Re: Eshte Edi Rama nje idealist apo nje sharlatan?
Një karikaturizim i parlamentit jakobin
Qysh në fillim të transmetimit televiziv më erdhi në mendje një shprehje që ka përdorur Nafiz Bezhani : ‘ ky është parlament jakobin”. Kjo mbledhje e “komisionit anti-Rama” i jep plotësisht të drejtë zotëri Nafiz Bezhanit, veçse duhet shtuar se në komision pamë një karikaturë të jakobinizmit.Pasi Olldashi arriti “fitoren e parë si të Pirros” duke e bërë Edi Ramën të ngrihej në këmbë e të betohej si dëshmitar ( besojnë se do të jetë krenar tani që e mori hakun për mbylljen e derës së bashkisë) m’u desh të merrnja nga rafti i librave monografinë e Rober Kristof “Danton” ( botim në frëngjisht i vitit 1964). Autori e ka filluar me fjalët e Hygoit nga libri “Viti 93” : “Prostitutë! Tha Marati. Dantoni u ngrit në këmbë frikshëm. “Po, bërtiti ai, unë jam një femër e përdalë. Unë kam shitur barkun tim, por kam shpëtuar botën”. Dhe do të dëgjonim Edi Ramën që i drejtohej Olldashit e komisionit të tij : “ Unë jam hajdut, siç më kini akuzuar katër muaj. Në jemi këtu sepse jemi banda e hajdutëve të bashkisë”. Dhe Olldashi me kënaqësi shtonte : “pra vet Rama pranoi se është hajdut”.
Do të vazhdonte me orë kjo katrahurë replikash ku me radhë do të çirreshin e ngjireshin pa rregull e pa karar dantonët, robespierët, maratët, mirabotë, senzhystët, demulenët, jakobinët , zhirondinët, Mali e Këneta e politikës shiptare e vitit 2003, mbi 200 vite pas revolucionit francez. Por natyrisht gjithçka ishte në miniaturë në karikaturë.
Edi Ramës në këtë rast i përshtatej më shumë krahasimi me Dantonin. Sipas Kristofit edhe Dantoni ka qenë gjatosh, i bëshëm, që i shijonte jeta e ekzibicionistit, që i pëlqenin femrat e paratë, që nuk lidhej fort ideologjikisht me ndonjë forcë të revolucionit, që tregonte prirje për pragmatizmin e prakticizmin më shumë se për ngurtësinë e ideve, që u akuzua edhe për tradhti, edhe për ryshfete, që u ndëshkua dhe nga bashkëpuntorët, që përfundoi në gijotinë, që ka lëshuar edhe sentenca që Kristof i quan profetike. Ndër këto profeci Kristof përmend edhe atë të ditës së fundit të Dantonit . Kur po e dërgonin të mbyllur në kafaz drejt gijotinës, pa në anë të rrugës Robespierin, i cili kishte përgatitur linçimin e tij. Dantoni i tha “Robespier pas meje do të vish edhe ti”’. Disa muaj më vonë atë rrugë si Dantoni e bëri Robespieri.
Kishte diçka dantoneske ( Berisha mund të thotë me humorin e tij të vonuar dhe aspak për të qeshur se kishte diçka donkishoteske) në atë zgjidhjen që gjeti Edi duke marrë me vete një përforcues zëri me bateri për të kompensuar vështirësinë që i krijonte mbyllja e mikrofonit. Ky gjest i Edit ka transformuar në një masë të madhe Berishën se e ka bërë të flasë për herë të parë vetëm me sarkazëm. Në emisionet televizive të datës 7 qershor Saliu gjithë shend e verë u shfaq duke krahasuar “Edin me përforcues zëri” me “Nezirin me fund gjymi” që në sheshin e qytetit përsëriste lajmet që jepte Radio Tirana. Berisha nuk e tha por fjalën e kishte për “Nezirin e Burrelit”. Ka shumë të ngjarë që këtë humor të shpëlarë Berishës t’ia ketë sugjeruar ndonjë servil i tij matjan. Nuk e dimë nëse ka pasur personazhe piktoreske, por që respktoheshin, në Tropojë, por në çdo rreth ka pasur në kohë të ndryshme. Në Peshkopi ishte Seiti, në Tiranë ishin Lymi, Shabani, Saçi, nga Korça vinte Maqo etj.Tani personazhet popullorë nuk bien shumë në sy se në rolin e tyre paraqiten shumë politikanë. Ajo mbledhja e Komisionit parlamentar, notat gazmore i kishte të pakta sepse mbizotëroi qesharakja. Ndrësa humori berishian të nesërmen ishte po aq i shpëlarë sa “nacionalizmi primitiv” i Nanos nga Dublini, kur shkoi e zuri dhe kamerën e gazetares së “Top channel” që duhej ta linte për specialistët e futbollit.
Ndërrsa në ekran gjëmonin sharjet, çjerrjet, e kacafytjet kureshtja më shtynte të shfletoja monografinë për Dantonin e të ndalesha në fjalitë që kisha nënvizuar qysh para disa dekadash. Dhe ja në faqen 48 ishte nënvizuar fjalia : “ Mallkuar qofshin ata që shkaktojnë revolucionet, mallkuar qofshin edhe ata që i bëjnë”. Kjo mbledhje e komisionit ishte pikërisht shembull për ilustrimin e një thënie të tillë. Tani do të kishte lezet e dobi që poeti Bardhyl Londo të rishkruante si parrullë të madhe atë vargun sfidues që bëri për demokracinë në vitin 1991 : “Në qofsh kështu demokraci, mos ardhësh kurrë”. Nuk ka si të mos thuash këtë pas asaj që pamë në sallën e Byrosë Politike më 6 qershor 2003. Më mirë të ngrihej Enveri e të mos ulej Olldashi në karrigen tij, më mirë të vazhdonte enverizmi se shqiptarët të nisin një mënxyrë tjetër politike siç na u paraqit në atë dukurinë që duhet ta emërtojnë “olldashizëm” berishian në vend të “enverizëm” stalinian.
Pak ditë përpara kësaj mbledhjeje histerike e qesharake në gazetën “Albania” të datës 31 maj 2003 ishte botuar një intervistë e Kadaresë nën titullin “Politikanët shqiptarë të rinj dhe imoralë”. Ka njëfarë të drejte Kadareja. Kjo mbledhje ishte në radhë të parë vepër politikanësh të rinj. Po shihnim se sa të egërsuar bëhen në politikë “ujqërit e rinj’ nga të gjithë krahët, se si “ turqit e rinj” të PD-së po përdhosnin e pështirosnin vlerat e demokracisë e të drejtësisë, të politikës. “Olldashizmi” deshi të tregojë se forcën e tij e ka në fetishizimin e procedurave. Se ku e kishte gjetur ai atë frikën se përdhoset shenjtëria e procedurës nëse kolegët e bashkisë rrinin të ulur në krah të kryetarit kur të dëshmonte, askush nuk ka për ta kuptuar ndonjëherë. Madje nuk ka për ta kuptuar kurrë as Berisha që më 7 qershor përsëriti si argumenta të shenjta se “ përgjegjësia është individuale”, se” dëshmia është individuale” e nuk u bëka në mënyrë kolektive e të tjera përralla që vetëm ekspertët berishianë mund t’i sajojnë. Sipas kësaj logjike në sallat e gjyqeve nuk duhet të ketë as më shumë se një i pandehur, sepse secili gjykohet për vete edhe kur veprën penale e ka kryer në bashkëpunim. Rama ia bëri mirë Olldashit kur i kujtoi se ish-presidenti amerikan për “çështjen Levinski” dëshmoi i vetëm para Komisionit të Kongresit, sepse në atë çështje ai kishte vepruar vetëm pa bashkëpunëtorë.
“Olldashizmi” procedural ishte gjëja më e shëmtuar në tërë atë farsë disaorëshe. Por ishte çelësi magjik për të shpëtuar të dyja palët që nuk donin që Rama të fliste. Kështu skenari u realizua. Rama u batërdis me llafe dhe i batërdisi me llafe, me bejte , me këngë, me grafiqe e fotografi rrugësh por nuk u demaskua sikurse i ishte premtuar opiniont publik, as demaskoi kënd sikur kujtonin shumë njerëz. Për nga rezultati loja dilte barazim “ me rrjeta të paprekura” pavarëisht se loja ishte e rëndë, gjithë rrëmujë. Tjetër punë se “RD”, “55”, “Tema” do të sajojnë tituj nga më bombastikët për të treguar se “olldashizmi”’ arriti një fitore historike për PD-në. Skenari ishte thurur në mënyrë që pastaj të thuhej se u godit vetëm Edi Rama, jo bashkia, jo Partia Socialiste. Përndryshe nuk do t’i leverdiste Nanos.
Në faqen 88 të librit për Dantonin është shkruar :”Kur godet sopata është më mirë të jeshë nga ana e bishtit”. Duke pasur parasysh qëndrimin e mefshtë të parlamentarëve socialistë ( me përjashtim të rasteve kur kacafyteshin me ndonjë demokrat që e tepronte me budallallëk) del qartë se ata e dinin se Nano e Berisha ishin marrë vesh që parlamentarët të ishin nga ana e bishtit në atë “copëtim urësh” të korrupsionit dhe të linin vetëm Edi Ramën të mbrohej nga tehu i sopatës. Edi Rama duhet të ketë qenë shumë naiv në qoftë se ka shkuar në atë seancë hetimore pa dyshuar se ashtu si Miraboja e Dantoni dikur edhe Nano e Berisha “ Pasi luftuan njëri tjetrin u morën vesh si batakçinjtë në panair” edhe për punën e hetimit të Edi Ramës.
Mbledhja e koimisionit i ngjante shumë skenës që përshkruan Kristof në faqen 337 të librit për Dantonin. Është skena kur Dantoni ngjitet të flasë në tribunën e Asamblesë pasi ka kundërshtuar disa herë nga vendi një akuzë që i bëhej nga zhirondinët. Fjalën e tij e pengojnë ulurimat. Dantoni përmend një dëshmi për të vërtetuar se atë donin ta shtypnin. Fillon përplasja e këmbëve, fishkëllima, ulurima, parplasje duarsh, kërcënime me grushta. Nderhyjnë husarët për të ndarë ngatërrestarët. Pasi rivendoset qetësia Dantoni përmend Komisionin e ngarkuar me hetimin e çështjeve të Belgjikës. Pyet “çfarë pret ky komision për të bërë punën e tij për të paraqitur një raport atyre që kanë përdhosur frymën publike, kanë dashur të ngrenë krahinat kundër Parisit, kanë dashur të shpëtojnë mbretin”. Dhe përfundon fjalën duke goditur podiumin : “Nuk kam frikë nga drita. Unë i kam bërë llogoret në kështjellën e arsyes, prej andej do të dal me topin e së vërtetës, do të bëj helaq armiqtë e mi, do ti bëj pluhur batakçinjtë që deshën të më akuzonin”. Pak a shumë me të tilla skena dantoneske e përfundoi betejën atë ditë edhe Edi Rama duke mbajtur një fjalim akuzues, jo shfajësues, para komisionit nën korin e klithmave të Olldashit e të ekipit të tij parlamentar opozitar dhe me heshtjen prej varri të ekipit parlamentar socialist.
Detyra e përbashkët : të pengohet rikandidimi i Edi Ramës
Pastaj si në Asamblenë franceze paskan ndërhyrë “husarët” shqiptarë, gardistët, të cilët i përgëzoi me shumë ngazëllim Berisha të nesërmen, se kishin”çarmtosur” të çarturin Edi Rama nga arma e tij më e tmershme “gjymi i Nezirit” të Burrelit.
Olldashi pas kësaj është betuar se do ta marrë me forcë Edi Ramën të dëshmojë para tij e komisionit të tij, edhe pse ka kaluar afati i dëgjimit të dëshmitarëve që e përmendin socialistët si pengesë teknike. Përsëri guximi i Olldashit është në shpërpjestim me fuqinë e parlamentarëve opozitarë. PS ishte në pushtet dhe qe e zonja ta merrte me forcë Berishën të dëshmonte në prokurori. Nëse Olldashi e ndjen veten kaq të fortë do të thotë përsëri se ai ka prapa forcën e bashkuar të Nanos e të Berishës. Kjo do të thotë se ashtu si Klosi edhe Rama është në listën e kurbanëve që duhen bërë që të funksionojë marrëveshja Nano-Berisha e vitit të kaluar. Edi Rama duhet ta ndjejë këtë përderisa parlajmëroi se vetëm po të më zhdukni do të hesht. Një kërcënim i tillë nuk bëhet për të frenuar Olldashin, as për të ndaluar Berishën. Një kërcënim i tillë merr kuptim kur i drejtohet Nanos.
Prandaj “çështja Edi Rama” tashmë ka marrë përmasa të reja, nuk është vetëm lufta se kush do të ketë kryetarin e bashkisë së Tiarnës. “Çështja Rama” nuk është shqetësimi i opozitës se janë bërë vjedhje. Vjedhjet janë gjë e rëndomtë tani në Shqipëri. Duhet besuar se bëhen përpjekje për një marrëveshje të përgatitur nga ndërkombëtarët që PD-së t’i jepet një peshë më e madhe në pushtetin lokal si kompensim për humbjen që pësoi në pushtetin qendror para dy vitesh. PD-së i duhet bashkia e Tiranës sepse këtu janë mundësitë për të përfituar ndonjë gjë për buxhetin e saj ( nga ato që “vjedh” Rama) dhe për të plotësuar etjen e disa ve nga njerëzit e saj që kërkojnë patjetër pushtet. Prandaj Edi Rama duhet penguar me çdo kusht të kandidojë. Pengesën e parë të përbashkët socialistët e demokratët i kanë vënë nëpërmjet marrëveshjes Ruka-Gjana që nuk lejon kandidatura të pavarura. Që të lehtësohet refuzimi socialist për Ramën i duhen bërë sulme të pandërprera nëpërmjet PD-së. Është skemë e përafërt me atë që u përdor për të penguar rikandidimin e Meidanit për president i Shqipërisë në emër të Partisë Socialiste.
Pjesëtari pollar në ekipin e Olldashit, Nard Noka ka deklaruar në gazetën “Albania” të datës 8 qershor 2003 se “Opozita ia arriti qëllimit”. Pra qëllimi paska qenë vetëm organizimi i një maskarade. Po në këtë gazetë janë fjalët e pjesëtarit të ekipit socialist Fatmir Xhafa “Seanca Rama, turpi ynë i përbashkët”, çka nënkupton bashkëpunim e bashkëfajsi në kurdisjen e farsës. Por, më domethënëse janë deklaratat triumfaliste të Berishës se “komisioni punoi në sintoni, se u arrit një fitore e madhe e përbashkët”. Ja përse nuk e kanë lënë Edi Ramën të fliste. Ja përse komisionet hetimore që ngre parlamenti po kthehen në mjete të një politike cinike që bëjnë Berisha e Nano për të goditur bashkërisht elementët që i bezdisin, për të krijuar zhurmë të kotë se po luftohen dukuritë negative dhe për të lënë gjërat si janë. Kjo është përdhosje e politikës.
Shamata anti-Rama u bë nën vëzhgimin shumë të durueshëm të përfaqësuesve diplomatikë amerikanë dhe europianë. Ra në sy se kur në një rast socialistët përmendën praninë e diplomatit amerikan, opozitarët demokratë reaguan me nervozizëm duke sqaruar se kishte të praniëshëm edhe europianë. Pra po bëhet edhe një betejë rivaliteti euro-amerikan në Shqipëri për “çështjen Rama”. Edi u prit me më nderime se Berisha në ambasadën amerikane ditën e përkujtimores për të ndjerin Limpreht. Madje u përmend edhe roli i Ramës në zbukurimin eTiranës. Kjo pa tjetër ka bërë xheloz Berishën, por edhe Nanon që tani e quan monopol të tij të lëpirët ndaj amerikanëve.
Prandaj “çështja Rama” ka marrë përmasa të tilla sa PD e Berisha të përurojnë “olldashizmin” e tyre si një stil e metodë pune tejet anti-demokratike në politikën shqiptare.
9.6.2003 Abdi Baleta