Re: Dekorimi i SHIK-asve te vrare ne 1997, acaron Vloren.
Foto e ish- anetarit te "Komitetit te Shpetimit"
Dëshmi tronditëse e anëtarit të Komitetit të Shpëtimit në trazirat e vitit 1997, Syrja Sherifi
<span style="font-weight: bold"> Ne "Komiteti"... që nuk shpëtuam Vlorën </span>
I kërkoj ndjesë familjes Berisha ndaj së cilës janë adresuar një sërë akuzash e fyerjesh - që s'janë të denja - por edhe për diçka tjetër, pasi koha tregoi se protestat tona u manipuluan dhe ne humbëm jo vetëm paratë, por edhe shumë gjak. I vumë nam qytetit dhe nga Vlora janë larguar tashmë shumë qytetarë intelektualë - që vërtet i mungojnë Vlorës
Syrja Sherifi është një nga drejtuesit aktivë të "Komitetit të Shpëtimit" të Vlorës në vitin 1997. Në intervistën e dhënë për gazetën "TemA" ai rrëfen gjithçka mban mend nga ditët e vitit 1997, sulmin mbi SHIK, krijimin e "Komitetit të Shpëtimit", vizitat e politikanëve në Vlorë, dhe trajtimin e oficerëve të SHIK-ut, të kapur nga demonstruesit. Sherifi kërkon ndjesë për fjalorin e përdorur ndaj ish Presidentit Berisha dhe këmbëngul se PS manipuloi protestat dhe zhgënjeu popullin e Vlorës.
Z.Sherifi, ju së bashku me disa persona të tjerë keni qenë në Komitetin e Shpëtimit. Si u organizuan protestat dhe cili ishte qëllimi i tyre?
Qëllimi i protestave ka qenë moskthimi i parave sipas premtimit, nga firma 'Gjallica', ku ishte premtuar se në datën 6 shkurt, kjo firmë do t'u jepte paratë qytetarëve. Afati i dytë u la për në datën 16, por dhe në këtë ditë nuk iu kthyen paratë kreditorëve. Në këto kushte qytetarët vlonjatë, por dhe të ardhur nga qytete të tjera, zhvilluan një protestë, ku dhe u thyen xhamat e bashkisë me gurë nga demonstrues. Për disa ditë protestat nuk u zhvilluan. Protestat e datës 26 janar dhe në datën 6 shkurt, drejtoheshin apo udhëhiqeshin nga njerëz të ndryshëm. Në datën 17 shkurt sërish u zhvillua protestë në Sheshin e Flamurit, duke protestuar disa persona filluan të bërtisnin përse nuk dalin të na udhëheqin intelektualët e Vlorës, në këtë kohë hidhen persona që na njihnin dhe na zgjodhën disa persona për t'i drejtuar. Mua më zgjodhi, me sa më kujtohet, një Qani Shabani nga Kropishti i Vlorës, unë Albert Shyti, personat e tjerë, u ndodhëm ngushtë dhe pranuam zgjedhjen tonë për të drejtuar turmat. Në këtë ditë në bashki zhvillohej mbledhja e bashkisë në prani të disa shoqatave dhe të disa komuniteteve fetare, si dhe merrnin pjesë një grup studentësh, të cilët kishin bërë kërkesë në këshill për të plotësuar disa kërkesa. Në këto kushte vendosëm që në këtë mbledhje të mernim pjesë dhe ne, ku kërkuam që të gjithë së bashku të bëheshim pjesë e zgjidhjes së problemit, sepse problemi ishte kthimi i parave popullit dhe dorëheqja e Meksit, dhe jo e Sali Berishës. Sepse Meksi duhet të ishte në rolin e policit, i cili vë një tabelë në rrugë që paralajmëron shoferët, ku Meksi duhet të bënte paralajmërimin për humbjen e parave në firmat piramidale. Në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë dhe nga organet e rendit, u mor leja për zhvillimin e grevës së urisë nga studentët.
Sipas jush, përse u zgjodhën studentët për t'u futur në grevë urie?
Në grevë urie fillimisht do të futeshin qytetarë të thjeshtë, dhe ishin zgjedhur për këtë qëllim ambjentet e Pallatit të Sportit, por mbasi biseduam midis dy palëve me përfaqësues të studentëve dhe me ne që përfaqësonim popullin, ramë dakord që të futeshin në grevë urie studentët, me qëllim realizimin e kërkesave të kërkuara prej tyre dhe protestuesve.
Me sa di unë, ju keni kërkuar të bashkëpunoni në atë kohë me të gjitha partitë, a u realizua ky bashkëpunim?
Është e vërtetë që u kërkua ky bashkëpunim për të sheshuar shumë gjëra, por për fat të keq nuk u realizua, për faj të dy partive më të mëdha në Shqipëri, pozitës dhe opozitës, pjesës së opozitës, në atë kohë PS-ja i vinte era pushtet, ndërsa pjesa që kishte pushtetin, donte të ruante pushtetin, duke adresuar qëllimin e protestave gjetkë, duke spekulluar të dyja partitë politike më të mëdha.
Z.Sherifi ju keni qenë anëtar i "Komitetit të Shpëtimit", si i keni drejtuar protestuesit në protestat e tyre?
Unë them se ne i kemi drejtuar shumë mirë, madje pa u shpërbërë komisariati, kishim rënë dakord që një makinë policie të rrinte në ballë të turmës për të mos bërë rrëmujë, por gjatë këtyre protestave pati dhe incidente, të cilët nuk diheshin se kush i organizonte. Dhe sot unë nuk mund të them se kush ishin këta persona të paidentifikuar, ose më mirë të them këto hije. Por në momentin që politika filloi të fusë hundët, sepse ndjeu erën e pushtetit, gradualisht gjithçka filloi të devijojë, ku nga një protestë për kushte ekonomike, po kalonte në protestë politike.
<span style="font-weight: bold"> Kush ishte politikani i parë që mori takim me ju dhe cili politikan u fut i pari në Vlorë në kohën e trazirave?
I pari politikan ka ardhur në Vlorë Skënder Gjinushi, dhe ka ndëjtur në Vlorë nga data 6 shkurt deri në datën 17 shkurt, si dhe është parë Daut Gumëni. Më pas në Vlorë kanë ardhur politikanë të tjerë, të cilët po ndienin erën e pushtetit. </span>
Në protestat e drejtuara nga Komiteti i Shpëtimit, janë hedhur dhe parrulla ofenduese në drejtim të familjes së Sali Berishës, a ishin normale për momentin?
Ndërsa një politikan ka hyrë në politikë, do të pranojë dhe ndonjë sharje nga populli, edhe pse nuk janë normale.
Me këtë rast unë dua të kërkoj një falje publike (ndjesë) për fjalorin e keq të përdorur në protesta, në drejtim të dy grave Liri Berishës dhe Vjollca Vokshit, dhe dua të sqaroj se nuk kishte të bënte ai fjalor me nderin e familjes së tyre, por ishte sinonimi i televizionit, sepse nuk mundet të merret nëpër këmbë nderi i një familjeje, apo një individi, me pa të drejtë. Por në ato momente nuk mund të kontrolloje gjithçka, sepse ndërhynte shumë politika, duke futur njerëz në rreshtat e para të turmës.
Në Komitetin e Shpëtimit ka pasur fillimisht, edhe nga pozita e asaj kohe, më vonë u larguan, përse?
Fillimisht Komiteti i Shpëtimit ishte shumë i gjërë, ku mernin pjesë dhe anëtarë të partive të djathta, dhe kjo ishte një gjë shumë e mirë, por më më pas u larguan, sepse ndërhyri politika që donte pushtet. Nëse nuk do të ishin larguar dhe nuk do të kishte ndërhyrë politika, mendoj se gjithçka do të kishte shkuar mirë, ne do të merrnim një sasi lekësh - kurse tani dihet si shkoi puna e lekëve - askush nuk i përmënd ato - e përsëris: ne u çuam për paratë! Në atë kohë bëheshin dhe disa lista për ekzekutime të ndryshme, si nga e majta dhe nga e djathta, madje dhe nga protestues, kjo bëhej për të përçarë popullin e Vlorës, dhe këtë gjë e arritën në një farë mase.
<span style="font-weight: bold"> Sipas jush përse u sulmua Shërbimi Informativ?
Unë këtë natë nuk kam qenë në Vlorë, por mendoj se gjithçka ka qenë në kuadrin e thashethemeve, ku persona të caktuar donin që në Vlorë të derdhej gjak, dhe këta kanë qenë hijet e natës, ata që vepronin natën. </span>
Unë dua që ngjarjet e kësaj nate, të mos lihen në harresë, por të zbardhen deri në fund, sepse ekzistojnë fotografi dhe faksimile të ndryshme, madje i ka dhe televizioni shqiptar, si dhe ekzistojnë të gjithë personat që kanë bërë sulmin te SHIK-u, të thirren të gjithë dhe të dalë e vërteta se kush u bëri thirrje qytetarëve për të sulmuar Shikun, kush vrau punonjësit e Shikut, dhe kush vrau 3 qytetarët vlonjatë, si dhe kujt i interesonte kjo gjë. Unë falënderoj vendimin e presidentit Moisiu, për dekorimin e dy punonjësve të Shikut të vrarë në '97-ën, madje është i vonuar, por kjo histori duhej zbardhur deri në fund. Si dhe të zbardhet se kush drejtoi popullin të marrë armët në depot ushtarake duke sulmuar depot ushtarake, të cilat sollën shumë viktima më mbas.
Ju keni ndihmuar dhe një punonjës të Shërbimit Informativ, i cili ishte i plagosur madje duke e dërguar dhe në shtëpinë e tij në veri?
Po është e vërtetë, unë, në datën 28 shkurt, natën që u sulmua Shiku, nuk isha në Vlorë, por kur edha në mëngjes, pashë se të gjithë ishin të armatosur me armë. Në këtë kohë më thonë se në duart e disa personave ndodhej një shikas. Unë u kërkova që të ma jepnin mua dhe me të do të merresha unë. Kështu bënë duke patur besim ma dhanë. Unë e mora dhe e strehova te një krushku im. Mbasi e mjekuam, mora në telefon të afërmin e tij dhe i thashë që të mos bëheshin merak se i afërmi i tyre ishte mirë dhe ndodhej në duar të sigurta. Mbas disa ditësh personin e dërguam në tiranë me një person, të cilët i kanë ndaluar në Qafën e Koshovicës forcat policore, madje dhe i kanë qëlluar me grushta, sepse nuk besonin që ishte punonjës i Shërbimit Informativ. Më pas të dy ata shkojnë në shtëpinë e atij në një nga rrethet e veriut, dhe sot ai person ndodhet jashtë shtetit. Po në këtë kohë në spital ndodhej edhe një shikas i plagosur. Marr vesh që persona të cilët nuk dihej se kush ishin, donin që këtë person ta vrisnin në spital. Posa mora vesh, menjëherë shkova dhe takova drejtorin e Spitalit, të cilit i thashë si qëndronte problemi, dhe vendosëm që ky person të futej në një dhomë ku të mos dinte gjë askush, përveç infermierit. Dhe kështu u bë, derisa u shërua dhe më pas ka shkuar në shtëpinë e tij me ndihmën e një vlonjati, i cili vuri dhe jetën e tij në rrezik. Por unë them se ata që kanë bërë vrasje, nuk janë vlonjatë. E them këtë gjë, sepse vlonjatët, në datën 10 shkurt u përleshën me policinë, dhe mbasi u përleshën, gjakosën dhe zhveshën forcat e policisë, dhe përsëri i veshën, u dhanë bukë, para, dhe i nisën për në rrethet e tyre.
Kush fitoi nga këto protesta, dhe rrëmuja?
Un mendoj se fitoi politika e asaj kohe që ishte në opozitë, e cila ndjeu erën e pushtetit dhe e shfrytëzoi. Unë dua të them se me bandat e krijuara më vonë nuk pati lidhje as pak Komiteti i Shpëtimit, por mendoj se kishte lidhje politika.
A ka pasur mosmarrëveshje brenda Komitetit të Shpëtimit?
Patjetër që ka pasur madje dhe deri në drejtimin e automatikut ndaj njëri-tjetrit, për arsye se filloi të futej politika brënda nesh. Dhe ne kishim rënë në marrëveshje që nuk do të pranonim, përfaqësues politik, dhe nuk do të kërkonim kushte politike për zgjidhje, por vetëm kthimin e parave të popullit. Më vonë Komiteti i Shpëtimit filloi të ndahet në dy pjesë, një pjesë kërkonte të qetësonte popullin duke u thënë se paratë do të jepeshin duke i rekomanduar politika, dhe një pjesë që isha dhe unë, kërkonim kthimin e parave të popullit nga firmat piramidale, duke i kërkuar Fatos Nanos të ngrihej një komision për këtë qëllim, si dhe Skënder Gjinushit i kam thënë se ju erdhët në pushtet nga qytetarët vlonjatë, por i keni Vlorës borxh kthimin e parave nga firmat piramidale. Madje dhe disa herë kemi bërë debate me Farudin Arapin, i cili është vetëm një mashtrues që i shërben politikës.
A kishit parashikuar se më vonë do të bëheshin rrëmuja në Vlorë, deri në vrasjen e shumë të rinjve?
Jo absolutisht nuk e kishim menduar se do të ndodhnin ato që ndodhen, sepse përndryshe askush nuk do të kishte dalë në protesta, gjithçka që ndodhi, vetëm nga ndërhyrja e politikës.
Unë sot dua t'i them Nanos se ai hoqi syzet dhe ato i ka vendosur populli, po gabohet, sepse qeveria socialiste zhgënjeu popullin duke spekulluar në kurriz të tyre, ku ky popull i dha pushtetin, të cilët tashmë nuk e meritojnë, sepse nuk mbajtën pemtimin e dhënë për kthimin e parave nga paratë piramidale.
<span style="font-weight: bold"> Kush ishin politikanët më aktivë, mbas Skënder Gjinushit?
Më pas ka qënë z.Mejdani, Majkua, Kurt Kola, Dokle, Gumëni, Paskal Milo, Sabit Broka, Ritvan Peshkëpia, e të tjerë. Gabimi më i madh qe pranimi i politikës të futej në bisedime me ne, të cilët ditën të mashtrojnë shumë mirë, për të mbyllur gojën një pjese e Komitetit të Shpëtimit dhe të shfytëzojnë gjithçka për qëllime politike për të marrë në dorë pushtetin. </span>
Unë mendoj se duhet të zbardhet ngjarja, sepse ekzistojnë gjithçka, dëshmitarët, qytetarë, Komiteti i Shpëtimit, persona në vëndngjarje, politikanë, foto dhe filimime, por me sa duket partisë në pushtet nuk i intereson nxjerrja e të vërtetës për gjithçka që ka ndodhur në vitin 1997.
I kërkoj ndjesë familjes Berisha ndaj së cilës janë adresuar një sërë akuzash e fyerjesh - që s'janë të denja - por edhe për diçka tjetër pasi koja tregoi se protestat tona u manipuluan dhe ne humbëm jo vetëm paratë, por edhe shumë gjak. I vumë nam qytetit, si dhe nga Vlora janë larguar tashmë shumë qytetarë intelektualë - që vërtet i mungojnë Vlorës.
Faleminderit.
*Marre nga "Tema"