Re: "Erion Bogdani"
Tre gola në Serinë A kurrë nuk i kishte shënuar në një ndeshje, ndoshta edhe ëndërruar jo. Por në fakt ato kanë ardhur, madje të tre njëherësh. Tripleta e shënuar në Palermo sigurisht do të mbahet mend gjatë jo vetëm nga tifozët e tij. Tre gola kanë shënuar edhe sulmues të tjerë në një ndeshje, por të shënosh tre të tillë në një trasfertë si në Palermo, për Erion Bogdanin do të jetë një nga kujtimet më të bukura të karrierës së tij në Itali. "Eshtë momenti i doktor Bogdanit! ", kështu hapej gazeta e madhe sportive italiane "La Gazzetta dello Sport" pas fitores së bujshme të Sienës ndaj Palermos jashtë fushës së vet. Ai me të drejtë zgjidhet në 11-shen më të mirë të javës në Itali, por jo vetëm kaq, pasi ai do të renditej në 11-shen më të mirë të javës në Europë, përkrah emrave të mëdhenj të futbollit botëror, Mesit të Barcelonës, Makait të Bajernit të Mynihut apo Emerson të Juventusit.
Por momenti i mirë i Erion Bogdanit do të vazhdonte edhe një javë më pas, duke shënuar një tjetër gol ndaj Askolit dhe tifozët toskanë nuk kishin pse mos ta rendisnin shqiptarin në një pjesë të historisë së klubit të tyre. "Eshtë i gjatë dhe i madh, por është i mirë si buka e përditshme", është një tjetër koment që i bën shtypi italian sulmuesit shqiptar, tashmë pjesëtar i pandarë edhe i Kombëtares shqiptare.
Shtatë golat e tij këtë sezon për Sienën kanë qenë shumë të rëndësishëm, pasi i kanë dhënë pikë të vyera skuadrës, duke e mbajtur ekipin në mesin e artë të tabelës,çka është edhe objektivi kryesor i këtij ekipi. Por ai më shumë ka shërbyer për të tjerët, pasi më shumë se gjysmat e golave të shënuar nga veterani Kieza kanë qenë pikërisht "dhurata" nga shtatlarti shqiptar. Për shumë tifozë ai mund të jetë thjesht një sulmues që shënon dhe bën detyrën e tij në fushën e lojës, por gabohen, pasi Bogdani, si pak futbollistë, është i diplomuar në ekonomi dhe kjo e bën atë një lojtar të kompletuar. Eshtë larguar që i ri nga Shqipëria, për të luajtur në Kroaci dhe në Itali, por largësia nga familja nuk e ka penguar për të qenë i suksesshëm, madje më i suksesshmi ndër sportistët shqiptarë në botë për momentin.
E ardhmja
“Trajner apo menaxher?!”
Flet shpesh me familjen në Shqipëri dhe interesohet për çdo gjë që bëhet këtu te ne. Ndoshta dikush mund të pyesë se çfarë i duhet Shqipëria, kur ai ka një karrierë të suksesshme në Itali? Por Erjon Bogdani e sheh të ardhmen pikërisht në vendin e tij. Nuk e ka vendosur akoma se çfarë do të bëjë kur të "varë këpucët në gozhdë", nëse do të bëhet trajner, apo do të shkëputet nga bota e futbollit, pasi është vetëm 28 vjeç dhe ai të paktën mendon të luajë edhe një dekadë këtë lojë magjike. Duke pasur edhe njohuri për ekonominë komerciale, ai mund të bëhet një menaxher shumë i mirë, por Bogdani thotë se është shpejt për të menduar. Bomberi shqiptar premton se ka për të realizuar edhe një objektiv me Kombëtaren e vendit të tij, ku është rikthyer me mjaft sukses pas mosmarrëveshjeve me trajnerin Brigel.
Në Shtator fillojnë eliminatoret për Kampionatin Europian dhe natyrisht që Bogdani do të kërkojë të shënojë edhe për ngjyrat kuq e zi. Se çfarë do të bëjë Bogdani ndaj Holandës së Van Bastenit, kjo mbetet për t'u parë. Deri atëherë ka shumë kohë, por gjasat tregojnë për një Bogdan gjithmonë në rritje dhe nuk është çudi që ai të trondisë një nga ekipet më të forta në botë. Fundja ai e ka treguar veten ndaj ekipeve më të forta të Italisë, pse mos ta bëjë edhe ndaj tulipanëve.
Bogdani, një kalendar për tifozët e Sienës
Gjatësia dhe eleganca e tij e kanë bërë një nga djemtë më simpatikë në skuadër. Eshtë zgjedhur pikërisht Erion Bogdani të pozojë për kalendarin e vitit të klubit të Sienës. Në faqet e këtij kalendari ai ka pozuar paksa ndryshe, duke bërë për vete shumë femra në Toskanë dhe në Itali. Edhe pse janë bërë mijëra e mijëra kopje të këtij kalendari, Bogdani nuk ka përfituar asgjë, pasi të ardhurat nga shitjet e këtij kalendari i kanë kaluar një shtëpie ku rriten fëmijët e braktisur.
Bogdani, sportisti i vitit
Formën e tij të mirë sportive e ka vlerësuar edhe gazeta më e madhe sportive në Shqipëri, "Sporti shqiptar". Sipas një votimi trasparent me gazetarët sportivë të mediave të ndryshme në vendin tonë, e kanë pozicionuar Erion Bogdanin në vendin e parë për vitin 2005, duke lënë shumë prapa rivalët e tjerë në renditje. Eshtë vlerësim prestigjoz për këtë sulmues. Por Bogdani nuk është se e fiton për herë të parë këtë anketë, sepse e ka fituar edhe dy herë të tjerë anketën e "10 sportistëve më të mirë".
Skeda personale
Emri: Erion
Mbiemri: Bogdani
Datëlindja: 14.4.1977
Vendlindja: Tiranë
Gjatësia: 191 cm
Pesha: 82 kg