HipHop-Girl
Papirus rex

Piktura religjioze: Kahu i “errët” i Idromenos
Artisti shkodran Kolë Idromenno (1860-1939) është padyshim artisti më i rëndësishëm gjatë kapërcimit të shekullit të XIX-të. Ai njihet nga të gjithë për karakterin e tij multi-dimensional pasi trajtoi njëherësh gjini si piktura, fotografia, arkitektura e muzika edhe pse tabllotë “Motra Tone” (1883) apo “Dasma shkodrane” (1924) në memorien kolektive e pozicionojnë atë më tëpër si piktor. Gjatë karrierës së tij të gjatë artisti trajtoi tema nga më të ndryshmet, të cilat shpesh, ashtu si artistët e tjerë të kohës së tij, u përqëndrua tek gjinia e portretit, magjia e peisazhit, apo tek vlerat etnografike. Si trashgimi e kësaj krijmtarie sot në GKA dhe në disa galeri në qytetin e Shkodrës ruhen një sasi e vogël portretesh e pak peisazhe. Për hir të së vërtetës, shumë prej këtyre veprave përkunden mes një dilentantizmi a mos impenjimi artistik. Kompozimi i vetëm, mbi të cilin mund të flasim për një studim të mirëfilltë figurash, është vepra “Dasma Shkodrane”, e filluar më 1909, por e mbaruar 15 vjet më vonë.
Ajo që sot pak dihet e për të cilën akoma më pak flitet është ajo pjesë e krijmtarisë artistike të artistit që trajton temën fetare. Pas një kërkimi në biografinë e artistit, del në pah një numër i madh veprash artistike me këtë temë, sot krejtësisht të panjohura. Disa prej tyre janë tabllotë “Vdekja e kapadaisë”, “Ora e fundit”, “Gjygji i të keqit”, “Të shenjtëruemit e Marisë” apo “Rrugët e jetës”, “Gjygji i fundit”, “Betimi i rremë”, “Martesa e parregullt”. Katër veprat e fundit fatmirsisht sot gjenden të publikuara në botimin “Kujtime nga Shqipëria e Epërme” e Ogyst Degrand, kunsull austriak në Shkodër gjatë viteve 1893-1896. Nga biografia e artistit mësojmë se ai ka punuar dhe në kishat si ajo e Shalcit pranë Ulqinit (1897), në Katedralen e Shkodrës, në Kishën e Fushë Ҫelës, në Kishën e Shirokës (1906), në Kishën e Kuklit dhe në Kishën e Vaut të Dejës.
Nga gjithë këto vepra vetëm një prej tyre sot është akoma e vizitueshme në Muzeu Historik në Shkodër. Ajo është “Rrugët e jetës”, e njohur ndryshe dhe si “Dy rrugët”, realizuar rreth viteve 1890-1896 (?). Arsyeja që këto vepra sot nuk gjenden më, gjendet në temën që ato paraqisnin. Shteti komunist shqiptar u mundua që të ndërtonte një reputacion artificial mbi artistët, duke i anashkaluar veprat religjoze. Shtetit komunist dhe kritikës së kohës i nevojitej një artist patriot me vështrimin gjithnjë të orientuar drejt temës realiste e patriotike. Të njëjtin fat, patën dhe shumë nudo të realizuara nga artistë të ndryshëm në dekadat e para të shekullit të XX-të, të cilat u ekspozuan rrallë, duke krijuar një defiçit në plotësimin e gamës së zhvillimit të tyre stilistikor.
“Rrugët e jetës” është një kompozim kompleks, që merr përsipër të ilustrojë fatin e njerëzimit, duke e transferuar të gjithë këtë në kontekstin e realitetit ku artisti jetonte. Nga një vështrim i përgjithshëm duket qartë se vepra nga ana formale, është e influencuar nga periudha rinashimentale e artit italian.
Tema, mjaft e përdorur nga artistë të shekullit të XIV-XV, është një risjellje apo tentativë e dukshme për të risjellë në realitetin e arteve pamore shqiptare një risi, që, për arsye historike, nuk mundi ta njohë kurrë.
Tablloja me përmasa 200 X 170cm, është një kalvar human i kompozuar në dy linja kryesore të lakuara në drejtime të kundërta. Vija e horizontit, në pjesën e sipërme të kompozimit i ka lënë më tepër hapësirë subjektit tokësor. Është një mal, jo në formë piramidale, por me majë të sheshtë, ku befas në qendër krijohet një hapësirë për një tip ashensori virtual e shpirtëror, që i ngre personazhet drejt parajsës qiellore. Në krahun e kundërt, por e spostuar në të djathtë, dallohet figura e Djallit, që pret viktimat e tij në një fund apokaliptik. Peisazhi, paraqitet i butë, karakteristik e i pikturuar hijshëm. Ai i jep tabllosë një karakter më shumë natyror se sa apokaliptik, duke pasur parasysh natyrën e temës ikonografike që merr përsipër të trajtojë. Peisazhi është shkëmbor, ku dallohen shkëmbinjtë e shumtë të kaltër, pemët me kurorën e rrumbullakët dhe kopshtet e mbjella me trëndafila. Pra, një peisazh familjar, i ëmbël, që duket sikur ka për qëllim t’i shoqërojë njerëzit për në destinacionin final, nëpër një rrugë-kalimi të njohur për ta.
Burimi më i fuqishëm i dritës, kuptohet që vjen prej selisë së shenjtë qiellore dhe pastaj shpërndahet gradualisht, duke ndriçuar mirë të gjithë skenën dhe personazhet. Ngjyrat e kësaj tablloje janë të gjalla, plot jetë, ku si sfond shërben një e kaltër e përhapur në të gjithë peisazhin. Autori përdor ngjyra të pastra, duke evidentuar personazhet dhe karakteristikat e tyre me penelatën e hollë.
Kompozimi është ndërtuar në formën e një “S”-je gjigande, të zgjatur, që përbëhet nga disa linja të kundërta zig-zage. Linjat, që formohen nga grupimet e njerëzve, respektivisht të drejtuara drejt ferrit dhe parajsës, ndahen nga dy porta gjigante, që simbolizojnë hyrjet drejt asaj ku personazhet janë destinuar të shkojnë. Personazhet, rreth 200, janë të shoqëruar nga ëngjëjt, në rastin e parajsës, dhe nga djajtë, në kalvarin drejtuar fundit të ferrit. Këtu, personazhet janë ata që krijojnë me qëndrimin e tyre dramacitetin e skenës. Për këtë arsye, duket sikur artisti për trajtimin e kësaj skene është influencuar më shumë nga arti toskan i shekullit të XV, ku rëndësia që merr peisazhi dhe tema apokaliptike është parësore dhe e trajtuar me nota gati romantike. Personazhet, të ndryshëm në formë dhe qëndrim, janë paraqitur me kostume kombëtare. Kjo tabllo karakterizohet për realizimin e hollësishëm e real të detajeve të tyre. Kujdesi për përshkrimin e datajeve sa më të vërteta nga ana e autorit, të habisin për saktësinë e tyre, aq sa mund të dallohet edhe një lloj pasqyrimi i aspekteve të jetës në kohën që jetonte autori. Sipas studiuesve, piktori, si shumë paraardhës të tij, ka pikturuar dhe vetveten në grupin e muzikantëve. Interesant duket fakti, që ai e paraqet vetveten, jo si piktor, por si një muzikant[1].
Tablloja bëhet gjithmonë e më interesante ndërsa hulumtohen personazhet e saj, të gjithë të ndryshëm në qëndrim. Një vështrim i përgjithshëm tregon që tek porta e ferrit, dallohet një grumbull i madh njerëzish, që presin të hyjnë para rojeve djaj e më pas, sipas statusit e pozicionit, kush me kalë e kush më këmbë, të shoqëruar nga djajtë grupe-grupe, të nisen drejt “zjarrit të përjetshëm”. Disa prej tyre, janë trajtuar njësoj siç janë në jetën e vërtetë, me bagëti, apo me pushkë në krah dhe kjo i shton vlerat ikonografike dhe simbolike të tabllosë. Po kështu ndodh dhe tek dera e parajsës, që normalisht ndryshon si në formë e trajtim formal nga ajo e ferrit. Personazhet më të paktë, shoqërohen drejt parajsës qiellore nga ëngjëjt, ku i pret një kortezh hyjnor, që kulmon me figurat e shenjta.
Ata janë të ndarë në grupe, mes procesioneve, ku zhvillohen ngjarje nga jeta e përditshme gërshetuar me fabula me temë biblike. Tek pjesa e rrugës për parajsë, vërehet që fill pas ndërfutjes, personazhet regjistrohen, ndërsa nëpër duar mbajnë sendet identifikuese të veprimtarisë së tyre tokësore. Të parët janë një pasanik e një fshatar i thjeshtë, që shkëmbejnë një peshqir për t’u pastruar. Pasaniku duket i gjerë në shpirt, çka e tregon dhe vendi i tij në parajsë. Më pas shihet një mbret, që po i lan këmbët një njeriu të thjeshtë… dhe fabula është e njëjtë. Thjeshtësia dhe përulësia e mbretit i ka dhënë atij jetën e përjetshme. Një tjetër është një figurë e fisme, plotësisht e dedikuar ndaj Zotit, gjë që verifikohet nga pëlhura e tij e kaltër, shenjë që i rezervohet zakonisht figurave të shenjta. Pas tij është një prift, i shoqëruar nga një ëngjëll e më tej akoma një tjetër figurë biblike, ndoshta Jobi, një person të cilit Zoti i hoqi gjithçka për të vërtetuar besimin e tij. Jobi ishte shumë besimtar dhe i pasur, por Zoti i hoqi gjithçka për të vërtetuar besimin e tij deri në fund, edhe kur ai ishte me lebër. Në këtë formë paraqitet dhe në këtë pikturë, me lëkurën e sëmurë dhe gishtin drejtuar lart, drejt qiellit, duke i treguar një gruaje vuajtjen dhe besimin e tij, sepse ai kurrë nuk hoqi dorë nga dashuria për Zotin. Pikërisht në këtë fragment të pikturës shihet një anekdotë kurioze e ndërtuar nga artisti me mjaft delikatesë e sens humori.
Duket sikur rruga e parajsës papritur hapet, nga një shteg që zbret poshtë, drejt të cilit janë nisur dy personazhe, një djalosh dhe një djall. Pas figurës së djalit duket dhe kryqi. Djalli duket sikur punon parreshtur edhe në parajsë, për të dërguar sa më shumë shpirtra drejt mbretërisë së tij. Djalli duket sikur e gënjen, duke e drejtuar drejt një shtegu tjetër, që të çon poshtë, në Ferr. Dy personazhet pasardhës janë dy kalorës nga shekujt e kaluar, që takohen me mall. Figura të tjera janë besimtarë mes ëngjëjsh, në akte mirësie. Pak para se t’i afrohemi fundit të kalvarit, duket sikur një tjetër djall ka mundur të gënjejë një djalë, që mes dyshimesh duket sikur do të hedhë kryqin poshtë. Figurat e fundit janë ato që tradicionalisht njihen si më besimtaret, ku dallohen priftërinjtë e murgeshat, që priten krahëhapur nga ansambli i shenjtë hyjnor.
Në krahun tjetër, zhvillohet kortezhi i ferrit. Turma e njerëzve, pasi kalon portën, përballet me djallin që ka hapur librin dhe kontrollon emrat. Që në turmën e parë të personazheve, na tregohet dhe mëkati për të cilin ato po shkojnë në Ferr. Personazhet, që flasin dhe “ngacmohen” me njëri tjetrin, janë një grup qytetarësh të veshur mirë: duket sikur ka qenë pikërisht ky imoraliteti që i ka dënuar në flakët e përjetshme. Pas tyre vijnë dy kalorës të cilët shoqërohen me shërbëtorin në këmbë, pra me një shenjë mendjemadhësie e kryeneçsie. Dy fshatarë të lodhur, ndoshta shumë dembelë, janë shtrirë në bar e po pinë duhan. Para tyre janë dy gjahtarë me zagarë, por më interesant janë dy personazhet mbrapa: Shihet një djall që po i jep të pijë një udhëtari, pasi duket sikur atij i intereson të shkojnë të gjithë shpejt e shëndoshë deri tek flakët e përjetshme të Ferrit.
Një tjetër fabul ndërtohet pas tyre, ndërsa shihet një personazh grykës që shqyhet nga të ngrënët e një që vjell, pasi ka pirë një gotë verë. Poshtë, në një lëndinë të rrethuar nga lule, të lumtur, po kërcejnë dy djaj, se rradhët e njerëzve janë vërtetë të shumta. Rreshti poshtë plotësohet nga skena të tjera alegorike ku dallohet, “ahengu” shkodran, një skenë gjyqi, vjedhja e një gruaje me fëmijë, një plakë që kreh një vajzë të re, ngarkuar respektivisht me simbolin e mëkatit përkatës, deri sa tërhiqen me forcë nga djajtë e fundit drejt Djallit e flakëve të përjetshme.
Tablloja, ndoshta më e rëndësishmja për nga vështirësia, trajtimi kompozicional, pasuria e detajeve, ngarkesa simbolike dhe mesazhi, përbën kryeveprën dhe testamentin piktorik të artistit. Ajo është një gjëegjëzë universale, është një panoramë ku artisti i tregon gjithkujt vendin që i takon, pa hile. Ai i paraqet ata ashtu siç janë, si duhet dhe si nuk duhet të jenë. Detyra e artistit kthehet kështu në një mision moralist të shoqërisë shqiptare të kohës. Filozofia intelektuale dhe humane e këtij artisti të madh, shpaloset para spektatorit si një libër i madh, ku tregohen të gjitha sfidat që presin shpirtin e njeriut deri në gjyqin final.
Për më tepër, çdo element i saj përbën një pasuri etnografike, që shumë piktorë pasardhës e risollën në mënyrën e tyre. Ajo, edhe pse e ngjashme në stil dhe kompozim me një frymë tjetër artistike, të shumë shekujve më parë, përbën një shembull unik në artin shqiptar për nga tematika dhe gama universale shpirtërore e njeriut, e parë në këndvështrimin etnik e kombëtar.
Nga biografia e tij, mësohet që Idromeno, ndoshta në po ato vite, me porosi, ka realizuar sëbashku me këtë tabllo edhe tabllonë “Fluturimi i Zonjës”, po me temë fetare. Studiuesi A. Kuqali, na informon se tablloja ilustron një legjendë fetare lidhur me pushtimin turk, ku dallohet sfondi me Kalanë e Rosafatit. Tablloja identifikohet si një nga shembujt më të mirë të artistit për fuqinë dhe origjinalitetin e peisazhit, si dhe për dy personazhe shkodrane të paraqitura gjithashtu në kostume kombëtare. Kronika mbi këtë tabllo na vjen mjaft e cunguar dhe për më tepër ajo nuk dihet ku është sot.
Tabllotë me temë religjoze përbëjnë një prej defiçiteve më të mëdha për këtë artist. Ato duket sikur ridimensionojnë emrin e artistit të madh që ai mbartëte për sa kohë ishte gjallë. Rigjetja e tyre do të plotësonte dukshmë një handikap të madh në historinë e artit shqiptar. Në Historinë e Artit Shqiptar sot akoma peshojnë mungesat e kësaj gjinie ashtu siç mungojnë dhe tabllotë e orientuara politikisht gjatë kohës së monarkisë. Plotësimi i kësaj game do të sillte një vështrim më të qartë në zhvillimet e artit shqiptar në shekullin e kaluar.
[1] Kolë Idromeno, përveç të tjerave, njihet dhe si muzikant, ku luante instrumentin e trombës, si pjesëtar në bandën e qytetit të Shkodrës.
“Dy Rrugët” e Kol Idromenos, pse kryevepra u la në harresë
Skenat dhe kostumografia te “Dy Rrugët” ose “Paradise & Hell” shqiptar të Idromenos, janë edhe lartësia më e madhe e ndonjë tabloje të modelit religjonar, por që artisti i madh i ka jetësuar kaq shumë dhe kaq bindshëm, sa që edhe në ditët e sotme kanë pjesën e të vërtetës brenda një realiteti shqiptar. Piktura e madhe dhe tabloja gjithëpërfshirëse në vetvete nuk janë promovuar, nuk janë ekspozuar dhe ndoshta dhe jo vlerësuar, sepse koha dhe parimet shpesh herë jo të hapura, jo përparimdashëse dhe qytetërimdashëse nuk kanë lejuar. Kjo pikturë është anashkaluar për dekada nga regjimi komunist, madje ai ka dashur ta përdorë, edhe pse nuk ka mundur të bëjë një interpretim të saj, me anën e “Muzeut Ateist” famëkeq në Shkodër. Kjo vepër është një frymëzim Dantesk i Idromenos, por është një vepër e jashtëzakonshme e një realiteti kulturor, etnografik në sajë të kostumografisë gjigante që ka dhe normalisht religjonare, por dhe social-civilizuese për mesazhin dhe moralin që tregon.
Por sot në “Muzeun Historik të Shkodrës” është një nga veprat më të larta ideore të Kol Idromenos, piktorit, arkitektit dhe urbanistit, por edhe muzikantit dhe fotografit shkodran. Talenti i tij në të vërtetë është shfaqur në tablonë “Dy Rrugët”, e cila është pronë e Muzeut të Shkodrës dhe si pasojë e bashkisë së këtij qyteti,vepër e cila ka lindur rreth viteve 1890 dhe përmasat e saj janë 200 X 170 cm. Në fakt të dyja tablotë mund të quhen “Paradise end Hell”, sepse tregojnë rrugët dhe ndarjen e njerëzve drejt Parajsës dhe Ferrit. Por çfarë ka ndodhur te Idromeno rreth viteve 1891-‘92, kur e ka filluar këtë punë gjigante për nga përmasat e saj dhe sasisë së individëve, kostumeve dhe skenave që kjo tablo paraqet? Ka ndodhur ajo që autori, por edhe kisha në ato vite, kishin zbuluar dhe tashmë mërzitur shumë, nga një lloj amoraliteti shoqëror dhe tendenca është moralizimi, kthimi në rrugën e drejtë, por edhe qytetërimi, dhe largimi nga jeta turkoshake apo më mirë të themi nga dembelizmi dhe padituria në rrafshin masiv.
Pra, kemi të bëjmë me kritikën reale ndaj veseve dhe modelit të jetës në atë kohë, dhe jo vetëm në fshat, por edhe qytet. Në tablonë e madhe “Dy rrugët” ndihesh si në një skenë teatri dhe patjetër në Shkodër. E konceptuar si “Parajsa dhe Ferri”, ndarja e kalimit të turmës në dysh, njëra te “Porta e Ferrit” në pjesën e poshtme të tablosë, dhe tjetra më e rrallë në personazhe, që futet në “Purgator” dhe më vonë në “Parajsë”, është e vendosur në pjesën e sipërme. Por në fakt në Parajsë shkohet si në rrugën e Kalasë së Shkodrës. Idromeno ka vendosur të njëjtit gurë, të njëjtën zigzage, dhe po ashtu të njëjtin ndriçim diellor dhe hyjnor që ka “Rozafati”. Kurse “Ferri” i Idromenos është i detajuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Nuk është i tmerrshëm, përveç fundit të tij, ku djajtë i hedhin mëkatarët me anën e shqytave në zjarr. Përkundrazi, natyra është tepër e bukur dhe jeshile. Është sërish natyra e jashtëzakonshme e Shkodrës, po ato çinare dhe po ato livadhe jeshilë si në Shkodër.
Ngjyrat dhe kostumografia janë të mrekullueshme. Mbi 20 lloje kostume burrash dhe grash, por edhe fëmijësh, janë detajuar qartë në këtë turmë laramane. Janë vitet e fundit të 1900-ës dhe Idromeno ka vendosur kostumografinë e Veriut, Shkodrës veçanërisht, si madhësi ku spikatin malësia dhe fusha, por edhe raportet midis tyre. Ka kostume qytetare muslimane dhe katolike, por është edhe Zadrima dhe Dukagjini, apo Kelmendi.
Piktura ose pjesa e “Portës së Ferrit” është në antitezë me Parajsën dhe cilësinë e saj të butësisë së ngjyrës dhe rregullit hyjnor. Por rrugës për në të dyja portat ka shumë e shumë koka personash të tjerë që Idromeno i lë të varur në mëdyshjen e tyre të gati fajshme, e cila thotë: Në Parajsë apo në Ferr?!
Skenat dhe tabloja teatër e Idromenos janë edhe madhështia e saj e vërtetë. Një nga skenat që ka tërhequr shumë dhe tërheq shumë çdo njeri që qëndron përpara pikturës, është skena e mirëdetajuar e “ahengxhinjve” shkodranë. Skena është vendosur nga Idromeno në gjysmën e rrugës për në “Ferr”, në një vend me bar, me një pyll sipër dhe duke qenë se vetë Idromeno është një “ahengxhi”, ka nxjerrë edhe veten, por ama ka detajuar këtë shtresë të qytetarisë shkodrane. Janë 16 “ahengxhinj” rregullisht shkodranë, kryesisht me religjion katolik dhe dy djaj, ku njëri shkruan se çfarë po ndodh dhe tjetri po habitet, duke qëndruar midis dy “ahengxhinjve” që e kanë rrethuar vetë djallin, duke qenë akoma më “djaj” se vetë djalli. Dikush po pi raki, shumica këndojnë, dikush po thërret nga ana e atyre që po vijnë në “Ferr, por dhe Parajsë”, për t’u bashkuar me grupin e madh. Një nga modelet më të qarta të kritikës së pastër që Idromeno i bën shoqërisë, është edhe modeli “ahengxhi”, që nuk do t’ia dijë për asgjë, por vetëm për modelin e jetës së tyre. Prej këtyre ahengxhinjve kanë dalë si muzika, por edhe barsoletat dhe thashethemet dhe në tablo duken kur bisedojnë me njëri-tjetrin. Veshja e tyre është tipike dhe qëndrimet po ashtu. Normalisht, ky është vesi qytetar, por poshtë kësaj skene të madhe të veseve të qytetit të Shkodrës është një skenë tjetër e madhe, e mirëdetajuar, që është ajo e malësorëve, fshatarëve apo katundarëve, që vriten me njëri-tjetrin. Kjo është skena e njerëzve të dhunshëm, jeta e të cilëve është thika, pushka dhe “trimëria” për të vrarë dhe prerë. Kjo skenë është vendosur me qëllim poshtë asaj të “ahengxhinjve”, si një antipod vesesh qytet-fshat. Tabloja në skenën e vrasjeve, ka 9 personazhe, ku tetë janë ruralët vrastarë dhe njëri djall, që duket se edhe ai ka frikë, por edhe entuziazmohet në delir…!! Në skenë ka një të vrarë dhe të gjithë të tjerët të qëlluar nga njëri-tjetri.
Të gjithë po vrasin të gjithë, dhe Idromeno ka dashur të tregojë jetën kriminale të banditëve të “arsyes” së forcës në malësi dhe zonat rurale të Shkodrës. Skena tregon egërsinë dhe moralin e forcës dhe vrasjes, dhunën dhe mendimin vrasës në atë kohë. Kostumet janë rregullisht malësorësh dhe fshatarësh, të cilët kanë të gjithë armatimin e kohës. Një nga skenat më të rëndësishme masive dhe me shumë personazhe të Idromenos në “Dy Rrugët” është afër grykës së ferrit dhe trajton një “gjyq”, ku burrat, përpara një kryqi dhe dy shandanëve të kuq, betohen, shajnë, mashtrojnë dhe tregojnë dhe librin, i cili duhet të jetë “ligji”, por që, me sa duket, trajtohet keq. Janë në këtë skenë njerëzit dhe morali i tyre i zvetënuar, që edhe me ligjin vepron keq dhe në mënyrë mashtruese. Idromeno kthehet kështu në moralizuesin e kohës dhe sistemin e të së vërtetës. Me tablonë e cila duket në masën më të madhe religjionare, në të vërtetë kupton se shoqëria e asaj kohe ka pasur po të njëjtat problematika me të sotmet. Kjo pikturë madhështore dhe pronë e “Muzeut Historik të Shkodrës” është një kryevepër idesh dhe etnosi, por dhe posaçërisht kostumografie, që mbart gati 200 personazhe. Kjo pikturë tregon politikisht dhe moralisht fundin e pushtimit turk në Shqipëri dhe Idromeno ngrihet mbi kohën, i bën një apel-analizë asaj, por tregon edhe të keqen në përgjithësi të asaj shoqërie primitive në atë kohë. Kur shikon këtë pikturë, të shkon mendja se ke përpara një vepër të madhe të Rilindjes së vonë Italiane, por ama me kostumografinë e jashtëzakonshme të zonës së madhe të Shkodrës. “Dy Rrugët” është piktura e madhe dhe një trashëgimi e jashtëzakonshme e moralit dhe ideve të kohës, por edhe një nga shfaqjet e larta të kostumografisë, që piktori dhe rilindësi shkodran e ka treguar në mënyrë të plotë.