjë popull ballkanas s’kishte lidhje. Në thelb ajo bartte brenda saj një program të fshehur zhburrërimi e zvetënimi moral të pashembullt. Nuk duheshin veç disa breza “çunash” e “lalësh” të tillë që jo liria, por vetë ideja e lirisë të perëndonte përgjithmonë.
Kundër kësaj lyre që s’dije ç’emër t’i vije, u ngrit Rilindja Kombëtare Shqiptare. Me programin e saj të qartë evropianist, me kthjelltësinë e mendimit, strategjinë burrërore dhe idetë iluministe, ajo e mënjanoi si një rreckë atë kinse kulturë që po rrihte t’i zinte frymën Shqipërisë.
Pas tërheqjes së shtetit osman nga gadishulli, lufta midis identitetit të lodhur shqiptar dhe këtij kinse identiteti lëngaraq, u duk se do të përfundonte shpejt. Ky i fundit s’e kishte më përkrahjen e shtetit pushtues, kurse identiteti shqiptar, si një luan i zgjidhur nga zinxhiri, dukej se mund të fshinte çdo pengesë që do t’i dilte përpara.
Por nuk ndodhi ashtu.
Fill pas ardhjes së mbretit gjerman Vilhelm Vidit, i dërguari protestant i Evropës, në vendin me tri fe, rebelimi i Haxhi Qamilit ishte një ogur i keq. I nisur si mllef kundërevropian ai përfundoi në tërbim antishqiptar. Nën daullet dhe klithmat “Dum Babën!”, që do të thoshte, as më pak as më shumë: “Duam robërinë!” hordhitë e haxhiqamilistëve digjnin flamurin shqiptar, mbyllnin shkollat shqipe, masakronin nxënës e mësues, si dikur.
Ky rebelim egërshan u shfaq kështu befas si krah i armatosur i asaj dergjjeje të përgjumur shallvaresh e psherëtimash, që shqiptarët nuk e kishin marrë seriozisht.


5

Nga burrat e shtetit, mbreti Zog ishte një ndër ata që më së shumti u shqetësua nga një përsëritje e mundshme e haxhiqamilizimit. Përpjekjet e tij, shpeshherë të dëshpëruara, për një shtet shqiptar evropian, binin ndesh me fytyrën reale të Shqipërisë. Shqipëria ishte e vonuar. E përveç vonesës, ajo kishte një pengesë tjetër. Ndërsa në vendet e tjera feja zotëruese e krishtere ndihmonte për ndarjen nga tradita otomane, në Shqipëri, ajo traditë mund të strehohej pikërisht pas fesë zotëruese, myslimanizmit. (Parazitë të shumtë do t’i ngjiteshin kësaj feje, sidomos në shekullin e njëzetë, duke përfshirë edhe të fundit, atë më të rrezikshmin, terrorizmin.) Por jemi ende në fillim të shekullit.
Faik Konica, qysh pa u përmbysur perandoria, u drejtoi një thirrje “muhamedanëve shqiptarë”. Thirrja ishte profetike: otomanët po rrëzoheshin, ç’do të bënin myslimanët shqiptarë?
Konica dhe gjithë mendjet e ndritura të kohës e kuptonin se çështja e myslimanizmit shqiptar, ishte në të vërtetë çështja e ekzistencës së Shqipërisë. Vetëm me të krishterët Shqipëria nuk mund të bëhej. Ndaj programi i një Shqipërie evropiane, ishte i pandarë nga ai i një myslimanizmi kombëtar e njëherësh evropian.
Shqiptarët ishin familjarizuar ndërkaq me idenë se identiteti shqiptar, duke qenë një, qëndronte vetvetiu mbi të tre besimet e tyre. Të tre ata ishin njëlloj të ligjshëm dhe çdo fryrje e njërit në dëmtim të tjetrit, do ta prishte drejtpeshimin historik. Pra do të kishte tre përbërës të një identiteti dhe jo një identitet i ndarë më tresh.
Natyrisht që kjo çështje e zgjidhur parimisht e filozofikisht, gjatë kohës kur ende Shqipëria nuk ekzistonte si shtet më vete, paraqitej më e ndërlikuar në kushtet e pavarësisë. Mbreti Zog, i cili u ndesh me të, do ta kuptonte se një shtet shqiptar në Evropë nuk mund të mbahej në këmbë jashtë zakoneve të kontinentit: aleancave, traktateve e gjeostrategjisë, me fjalë të tjera, jashtë kushtëzimit evropian. Për ta përshtatur vendin me këto zakone të reja, ai e quajti të ngutshme nxjerrjen e ligjeve dhe dekreteve që rregullonin marrëdhëniet e të tre besimeve me shtetin. Merrej me mend që një vend të rëndësishëm do të zinin çështjet e besimit mysliman. Ndër to, kryesorja ishte ndarja e tij me çmërsin e shtetit të perënduar osman. Kështu ai nxori dekrete që disa herë u dukën tejet të guximshme e të parakohshme, si ai për ndalimin e qylafit turk për burrat, ose të ferexhesë për gratë. Dekreti i tij më befasues ishte ai i ndryshimit të lutjes në gjunjë. Duke u nisur nga një nyje e Kanunit të moçëm, që ndalonte rreptësisht rënien në gjunjë të burrave, e që një burrë të gjunjëzuar e quante të vdekur moralisht, mbreti, nëpërmjet Bashkësisë Islame, urdhëroi myslimanët shqiptarë të faleshin këndej e tutje pa e ulur dinjitetin shqiptar, domethënë në këmbë!
Dhe ashtu u bë. Mund të dukej se mbreti Zog, në përpjekje për krijimin e “myslimanit evropian”, po kryente ca bëma që mund të dukeshin donkishoteske. Por s’ishte fare ashtu. Në të njëjtën kohë afërsisht, sado e habitshme të dukej, në Turqi, në bërthamën e ish-perandorisë së rroposur, po përparonte ideja e një “Turqie evropiane”.
Po vërtetohej ideja e rilindësve se myslimanizmi shqiptar nuk do të ishte pengesë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Evropës.
Ndërkaq, në hapësirën shqiptare, që kishte mbetur jashtë kufijve shtetërorë, po ndodhte një zhdrivillim i kundërt. Rrethet shoviniste në vendet fqinje, kryesisht në Jugosllavi, e kuptuan shumë shpejt se mund ta shfrytëzonin myslimanizmin kundër identitetit shqiptar. Si vende të krishtera që ishin, do të ngjante e logjikshme që ato të përpiqeshin të dobësonin myslimanizmin te shqiptarët. Por, për një paradoks të madh, ato bënë të kundërtën. Dukej qartë se ajo që i shqetësonte ata nuk ishte myslimanizmi, por identiteti shqiptar. Ndaj në mënyrë të ethshme shpresonin që me anë të fesë t’i merrnin frymën identitetit.
Strategjia e tyre ishte afatgjatë. Sa më shumë që shqiptarët të ngjanin jo si shqiptarë me besime të ndryshme, por thjesht si myslimanë pa komb, aq më të huaj do të dukeshin në sytë e Evropës. Dhe kështu, Evropa, e mësuar me zakonin e mbrapshtë që popujt myslimanë t’i përftonte më lehtë si koloni, se sa si popuj sovranë, të tillë do t’i përftonte dhe shqiptarët, gjersa t’i harronte.
Shqipëria zyrtare ndërkaq ishte pengesë për këtë harrim. Mbreti Zog sikur ta ndiente të keqen, vazhdonte me dëshpërim evropianizmin e ngutshëm të vendit. Por një ngjarje e beftë do të ndërlikonte gjithçka: pushtimi italian.
Nga dëshpërimi dhe zia si një ngushëllim i papritur do të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Por hareja për këtë s’do të vazhdonte gjatë. Pushtimin fashist do ta zëvendësonte diktatura komuniste, më saktë një diktaturë dyfishe; shqiptare dhe serbe, e para mbi vendin amë, e dyta mbi Kosovën.
Procesi i evropianizimit jo vetëm u ndërpre, por urrejtja kundër Evropës, u bë baza e strategjisë komuniste. Kjo urrejtje ishte dhurata më e çmuar që komunizmi shqiptar u bëri jugosllavëve. Shqipëria u nda përsëri nga Evropa, këtë herë edhe më tragjikisht.
Më 1947-ën, Enver Hoxha, të vetmen “sprovë historike” që shkroi ia kushtoi himnizimit të Haxhi Qamilit. Urrejtja kundërevropiane u shkri me atë kundërshqiptare si trupi me hijen e vet.
Ëndrra jugosllave po njëmendësohej nëpërmjet Enver Hoxhës. Dhe ndodhi ajo që pritej, Evropa e harroi Shqipërinë.
Me duar të lira tashmë, jugosllavët iu turrën identitetit shqiptar.


6

Rretheve shoviniste në Jugosllavi dukej se iu erdhi dita. Armiqësimi i Shqipërisë komuniste me Evropën ishte argumenti më i mirë për ta, për t’i paraqitur edhe shqiptarët e Jugosllavisë si kundërevropianë.
Thelbi i strategjisë jugosllave mbetej i pandryshuar: të tkurrej, të shkonte drejt tretjes shtati i këtij populli, që edhe pa këtë, ishte mpakur pa pushim. Ai nuk po e kapërcente dot shifrën fatale, një milion, në kohën që popujt e tjerë ishin katërfishuar e disa herë tetëfishuar.
Pra, thelbi mbetej statusi i gjymtuar i Shqipërisë. Njëfarë gjenocidi i ftohtë, i vazhdueshëm. Pyetja, a ka shqiptarë normalë, thënë ndryshe shqiptarë që ishin vërtet shqiptarë, kishte përgjigje mohuese. Nga jugu, nga rrethet shoviniste greke vinte ideja e mbrapshtë se ortodoksët në Ballkan, përveç sllavëve, ishin të gjithë grekë, pra rrjedhimisht nuk kishte, madje nuk mund të kishte shqiptarë ortodoksë. Ata që hiqeshin të tillë, nuk ishin veç grekë, që rastësisht kishin mbetur brenda kufijve të Shqipërisë dhe që flisnin gjuhën shqipe, natyrisht përkohësisht!
Të dehur nga kjo ide, jugosllavët po josheshin nga një neps edhe më i madh: t’i shkëputnin kombit të vjetër, një copë më të madhe: myslimanët. Ndryshe nga mënyra greke, që kujtonin se marrëzinë e tyre mund ta arrinin me ca shpallje e ca mallkime shkronjash, si dikur, sllavët e kuptonin se procesi do të ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Meqenëse s’dukej asnjë shpresë se shqiptarët do ta zëvendësonin identitetin e tyre me atë sllav, e vetmja mënyrë mbetej ajo e tërthorta, përdorimi i një identiteti të tretë.
Pas heqjes së ortodoksëve dhe myslimanëve, trupit skeletik të kombit, nuk do t’i mbetej veçse pakica katolike, e vetmja për të cilën ndonjë fqinj tjetër, ta zëmë Italia, nuk po tregonte ndonjë padurim gllabërimi. Por pakicës, sado rrënjëse të ishte do t’i gjendej zgjidhja. E bashkë me të do të përfundonte kështu problemi shqiptar.
Për të njëmendësuar ëndrrën e tyre makabre, jugosllavët kishin nevojë për përvojën otomane. Kështu qysh në vitet ’50, ata filluan programin e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve drejt Turqisë. E bënë këtë si një test në sytë e Evropës dhe të kampit socialist, pa u shqetësuar prej askujt, madje as prej atij që hiqej si miku i shqiptarëve e që në të vërtetë ishte armiku i tyre më i madh, Stalinit.
Zëvendësimi i gjuhës shqipe prej turqishtes po nxitej edhe më fort, e bashkë me të, pakësimi i shkollave për shqiptarët. Politika e vjetër osmane: mjaft i keni xhamitë, s’ju duhen shkollat, po përparonte si në ethe. Krahas gjuhës, i gjithë ngjyrimi kombëtar po zbehej me shpejtësi. Muzika po orientalizohej më fort se më parë, veshjet e famshme tradicionale, ato që edhe gjatë periudhës së gjatë otomane ishin ruajtur, po zëvendësoheshin, jo prej veshjeve të kohës si kudo, por me petka arabe që nuk ishin njohur kurrë në këtë vend.
Jugosllavia, kjo primadonë e “botës së tretë”, po i ofronte kësaj bote popullsinë më të padëshiruar të saj, shqiptarët. Ajo përpiqej që këta të ngjanin sa më pak evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë. Kështu, kur të vinte çasti fatal, që ajo e përgatiti me aq kujdes, t’i thoshte Evropës, se ajo nuk po zhbënte një popull normal të këtij kontinenti, por një nënpopull.
E gjithë kjo ethe shkombëtarizimi shoqërohej nga propaganda për rrezikun e krijimit të një pyke të myslimanizmit në brinjët e Evropës. Parashikoheshin skenarë ogurzinj me trekëndësha islamikë, me qendra terroriste, fundamentaliste, me xhihad version ballkanik etj., etj.
E gjithë kjo në pritje të çastit fatal, kur rebelimi shqiptar do të shpërthente. Ai rebelim do të paraqitej si luftë për islamin, e jo si luftë për liri. Si luftë kundër krishterimit serb e jo kundër krimit serb. Shkurt, si luftë kundër qytetërimit evropian, në emër të një tjetër qytetërimi.
Nuk ishte e lehtë për shqiptarët e Kosovës t’u shmangeshin këtyre kurtheve. Por ata ia dolën dhe kjo ishte një meritë e tyre e jashtëzakonshme. Ata i treguan gjithë botës se luftonin në radhë të parë për liri. Dhe prapë për liri. Ata i treguan Evropës se s’kishin asgjë kundër krishterimit serb, e aq më pak atij evropian, ngaqë krishterimi ishte gjithashtu besim i tyre, vëllam i vjetër i myslimanizmit, madje krishterimi shqiptar ishte më i moçëm se ai sllav.
Në çaste të vështira, popujve u ndriçohet mendja në mënyrë të ethshme. Një shekull më parë, në ag të shkëputjes nga osmanët, Rilindja Shqiptare e flakëroi mendimin shqiptar, duke hedhur idenë e harmonisë fetare në interes të lirisë e të kombit. Një shekull më pas, kundër propagandës serbe që këmbëngulte t’i jepte shqiptarët si turq apo aziatikë të ardhur vonë në Ballkan, dhjetëra-mijëra të rinj myslimanë shqiptarë më 1981-shin e 1991-shin, kërkuan rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar, aspak për arsye fetare, por thjesht për të treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve.
Gjëmimi i bombave sipër Jugosllavisë ishte njëkohësisht një lajm i madh. Një lajm nga ata që i vinin Shqipërisë një herë në një mijë vite, e Evropës vetë, një herë në shekull. Ishte lufta e parë e Aleancës Atlantike, e njëkohësisht e para luftë për shkaqe morale, në kontinent. Dhe s’ishte vetëm kaq. Ishte hera e parë që koalicioni i madh euroatlantik, që identifikohej së shumti si krahu i armatosur i qytetërimit të krishterë perëndimor, kishte hyrë në luftë për mbrojtjen e një populli me shumicë myslimane, kundër një tjetri që kërkonte të përligjte krimin pas kryqit. Evropa dhe SHBA-ja nuk i kërkuan popullit shqiptar as ndërrim feje dhe asgjë tjetër të kësaj natyre. E mbrojtën ashtu siç ishte, shqiptar në radhë të parë, trefetarësh pastaj. Me këtë luftë, që ndiqej ditë pas dite e orë pas ore nga mbarë planeti tokësor, Evropa atlantike po emanciponte, veç të tjerash, vetveten.
Të gjendur befas në qendër të historisë evropiane, a mund të thuhet se shqiptarët i kapën përmasat e asaj që po ndodhte?
Vështirë të thuash “jo”, por po aq vështirë të thuash “po”.


7

Në kohën e tanishme, viti 2006, çështja e raporteve të shqiptarëve me kontinentin nënë, është ende në zhvillim e sipër. Të ndërgjegjshëm për një pjesë të gjërave, shqiptarët paraqiten po aq të pandërgjegjshëm për të tjerat.
S’është fjala vetëm për mosmirënjohjen që shfaqet aty-këtu. Për qirinjtë e shuar fill pas kapërcimit të tmerrit dhe për nervozizmin kundër katedrales, që askush nuk ua kërkoi si shpërblim për asgjë. E bashkë me katedralen, murmurima e panjerëzishme kundër Rugovës të porsaikur, që me funeralin e tij i bëri një shërbim të fundit Kosovës. (Ka gjasë që prania e fuqishme evropiane në këtë mort të ketë rizgjuar ca demonë të vjetër.)
Është folur shpesh për atë pjesë të Shqipërisë që, ndonëse s’guxon të dalë haptas, është kundër Evropës. Është folur për mafien dhe krimin e organizuar, që duke mos njohur komb e atdhe, s’kanë si të çajnë kryet për to. Është folur për politikanë të korruptuar, që ashtu si mafia tmerrohen nga ligjet e demokracisë e nga standardet e Ballkanit evropian. Është folur për fjalimet antiamerikane në parlamentin shqiptar më 1997-ën, që kanë shkaktuar, me siguri, lot nostalgjikë, në sytë e stalinistëve shqiptarë. Janë të njohura udhëtimet gjysmë të fshehta të politikanëve shqiptarë të të dy krahëve, në vende, disa herë të cilësuara si terroriste, me qeveri të dyshimta, që s’i duan as popujt e vet, e me të cilat s’na lidh asgjë.
Të gjitha këto dihen. E keqja është se kujtesa e politikës shqiptare është e shkurtër dhe, veç kësaj, disa nga politikanët tanë, dinakërinë e tyre e kujtojnë për zgjuarsi.
Është e kuptueshme që dhe haxhiqamilizmi dhe komunizmi shqiptar do të linin pas vetes një frymë të sëmurë kundërevropiane. Është e kuptueshme që shumë njerëz do të ndihen keq në familjen e sotme të popujve.
Problemi i mirëkuptimit ose moskuptimit shqiptar me kontinentin, është në thelb mirëkuptimi ose moskuptimi me vetveten.
Raportet me Evropën s’mund të jenë veçse të qarta e pa dyfytyrësi. Mesazhi i Evropës më 1997-ën dhe 1999-ën, ishte i qartë. Ajo na quante të vetët ashtu siç ishim, me atë identitet që kishim. E vetmja kërkesë e saj ishte ajo që iu bë gjithë popujve të tjerë të ish-Lindjes komuniste: emancipimi, demokracia.
Trillet, nazet dhe dyshimet nuk janë pa një burim. Një pjesë vijnë nga keqkuptimet tona të vjetra, një pjesë nga dredhitë e sotme. Ende disa vite më parë ishin të kuptueshme. Por në pranverë të këtij viti, ato janë të tepërta.
Pengesat që s’na lënë, ose na duket se s’na lënë, t’i afrohemi Evropës, përpara se t’i kërkojmë jashtë, duhet t’i kërkojmë brenda nesh. Nuk është pengesë asnjëra nga fetë, e sidomos nuk është myslimanizmi ndaj të cilit dyshimi ngjan më i lehtë.
Është thënë me të drejtë se të tri besimet janë të barasligjshëm në Shqipëri. Duke mos qenë pengesë asnjëri, po aq mund të thuhet se asnjëri s’është lokomotivë që na tërheq drejt Evropës. Në pengojnë, ata pengojnë të tre bashkë, e, në tërheqin, këtë e bëjnë të tre njëlloj.
Një shqiptar mysliman, është po aq i natyrshëm si shqiptar dhe si evropian, sa një katolik, e po aq sa një ortodoks.
Në acarimet e shpesh në përpjekjet me turqit osmanë, shqiptarët myslimanë ishin në vijën e parë. Feja e njëjtë me pushtuesin, nuk ua mjegulloi idenë e lirisë. Bilbilenjtë, ata që në mënyrë aq të padenjë u përgojuan në Kuvendin shqiptar më 2006-ën, ishin një nga familjet martire, 13 djem oficerë të së cilës u varën brenda ditës nga pushtuesi me të njëjtën fé.
E njëjta gjë ka ndodhur me shqiptarët ortodoksë. Martirët e vijës së parë kundër trysnisë mizore të shovinizmit fqinj, ishin pikërisht ata. Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj që feja e njëjtë me kundërshtarin nuk ua zbehu për asnjë çast idenë e lirisë.
Rexhep Qosja ka të drejtë kur thotë se nëse shqiptarët do të kishin ruajtur besimin fillestar, rikthimi i tyre në Evropë do të kishte qenë më i lehtë. Por kjo keqardhje e tij, nëse mund ta quanim kështu, bie ndesh me këmbënguljen se gjysma jonë i përket ndërkaq qytetërimit lindor. Me këtë pranohet ngadhënjimi i vonuar i shtetit osman. Me këtë pranohet se në gjithë gadishullin ballkanik i vetmi popull që u thye, qoftë edhe përgjysmë, ishim ne.
Në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë, ne do të ishim të detyruar ta pranonim. Por kjo, për fat, nuk është kurrsesi ashtu.
Siç u tha më lart, kombet nuk ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet.
Nostalgjia e tërthortë që po shfaqet sot tek ne për otomanizmin nuk është vetëm e habitshme. Ajo është në radhë të parë poshtëruese. E po ashtu fantazma e Haxhi Qamilit, që përherë e më shpesh shfaqet në trojet shqiptare. Shtatorja që iu ngrit në qendër të Tiranës, më 2001, një shefi otoman, i shpallur si kinse themeluesi i qytetit, ka qenë fyerja më e madhe për kryeqytetin e shtetit, për historinë dhe ndërgjegjen shqiptare. Vetëm një popull që nuk e meriton lirinë mund t’i ngrejë shtatore pushtuesit të vet.
Bashkia e Tiranës, e drejtuar në atë kohë “nga haxhi qamilët”, siç i cilësoi me të drejtë arkitekti Maks Velo, e ngriti atë shtatore natën dhe pa lajmëruar askënd, si keqbërësit. Banorët e pallateve rreth sheshit ku ajo ende ngrihet sot, e mbajnë mend njeriun që printe vallen rrotull shtatores atë natë. Ky njeri mban një nga postet më të rëndësishme në qeverinë e sotme.
Kjo shtatore është mishërimi i korrupsionit politik dhe moral të shkallës më të errët. Historianët e kanë shpallur të rremë këtë kinse themelues. Emri i Tiranës si vend vendbanimi, është shumë më i vjetër se koha e këtij pashai.
Klisheja krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu, thënë ndryshe një “vend i as-as-it”, s’na bën kurrfarë nderi. Së pari, sepse nuk është e vërtetë, së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të tillë, është njëlloj si të vetëshpallesh “gjysmak”, që në shqip midis të tjerash do të thotë “tarrallak”.
Ideja e përhapur andej-këndej, dhe fatkeqësisht e përkrahur nga Qosja, se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit”, të kujton një nga njollat historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit.
Ide të tilla delirante, ato me të cilat, Shqipëria, për një kohë të gjatë, u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve. Por jo politikanëve tanë. Me sa duket, reflekset e vjetra të zyrave të Enver dhe Nexhmije Hoxhës, iu vijnë në mendjet e tyre prej mitomanësh.
Janë këto, me sa duket, që shkaktojnë çoroditjen kryesore në politikën shqiptare. Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të gjithë gamën që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoiste. Janë këto reflekse, që i shtyjnë këta politikanë, që, në vend që të përqendrohen në çështjet e ngutshme madhore përpara të cilave ndodhet kombi shqiptar: mirëqenia, hyrja në Evropë dhe statusi i Kosovës, fillojnë e joshen nga fantazira pa kuptim, për të cilat nuk kanë as mundësi, as shtat e as tagër moral nga populli i vet. Të brengosesh se si do të pajtohet Perëndimi me Lindjen, të kinse ndërhysh, për shembull, në kinse rolin e ndërmjetësit, në mosmarrëveshjet SHBA - Iran, për energjinë bërthamore, kjo, në rastin më të thjeshtë quhet ëndërr në diell, kurse në rastin më të keq, e ka emrin korrupsion politik.
Misioni i shqiptarëve në këtë planet, fati apo e thënia e tyre, është një dhe i pandryshueshëm: mbrojtja e interesave të vendit të tyre, që quhet Shqipëri dhe i popullit të tyre që mban emrin shqiptar.
Programi i çdo populli të qytetëruar është ky dhe vetëm ky. Miqësitë, aleancat, strategjitë, kanë lidhje me të dhe vetëm me të. Ky nuk është etnoegoizëm. Kur çdo popull në mënyrë të natyrshme, njerëzore e demokratike e kryen këtë mision ndaj vetes, ai e ka kryer atë ndaj gjithë njerëzimit.
Ky është thelbi i idesë evropiane, fundaja mbi të cilën ngrihet Bashkimi Evropian, ai që ndryshe quhet Evropa e Kombeve.
Ne nuk e kemi shpikur Shqipërinë, ashtu siç kanë dashur të na mbushin mendjen disa. Ne nuk e kemi shpikur as ngulitjen e saj në Evropë, siç kanë dashur të na mbushin mendjen ca të tjerë. Humbja dhe rigjetja e kontinentit nënë, nuk të bën më pak evropian se të tjerët. Përkundrazi, ajo të bën më shumë.
Në mbyllje të kësaj sprove, le të përpiqemi ta shohim atë që ka ndodhur, nga një kamera e largët, nga ato që të japin mundësi t’i skajosh gjërat në një tablo sa më të përgjithshme.
Është një kontinent që shekuj më parë është quajtur Evropë. Është një gadishull jugor i saj, ai më i ndritshmi dikur, dhe më i errëti pastaj, me emrin Ballkan. Ishte një perandori që u shfaq përbri, perandoria osmane, me një program e një ëndërr të mbrapshtë: të zhdukë nga faqja e dheut Evropën. Ndodh kacafytja e madhe midis të dyve. Gjatë saj, perandoria e re i shkul së vjetrës gadishullin ballkanik, djepin e qytetërimit të saj. Pesë shekuj më pas, gadishulli në fjalë, në mes të të cilit ndodhet Shqipëria, shpëton nga kthetrat e osmanëve. Perandoria e tyre bie. Kthimi i Ballkanit te kontinenti nënë është i gjatë, i mundimshëm.
Dhe ja epilogu: popujt e Ballkanit, janë vënë në radhë përpara Portave të Evropës. Përbri, është Turqia, bërthama e dikurshme e perandorisë së tmerrshme. Për pesë shekuj ka kujtuar se popujt ballkanas, pasi ia ka zhvatur Evropës, po i çon si trofe, drejt kontinentit të vet. Por ç’po na shohin sytë? Një gjë tejet të pabesueshme. Ka vërtet një trofe, por jo ashtu siç është kujtuar. S’janë popujt ballkanas që Turqia po i çon si robër drejt Azisë, por përkundrazi, janë ata, që po sjellin si trofe një hanëme të vjetër: Turqinë.
Natyrisht që Turqia nuk është robinë, në kuptimin e mirëfilltë. Natyrisht që ajo po e kërkon vetë, madje me këmbëngulje të pranohet në Evropë. Natyrisht që ajo, ndërsa lëshonte kërcënime e mallkime kundër Evropës, fshehtazi joshej prej saj. Dhe ky ka qenë ngadhënjimi i madh i Evropës.
Ana e fshehtë e historisë, shfaqet këtu në formën më tronditëse. Pyetja: kush u thye prej kujt, ngrihet me gjithë peshën e saj.
Dy rrjedha të historisë kanë ecur paralelisht. Në atë të jashtmen, perandoria osmane, godiste, fitonte, robëronte. Por në një rrjedhë të brendshme, të fshehtë, ajo goditej, humbte, robërohej.
Popujt e Ballkanit bashkërisht ishin aktorët e kësaj lufte. Ishin ata që, vit pas viti e shekull pas shekulli, bashkë me energjinë e tyre, bashkë me zyrtarët e lartë, gjeneralët, guvernatorët dhe aventurierët, që ia dhanë pa kursim, i ngjitën perandorisë joshjen evropiane. Historia e pushtuesit të pushtuar, si në rastin e Romës me Greqinë, në njëfarë mënyre u përsërit.
Rrjedhimisht, asnjë nga popujt e Ballkanit nuk u thye. E aq më pak shqiptarët. Nëse ka pasur për ta një fat historik të paracaktuar, ai është i ndryshëm nga ai i ndërmjetësit.
Popujve ballkanas, e midis tyre shqiptarëve, pa e ditur as ata vetë, madje pa e ditur as Evropa, fati u caktoi të jenë komando të Evropës, mu në qendër të botës osmane. Si të tillë ata kanë qenë përherë, ndonëse me dhembje, në rrënjët e Evropës. E qenia me dhembje nuk është kurrë një mungesë, përkundrazi.

FUND

Botohet me shkurtime. Teksti i plotë do të vihet në qarkullim së shpejti nga shtëpia botuese “Onufri”.
 

Tarasi

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin?

Shkrimet e fundit te Ismail Kadarese me kane lane nje shije qe ky ka fillu me rrjedh. O don me ba sikur i din te gjitha ose nuk ka.Per mendimin tem ky ben mire te shkruaje vepra letrare dhe jo letra e ese me karakter politik ose filozofik se humbet ndonjehere edhe ia zhyt kot.Mirepo keto zhytjet kot se koti jane te pafalshme per nje figure si Kadareja. Thjeshte i heqen pike vetes dhe na zhgenjen ne qe e mbajme per "emer te madh te letrave shqipe".Per disa gjera edhe mund te mbyllesh nje sy por kur muhabeti tjerret e tjerret e nuk di me mbaru asnjehere atehere lene fare se seshte per ate pune.
 

ezhderha

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Personalisht jam habite qe hala nuk dale ndonji artikull i Kadarese qe komenton e udhezon se ku duhet me ba shpim per puse naftet ne Shqipni. Vec ne kete fushe nuk ka dale kompetent hala.

Ka nji ngaterrim interesant ne kryet e tij mes poezise e ndjenjave dhe mes historise dhe fakteve. Ne mendjen e tij egziston nji lufte e cuditshme mes Azise dhe Evropes (keshtu paska kene dhe ne kohen e Greqise se lashte me Perset argumenton ne librin "Eskili, ky humbes i madh"), nji gare, nji duel qe nuk din hala me mbaru, e qe qenka predestinu qe Evropa me dale nganjedhimtare. Flet per Evropen e Azine sikur jane qenie, subjekte unike qe mund te preken me dore, qe kane trup e gjymtyre te tynen, e qe per ma teper mendojne. Kur keto kontinente, e shtetet/mbreterite ne to kane ndryshu dore e kufij me dhjetera here, e nuk kane kene etalon, te paprekshme e padryshueshme, konstante apo eterale sic paraqiten ne kete shkrim.

Evropa apo Azia nuk asht dicka qe egziston vetvetiu. Pse u dashka psh qe Evropa te perfundojne ne Urale e te mos perfshijne dhe Siberine. Perse u dashka qe Evropa te mbaroje ne Bosfor, e jo ne malet e Kaukazit? E perse te mos jete Evrope Egjipti i lashte, prej te cilit qytetnimi i Perendimit (West) beson se ka fillesen? Keto nuk jane pyetje qe kerkojne pergjigje fikse...Jane shkru e shkruhen libra ne lidhje me keto tema. Por diftojne se me trajtu dy kontinente, harta, vende a popuj, te etiketuem arbitrarisht si Evrope apo Azi, si qenie me ndergjegje NUK asht e sakte.

Kam nji ndjesi qe lexova nji shkrim te dobet. Fatkeqesisht per shkak te emnit e fames pak kush e sfidon. Nuk tham sfide me e thirre me dale ne bejlek a duel, apo sfide ne letersi (ku e admiroj personalisht), por sfide ne vertetesine shqyrtimit te historise me nota poezijet e ndjenjash.

Realiteti nuk mund te jete ma ndryshe.
 

zog

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

me "europe" nenkuptohet qyteterimi europian, ndersa me "azi" qyteterimet e huaja, te tjera te botes. kadareja e ven shqiptarin (por edhe europianin ordiner) midis dy zjarresh.
te jesh europian nuk eshte e lehte, duhet TE KRYESOSH, te reflektosh kulture dominuese, te impozohesh, ti imponohesh botes. ka pra nje selektim natyror si kudo, mendoj une. te fortet ndjekin udhen e tyre natyrore, misionin e tyre historik. ndersa te dobetit, qe padyshim nuk dorezohen (s'egziston ne natyren e gjerave kjo dukuri) kane tendencen te "zgjedhin" ose perqafin kulturat e tjera, inferiore nga ajo e bardhe europiane.
me kete te dobetit i japin kuptim e rol vetes e jetes se tyre mizerabel.

kete NENSHTRIM kadareja e "lufton" tek shkrimet e tij. shqiptarit natyra i ka dhene te gjitha karakteristikat e europianit me te mire, ne fakt shqiptari eshte europiani par excellence, i cili nga shkaqe historike e sociale gjendet sot ne nje pozicion humbesi e te dobeti, e gabimisht, duke mos dashur te beje PERPJEKJEN E DUHUR per tu rreshtuar ne vendin qe natyra ka percaktuar per TE, e rreshton veten, grupohet me forcat e dobeta, me forcat e erreta e destruktive te botes. me civilizimet mjerane te saj.
 

hawk

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Lexuat nje shkrim nga ditari i Hitlerit.

Sot ne periudhene globalizimit ku flitet me shume se kurre per interkuturizeme bashkjetese kulturore duke mos mohuar e per rrjedhoje duke mos inferiorizuar disa kultura e hiperbolizuar disa te tjera,shohim me keqardhje nje fryme etnocentrizmi ne mentalitetin e njerezve qe jetojne ne perendimin e civilizuar.
A ju mesojne valle te mos njihni dhe te mos rrespektoni popuj dhe kultura te ndryshme nga ajo europiane,gjithmone nese kjo e fundit eshte e kompakte per tu quajtur e tille pasi gjeografikisht mbulon rajone te ndryshme ne te gjitha aspektet.

Shqiperia po perpiqet dhe historikisht e ka bere nje gje te tille per tu rreshtuar me "kulturen superiore" por...!! Nuk e kuptoj se cfare perpjekjesh tjera i kerkohen vendit tim !!

Per kulture do doja te dija se ku qendron civilizimi europian ne shtetet si Izrael,Emirata,Japoni,Kine,4 Tigrat...pra mora disa vende aziatike me "kulture inferiore" por qe realisht jane shembull progresi dhe mireqenjeje.
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Debati periferik mbi Identitetin Perëndimor

Nga Mero Baze

Një ese brilante e Ismail Kadaresë, e shkruar rreth nevojës së theksimit të identitetit europian të shqiptarëve,ka ndezur zjarre në periferitë e shoqërisë sonë. Të prekurit prej saj, dhe të ekzaltuarit po prej saj, po mbushin përditë faqe gazetash me klizma, të cilat dëshmojnë anën e errët të identitetit shqiptar. Një përfaqësi myslimanësh akuzojnë pa lidhje Kadarenë për racizëm, ndërkohë që të tjerë shfaqin racizëm të papenguar ndaj shqiptarëve të Kosovës, apo vlerave të tyre perëndimore. Pra, debati në tërësi, në vend që të orientohej drejt ndriçimit të tipareve perëndimore të Shqipërisë, është kthyer në një fushë-betejë, ku po ekspozohen shumë tipare antiperëndimore të periferisë së shoqërisë shqiptare. Kjo nuk ka ndonjë rrezik të madh, përderisa këto zëra janë periferikë, por rreziku është nëse ata konsiderohen përfaqësues të këtij debati në Shqipëri.

1. Së pari, desha të nënvizoj se sot në Perëndim, problem i madh nuk është identiteti i vendeve perëndimore, pasi ai është shumë llojesh, por aftësia që ka identiteti i çdo vendi perëndimor për të integruar kulturat dhe identitetet e tjera, të cilat nuk vijnë nga Perëndimi. Periferitë e Francës u ndezën zjarr nga ata që e ndjenin veten jashtë Parisit. Anglia dhe Gjermania, si vendet më të fuqishme të Evropës, harxhojnë miliarda që të mos hetohet diferenca e kulturave që ka zbarkuar në vendet e tyre. Tipari kryesor i sotëm i identitetit europian është toleranca dhe bashkëjetesa e kulturave dhe religjioneve. Ne e kemi këtë dimension, ndoshta më parë se të gjithë. Si dimensioni ynë më i fortë properëndimor ne nuk kemi asnjë arsye të shtiremi dhe të themi që s’kemi myslimanë në Shqipëri, por të theksojmë faktin që katolikët, ortodoksët, myslimanët dhe ateistët në Shqipëri ndjehen shqiptarë të barabartë me njëri-tjetrin. Ky është një tipar i madh perëndimor, tipar që p.sh SHBA e ka fituar me shumë sakrifica, me shumë beteja të mëdha kundër segregacionit, racizmit dhe stërhollimeve religjioze që mbijnë përditë. Ulërimat religjoze të disa zërave periferikë nuk na na e fshijnë dot identitetin europian edhe pse ka plot sirena që na nxisin për të lënë në histori përballë njëri-tjetrit, myslimanët me të krishterët.

2. Së dyti, ne po e gjykojmë këtë debat nga pozitat e një vendi të varfër, ku problem është e shkuara dhe jo e ardhmja. Shqiptarët po vihen në provë për atë që ka prodhuar historia mbi ta, dhe jo mbi atë çka mund të prodhojë e ardhmja europiane e tyre. Perandoria Otomane, duke qenë një superfuqi pesëqind-vjeçare, dy herë më e vjetër se SHBA e sotme, ka lënë produktet e saj në Ballkan dhe ka imponuar kulturën e vet. Fuqia jonë perëndimore është ta integrojmë atë histori në identitetin tonë. Fati i keq na ra që diktatura e Enver Hoxhës ishte, mes të tjerash, një mizerje ekonomike dhe sot ne jemi një vend i varfër. Por shqiptarët nuk janë vënë në provë si vend i pasur dhe i hapur. Unë nuk di si do silleshin këta njerëz, nëse sot ne do të ishim një vend normal i zhvilluar dhe, për shkak të zhvillimit, tek ne do të vinin të punonin marokenë, kinezë, grekë apo serbë. Kam frikë se pereferia jonë kulturore dhe elita mediokre do të ishte alarmuar dhe ne do të demonstronim tipare antiperëndimore. Ka shpesh shumë racizëm në fjalorin e njerëzve që duan të na mbushin mendjen vetëm me histori se jemi pro-perëndimorë. Kur kanë ardhur kosovarët e parë më 91-shin, u demonstrua racizëm ndaj tyre, njësoj si për çamët e ardhur nga Greqia në 45-ën. Ka urrejtje për tropojanët e ardhur në Tiranë, për dibranët e ardhur në Durrës, për lebërit që zaptuan vilat e pasanikëve pas 45-ës, dhe për kurorë të artë në këtë pikë, natyrisht mbetet ajo çfarë shpreh sinqerisht Maks Velo ndaj shqiptarëve të Kosovës. Një urrejtje pa doreza, një përçmim dhe segregacion kulturor, një lloj gëlbaze e një të dehuri nga idetë e tij, një rrënues i të gjithë vlerave perëndimore që ka Shqipëria. Kjo nuk është shqetësuese pasi në çdo shoqëri, edhe ato perëndimore, ka parti raciste dhe individë racistë, bile shumë populistë. Ka në Francë, Austri, Itali e Gjermani. Do ketë dhe në Shqipëri. E rëndësishme është që ata të mos përfaqësojnë shumicën. Dhe jam i bindur se janë pakicë, si gjithë pakicat anti-europiane në Shqipëri.

Vazhdimin e artikullit e gjeni ketu:

http://www.albpr.org/g-news/modules.php?name=News&file=article&sid=216
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Diskutim i një cikli të mbyllur

Nga Bujar Ramaj
Ka kohë që në shtyp dhe në ambjentet publike – nisur nga përplasja Kadare – Qose – vazhdon të debatohet mbi indentitetin shqiptar. Pyetje shtrohet: cili është qëllimi i këtij debati, përse ndodh, ku qëndron e mira e tij, a ka karakter personal apo ai ndikon në mbushjen e boshllëkut tonë në lidhje me identitetin kombëtar. Një gjë që kërkohet do të thotë se mungon, kur ke nevojë për dritë e kërkon atë, kur ke nevojë për shi e kërkon atë, kur ke nevojë për ujë e kërkon atë, kur të mungon dija e kërkon atë... pra, kur nuk ke identitet kërkon atë.
Mendoj se këtu është kriza. Ajo që vihet re në debat e nënshtretëzuar është përkrahja hapur e atyre pro Kadare dhe pro Qose. Nuk mund të mbulohet e grisura me andrime, ne kemi nevojë për një dush sinqeriteti, kemi nevojë t‘i themi gjërat ashtu si janë dhe të mos trembemi prej tyre.
R.W.Emerson në librin e tij “Udhëheqje në Jetë” thotë se “...Dy gjëra më tmerrojnë, injoranti i devotshëm dhe dijetari, që s’beson”. Realisht të dy Kadare dhe Qose në shkrimet e tyre shprehen, se nuk besojnë. Besimi të rreshton menjëherë në një krah të së vërtetës, mosbesimi të rreshton në krahun e kundërt.
E vërteta është se nuk ka identitet kombëtar, por ka vetëm identitet fetar. Deri sa morali, kultura, psikologjia, shpirtërorja dhe e drejta kanë burime religjoze, identiteti është religjoz. Ngjyra, gjuha janë dukuri dhe mjete shprese dhe nuk mund të lidhen me thelbësoren. Kombet i dallon vetëm ngjyra dhe gjuha, të tjerat janë religjoze.
Historia njërzore është dëshmia më e mirë e këtij fakti. Sa herë që raca njerëzore ka dashur të dalë nga identiteti fetar, si në komunizëm, ajo kthehet prapë tek identiteti i saj fetar. Jashtë këtij identiteti ngelen vetëm jobesimtarët, të cilët kërkojnë identitet duke e ndjerë që nuk e kanë. Midis identitetit fetar dhe atyre që nuk kanë identitet lind bashkësia e ashtuquajtur “identitet kombëtar“ dhe kjo del më e theksuar në vende, ku shkalla e përqindjes së popullsië, e cila nuk beson është e madhe ose kur popullsia është me besime të përziera, si në rastin tonë. Në imazhin tonë na duket se disa kombe kanë identitetin e tyre kombëtar, jo në esencë ato janë fetare por duken më kompakte se janë të të njëjtit besim dhe kanë shkrirë në një identitetin fetar me psikologjinë kombëtare, p.sh sllavët kanë të shkrirë indentitetin fetar dhe psikologjinë kombëtare, grekët, gjermanët etj. Ne jemi një komb i rallë në botë, që kemi tre besime, kjo bënë që të mos të kemi një identitet fetar, por tre, ku vetëm gjuha dhe territori ku shtrihemi na bashkon. Vështirësia qëndron në atë që ne si popull nuk kemi të unifikuar psikologjinë kombëtare me identitetin fetar, kjo ka shkaktuar krizën për identitet. Ndoshta të parët që e zbuluan këtë krizë dhe luftuan për ta unifikuar ishin rilindasit tanë të mëdhenj, të cilët ngritën një ideologji të tërë për këtë unifikim, të identitetit fetar me psikologjinë kombëtare që ne sot duam ta quajmë identitet shqiptar. Populli e ka kuptuar instiktivisht këtë kërkesë prandaj në heshtje ai në një farë mënyre e ka zbatuar praktikisht idenë e rilindasve, që ne i themi tolerancë fetare, bashkëjetesë, indentitet kombëtar. Çdo tendencë për ta prishur këtë situatë solide e të qëndrueshme, duke e kanalizuar në qytetërim perndimor ose lindor është jashtë natyrës të këtij standarti që ka kombi, duke shkaktuar vetëm përçarje.....


Vazhdimin mund ta gjeni ketu:
http://www.albpr.org/g-news/modules.php?name=News&file=article&sid=217
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Ne kuadrin e ketij debati po perfshije dhe shkrime nga palet e perfshira ne te, per te patur nje pasqyre me te plote te trajtimeve dhe citimeve qe u jane bere shkrimeve te njeri-tjetrit.

Qoseizmi, ose teoria e urrejtjes
Maks Velo

Ky debat i ashpër ishte i domosdoshëm, sepse për dekada këto probleme nuk po diskutoheshin hapur. Nëse Qosja ka një meritë të vetme në shkrimet e tij, është se, për herë të parë, ai shkruan ato që mendon, ato që i ka menduar gjatë. Artikujt e tij janë testamenti i tij. Për herë të parë njohëm Qosen e vërtetë. Ai pa u bërë aspak merak për pasojat, godet dy figurat më të shquara: Nënë Terezën dhe Kadarenë. Është i vetmi që ka dhënë argumente të tilla me një ligësi dhe xhelozi të pamatë. Tani i kuptoj nga vinin frymëzimet për deklaratat e Myftinisë së Shkodrës, për mosvendosjen e monumentit të saj: nga Prishtina. Ka kohë që Qosja po vërtitet në qiellin shqiptar të letrave dhe mendimit me tone urdhëruese dhe kërcënuese. Qëllimi i tij final ka qenë Kadareja.
Duke asgjësuar Kadarenë, piedestali mbetej bosh dhe ne do të vendosnim Qosen. Këtu dhe bëri gabimin fatal dhe të pakorrigjueshëm. Kadareja është një gjeni. Qosja është një farë mendimtari dhe shkrimtari kosovar, dhe meqenëse vetë kosovarët na kishin mësuar se ata i quanin popull i kategorisë së dytë, unë e pranoja edhe Qosen si një fare akademiku i dorës së dytë. Dua të kujtoj një ngjarje në dhjetor të vitit 1991: ishte një delegate e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, dhe unë shkoja për herë të parë në Kosovë.
Në mëngjes na thanë se do të shkonim t’i bënim një vizitë akademikut Qose. Kur vajtëm te shtëpia, shoh që të katër anëtarët e delegacionit u vunë në radhë dhe po hiqnin këpucët. Ndeja i fundit, pyes Çashkun, që ishte para meje, më thotë hiq këpucët se ndryshe nuk futesh dot. Pashë ç’pashë i hoqa dhe unë. Dhoma e madhe ishte shtruar me tapete si në një xhami. Në krye ishte ulur në mënyrë impozante akademiku ynë. E kujtova edhe këto ditë me Çashkun këtë ngjarje; na i hoqën këpucët me urdhër, më përsëriti Çashku. Është i vetmi rast që në një vizitë të tillë, ku shkoj për herë të parë, detyrohem të heq këpucët. Që atë ditë më ka ngelur një fyerje nga Qosja, një si dhunim i pashpallur…. Më nuk e kam takuar dhe nuk dua ta takoj…Por edhe në Kosovë nuk kam shkuar më….Asnjë popull nuk ka më një shkrimtar, atë raport që kemi ne shqiptarët me Kadarenë. Duke goditur Kadarenë, ai na fyen të gjithëve, sepse ai tani është një krenari kombëtare. Dhe zgjodhi momentin më delikat dhe të çuditshëm, kur fama e tij po ritet dhe ai po vlerësohet ashtu si e meriton në të gjithë botën. Dhe sa më shumë që kalon koha, aq më shumë do të vlerësohet. Ka shkrimtarë që menjëherë arrijnë kuotat maksimale, ka të tjerë që për arsye të caktuara i arrijnë mbas shumë kohësh; i tillë është rasti i Kadaresë.
Kur ai të përkthehet plotësisht në anglisht, atëherëë figura e tij do të marrë përmasa të tjera. Sidoqoftë, letërsia moderne evropiane nuk mund të kuptohet pa të. Kadareja, për mua, është një fenomen i çuditshëm. Dhe çudia është si është e mundur që ky njeri lindi në një kontekst si ai i yni, ku ka ndër të tjera edhe akademikë si Qosja?
Profesori nga Shkupi, Zekerija Ibrahimi, në artikullin “BREGOVICI DHE TATLISESI” (SHEKULLI 20 PRILL) deklaron se: ”…Shqiptarët e ish-Jugosllavisë ngadalë po e ndërrojnë epiqendrën e tyre etnike dhe kulturore drejt Prishtinës, mbase dhe për këto sjellje joserioze të bashkëkombësve të tyre në Republikën e Shqipërisë e të autoriteteve shtetërore të Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo jo nga dëshira – ata janë të refuzuar nga “shteti amë”.”
Po cilat janë këto dëshira të vogla që ne u a refuzojmë? Të mos pranojmë kërkesat e Bashkimit Evropian për një mirëkuptim me të gjithë popujt e Ballkanit. Shqiptarët ortodoksë janë Grekë, pra nuk janë shqiptarë. Ta pranojmë historinë tone dhe të mos mundohemi ta korrigjojmë. Të zihemi dhe të jemi armiq me të gjithë popujt e krishterë të Ballkanit: dhe me grekët, dhe me maqedonasit, dhe me bullgarët, dhe me rumunët, dhe me serbët, dhe me kroatët, dhe me sllovenët dhe me malazestë. Të mos bashkohemi me Evropën dhe të refuzojmë Amerikën. Ta konsiderojmë veten tonë si lindorë, islamikë, dhe të njehsohemi me to. Të DUAM BABËN, dhe filozofia jonë udhëheqëse të jetë haxhiqamilizmi.
Ja si shprehet ai : « …në ekstazën e orgazmës së tyre me Perëndimin janë dalldisur pas politikës evro-amerikane dhe kanë harruar se politika shumë shpesh i ka mashtruar shqiptarët në formësimin e identitetit të tyre». Pra, ne po bëjmë një orgazmë me perëndimin (fjalor shumë i lakmuar, tamam prej profesori) i cili po na mashtron, si zakonisht…
Është e vërtetë, qoftë shoqëria, qoftë qarqet politike apo akademike, në Shqipëri janë bërë koshientë për dëmin e madh që i vjen Shqipërisë nga deklarimet e papërgjegjshme se Shqipëria është shtet mysliman, dhe po bëjnë ç’është e mundur për të sqaruar opinionin evropian dhe atë amerikan.
Dhe pikërisht në këtë moment që ka filluar të kuptohet dhe të pranohet kjo e vërtetë, është ky reaksion kaq i ashpër i qarqeve fondamentaliste myslimane në Prishtinë apo në Shkup, që kohët e fundit kanë marrë barrën që të na tërheqin zvarrë drejt lindjes. Drejt Lindjes. Nëse ata quajnë epiqendër etnike dhe kulturore etnitetin arab dhe kulturën islamike, sigurisht Tirana nuk u a siguron dot më këtë qendër. Tirana është kryeqytet evropian dhe i tillë do të mbetet.
Qosja është në të njëjtat teza me Ibrahimin, dhe jo vetëm me të; janë një tabor i tërë shkrimtarësh, studiuesish, artistësh, politikanësh, teologësh, të cilët deklarohen vazhdimisht për përkatësinë islamike të shqiptarëve. Tetova është bërë një nga qendrat kryesore islamike në Ballkan. Ibrahimi thotë se osmanët kanë qenë superfuqi. Po kanë qenë superfuqi e masakrave, e thirrjeve dhe e prerjes së kokave; e jeniçerëve dhe e hallvës.
Superfuqi është një atribut që nënkupton vlera jo vetëm ushtarake. Si është e mundur që në Turqinë e sotme nuk ka një qendër të studimeve ballkanike ose shqiptare? Përse të gjitha arkivat ndodhen në Vatikan apo Venedik ? Përse të gjithë studiuesit e shqipes dhe të Shqipërisë janë nga vendet e krishtera evropiane ? Përse nuk ka një fakultet të studimit të gjuhës shqipe në Stamboll apo Ankara, kur ka në S. Perterburg, Torun, Palermo, Milano apo Paris? Përse nuk ka një diasporë shqiptare në Turqi, kur aty kanë shkuar me miliona shqiptarë? Përse diaspora gjithmonë ka qenë e krishterë, qoftë në Itali, Greqi, Bullgari, Rumani deri në Rusi? Përse shqiptarët myslimanë janë tretur në Turqi si sheqeri në hallvë? Për çfarë patriotizmi mund të flasin ata që tradhtuan fenë e të parëve dhe fenë e të gjithë Ballkanit dhe Evropës, Krishterimin. Shqipërinë e ka sjellë në këtë gjendje (si vendi më i prapambetur dhe më i varfër), pikërisht kjo tradhti nga një pjesë e shqiptarëve. Shqipërinë e solli në këtë gjendje Islami, që ishte një regres i pashembullt. Jemi i vetmi popull në Evropë që kemi përjetuar një tragjedi të tillë. Të paktën tani pasardhësit e tradhtarëve të heshtin.
Ato që thotë Qosja kundër Kadaresë i kanë thënë më parë Lubonja, Kolevica, Trebeshina, Baleta etj….dhe prandaj ai duhet t’i kishte cituar. Interesant është fakti se kohët e fundit qendra e sulmeve kundër Kadaresë është zhvendosur në Kosovë; tani kuptohet kush është organizatori dhe frymëzuesi. Qosja, në mënyrë naive, kujton se tani që është kurorëzuar në Prishtinë « si më i dituri», do të vijë të na habisë dhe në Tiranë, dhe pastaj do të pushtojë hapësirën gjithë shqiptare me gjithëditurinë e tij!!!
Gabohet Qosja. Dhe kjo sepse Qosja është një dijetar tipik islamik, tërësisht lindor. Kjo nga mënyra e të menduarit.
Nga logjika e tij. Nga fshehtësia e tij. Nga pabesia e tij. Çdo krijues apo studiues, çdo shkrimtar, artist, gjuhëtar apo shkencëtar ka veç ADN-së biologjike dhe një ADN të fshehur krijuese dhe zbuluese, e cila është e padukshme, e paidentifikueshme dhe e paanalizuar. Është kjo që udhëheq mendimin progresist apo regresiv. Qosja këtë AND e ka islamike dhe gjithë jetën është udhëhequr prej saj.
Para pesëmbëdhjetë vjetësh erdhi në Tiranë një tjetër kosovar, Ajdin Sejdia, që na bëri një gropë në mes të Tiranës.
U deshën pesëmbëdhjetë vjet që gropa të mbushej prapë. Qosja në këto ditë që gropa u mbyll, hapi një tjetër gropë, një grope virtuale. Gjithmonë këtë do të bëjnë kosovarët me Shqipërinë? Qosja me këtë debat dhe shkrimet e tij ka dëmtuar rëndë Kosovën, pikërisht në momentin më delikat, kur zhvillohen bisedimet për statusin e saj. Nuk ka dyshim që i gjithë ky debat është vëzhguar me kujdes nga ndërkombëtarët, të cilët me këtë rast mbajnë edhe shënimet e duhura. Nuk më vjen mirë që shkrimet kundër tij në Kosovë kanë qenë të pakta. Dëmi i dytë është këtu në Shqipëri,
konkluzioni im është: me Kosovën dhe kosovarët duhet të jemi shumë më të kujdesshëm. Po të zhvillohej një referendum për bashkimin me Kosovën, unë do të votoja kundër. Janë akoma primitivë dhe do të na hapin probleme pa fund; le të rrinë të rregullohen vetë njëherë. Mbas pavarësisë, nuk do të dinë ç’të bëjnë me të. Ka mundësi të bëjnë nja dhjetë “REVOLUCIONE DEMOKRATIKE TË VONUARA” ala Qose, si ai i joni i 97-ës. Janë qaramanë dhe duan gjithmonë që të projektojnë fajet që i bëjnë tek të tjerët. Mos fajtorët e ardhshëm janë shqiptarët? Mjerë ata popuj që kanë të tillë “udhërrëfyes” si Qosja, tipikë për vendet islamike dhe të botës së tretë.
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Europianizimi i Shqipërisë fillon nga Elitat

Nga Alban BALA

Për shumë kohë e kam pyetur veten, se përse vallë, përballë një shumice paqësore, e cila sheh punët e veta dhe hallet e saj të panumurt, përballë një popullsie e cila ka treguar se trashëgon një dhunti’ të jashtëzakonshme virtytesh (dhe sigurisht edhe një mal me probleme), përballë një grupi të gjerë njerëzish që e shohin identitetin e tyre qoftë edhe fetar si punë tërësisht personale dhe nuk përpiqen ta shumëfishojnë atë- por as ta vrasin, përballë një grupi të mpirë qytetarësh e fshatarësh që kalamendet në qiejt e mbijetesës, nuk resht prej kaq kohësh një trysni dhe një revansh i paparë ofezash, një kundërvënie e fortë shoqërore dhe refuzimi institucional; për asnjë çast në këto 15 vite nuk ka pushuar kundër tyre presioni politik dhe kulturor. Përse?

A thua këta njerëz të thjeshtë dhe të padukshëm në përditën tonë e çuan Alfred Serreqin në Konferencën Islamike? A thua ata e bindën Fatos Nanon të vazhdonte të qëndronte aty si anëtar? A thua këta njerëz shpikën dhe vendosën diktaturën në Shqipëri? Këta na larguan nga Europa?

Eshtë turp që debati mes shkollarëve në Shqipëri lë shteg për baltosjen e imazhit kombëtar në të ardhmen e tij. Eshtë turp që gënjeshtrat- pjesshëm apo plotazi- gëlojnë në të tërë tekstet e botuar deri tani si pjesë e këtij debati.

Dilemat mbi identitetin europian të muslimanëve shqiptarë apo të krejt shqiptarëve dëshmojnë pa dilema se problemi i këtij vendi janë elitat e tij. Qofshin këta emra të mëdhenj, brenda apo jashtë vendit.

Përfundimisht ky debat qartësoi se, europianizimi i shqiptarëve kërkon pikë së pari europianizimin e elitave të këtyre shoqërive. Përfaqësuesit e këtyre elitave, qofshin ato politike, ekonomike, kulturore, etj nuk kanë tipare europianiste, përpjekjet e tyre nuk ndërtohen mbi hapësirën e ideve, por mbi tehun e shpatës së “monopolit mbi të vërtetën”.

Vazhdimi ketu: http://www.albpr.org/g-news/modules.php?name=News&file=article&sid=215
 

Tarasi

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Shkrimi i Mero Bazes dhe Alban Bales me pelqyen. Ia vlen te lexohen.
 

jimmy84

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Qe Kadareja ka qene azio-fobist /pf/images/graemlins/laugh.gif kjo kuptohet lehte edhe ne veprat e tij. Por kur del me flamurin e krishterimit merr tamam pamjen e nje Don Kishoti klasik. Ne nje kohe qe ne Europe po shkohet drejt zhdukjes se kufijve kontinentale (nga ana kulturore) Kadareja si proven kryesore te identetit europian ne nxjerr: Krishterimin dhe Gjeografine. Dhe kembengul tek i pari.Te krishtere ka edhe ne fund te Siberise dhe bile edhe ne Kine plus miliona afrikane, aziatike dhe amerikan-latne. Dhe kush eshte paradoksi me qesharak? Ne Shqiperi te krishteret (te gjithe bashke) s`behen as 30%. Pa permendur ketu sesi shahen kleriket katolike ne veprat e Kadarese. Po si thoshte Noli: Dhe Feridi faqe nderron/dje shante sot levdon/ fryn bulcit e trumbeton/ sa katrani zbardhellon.

Identiteti nuk percaktohet me as nga feja (qe ka qene mesjte qe nuk vlen me si tregues identiteti) dhe as Gjeografia. Se eshte Moldavia ne mes te Europes dhe kur vjen puna s`eshte gje para Afrikes se Jugut. Ose eshte Japonia qe eshte ne p.s dhe kur vjen puna ne shume aspekte i ben naften Amerikes dhe Frances bashke. Pra e gjitha ka te beje me MENTALITETIN. Dhe duam apo nuk duam, ne kemi nje mentalitet te perzier euro-aziatik. Dhe kjo ka te mirat dhe te keqijat e veta.Prandaj me mire te hapim syte, te shohim te metat dhe t`i ndreqim. Dhe jo te bejem sic thote Kadareja qe t`i biem gjoksit "Ne jemi europiane dhe jemi superiore" dhe te vazhdojme t`i biem legenit sic kemi bere deri tani. Se po i rame legenit, prape teneqen kane per te na varur sic kane bere deri tani.
Po me shkriu ai piktori i vogel Velo. Sinqerisht, ne ka lene ndonje person me pasoja ai rregjimi monist, me siguri qe eshte Velo. Po me vjen keq se eshte mekat te rrjedhi njeriu deri ne ate fare feje.
 

jimmy84

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

</font><blockquote><font class="small">Citim:</font><hr />


Qoseizmi, ose teoria e urrejtjes
Maks Velo
konkluzioni im është: me Kosovën dhe kosovarët duhet të jemi shumë më të kujdesshëm. Po të zhvillohej një referendum për bashkimin me Kosovën, unë do të votoja kundër. <font color="black">Janë akoma primitivë dhe do të na hapin probleme pa fund; le të rrinë të rregullohen vetë njëherë </font> . Mbas pavarësisë, nuk do të dinë ç’të bëjnë me të. Ka mundësi të bëjnë nja dhjetë “REVOLUCIONE DEMOKRATIKE TË VONUARA” ala Qose, si ai i joni i 97-ës. Janë qaramanë dhe duan gjithmonë që të projektojnë fajet që i bëjnë tek të tjerët. Mos fajtorët e ardhshëm janë shqiptarët? Mjerë ata popuj që kanë të tillë “udhërrëfyes” si Qosja, tipikë për vendet islamike dhe të botës së tretë.

[/ QUOTE ]

Budallalleku brire nuk ka po kur flet ja ben "muu".
Vetem po pyesja veten kush eshte me i prapambetur ata apo neve? Se une sec kam nje pershtypje qe nqs Kosova fiton pavaresine (sic shpresojme te gjithe) pas nja 10 vjetesh do i shohim targen Kosoves (gjithmone nga pikepamja ekonomike flas). Por edhe sikur vertet te ishte sic thote Velua, sipas tij ne vend qe t`i japim doren vellezerve tane...JOOO t`i leme te behen lemsh vete (kollaj kur u beme ne-thote Velo). Pra Velo ecen me fjalen e urte "per inat te sime vjehrre vajta fjeta me mullixhiun (dhe do shkoj prape)".
Si eshte ajo shprehja e filmit Perballimi: "Tri here "Urra" per Fuqite e Medha". Edhe ne: Tri here "Urra" per Kokat e Medha.
 

zog

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

</font><blockquote><font class="small">Citim:</font><hr />
Qe Kadareja ka qene azio-fobist /pf/images/graemlins/laugh.gif kjo kuptohet lehte edhe ne veprat e tij. Por kur del me flamurin e krishterimit merr tamam pamjen e nje Don Kishoti klasik. Ne nje kohe qe ne Europe po shkohet drejt zhdukjes se kufijve kontinentale (nga ana kulturore) Kadareja si proven kryesore te identetit europian ne nxjerr: Krishterimin dhe Gjeografine.

[/ QUOTE ]

shtrohet pyetja : ku e di TI ose ku e dini JU (ti me shoket e tu) se nga po shkon europa, qofte kulturisht. bile aq mire sa te etiketosh kadarene "don kishot". a keni me shume pervoje nga ai ? keni pare bote me shume ? njihni me shume europiane ? keni shkruar me shume ? apo jeni me te zgjuar ?
 

bsh

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

Per mua gabim apo te drejte te kete Kadareja, ka rendesi qe klasa intelektuale shqiptare ka marre nje rol aktiv ne debat. Kjo do te thote qe shqiperia po del nga apatia ndaj ceshtjeve madhore se kemi nje dhjetevjecar qe po harxhojme kohen kot duke u marre me politike shterpe....
Shume gjera ne artikullin e Kadarese me lane nje shije te tharte dhe megjithe respektin qe kam per punen e tij besoj se kesaj radhe eshte rembyer paksa nga emocionet....Ne lidhje me sproven, ne nje pike jam shume dakord me autorin: Shqiptaret duhet te punojne te permiresojne imazhin e tyre ne europe se ne fund te fundit neqoftese nje dite do ti fusim kembet ne BE do te jete ne saje te votes qe popujt evropiane do ti japin shqiperise. Pra ti leme kokfortesite edhe te mbledhim trute e kokes se lam nam duke bere zhurme sa poshte lart per punet e brendshme te shqiperise neper dyert e BEse se nuk eshte aspak serioze per nje vend qe pretendon standartet evropiane...
 

zog

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

</font><blockquote><font class="small">Citim:</font><hr />
Per kulture do doja te dija se ku qendron civilizimi europian ne shtetet si Izrael,Emirata,Japoni,Kine,4 Tigrat...pra mora disa vende aziatike me "kulture inferiore" por qe realisht jane shembull progresi dhe mireqenjeje.

[/ QUOTE ]

tek kostumi dhe kallarja.

siç mund ta shohesh ne tele, po te kesh, kinezet qekurse hoqen dore nga uniforma ushtarake e maocedunit, po "zhvillohen", japonezet kete e kane bere ka nje shekull, qe kur vdiq samuraji i fundit. izraelitet jane komplet europiane NE TE JETUAR, pra ne menyre jetese.
afrikanet perpiqen te ndjekim sa mundin.

vetem arabet e indianet rezistojne e keta jane popujt me me shume probleme zhvillimi.

pra mjafton te hapesh mendjen, jo vetem syte, e shikon qe vetem duke IMITUAR EUROPEN bota po "zhvillohet".

fjalen zhvillim ta kam vene ne thonjeza, sepse ky ne fakt nuk ndodh, sot nuk dime me shume nga greket e vjeter bile as jetojme me mire nga ata.
por duke qene se numri njerezve edhe qindramijera fishuar, perendimoret nepermjet formave organizuese te prodhimit e zbulimeve te reja teknollogjike arrijne, mesa mundin, ta mbajne jetesen e miletit ne nivelet e greqise se vjeter.

pra perveç bukes e ujit, njeriu te mendoje edhe per art, kulture, defrim.
kete quaj une "zhvillim".
 

zog

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

ueee ke te drejte, edhe per dostojevskin kritiket e kohes thonin qe kopjon gogolin.

ps; kritik = njeriu qe enderonte te ishte artist, por nuk mundi.

ps 2; kush eshte kjo oriana ? ajo qe shau islamin ?
 

ilirjan

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

A e dini qe JAPONEZET jane kampjon bote ne "kirurgjine plastike"???
po cfare i bejne fytyres ky popull!!! kujt duan ti ngjaje!!! cilin model racor duan tju afrohen !!!
A e dini sa bluza sportive u shiten ne Japoni me surratin e atij sportistit anglez??? do te ndodhte e njejta gje me ndonje sportist tjeter (brazilian psh)!!!

Nuk eshte pasuria ,zgjuarsia,zhvillimi ekonomik, gjeografia, forca ushtarake, ajo qe RREZATON por (qenia me e persosur biologjikisht) pra njeriu i bardhe
 

ilirjan

Primus registratum
Re: Esseja e I.Kadarese, a kemi humbur identitetin

"forca rrezatuese" eshte aq e fuqishme sa nuk do tja dije per FETE , Kristianizmi filloi me IKONAT BIZANTINE (tipare jo evropiane) dhe u shderru me MADONAT bjonde bukuroshe
 
Top