Buxhetet vendore, nis beteja e re PD-PS

Buxhetet vendore, nis beteja e re PD-PS

Beteja politike midis pozitës dhe opozitës pritet të shtrihet edhe në pushtetin lokal. Hartimi i buxheteve vendore mund të ndezë luftën në këshillat bashkiake, ku shumicën që prej 28 qershorit e ka aleanca PD-LSI. Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar paralajmëroi vendorët që të negociojnë për gjetjen e konsensusit mes palëve. Sakaq, përfaqësuesit e opozitës reaguan menjëherë, duke konstatuar se Kryeministri po dhunon hapur decentralizimin e pushtetit vendor.</p>


Këshilltari i Kryeministrit Berisha për pushtetin vendor, Ylli Asllani, për këtë çështje thotë se “për miratimin e buxhetit ka një strategji të zhvillimit, e cila do të diskutohet me grupet e biznesit dhe shoqërinë civile dhe nuk është aspak çështje shifrash, sepse do të votohet për të mirën e një komuniteti”. Duke dhënë qëndrimin e tij për këtë çështje, Kryeministri Berisha theksoi se mazhoranca e re PD-LSI nuk do të përdoret për bllokimin e pushtetit vendor. “Kryetarët e bashkive dhe të komunave që kanë rënë në minorancë, duhet të kuptojnë se buxheti duhet të vendoset mbi bazën e një dialogu dhe kompromisi, mbi bazën e qeverisjes vendore, sepse ky është një rregull i demokracisë botërore”, tha Berisha. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, thotë për “Shqip” se negociatat ekzistojnë, pasi buxheti vjen, diskutohet dhe shqyrtohet. “Pozicioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të jetë përherë në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve. Buxheti vjen në këshill, shkon në komisione, diskutohet, por kjo nuk do të thotë që pala propozuese ka gjithmonë të drejtë. Ndaj e shoh të natyrshme negocimin”, tha Dervishaj. Nga ana tjetër, kampi socialist nëpërmjet deputetit Eduard Shalsi, thotë se “ky Kryeministër ka provuar se nuk është në gjendje të respektojë decentralizimin e pushtetit vendor. Madje ai e dhunon atë, sepse nuk njeh pushtet tjetër veç vetes. Angazhimet për decentralizimin e pushtetit vendor nuk janë realizuar, në të kundërt ato kanë shënuar regres”. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i qeverisë kërkoi që palët të ulen dhe të negociojë për buxhetin që do të kalojë në Parlamentet vendore për të gjetur kompromiset e duhura.</p>


“Është Parlamenti i vendit dhe parlamentet vendore që kanë të drejtë të rihartojnë sipas vullnetit të tyre. Unë kam besim të plotë se këshillat e parlamenteve vendore, shumicat aktuale të krijuara në bashki dhe komuna të ndryshme, do ta përdorin pushtetin në shkallën më të lartë të përgjigjeve dhe në sensin e kompromisit”, tha Berisha. Ai shtoi se ka besim që kryetarët e bashkive dhe të komunave do të dëshmojnë të njëjtin vullnet, në mënyrë që viti që vjen të jetë viti më i suksesshëm i buxhetit në të gjitha nivelet, pavarësisht nga ndryshimet e rëndësishme.</p>


Qeveritë vendore e përgatisin buxhetin e tyre duke u bazuar në të ardhurat që realizojnë dhe në grantet që do të marrin. Kryeministri Berisha bëri me dije se për herë të parë krijohen fonde të zhvillimit rajonal, të cilat do të rrisin në mënyrë shumë të ndjeshme financimet për komunat, bashkitë dhe qarqet. Sipas tij, qëllimi i tyre është zhvillimi i balancuar i qarqeve të vendit. Për hartimin e buxhetit të ri, shefi i qeverisë thumboi edhe liderin e PS-së, Edi Rama, në pikën ku përmendi reformën në shëndetësi. “Mamografia, pap testi, por, për ti bërë qejfin edhe liderit të opozitës, edhe ekografia e nënave shtatzëna, do të jenë falas. Këtë ai e premtoi në program, por nuk vjen të bëjë betejë në Parlament”, tha Berisha. Kryeministri komentoi edhe takimin e kryetarit të opozitës dy ditë më parë, duke thënë se “me nervozizëm ai nxori njerëz jashtë nga salla”. Mesazhi i Berishës për Ramën ishte se “kur e përdor dhunshëm pushtetin, je ti që del nga salla, prandaj rri i qetë. U tha qytetarëve të Orikumit se Berisha nuk ka mbajtur premtimin. E garantoj zotin Rama se Berisha do të mbajë çdo premtim”, tha Berisha.(Shqip)</p>
Mv73rhCA6gQ

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25445. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25445
 
Top