Re: ARRESTOHET Leonard Koka (shoku i Nanos, vellai Lefterit, kunati Dukes)
Gazeta "Panorama"
www.panorama.com.al
“Koka porositi cigaret në Mal të Zi”
Prokuroria: 39-vjeçari ndihmonte kalimin e kolive në doganë
Akuza
Burimet zyrtare të Prokurorisë thanë se bashkëpunimi i Leonard Kokës në kontrabandën e cigareve është zbuluar ditët e fundit. “Kemi prova shkencore, përgjime dhe dëshmi që e fajësojnë të pandehurin. Sipas të arrestuarve, cigaret janë të Leonard Kokës, ndërsa ata kanë kryer vetëm transportin e tyre. Ai ka bashkëpunuar në kontrabandën e cigareve, duke qenë pjesëmarrës në porositjen e tyre në Mal të Zi, financimin, transportin dhe mundësimin e hyrjes së tyre në Shqipëri duke shmangur doganën”, pohuan burimet zyrtare të Prokurorisë. Ata i cilësuan provat e mbledhura ndaj biznesmenit Koka si të pakundërshtueshme. “Për këtë arsye është vendosur arrestimi i të dyshuarit si dhe nisja e procedimit penal”, sqaruan më tej burimet zyrtare të Prokurorisë. Të pyetura me konkretisht për “bashkëpunimin e 39-vjeçarit në kontrabandën e cigareve”, burimet zyrtare të akuzës janë shprehur tekstualisht se “bashkëpunimi qëndron në financimin e ngarkesës kontrabandë, mundësimin e shmangies nga dogana duke hyrë në port dhe transportin e ngarkesës”. Ndërkaq, Prokuroria nuk dha sqarime pse emri i Leonard Kokës si i implikuar në kontrabandën e cigareve nuk është zbuluar gjatë hetimeve 6-mujore, por vetëm dy javët e fundit. Ndërkohë, Prokuroria e krimeve të Rënda tha se nuk ka filluar ndonjë verifikim rreth pasurive të Leonard Kokës. Sipas procedurës, Krimet e Rënda verifikojnë pasurinë e të gjithë personave që akuzohen nga ky institucion. Veprat penale që janë kompetencë e këtij organi, parashikohet që të sjellin përfitime financiare. “Megjithatë nuk kemi filluar ndonjë verifikim rreth pasurisë së shtetasit Leonard Koka dhe nuk kemi ende informacione të kësaj natyre”, kanë deklaruar zyrtarët e Prokurorisë.
Masa e dënimit
Sipas nenit 172 të Kodit Penal shqiptar, kontrabanda me mallra që paguhet akcizë, nënkupton importimin, eksportimin apo tranzitimin i mallrave që paguhet akcizë, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore. Nëse provohet se këto veprime janë kryer atëherë i akuzuari mund të dënohet nga Gjykata me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet. 39-vjeçari Leonard Koka u arrestua në lokalin “Kristal” në Durrës, nga efektivat e repartit të forcave speciale RENEA. Koka dyshohet të jetë “tradhtuar” nga disa prej të arrestuarve për kontrabandën e cigareve, pasi edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi dje se ka disa dëshmi që hedhin dyshime rreth implikimit të Kokës në kontrabandën e cigareve që vinin nga Mali i Zi.
I vëllai: Nardi i shiti aksionet dy vjet më parë
Leonard Koka, nga (rojeroje në një magazinë konservash ) në biznesmen i fuqishëm
DURRES – I arrestuari nën akuzën e kontrabandës së cigareve, Leonard Koka, njihet në qytetin e Durrësit si një biznesmen i fuqishëm. Deri dy vite më parë ai rezultonte si aksioner në disa nga firmat e mëdha që dispononte familja e tij në qytetin bregdetar, si ajo “Oert” dhe “Sucralba”. Por, siç pohoi dje dhe i vëllai i tij, pikërisht kryetari i Bashkisë së Durrësit, Lefter Koka, në vitin 2003, Leonardi ka hequr dorë nga aksionet në këto aktivitete. Të gjitha janë kaluar në emër të vëllait të tretë të tyre, Ilirit. Familja Koka përbëhet veç tre vëllezërve dhe nga dy motra, njëra prej të cilave është e martuar me ish-ministrin e Bujqësisë dhe ish-deputetin e Shijakut, Agron Duka. Vetë Leonardi mësohet se në vitet e para të ’90-ës ka punuar si roje në një magazinë konservash. Pas vitit 1997, bashkë me vëllezërit ai nis aktivitetin tregtar, duke bërë importimin e ujit mineral nga Italia në Shqipëri. Më pas, veprimtaria e tyre zgjerohet, duke përfshirë dhe importimin e mallrave ushqimore e më tej dhe krijimin e një firme ndërtimi që vepron në Durrës. Për shumë vite, të gjithë anëtarët e familjes Koka kanë qenë aksionerë në këto kompani, derisa në kohën e kandidimit në zgjedhjet e pushtetit vendor të Lefter Kokës, ai heq dorë prej tyre, ashtu siç do të bënte dhe i vëllai i tij më vonë. Leonard Koka, 39 vjeç, është i martuar, me dy fëmijë. Ai banon në një apartament të lagjes numër 4 në Durrës, ndërsa kohët e fundit nuk kishte një aktivitet që e drejtonte nën emrin e tij.