Re: Divorci ne Shqiperi
Divorcet “pushtojnė” kryeqytetin
STATISTIKAT/ Që prej fillimit të këtij viti, Gjykata e Tiranës ka shpallur ndarjen e 414 çifteve bashkëshortore
Psikologët: Gratë sigurojnë pavarësi ekonomike përmes punësimit. E kanë më të lehtë të përballojnë problemet
TIRANË-Divorci është një dukuri shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Në Gjykatën e Faktit të Tiranës, vetëm për 6-mujorin e parë të vitit, rezultojnë të divorcuar më shumë se 414 çifte, ndërsa nuk është regjistruar ndonjë rast ku të jetë bërë i mundur pajtimi i ndonjë çifti. Satistikat tregojnë se në divorc nuk ndikon shumë numri i fëmijëve që kanë çiftet e divorcuara. Të dhënat e 6-mujorit të parë të vitit tregojnë se çiftet e divorcuara, në shumicën e rasteve, kanë qenë pa fëmijë, me një dhe dy fëmijë. Ndërsa numri i çifteve të divorcuara që kanë mbi dy fëmijë është më i ulët.
“Infektohen” moshat e pjekura
Kryesisht, çiftet që divorcohen janë në moshe të re, ndërsa njihen raste kur fenomeni prek dhe moshat e pjekura. Kështu, numërohen rreth 30 çifte nga kryeqyteti, të cilët janë divorcuar pas 17 vjet deri në 20 vjet martesë. Gjatë këtij viti është regjistruar një rast hakmarrjeje midis dy bashkëshortëve menjëherë pas divorcit. I tillë ishte rasti, kur shtetasi Roland Cama, ish-efektiv i repartit 711 në Tiranë, vetëm disa orë pas divorcit, qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten, babnë e saj, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas vrau edhe veten. Sociologët mendojnë se në shoqëritë industriale shumë të zhvilluara, familja ekzistuese po përjeton një krizë të thellë, veçanërisht që nga fillimi i viteve '60.
Shkaqet e krizës
Një krizë e tillë reflektohet në rritjen e numrit të divorceve. Edhe në shoqërinë shqiptare, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore është rritur ndjeshëm numri dhe pesha specifike e divorceve. Sipas statistikave zyrtare të publikuara në vitin 1990, numri i divorceve ishte rreth 3,14 herë me i lartë se ai i vitit 1960. Sociologët mendojnë se një faktor i rëndësishëm për rritjen e numrit të divorceve është punësimi i grave. Është një fakt për t'u pranuar se gratë, duke siguruar pavarësinë ekonomike përmes punësimit, e kanë më të lehtë të kërkojnë divorcin dhe të përballojnë problemet ekonomike pa ndikimin e bashkëshortëve të tyre, shprehen sociologët. Ndërsa në Shqipëri, duke qenë se gratë punojnë më shumë brenda ekonomisë shtëpiake, rrjedhimisht nuk mund ta krijojnë një pavarësi të tillë. "Dhe në jo pak raste, varësia ekonomike u dikton grave të bashkëjetojnë me burrat, edhe kur mosmarrëveshjet mes tyre janë acaruar në atë masë sa që, përveç aspektit ekonomik, jetesa bashkëshortore i ka humbur pothuajse të gjitha funksionet e tjera sociale", thekson sociologu Zyhdi Dervishi.
Personaliteti i grave
Një tjetër faktor që ndikon në rritjen e numrit të divorceve është dhe rritja e nivelit të arsimimit dhe personalitetit të grave në shoqëri. Kështu në auditoret e Universitetit të Tiranës, numri i femrave që ndjekin studimet e larta është më i lartë në krahasim me meshkujt dhe për rrjedhojë, në një të ardhme jo të largët, në Shqipëri do të ketë më shumë femra te arsimuara se sa meshkuj. Ndryshimet në statuset e bashkëshortëve janë një faktor tjetër që ndikon në numrin e divorceve. "Dinamika e ndryshimeve në statuset e bashkëshortëve përcakton në një masë të konsiderueshme ecurinë e divorceve dhe të rimartesave edhe në shoqërinë demokratike shqiptare", shprehen sociologët.
nga gazeta DITA