Re: BE "certifikon" paaftesine ligjberese te qever
Misioni i Asistencës Evropiane për sistemin e Drejtësisë i ka vlerësuar të panevojshme Gjykatat Administrative
BE, kundër Gjykatave Administrative
“Nuk rekomandohet krijimi i një sistemi autonom administrativ, vetëm transferim në Apel”
Klodian Rado
TIRANË- Misioni i Asistencës Evropiane për sistemin e drejtësisë, EURALIUS shprehet kundër ngritjes se Gjykatave Administrative në Shqipëri. Megjithëse Ministria e Drejtësisë ka publikuar me kohë ngritjen e gjykatave ku ishte parashikuar zgjidhja më vete e çështjeve administrative, rekomandimi i EURALIUS-it bie ndesh me projektligjin “për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”. Ministri Aldo Bumçi i kërkoi një rekomandim më profesional dhe të detajuar ekspertëve evropianë, lidhur me nevojën e ngritjes së një sistemi autonom të Gjykatave Administrative në Shqipëri dhe nëse po, sa gjykata të tilla duhet të jenë. Përgjigjja negative e mbërritur në dikasterin e drejtësisë është bazuar në një studim që EURALIUS ka bërë në të gjitha gjykatat e vendit.
***
“Së pari, me qëllim që të përmirësohet organizimi i juridiksionit administrativ në Shqipëri, nuk rekomandohet as krijimi i një sistemi gjyqësor administrativ autonom që të mbulojë të gjitha shkallët e gjykimit dhe as krijimi i gjykatave administrative autonome në shkallë të caktuara të gjykimit. Së dyti, në vend të kësaj, juridiksioni administrativ i shkallës së parë duhet të transferohet nga gjykatat e shkallës së parë në gjykatat e apelit, ku duhet të ngrihen dhomat e çështjeve administrative”,-rekomandojnë drejtuesit e misionit evropian të asistencës për drejtësinë. Përveç këtyre dy rekomandimeve, EURALIUS ka këshilluar edhe disa opsione të tjera që mund të merren parasysh nga ligjvënësi shqiptar, me qëllim përmirësimin e trajtimit të çështjeve gjyqësore administrative.
***
EURALIUS, i kryesuar Gerald Coledani ka këshilluar disa zgjidhje të mundshme për Shqipërinë, sa i përket çështjeve administrative në gjykata. “Sidoqoftë, duhet të arrihet organizimi më i mirë i mundshëm i juridiksionit administrativ brenda sistemit gjyqësor të zakonshëm. Është e qartë nga shtjellimet e mësipërme që nuk mund të ketë një zgjidhje ideale, dmth, një sistem gjyqësor efektiv dhe me efikasitet të shpenzimeve, që të ketë gjykatë me juridiksion të plotë në çdo rreth dhe në të njëjtën kohë gjyqtarë shumë të specializuar. Zgjidhja më e mirë e mundshme mund të jetë një kompromis në balancimin e drejtë të interesave të kundërt dhe duke marrë parasysh edhe mundësinë e realizimit në praktikë”,-thuhet në përgjigjen që i ka mbërritur ministrit Bumçi.
MUNDËSIA 1
Juridiksioni administrativ, pa ndryshime
“Nëse i jepet prioritet mundësisë për t’iu drejtuar lehtësisht gjykatave administrative për të gjithë qytetarët në Shqipëri, nuk duhet të diskutohet asnjë ndryshim në lidhje me organizimin e juridiksionit administrativ. Siç u tha më lart, struktura e tashme e sistemit gjyqësor përputhet me standardet europiane. Për momentin nuk kërkohet të bëhen as shpenzime dhe as të ndërmerret ndonjë veprim. Para marrjes së ndonjë vendimi me pasoja afat-gjata duhet të shikoheshin zhvillimet pasuese”
MUNDËSIA 2
Përqendrimi i juridiksionit administrativ
“Me qëllim që të arrihen përmirësimet e pritshme nga një shkallë më e lartë specializimi, juridiksioni administrativ i shkallës së parë duhet të jetë më i përqendruar nga sa është për momentin, në 17 gjykata rrethi. Nga ana tjetër, me qëllim që të mos shkelet e drejta për t’iu drejtuar gjykatës, juridiksioni administrativ i shkallës së parë duhet të sigurohet në më shumë se një vend dhe këto duhet të jenë gjashtë gjykatat e rrethit në Tiranë, Durrës, Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe Vlorë, dhe mbase duhet shtuar edhe Fieri”
MUNDËSIA 3
Transferimi në gjykatat e apelit
EURALIUS argumenton se me qëllim që të përmirësohet gjykimi i çështjeve administrative në tërësi, do të duhen ndryshime të mëdha. As opsioni i parë dhe as i dyti nuk do të çonte drejt një sistemi gjyqësor administrativ që do të prodhonte një praktikë gjyqësore të cilësisë së lartë brenda një kohe të arsyeshme. “Funksionimi i dhomave të çështjeve administrative në gjykatat e apelit si shkallë e parë do të kontribuonte nga njëra anë në unifikimin e praktikës gjyqësore dhe nga ana tjetër, do të linte hapësirë për mendime të ndryshme ligjore, duke stimuluar zhvillimin e së drejtës”
Rekomandimet përfundimtare të EURALIUS
1. Me qëllim që të përmirësohet organizimi i juridiksionit administrativ në Shqipëri,
nuk rekomandohet as krijimi i një sistemi gjyqësor administrativ autonom që të
mbulojë të gjitha shkallët e gjykimit dhe as krijimi i gjykatave administrative
autonome në shkallë të caktuara të gjykimit.
2. Në vend të kësaj, juridiksioni administrativ i shkallës së parë duhet të
transferohet nga gjykatat e shkallës së parë në gjykatat e apelit, ku duhet të
ngrihen dhomat e çështjeve administrative.
Çfarë është EURALIUS?
EURALIUS-i është Misioni i Asistencës Evropiane për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë. Bazë e këtij misioni është Marrëveshja e Grantit ndërmjet Bashkimit Europian, i përfaqësuar nga Komisioni i Komuniteteve Evropiane dhe Ministria Federale e Drejtësisë e Republikës së Austrisë, si udhëheqëse e një konsorciumi me Ministritë Gjermane dhe Italiane të Drejtësisë si partnere. Projekti filloi më 13 qershor 2005 dhe do të vazhdojë 2 vjet
VLERËSIMI
“Shqyrtimi administrativ, sipas standardeve evropiane”
TIRANË- “Organizimi i tashëm i shqyrtimit administrativ në Shqipëri përputhet me standardet evropiane”. Kështu thuhet në raportin që EURALIUS i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë, sipas ekspertëve të këtij misioni, ngritja e një sistemi gjyqësor administrativ autonom do të përputhej gjithashtu me standardet europiane, nëse do të garantoheshin pavarësia dhe paanësia e gjykatës(ave) administrative dhe nëse do të parashikohej ankimim të paktën në çështjet më të rëndësishme ose nëse çështjet do të dërgoheshin drejtpërdrejt në një gjykatë më të lartë. Një tjetër çështje që nuk ka ngelur jashtë vëmendjes së EURALIUS-it është edhe specializimi i gjyqtarëve që do të gjykojnë çështje administrative. Sipas raportit të hartuar prej tyre thuhet se: “gjendja e tashme e organizimit të juridiksionit administrativ nuk jep mundësi të mjaftueshme për specializimin e gjyqtarëve në të drejtën administrative”. Ndërkohë që raporti i ekspertëve evropianë shprehet gjithashtu se: “numri i çështjeve administrative, nuk është i mjaftueshëm për të krijuar ndonjë gjykatë administrative autonome në shkallët më të larta, pasi kjo do të kishte një ndikim shumë ta madh në nivelin e gjykatave të apelit”. EURALIUS ka përfunduar në raportin e saj se nuk është i këshillueshëm as krijimi i një sistemi të gjykatave administrative autonome dhe as krijimi i gjykatave administrative autonome në një ose dy shkallë.
07/07/2006
KATEGORIA: Kronike nga Tirana
www.shekulli.com.al