D-day njihet historikisht si dita e zbarkimit të aleatëve anglo-amerikanë dhe të ndihmësve të tyre, në Normandi të Francës. Dita D, shënon hapjen e Frontit të Dytë të luftës kundër Gjermanisë naziste, që shpuri në kapitullimin e pashmangshëm dhe pa kushte të saj, më 9 maj 1945. D-day,ose dita D shënon 65 vjetorin e këtij operacioni të madh e të lavdishëm, që nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e luftërave të deri atëhershme, për shkallën e madhe të pjesëmarrjes së forcave ushtarake, ato detare, ajrore dhe desantëve këmbësorë zbarkues në plazhet e veriut të Francës, në Normandi.
Ushtarët amerikanë, ditën e përkujtimit do të zbresin në cektinën e plazhit të Sherburgut-Normandi një maket kompensatoje të barkës së zbarkimit Higgins Boat, cila preku plazhin francez nën breshërinë e furishme të mitralozave gjermanë më 6 qershor 1944, ditën D. Natyrisht ky është një përkujtim i heroizmit të madh që treguan aleatët ato ditë të paharruara trimërie, guximi dhe mençurie taktiko-operacionale dhe strategjike, në mësymjen me të madhe për ti dhënë fund Luftës së Dytë Botërore (LDB).
Presidenti Barak Obama dhe kundërparti i tij francez Nikolas Sarkozi do të përkujtojnë sëbashku 65 vjetorin e zbarkimit në Normandi, këtij operacioni të madh strategjik, i cili ia ktheu faqen historisë së LDB, por që me sa duket përkujtimi i tij do tia kthejë faqen edhe një lufte tjetër,asaj në Irak, e cila i ndau idhshëm në një këndvështrim politik dhe krijoi kontradikta ndërmjet dy aleatëve të mëdhenj perëndimorë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përkujtimi i fundit i madh i ditës D, pesë vite më parë, shënoi njërën prej pikave më të ulëta ndër vite, të marrëdhënieve ndërmjet Francës dhe SHBA. Por shumë gjëra kanë ndryshuar ndërmjet Francës dhe SHBA, që nga ajo ditë, përfshirë dhe liderët e tyre. Francezët dhe amerikanët kujtojnë atë çka ndodhi në qytetin e Normandisë, Sent Merë Eglizë (Saint Mere Eglise). Rezidentët e Sent Merë Eglizë kujtojnë uljen me parashutë të njësive amerikane në këtë qytezë të vockël të Normandisë, 65 vjet më parë. Aty u zhvilluan luftime të përgjakshme,rezidentja franceze e Sent Merë Eglizë, Andree Auvray, ishte atëherë 18 vjeç; ajo kujton se si ajo dhe banorë të tjerë të qytezës përkujdeseshin për ushtarët e plagosur. Francezë dhe amerikanë i trembeshin një rikthimi të gjermanëve, mbasi gjermanët e rimorën njëherë atë, por amerikanët e kapën qytezën dhe i përzunë përfundimisht gjermanët. Të gjitha këto ngjarje të ditës D, patën një rezonancë të fortë në Normandi, thotë 35-vjeçari, Stefan Kashar (Stephan Cachard), e cila ndihet edhe sot, madje edhe në gjeneratën e re.
Përkujtimi i sivjetëm i kësaj ngjarjeje madhore ka diçka të veçantë, jo vetëm se shënon një jubile 65 vjeçar, por edhe sepse Presidenti Obama do të jetë në Normandi më 6 qershor për ta përkujtuar ngjarjen e madhe. Kashar thotë se Presidenti Obama, do ti ofrojë europianëve, fytyrën e Amerikës, për inisiativë, kurajo dhe shpresën për një botë më të mirë. Vizita e Presidentit Obama hap një kapitull të ri në marrëdhëniet Francë-Amerikë. Kjo nuk është vizita e parë në Francë e Barak Obamas. Në prill ai ishte i pranishëm në samitin e NATO-s,që u mbajt në Strasburg.; ndërsa ai e ka takuar Presidentin Nikolas Sarkozi korrikun e kaluar si kandidat për Shtëpinë e Bardhë. Por vizita e Obamas ne plazhet e Normandisë, jo vetëm që përkujton çlirimin e Europës nga nga Gjermania naziste; por ajo hap një kapitull të ri në marrëdhëniet për një kohë të gjatë të lëkundshme, ndërmjet Francës dhe SHBA.
Në 60 vjetorin e përkujtimit të ditës D, Presidenti Bush ishte krah për krah me Presidentin francez, Zhak Shirak. Në atë kohë niveli i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve ishte më i ulti.Një vit më parë Uashingtoni kishte drejtuar një invazion tjetër në Irak për të rrëzuar diktatorin Saddam Hussein. Franca atëherë mbajti një qëndrim ndërkombëtar opozitar kundrejt asaj lufte,çka i zemëroi shumë amerikanët. Franca dhe europianë të tjerë mbajtën nje qëndrim të patundur kundër kampit amerikan të burgimit në Guantanamo, si dhe kundër qëndrimit të administratës amerikane për ngrohjen globale. Prandaj gatimet e skuqura franceze u quajtën në Amerikë, si të skuqja e lirisë. Amerikanët bojkotuan djathin pikant francez dhe verën Bordo. Analisti Zhak Mistral, vuri në dukje se lidhjet ndërmjet të dy vendeve ranë aq poshtë, sa nuk ishte parë ndonjëherë. Por Mistral, që është një ekspert i marrëdhënieve Francë-SHBA, në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Paris, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy qeverive u përmirësuan shpejt. Perceptimi publik është një gjë tjetër.Sidoqoftë ka një diferencë të madhe në mendësinë e francezëve dhe më në përgjithësi në opinionin europian për vlerësimin e presidentit dhe politikës së tij dhe ndjenjës së popullit ndaj Amerikës, nënvizon Zhak Mistral.
Ish Presidenti Bush asnjëherë nuk u çmua nga kjo anë e Atlantikut për shumë arsye. Por kohët dhe liderët ndryshuan. Sarkozi i Francës është vetëdeklaruar si amerikanofil; ndërsa Obama ka thënë se do ti largojë trupat amerikane nga Iraku dhe se do të mbylli Burgun e Guantanamos në janarin e ardhshëm, nënvizon Zhak Mistral. Ai pohon se natyrisht zgjedhja e Barak Obamës është një ndryshim i madh në termat e përceptimit dhe të marrëdhënieve politike. Kandidati Barak Obama ka qenë shumë popullor në Europë dhe në çdo vend europian. Barak Obama është shëmbëlltyra e rilindjes së Amerikës- Amerikës të cilën e do kushdo dhe që është tërësisht në linjë me idealet e saja më të mira. Parisi dhe Uashingtoni kanë ndryshime të mëdha politike përsa i përket rrugëve se si duhet të luftohet me krizën financiare,si dhe nëse duhen dërguar më shumë trupa europiane në Afganistan. Por Mistral thotë se perceptimi llogarit për më shumë. Psh Fransinë Dysheminë në Sent Merë Eglizë, thotë se ndihet shumë e gëzuar për ardhjen e Barak Obamas për këtë datë përkujtimore në Normandi. Ajo tha se cilido është shumë i gëzuar të shohë Obamën dhe ne po e ndjejmë se marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë franceze dhe Shteteve të Bashkuara janë shumë më të mira se çkanë qenë në 60 vjetorin e ditës D. Unë e ndjej që ka qenë pikërisht politika, sepse populli realisht i do dhe i nderon amerikanët. Kështu që në këto ditë e kushte të reja marrëdhëniesh franko-amerikane, përkujtimi i ditës D,përputhet dhe me lënien pas të së kaluarës jo të këndshme dhe shpresën për rezultate më të mira në marrëdhëniet në mes vendeve tona, thotë Fransinë Dysheminë.
Përkujtimi i ditës D, si ngjarja më madhore e bashkëveprimit gjatë LDB, ndërmjet aleatëve perëndimorë anglo-amerikanë, ose si quheshin atëherë Demokracitë e Mëdha, për mposhtjen përfundimtare të makinës luftarake të Gjermanisë naziste, do ti shërbejë dhe gjallërimit pozitiv të marrëdhënieve ndërmjet aleatëve dhe partnerëve europianë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Diplomacia e Presidentit Barak Obama në shëndoshjen e marrëdhënieve të SHBA me Botën Islame,është përshëndetur nga BE; çka u vlerësua sidomos mbas fjalimit historik të Obamës në Universitetin e Kairos.