Bollano: Banda qeveritare e Barkës dhunoi selinë e Omonia-s

Bollano: Banda qeveritare e Barkës dhunoi selinë e Omonia-s

Pa kaluar as 24 orë nga mbledhja e drejtuar nga “të përjashtuarit”, ka ardhur reagimi i kreut të organizatës “Omonia”, Vasil Bollano. Ai është kthyer urgjent nga Athina, duke anashkaluar çdo problem familjar në shtetin helen. Në daljen e tij para mediave, ai i ka cilësuar vendimet e marra dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së këshillit administrativ të “Omonia”-s, si vendime të një grupi banditesk, të paqena dhe të pavlefshme për minoritetin grek. Sipas tij, ish-anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të “Omonia”-s “dhunuan zyrat, për të shkaktuar një rrymë që nuk përfaqëson minoritetin”. Më tej ai ka deklaruar se nuk do procedohet duke iu drejtuar organeve të drejtësisë, “por deklaratat dhe vendimet e grupit banditesk janë të paqena dhe të pavlefshme për ne. Çdo parti dhe çdo organizatë është e natyrshme që ka anëtarësinë dhe drejtuesit, por ka edhe jashtëqitjen e vet”, ka thënë Bollano.
Më tej ai ka deklaruar se akti i dy ditëve më parë ka qenë i ngjashëm me atë të vitit 1994, ku zyrat e organizatës “Omonia” ranë pre e dhunës. Sipas Bollanos, herën e parë dhunues të saj ishin struktura të ish-SHIK-ut të Gazidedes, ndërsa më 26 shtator e njëjta gjë është bërë nga zëvendësi i tij, Kosta Barka, nga ministri Ksera dhe mbështetës të tyre. “Zyrat e “Omonia”-s janë gjithnjë të hapura dhe në shërbim të të gjithëve, por me orar e me programin e miratuar nga këshilli i përgjithshëm, i drejtuar nga kryetari i saj. Ne si përfaqësues të minoritetit etnik grek do të presim reagimet e Kryeministrit Berisha, i cili, edhe pse gjendet jashtë shtetit, është vënë në dijeni përmes deklaratës sonë për shtyp, që ka dalë menjëherë dje”, ka vijuar Bollano. Kreu i organizatës së minoritetit etnik grek tha se ata do ta vijojnë luftën përmes përfaqësuesit në Parlament dhe se do të përshkallëzojnë qëndrimin nëse Kryeministri nuk reagon dhe mban qëndrim pas deklaratave të “të përjashtuarve” nga organizata “Omonia”. Mbledhjen e organizuar nga Ksera dhe Barka, që sipas Bollanos janë etiketuar si “të vetëpërjashtuar”, ai e ka cilësuar si të provokuar dhe provokuese, pasi kryetari dhe kryesia nuk ishin. “Atributet e këshillit të përgjithshëm nuk mund të ushtrohen nga 14-15 veta që ishin të pranishëm në mbledhje, shumica pa asnjë lidhje me këtë forum, nga 45 vetë që ka Këshilli i Përgjithshëm i Omonia-s. Mbledhjen e tij nuk mund ta thërrasin ata, por kryetari e nënkryetarët e ligjshëm dhe vendimet kanë vlerë kur merren me votën e dy të tretave të anëtarësisë”. Kreu Bollano ka nënvizuar se në mbështetje të tyre ishin drejtorë e funksionarë të administratës shtetërore dhe se “me qëndrimin e tyre implikojnë shtetin që përfaqësojnë, që na jep të drejtën ta quajmë bandë qeveritare. Autorët e tyre, si: Kosta Barka, Thoma Miço, apo dhe ministri Ksera, dihet se kanë suport në qeveri. Ata kanë bërë krim që janë larguar nga Omonia dhe nga interesat e minoritarëve dhe kthimi në këtë mënyrë në selinë e saj qendrore në Sarandë, të kujton thënien që krimineli kthehet një ditë në vendin e krimit. Ata janë vetëm një bandë njerëzish që ikën nga Omonia dhe vunë emrin në fletën e votimit të PD-së dhe për këtë morën si shpërblim poste në nivele të ndryshme të administratës shtetërore”. Sipas kreut Bollano, ata janë vetëpërjashtuar me kandidimin në listat e PD-së, gjë që numri një i kësaj organizate e ka shpjeguar se është e shprehur në statut, që i përkasim vetëm PBDNJ-së si subjekt elektoral. Pyetjes që iu bë lidhur me heqjen e kryetarit të degës së Sarandës, Kristaq Kali, Bollano i dha shpjegimin se ai nuk u përfshi në listën e PD-së, por nuk ka pranuar të respektojë vendimet e këshillit të përgjithshëm. “Prandaj presim reagimin e Kryeministrit Berisha, i cili është vënë në dijeni dhe nga kjo do të përcaktohet edhe qëndrimi ynë politik në politikën qendrore. Qëndrimi ynë ndaj qeverisë ka qenë konstruktiv, pavarësisht nga mendimi ndryshe që ne kemi për mjaft probleme, por ne jemi duke parë edhe qëndrimin e qeverisë ndaj nesh”, ka përfunduar Bollano.(Shqip)</p>
vhyRagzssCY

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23078. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23078
 
Top