
Policia e Kosovës ndërhyri në selinë e lëvizjes Vetëvendosje në kërkim të deputetit të kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ndaj të cilit ditë më parë është lëshuar një urdhër arresti për shkak të veprimeve gjatë protestave të opozitës në parlamentin e Kosovës, kundër marrëveshjeve me Serbinë.
Njësitë e posaçme të policisë arrestuan zotin Kurti dhe 95 pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizjeje.
Prokuroria tha se zoti Kurti dyshohet se ka kryer veprat penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armës dhe pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.
Gjykata themelore në Prishtinë i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh zotit Kurti.
Forca të mëdha të policisë rrethuan selinë e kësaj lëvizjeje pak pas përfundimit të protestës së partive opozitare kundër marrëveshjeve të fundit me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Udhëheqësit e opozitës, që zgjodhën kremtimet me rastin e 28 nëntorit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë, të mbajnë protestë bënë thirrje për anulimin e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas tyre, ndan Kosovën nga brenda si dhe asaj për kufirin me Malin e Zi, që sipas opozitës bën që Kosova të humb rreth 9 mijë hektarë tokë.......