Diku përtej janë lulet...

atman

Forumium maestatis
Diku përtej janë lulet...

Dashuria, pasioni, joshja, tundimi dhe ... Përtej njerzve, aty ku vdekja është vdekje, si një krijuese e përherëshme dhe jo pjellë e errësirës.
Nuk është pasioni kristian, i dhunuar, i mbërthyer njëherë e përgjithmonë në përmasat njerëzore, për të soditur se si hyjnorja vdes, është shumë më tepër, dëshirë njerëzore për të krijuar një pezulli ndërmjet botësh, që do ta afrojë dashurinë tek ata duke e larguar nga ajo diçka “ përtej...se përtej”, është tejbartje e ndjenjës në atë hapësirë ku ekstaza dhe deliri janë lumturia si një rigjetje, në imazhet e së – kaluarës, trok i përjetshëm, tronditës i përcjellë nga pshertima bosh, nga fjalë të shngjyrosura, nga një gjak i turbulluar, që mbajnë zgjuar kujtimin e diçkaje të ikur kaluar ...mbi ç’kalë ka ikur e kaluara, përse e kaluara ikën kaluar? Kjo e kaluar që mbart grimcat e lumturisë në shpirtin e saj, në fjalët e saj, në imazhin e saj...në gjithë sa është ajo që e quajmë: “përtej njerzve”, aty ku vetëm ndjenjës së braktisur i lejohet të shijojë një çast, një çast të mallkuar, ethet perveluese, jetëshuese të orgazmës, një çast më i shkurtër se një çast, aq sa nuk mund të shndrohet në imagjinatë dhe ky është mallkimi i përhershëm, përhershmëria si një rikthim i përjetshëm; rënkim i trupit, thermë që e përshkon shpirtin tejpërtej si plasat e akullit kur mbi të kalon afshi i ngrohtë i pranverës... dhe më pas shohim me trishtim se diçka tretet...është vdekja...diku përtej janë lulet...është jeta...



Po, përtej njerzve


Po, përtej njerzve
të kërkoj.
Jo në emrin tënd; e shqiptojnë,
Jo në imazhin tënde; e pikturojnë.
Diku,
më tej,
diku më përtej.

Përtej teje ty të kërkoj.
Jo, në pasqyrën tënde dhe në fjalët
As në shpirtin tënd.
Më tej,
diku përtej.

Përtej akoma, më tej
se vetja
Të kërkoj.
Nuk je
Çfarë unë për ty
provoj.
Nuk je
Çfarë regëtin
Në gjakun tim,
në deje
Dhe nuk është unë.
Përtej,
më përtej se diku,
Të kërkoj.

Dhe për të të gjetur, pushoj
Në ty, tek unë
Dhe të tjerë,
të jetoj.
Të jetosh, tashmë larg gjithçkaje,
Në anën tjetër të gjithçkasë,
- për të të gjetur -
është sikur të kesh vdekur.



Poezia është e Pedro Salinas dhe përkthimi është imi. Dikur kam futur edhe një poezi tjetër të poetit spanjoll. Ishte një përkthim shpejt e shpejt, por edhe ky tjetri është i tillë, nuk arrij të përqëndrohem për të bërë një përkthim, ose përshtatje, që ndoshta do ta japë poezinë me gjithë vlerat e saj. Megjithatë nuk jam shumë i bindur. Poezia është përplasje, pasqyrë, ose shikon aso jo, po e kape fluturimthi, mund të jesh i lumtur, ndryshe ikën dhe duhet ndoshta të presësh një pranverë tjetër, një tjetër, shumë të tjera dhe kjo pritje mund të jetë aq pranvera sa nuk e kupton çfarë ka ndodhur me ty...por...jo gjithmonë zogu vjen në dorë...ja përse i përkthej aty për aty...ankthi që shkakton gjuetia e ndjenjave...
 

atman

Forumium maestatis
Re: Diku përtej janë lulet...

Është një nga poezitë e tjera të Salinasit. E kisha përkthyer për t’ia dhuruar vetes sime, por duket se ka më shumë vlerë ta ndaj me ju.




Unë, s’mund të të jap më shumë.


Unë, s’mund të të jap më shumë,
Jam ky që jam.
Ah, sa dëshiroj të jem
Rërë, diell, në verë!
Që ti të shtriheshe
E qetë për të pushuar.
Që duke ikur ti
të më lije
Trupin tënd, si hije
Të vakët, të paharruar.
Dhe me ty të shkonte sipër teje, puthja ime e lehtë:
Ngjyra,
Nga zverku në thembër, zeshkët.
Ah, sa do të desha të isha xham,
Pëlhurë, dru,
Që ngjyrën tënde mban,
Këtu,
Mirëza tënde këtu
Dhe tremijë kilometro larg!
Të jesh gjëja që të pëlqen,
E që çdo ditë e prek,
Që tashmë e shikon
Pa hedhur sytë përreth,
sendet, gjerdani, parfumi,
Pëlhura,
Për të cilën mungesën e ndjen
Dhe Pyet: “Ah, po ku është?”
Ah, sa do të dëshiroja
të isha
Një hare ndër të gjitha,
vetëm një, gëzim i gëzimit tënd!
Një dashuri, vetëm një dashuri:
Dashuria me të cilën do të dashuroheshe ti,
Por s’jam ky që jam.
 

atman

Forumium maestatis
Re: Diku përtej janë lulet...

Mos i spraps ëndrat pse janë ëndra...

Mos i spraps ëndrat pse janë ëndra
Të gjitha ëndrat
mund
Të jenë njëmendësi, nëse ëndra nuk
Mbaron.
Njëmendësia është ëndër.
Nëse ëndërojmë që guri është gur, ky është guri.
Çfarë rrjedh nëpër lumenj, s’është ujë
Është një ëndërim,
ujë,
kthjellim.
Maskon ëndrën njëmendësia,
kur thotë:
“Unë jam dielli, qielli, dashuria”
Dhe kurrë nuk shuhet,
kurrë s’kalon,
nëse shtiresh dhe beson
se është më shumë se një ëndër.
Duke ëndëruar jetojmë.
Të ëndërosh është mjeti që shpirti zotëron
Për të mos braktisur kurrë,
çfarë merr arratinë nëse të ëndërojmë
pushojmë,
që është njëmendësi çfarë nuk është
qënësi.
Vdes vetëm një dashuri,
që ka pushuar
të jetë e ëndëruar.
Në lëndë shndruar
mbi dhe’ e kërkuar.


Mendimi poetik i Salinas zhdërvjelltësohet në labirintin e filozofisë ekzistencialiste pa mundur të shpëtojë nga ankthi, sikundër njeriu në rrathët e Ferrit të Dantes i ndjekur nga mëkatet e tij.
 

Hellena

Primus registratum
Re: Diku përtej janë lulet...

Un po ve dicka te Niches qe lexova sot dhe me pelqeu shume .

Friedrich Nietzsche

Këngë Tjetër Vallëzimi


“Në sytë e tu vështrova, pak më parë, o jetë. Arin kundrova të shkëlqente në sytë e tu natorë dhe zemra m’u platit nga kënaqësia.
Një varkë të artë sodita të vetëtinte në ujrat e natës, një varkë e artë, që fundosej, përkundej dhe ngrihej sërish.
Më hodhe një vështrim tek këmbët e dalldisura për vallëzim, një vështrim të qeshur, pyetës dhe dëshirak.
Vetëm dy herë u re zileve me duart e vogla, dhe këmbët më fërgëlluan nga dehja e valles. Thembrat m’u nderën, gishtërinjtë e këmbëve mbajtën vesh, për të kuptuar. A nuk u dëgjojnë dhe gishtërinjtë e këmbëve valltarëve? Drejt teje kërceva, ti u stepe nga ky vrull, flokët e tu të gjatë e valimtarë më lëpinë me gjuhën e tyre.
Kërceva larg teje dhe gjarpërinjve të tu. Gjysmë e zhveshur, më hodhe vështrimin plot dëshië. Me vështrime të tërthorta më mësove shtigje të tërthorta, dhe nëpër to këmbët më mësuan dredhinë.
Të trembem, kur të kam pranë. Të dëshiroj, kur më je larg. Ikja jote më josh, kërkimi yt më shtang. Vuaj, por kush nuk vuan nga dëshirimi !
Për ty, që ndez me ftohtësinë, të josh me urrejtjen, të bën për vete me ikjen, të prek thellë me talljen.
Kush nuk do të të urrente ty, magjistare dhe rrënimtare, joshëtare dhe kërkimtare, ledhatare dhe pendestare.
Kush nuk do të donte ty, e pafajshme dhe e paduruar, e nxituar dhe mëkatare me sy fëmijërorë.
Ku po më çon tani tek virtyti apo te vesi? Tani më ikën prapë, hutaqe, e ëmbël dhe mosmirënjohëse !
Të ndjek pas duke vallëzuar, edhe në shtigje të pasigurta. Ku je? Jepmë dorën ! Apo vetëm një gisht të saj ! Këtej ka zgafella dhe kaçube drizash, mund të humbasim udhën ! Ndalo ! Mos ec më tej ! A nuk sheh si fluturojnë përreth lakuriqë nate dhe hutinë?
Ti hutin ! Ti laskuriq nate ! Ti do të tallesh me mua ! Ku jemi?
Prej qenve e mësove këtë ulërimë edhe lehje.
Më rrëfen dhëmbët e vegjël e të bardhë, sytë që më shohin përmes flokëve të dredhura më plagosin.
Kjo është një valle nëpër male e lugina. Unë jam gjahtari, a do të jesh langoi apo kastori im? Afromu ! Më e shpejta vallëtare zemërkeqe !
Tani për lart ! Dhe tani nga ana tjetër ! Vaj medet, duke kërcyer rashë dhe u shëmba. Ah, shihmë si dergjem ! Dëgjoe si lutem !
Me ëndje do të ndiqja nëpër shtigje dhe më të përpjeta ! Nëpër shtigjet e dashurisë përmes kaçubeve shumëngjyrëshe. Apo, poshtë, në shtigjet e nënujshme të liqenit, ku notojnë dhe hedhin valle peshqit e artë. U lodhe? Atje poshtë kullosin delet dhe skuq dielli që po perëndon. Nuk është e bukur të flesh, kur barinjtë u bijen fyejve. Je tepër e lodhur? Për atje të çoj unë, vetëm më lër të mbahem te krahu ! Mos ke etje?
Do të ta shuaja etjen, por nuk dua ta pijë goja jote !
Ah, kjo nepërkë e nëmur, e shkathët, e zgjuar, kjo shtrigë e pangopur ! Ku je? Ndiej nëpër fytyrë shenjat e duarve të tua, si dy makje të kuqërremta. Jam lodhur së qeni bari për ty.
Për ty kam kënduar: moj zemërqene, tani duhet për mua të ulërish.
Duhet të kërcesh e të ulërish nën ritmin e kërbaçit !
Unë të harroj kërbaçin? Jo !”



M’u përgjegj atëherë kështu jeta, duke mbuluar veshët e hijshme:
“O Zarathustra, mos më qëllo kaq fort me fshikull ! Ti e di se zhurma i vret mendimet, dhe mua tani më vërshëllojnë mendime mjaft të ëmbla !
Ne të dy jemi njerëz që nuk bëjnë as mirë as keq. Përtej së mirës e së keqes gjetëm ishullin dhe luadhin tonë të blertë, vetëm ne të dy e gjetëm. Prandaj duhet ta duam njëri – tjetrin. Dhe nëse nuk duhemi me gjithë zemër, nuk duhet të urrehemi, se nuk duhemi kështu.
Ti e di që të dua shumë, në më të shumtën e herëve.
Për arsye, se jam xheloze me urtësinë tënde ! Ah, kjo urtësi e vjetër e marroke !
Nëse kjo urtësi do të ikte ndonjë herë nga ti, do të të linte dhe dashuria ime !”
“ Zarathustra, ti nuk me je dhe aq besnik ! Ti nuk më do aq sa thua. Unë e parandiej, se së shpejti do të më braktisësh.
Një këmbanë e vjetër me ngurrim, por ti e di se ... “. – Dhe diçka i thashë në vesh, në mes tufave të flokëve të verdhë e të hallakatur. “
“Ti di diçka, o Zarathustra? Diçka që s’e di askush”.
Dhe ne vështruam dhe vështruam luadhin e blertë, ku frynte fresku i mbrëmjes, dhe ia shkrepëm të qarit.
Dhe atëherë jeta m’u duk më e dashur, sesa urtësia”. –



Kështu foli Zarathustra.
 
Top