Clayer: Pse vonoi nacionalizimi shqiptar

Clayer: Pse vonoi nacionalizimi shqiptar

Vjen në shqip vepra e Nathalie Clayer-it, “Në fillimet e nacionalizimit shqiptar. Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”. Botuesi i saj, Fatos Lubonja: “Një vepër e çliruar nga ideologjia dhe miti i nacionalizmit.”

Nathalie Clayer tha se roli i bektashizmit në unitetin kombëtar shqiptar ishte arsyeja kryesore që e shtyu të futet në studimin “Në fillimet e nacionalizimit shqiptar. Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”.

Ky është tashmë titulli i një studimi të gjerë i botuar fillimisht nga Éditions Karthala, Paris 2007, dhe prej pak ditësh, e gjen edhe në shqip nga Botimet “Përpjekja”, me përkthim të Artan Putos.

Në prezantimin, që e bëri dy net përpara, Clayer-i shpjegoi arsye të tjera që e shtynë të shkruajë këtë vepër dhe nëpërmjet tyre edhe i priu ndonjë keqkuptimi të mundshëm që mund të ngjallë nëntitulli “Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” apo kapitujt që i mban ky aspekt i temës.

Clayer tha që në fillim, se ajo është nisur nga marrëdhëniet e identiteve fetare dhe nacionale për të shqyrtuar ekzistencën e një kombi shqiptar nga fundi i shekullit XIX deri në vitin 1912, e “një kombi në sensin modern”.

Toni i ftohtë i Clayer-it tërhoqi megjithatë vëmendjen, se ajo si studiuese i ka lënë përanash kategoritë “patriot” dhe “tradhtar” në leximin që i kanë bërë nacionalizimit shqiptar.

Kjo do të thotë se “ka shtyrë” kufijtë e këtij leximi më gjerë, deri atje ku realisht shtriheshin forcat që po çonin në krijimin e kombit, forca të lexuara si vetëm patriotike.
Prandaj, historiania thotë se ka marrë në shqyrtim aktorët e epokës, kontekstin social dhe të kohës, për të cilën flitet dhe në disa rrafshe analizash “lokal, krahinor apo perëndimor”.

Clayer-i, e cila është drejtuese kërkimesh studimore në CNRS (Qëndra Kombëtare e Kërkimeve Shkencore, Laboratori i Studimeve Turke dhe Osmane) në Paris, arrin në disa rezultate kryesore. Edhe në prezantimin e librit në Tiranë, ajo pohoi se “nacionalizmi shqiptar dhe më gjerësisht shqiptarizimi, nuk është edhe aq i veçantë sa paraqitet përgjithësisht.

Ai hyn në të njëjtin kontekst me atë të nacionalizmave të tjerë ballkanikë të shekullit XIX: atë të tërheqjes progresive të Perandorisë Osmane në Evropë, në përfitim të shteteve të reja ballkanike të krishtera dhe të disa fuqive të mëdha.

Ai nuk ishte edhe aq i vonuar, siç gjykohet, në krahasim me nacionalizmat e tjera të rajonit. Si edhe të tjerët, ai shfaqet në fillim të shekullit XIX, për t’u bërë i rëndësishëm veçse gjatë gjysmës së dytë të shekullit.

Ajo që në fakt është e vonuar është përhapja e tij në gjirin e rretheve më të gjera se ato të veprimtarëve të parë të shqiptarizmit, d.m.th. të nxitësve të parë të një identiteti kombëtar shqiptar…”

Ka disa data kyçe ky studim, vitet 1853-1856 (Lufta e Krimesë), viti 1890, që janë vite të krizës së Perandorisë Otomane, vitet 1896-1897, të cilat historiania franceze i quan “pika kthesë edhe pse nuk janë mitizuar njëlloj si vitet e Lidhjes së Prizrenit dhe të Shpalljes së Pavarësisë”.

Një shembull: Manifesti i Shemsedin Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, thotë Nathalie Clayer-i, u botua më 1899 dhe jo të nesërmen e Lidhjes së Prizrenit.”

Nëse autorja u tregua e përkorë në nënvizimin e datave dhe ngjarjeve të mitizuara të epokës që ka marrë në shqyrtim në një studim mbi 600 faqesh, botuesi i saj, që është publicisti Fatos Lubonja, e çoi më tej këtë diskutim me tone kritike, drejtuar sidomos gjeografisë mediatike. Botimi “Në fillimet e nacionalizimit shqiptar.

Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”, nuk e gjen pa gjë diskutimin që edhe Revista “Përpjekja” e Lubonjës ka mbajtur deri më sot për temat mbi ndërgjegjen historike. Këto tema janë “një kapitull i “Përpjekjes”, ku tentohet të dekonstruktohen mitet nacional-komuniste, për ta çliruar të vërtetën historike nga manipulimi ideologjik”.

Ky libër, sipas Lubonjës trondit idenë që kanë shqiptarët për shqiptarinë. Studimi i Clayerit vjen në një moment ku kultura është “e dominuar nga një nacionalizëm kitsch, banal, komercial gazetash, superficial”.

Lubonja kujton se jo pak kohë më parë, në mesin e një kulture si kjo, u demonizua monografia “Skënderbeu” e Oliver Jens Schmittit. Kjo është një përpjekje, që libra të tillë para se të jenë sende për flakë të magjistricave, të vijnë dhe të njihen.

Kush është

Nathalie Clayer është specialiste e çështjeve identitare, ajo është marrë në veçanti me tarikatet mistike myslimane.

Ajo ka botuar së bashku me Xavier Bougarel, librin “Islami i ri ballkanik”, (Paris 2001), mbi marrëdhëniet e reja të islamit me politikën në Ballkanin paskomunist. Hapësira shqiptare e kohës osmane dhe asaj pasosmane ka qenë tema kryesore e studimeve të saj të fundit.

Gjithashtu, ajo ka botuar “Shqipëria vendi i dervishëve”, (Berlin-Wiesbaden, 1990) dhe “Feja dhe kombi në mesin e shqiptarëve, shek. XIX-XX” (Stamboll, 2003). Aktualisht, po punon për një libër mbi fenë dhe ndërtimin e shtetit shqiptar në periudhën midis dy luftërave botërore.(Shekulli)

u9H34bvpYy8

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24586. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24586

Top