Re: Divorci ne Shqiperi
Nga 866 kërkesa divorci, me vendim gjykate i kanë thënë lamtumirë martesës 605-çifte
Tiranë: 605-divorce për 9-muaj
Flamur Vezaj-Shekulli
TIRANË- Të ndikuar nga plagët sociale që përjetojmë çdo ditë, si papunësia, gjendja e rënduar ekonomike, mungesa e mirëqenies për të rritur fëmijë, emigrimi, mospërputhje karakteri, tradhti bashkëshortore dhe dhuna fizike, kanë detyruar qindra çifte t’i drejtohen Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, për t’i thënë lamtumirë martesës. Këto janë disa nga arsyet, të cilat shënohen në vendimet e gjykatës, pasi merr fund lidhja martesore ndërmjet një çifti. Statistikat e publikuara nga togat e zeza të kryeqytetit, kanë vënë në dukje se brenda nëntë muajve të këtij vitit, janë depozituar pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate 866-kërkes padi për “zgjidhje martese”. Ndërsa, 109-kërkesë padi të tilla, janë të mbartura nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2005, të cilat tashmë janë përfunduar nga togat e zeza. Të llogaritur në totalë vetëm për divorc, panë togave të zeza të kryeqytetit janë depozituar 866-kërkesa, nga të cilat vetëm brenda 9-mujorit të këtij vitit kanë arritur të gjykohen dhe kanë përfunduar me ndarje 605-çifte, ndërkohë të pa përfunduara dhe që janë në shqyrtim gjyqësor janë 261-kërkesa për ndarje mes çiftësh. Ndërsa, në asnjë rast brenda këtij 9-mujori, togat e zeza nuk kanë arritur të bindin çiftin që të pajtohen mes njëri-tjetrit.
####
Të krahasura me shifrat e të njejtës periudhë të vitit të kaluar, vihet re se ka një rritje të ndjeshme të numrit të çifteve që divorcohen. Sipas disa prej gjyqtarëve civilistë, të cilët merren me shqyrtimitn e këtyre dosjeve, thuhet se “në të shumtën e rasteve është vënë re se janë femrat ato që kërkojnë të divorcohen nga bashkëshorti”,-thonë gjyqtarët. Duke shtuar se disa prej çifteve nuk pranojnë të paraqesin para gjykatës arsyet se përse duan t’i japin fund jetës bashkëshortore duke i përkufizuar vetëm me një fjalë të vetme “nuk përputhemi”. Por, në rastet e deklaruara para gjykatës mësohet se shkaqet ekonomike janë ndër arsyjet kryesore që çojnë në marrjen e vendimit ekstrem. Të adhurat e pakta, dhe mbetja pa punë e njërit prej bashkëshortëve kryesisht burrit, ka qenë pikënisja që në familje të lindin kontradiktat, të cilat në shumë raste kanë përfunduar me përdorimin sistematik të dhunës gjë që bashkuar me problemet e tjera e ka bërë të pamundur bashkëjetesën. Por nuk kanë munguar edhe divorcet edhe në rastet kur çifti ka qenë në gjendje të mirë ekonomike, por në këto raste ndarja ka ardhur si pasojë e tradhtisë bashkëshortore, që ka krijuar njëri prej bashkëshortëve si rezultat, i të cilës ka braktisur familjen e mëparshme për të krijuar një jetë të re.
####
Por, pas zgjidhjes së një martese, problemi janë fëmijët dhe ndarja e pronësisë. Ku nuk kanë munguar edhe rastet kur kanë përfunduar në tragjedi. Ndërkohë, me futjen në fuqi të Kodit të ri të Familjes, gjykata është e detyruar të përcaktojë edhe kujdestarinë e fëmijës menjëherë gjatë dhënies së vendimit për ndarje. Gjatë shqyrtimit të seancave Kodi i ri i Familjes mundëson që për përcaktimin e prindit, i cili do të kujdeset për fëmijët, merret edhe mendimi i psikologut. Duke qenë i pranishëm në disa seanca ku zhvillohet procesi i divorcit kryesisht në momentet kur merren në pyetje fëmijet, psikologu është në gjendje të përcaktojë, se cili është prindi i aftë për t’iu besuar kujdestaria e fëmijës. Por pas kësaj, bëhet edhe kalimi i pensionit ushqimor në favor të fëmijës. Njëri nga prindërit, zakonisht është i “dënuar”, në raste të shumta babai, duhet të paguajë gjysmën e rrogës mujore për të mbajtur fëmijën deri në moshën 18-vjeçare. Togat e zeza gjatë shqyrtimit të kërkesë padisë ku në mes janë edhe fëmijët përcakton edhe kushtet. Në rastet që fëmija është nën dhjetë vjeç, i lihet në kujdestari të detyruar nënës, ashtu si e përcakton edhe ligji. Por ka edhe përjashtime, kur nëna nuk është në gjendje ekonomike dhe shëndetësore të kujdeset për fëmijën, dhe ky fakt përcaktohet nga psikologu, atëherë kujdestaria i kalon babait. Ndërsa përpjesëtimi i pasurisë, zakonisht kryhet me ndërhyrjen e ekspertit, pasi në raste mjaft të pakta çiftet që divorcohen bien dakord për një ndarje me mirëkuptim të pasurisë së vendosur pas martesës.
Arsyet
Në shumicën e rasteve, shkaqet që çojnë drejt ndarjes çiftet janë nga më të ndryshmet. Por, arsyeja që shënohet rëndom në vendimet e gjykatës janë: papunësia, gjendja e rënduar ekonomike, mungesa e mirëqenies për të rritur fëmijë, emigrimi, mospërputhje karakteri, tradhti bashkëshortore dhe dhuna fizike. Shumë çifte janë të detyruar t’i nënshtrohen divorcit pas një jete të gjatë në emigrim, kur njëri nga bashkëshortët shkon në emigrim, pala tjetër është e detyruar të presë me vite. Gjyqtarët janë ata që shpesh ndihen të trishtuar pas dhënies së një vendimi. Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, është një numër i caktuar gjyqtarësh, të cilët merren me çështjet familjare, kryesisht divorcet. Të pyetur nga ana jonë, secili prej tyre shpreh mendime të ndryshme por pa dashur të identifikohen me emër, pasi profesionin të cilin mbartin i ndalon të japin gjykime apo konkluzione. Sipas tyre, ajo që lë mbresë më shumë te një ndarje janë fëmijët, pika më e dobët e secilit çift. Janë këta që vuajnë më shumë pas ndarjes së prindërve të tyre. Divorci shoqërohet edhe me pensionin ushqimor. Shpesh prindërit, pasi largohen nga bashkëshortja, nuk pranojnë të paguajnë pensionin për fëmijët. Ata, sipas gjyqtarëve, fshehin të ardhurat, duke mos i deklaruar. Edhe kur janë me rrogë të mirë, ata dorëzojnë dokumente të falsifikuara, duke vendosur një rrogë minimale qesharake.