Velipoja:
Velipoja: Nje jave pune
Prefektura, komuna dhe ushtria në këmbë për vijën bregdetare dhe infrastrukturën
Plazhi i Velipojës ka marrë dje një pamje disi më të mirë. Përmirësimi i situatës së mjeruar të këtij plazhi erdhi si pasojë e ndërhyrjes që u bë nga forcat e repartit ushtarak të Vaut të Dejës, punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, Policisë Ndërtimore si dhe banorëve të komunës së Velipojës.
Pas një urdhëri për kthimin e plazhit të Velipojës në normalitet, të dhënë nga prefekti i Shkodrës, Gjovalin Kolombi, forcat e sipërpërmendura u angazhuan në një aksion në shkallë të gjerë për pastrimin e bregut të detit nga shkurret dhe mbeturinat, heqjen e dherave dhe inerteve në afërsi të ndërtesave që “lulëzuan” në këto 15 vitet e fundit, si dhe për largimin e disa mureve të rrënuar pranë qendrës së këtij plazhi.
Në krye të aksionit të djeshëm u vu vetë prefekti i Qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi, i cili u shpreh për mediat se gjatë kësaj jave që ka mbetur, deri në hapjen e sezonit të plazhit në Velipojë, do të punohet pa ndërprerje që ky plazh të shndërrohet në një qendër të denjë për pushuesit e shumtë që e frekuentojnë.
Aksioni për sistemimin
“Gjatë ditës së parë të aksionit, u shpreh prefekti Kolombi, përveç pastrimit të mbeturinave të kaluara dhe të ditëve të fundit në rërën e plazhit, heqjes së inerteve nëpër territorin e plazhit, u bë dhe shembja e disa ndërtimeve të vogla rreth e rreth shëtitores së plazhit.
Megjithëse aksioni i Policisë Ndërtimore për prishjen e ndërtimeve pa leje, në pikat ku është e nevojshme për ndërhyrje, nuk ka filluar për këtë vit, u shpreh Kolombi, nga institucioni i prefektit u dha udhëzimi që të rrënohen dhe të hiqen së paku ato ndërtesa të vogla pranë qendrës së plazhit të Velipojës, të cilat jo vetëm prishin imazhin e plazhit, por dhe bëhen pengesë për shëtitjen e pushuesve, të cilët e shfrytëzojnë shëtitoren gjatë orëve të darkës. Pas udhëzimeve të prefektit Kolombi, përmirësimi në një kohë të shkurtër i gjendjes në plazhin e Velipojës, ka ardhur edhe si pasojë e angazhimit të drejtuesve të komunës, ku bën pjesë plazhi, të cilët edhe ato kanë deleguar udhëzimet përkatëse te punonjësit e tyre, për krijimin e disa ambienteve dhe shërbimeve të munguara gjatë viteve të kaluara.
Pas pastrimeve të mbeturinave dhe rrënojave të djeshme, prefekti Kolombi krijoi dhe një grup pune të drejtuar nga vetë ai dhe drejtuesit e institucioneve që do të angazhohen për krijimin e kushteve sa më tërheqëse për pushuesit në plazhin e Velipojës. Grupi i punës do të përqendrohet në rregullimin e infrastrukturës së ujit të pijshëm, të energjisë dhe infrastrukturën rrugore, përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare dhe mjedisore në plazhin e Velipojës.
Velipoja ndryshe
Deri në fund të këtij muaji, u shpreh prefekti Kolombi, komuna Velipojë duhet të realizojë pastrimin, lyerjen e ambienteve të brendshme të stacionit të pompimit, rregullimin e saraçineskës për të mundësuar marrjen e analizës së ujit të pijshëm nga organet e shëndetësisë dhe higjienës.
Përveç kësaj, komuna e Velipojës duhet të nxjerrë aktet ligjore përkatëse për prishjen e objekteve të shëmtuara provizore përgjatë brezit të rërës në breg të detit, duke filluar nga derdhja e Bunës deri në grykën e Vilunit, në mënyrë që t’i hapej rrugë Policisë Ndërtimore për të ndërhyrë. Gjithashtu komuna e Velipojsë duhet që brenda këtij muaji të përfundojë rregullimin e terrenit të qendrës së plazhit, nëpërmjet fadromës së vënë në dispozicion për këtë qëllim. Njëkohësisht komuna duhet të kryejë pastrimin sistematik ditor dhe nivelimin e plazhit gjatë të gjithë pjesës që përdoret nga pushuesit, si dhe të grumbullojë mbeturinat në vendet e caktuara për të mundësuar transportimin sa më të shpejtë të tyre.
Për vetë biznesin që ushtron aktivitet në Velipojë, Kolombi udhëzoi që vetë ata të sistemonin lulishtet para restoranteve, hoteleve si dhe të bënin lyerjen e fasadave.
Ndërkohë po brenda këtij muaji, Drejtoria e Rrugëve rajonale duhet të përfundojë riparimin e 3 km rrugë nga qendra e Velipojës deri në plazh.