Re: Eshte bllokuar parlamenti apo nje salle me kar
Këshilli i Rregullores nuk ka rritur kompromisin për nenin 114 të rregullores, të ndryshuar në dhjetor, pas një propozimi të kreut të Komisionit të Ligjeve
Rregullorja, PS dhe PD ngecin tek amendamenti Ngjela
Anila Rama
TIRANË- Ndonëse gjatë paradites janë dhënë shenjat e një kompromisi të mundshëm për të nxjerrë Parlamentin nga kriza, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve nuk ka arritur dje në mbrëmje të marrë një vendim përfundimtar lidhur me shqyrtimin e amendamentit “Ceka” ose me interpretimin e rregullores për sa i përket çështjes së votimit të fshehtë. Për më tepër se dy orë, anëtarët e Këshillit të Rregullores kanë diskutuar për qëndrimin përfundimtar që do të mbahet lidhur me propozimin e “Cekës”, pra nëse do të ketë ndryshim të rregullores apo do të ketë thjesht interpretim të nenit 60 të saj. Por mbledhja është mbyllur pa asnjë rezultat konkret, ndonëse burimet si nga opozita, ashtu edhe nga maxhoranca, kanë pohuar se ka pasur tendenca të qarta për të arritur në një zgjidhje të përbashkët. Sipas burimeve nga Këshilli i Rregullores, mosarritja e kompromisit ka ngecur në kërkesën e përfaqësuesve të opozitës për të rikthyer nenin 114 të rregullores, ashtu siç ka qenë para ndryshimeve që iu bënë në dhjetorin e vitit të kaluar. Pra, që të vendoset se votimi i raporteve të komisioneve hetimore parlamentare për një anëtar të institucioneve kushtetuese, të jetë i shkëputur nga votimi për shkarkimin e këtij anëtari. Kështu, votimi për shkarkimin e anëtarëve të institucioneve kushtetuese, rast pas rasti, të jetë i fshehtë, me kuti, dhe jo i hapur, siç është parashikuar në nenin e 114 të riformular në dhjetorin e kaluar, amendament ky i bërë në anët kohë nga kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore, Spartak Ngjela. Kjo ka qenë edhe pika e nxehtë e debatit të zhvilluar dje në mbrëmje vonë në selinë e Kryesisë së Kuvendit. Përfaqësuesit e maxhorancës në komision nuk kanë qenë dakord me këtë propozim të socialistëve, duke kërkuar kohë për t’u konsultuar me grupin e tyre parlamentar. Ndërsa për pikën tjetër, pra për propozimin “Ceka”, është rënë dakord në parim që të bëhet interpretimi i nenit 60 nga juristët e Kuvendit, ndërsa është vendosur që përdorimi i votimit të fshehtë me kuti në rastet e shkarkimit dhe emërimit të drejtuesve të institucioneve kushtetuese, të jetë i vlefshëm, derisa të instalohet në Parlament një sistem i sofistikuar elektronik që do të garantojë deputetët për mosdekonspirimin e votës së fshehtë. Gjatë debateve të zhvilluara në javët e krizës parlamentare, përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar vazhdimisht që rregullorja të rikthehej ashtu siç ishte, pa u amenduar në dhjetor. Madje, ndryshimi i bërë në nenin 114 të rregullores është konsideruar nga opozitarët e majtë si shkaku kryesor i krizës që ka përfshirë për më tepër se një muaj Parlamentin, lidhur me votimin e fshehtë me elektronikë dhe me kuti. Amendamenti në fjalë është miratuar pa arritur kompromisin mes shumicës e pakicës, gjë që është konsideruar si shkelje e praktikës së ndjekur në vite, kur ndryshimi i rregullores është bërë gjithmonë kur palët kanë rënë dakord mes tyre.
Neni 114 i rregullores së Kuvendit, pika 3, e ndryshuar në dhjetor:
Kuvendi shqyrton me debat dhe voton raportin e Komisionit Hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e debatit dhe të votimit në Kuvend të raportit në të cilin kërkohet shkarkimi i anëtarit të organit kushtetues, si dhe kohën e debatit sipas nenit 48 të kësaj rregulloreje. Në rast se anëtari i organit kushtetues për të cilin kërkohet shkarkimi, kërkon të dëgjohet në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Raporti i komisionit hetimor që i propozon Kuvendit shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues, miratohet nga Kuvendi me shumicën e parashikuar rast pas rasti në Kushtetutë. Kur raporti nuk merr numrin e kërkuar të votave për shkarkimin e anëtarit, ai quhet i rrëzuar. Për ato rastet që parashikohen në Kushtetutë, vendimi i Kuvendit për miratimin e raportit të shkarkimit të anëtarit të organit kushtetues i dërgohet brenda 5 ditëve, sipas rastit, Gjykatës Kushtetuese dhe presidentit të Republikës
Neni 60
Votimi i fshehtë
1. Votimi i fshehtë bëhet për çështje që kanë të bëjnë me personat.
2. Votimi i fshehtë, përveç rasteve kur nuk lejohet të kryhet, sipas Kushtetutës, ligjit ose kësaj rregulloreje, mund të kërkohet nga të paktën 7 deputetë dhe vendoset me votim nga Kuvendi. Kërkesa për votim të fshehtë duhet të formulohet në kohën që drejtuesi i seancës mbyll diskutimet, deklaron se do të kalohet në votim dhe përpara se të ketë ftuar deputetët të votojnë me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike.
3. Votimi i fshehtë bëhet duke hedhur në kutinë e votimit fletën e votimit ose në mënyrë elektronike.
4. Fleta e votimit të fshehtë duhet të përmbajë të paktën objektin e votimit dhe alternativat e votimit pro, kundër dhe abstenim. Në fletën e votimit deputeti shënon me një shenjë të dallueshme dhe të qartë për zgjedhjen e bërë në alternativën për të cilën është dakord. Në rast se fleta e votimit përmban më shumë se një kandidat, përbri emrave të tyre vendoset një kuadrat, në të cilën deputeti duhet të vendosë shenjën për zgjedhjen e bërë.
07/04/2006
KATEGORIA: Politike
www.shekulli.com.al