Austri, gjenden 50 refugjatë të vdekur në një kamion

14406761241438116473azilantet.jpg


Rreth 50 emigrantë janë gjetur të pajetë në një kamion të braktisur në autostradën A4 që lidh Hungarinë me Vjenën në Austri, një zonë e ndodhur ndërmjet lokaliteteve Neusiedl dhe Parndorf. Sipas gazetës vendase “Krone”, refugjatët duhet të jenë mbytur brenda mjetit që ishte parkuar në anë të rrugës prej të paktën dy ditësh.

Policia austriake njoftoi se të mërkurën tre trafikantë të qenieve njerëzore ishin arrestuar jo shumë larg vendit ku u gjet kamioni. Njëri prej tyre kishte transportuar me furgon përtej kufirit austriak të paktën 34 emigrantë, të cilët pas kësaj i kanë detyruar të zbresin përgjatë autostradës.

Në mesin e tyre kishte edhe 10 fëmijë. Refugjatët i thanë forcave të rendit sesi ishin ngjeshur në furgonin e vogël ku ishte “thuajse e pamundur të merrje frymë”. Ata rrëfejnë se për këtë arsye dhe i kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme drejtuesit të mjetit që të ndalonte, por ai e ka bërë veshin shurdh e nuk ka ndaluar deri në hyrjen në Austri.

Sipas “Krone”, policia austriake ka nisur një operacion të gjerë kërkimi të shoferit të kamionit, ku u gjetën trupat e të vdekurve.

/ Top Channel
 

Universal

AnonymouS
Austri, 71 trupa në kamionin “e vdekjes”. Hetohet për vrasje, e jo asfiksim


Konfirmimi vjen nga autoritetet austriake. Në kamionin “e vdekjes”, të braktisur në një autostradë të vendit, jo shumë larg kufirit me Hungarinë, kishte 71 trupa të pajetë, që të gjithë - sipas gjasave, - emigrantë sirianë.

Fillimisht u mendua se mjeti mbante 20 deri në 50 viktima, por pas verifikimeve numri i fatkeqëve rezultoi edhe më i lartë se kaq. 59 prej tyre ishin meshkuj, 8 gra dhe 4 janë fëmijë.

Trupat në proces dekompozimi u zbuluan të enjten, pasi policia dërgoi disa efektivë të kontrollonin kamionin e ndaluar në anë të autostradës A4, që çon për në Vjenë.

Ekipet mjekoligjore kanë punuar përgjatë gjithë natës për të ekzaminuar kufomat, por ndërsa nuk ka ende të dhëna mbi shkaqet e vdekjeve, zyrtarët austriakë janë duke e trajtuar ngjarjen e rëndë si “vrasje”.

Përpjekjet e forcave të rendit janë përqëndruar aktualisht te kapja e shoferit, e për këtë qëllim, policia austriake po bashkëpunon me atë hungareze. 7 persona u arrestuan pas zbulimit të tmerrshëm, 4 nga të cilët u lanë sërish të lirë, por mbeten nën vëzhgimin e policisë.

3 të ndaluarit që mbetën në paraburgim thuhet të jenë shtetas bullgarë. Kamioni mban logon e një kompanie sllovake shpezësh, Hyza, e cila pretendon se prej kohësh nuk e ka më në zotërim mjetin në fjalë, ndërsa blerësit duket se nuk e kanë hequr markën e saj.

Sipas Hans Peter Doskozil, shefi i policisë së provincës Burgenland, ku u zbulua kamioni, mjeti ishte i tipit frigoriferik e kjo nuk është zgjedhja tipike e trafikantëve për transportin e refugjatëve.

Kamioni me targë hungareze mësohet të ketë lënë Budapestin mëngjesin e së mërkurës. Me dhjetëra emigrantë të larguar nga vende të përfshira prej konflikteve, në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, janë përpjekur të hyjnë në Europë këto muajt e fundit.

Një pjesë e tyre u paguajnë shuma të majme parash trafikantëve, që t’i kalojnë në kontinentin e vjetër ilegalisht. Në samitin e zhvilluar me udhëheqësit e Ballkanit në Vjenë, Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh thellësisht e tronditur nga gjetja e kamionit me trupat e pajetë, të cilin e cilësoi “një lajm të tmerrshëm”.

Ky është paralajmërim për ne, që ta zgjidhim sa më shpejt ngërçin e emigrantëve në frymën europiane, që do të thotë një frymë solidariteti, u shpreh ajo.

/ Top Channel
 
Top