Armand Sylli Prudhomme

atman

Forumium maestatis
Armand Sylli Prudhomme

Armand Sylli Prudhomme
(16 mars 1839 – 6 shtator 1907)

I pari poet e prozator i çmimit Nobel.

Pak histori.
Në testamentin e parë të Alfred Nobel, jepej çmim, citoj: “ vetëm për punime intelektuale që i përkasin një shtrirjeje të gjerë në fushën e shkencës dhe të progresit”. Ishte viti 1893, por në testamentin pasues të vitit 1895 (27 nëntor) (Alfred Nobel vdiq më 1896) gjejmë një klauzolë (kusht) të formuluar kështu: “Një pjesë atij që do të ketë bërë në literaturë diçka po aq të shquajtur në kuptimin ideal”. Natyrisht me pjesë kuptojmë shumën e të hollave që shoqëron çmimin dhe që natyrisht s’qe njësoj për lëme të ndryshme. (Milionat që la Nobel i përkisnin njerëzimit dhe kjo ishte mënyra më e mirë për t’iu rikthyer, nëpërmjet figurave të spikatura). Kjo shtesë ose ndryshim testamenti shënoi edhe dhënien e çmimit nobel për letërsinë, detyrë që iu caktua Akademisë së Stokholmit, dmth Akademisë Suedeze. Megjithatë nuk u vu në jetë kaq lehtë. Duhej bërë një shtesë në rregullore dhe duhej aprovuar prej mbretit. (testamenti i ndryshuar u bë i njohur në vitin 1900, por jo për këtë). Mbreti i atëhershëm Oskar II fillimisht ishte kundër një çmimi të tillë, dhënë nga Akademia, për merita letrare. Mgjtë komisioni u ngrit pranë Akademisë dhe mbreti e aprovoi, pas kësaj detyra për dhënien e çmimit nobel në letërsi ishte mjaft e vështirë sepse duhej zgjedhur një vepër dhe autor që nuk do të ndiqej nga kritika dhe polemika sikundër ndodhi. Esain Tegner jr, profesor i gjuhëve të lindjes në Universitetin e Lund –it, anëtar i Akademisë dhe komisionit, atëhere tha: “Akademia nuk ushqen iluzione për faktin se dhënia e çmimit do të jetë e imunizuar nga kritikat, diçkaje të tillë nuk i shpëton asgjë njerëzore”.

...në kuptimin ideal. Përse?
Alfred Nobel, shpikësin e dinamitit, e nxiti pikërisht kultura e tij e thellë dhe e gjerë në fushën e letërsisë, shtesa që i bëri testamentit. Nobel ishte poliglot dhe njihte si rrallëkush pesë gjuhë. Megjithatë kishte shpirt poeti përderisa e kërkonte dhe e desh shumë vetminë. Te nevoja për të qenë vetëm shpirti i tij vlonte si llava brenda vullkanit dhe shpërthente admirimi për poetë si Bajroni, Shelli, etj, që ndikuan fromimin rinor. Madje ka shkruajtur edhe dy romane. Ndërsa në vitet e fundit të jetës filloi të shkruajë dramën Beatrice Cenci ose Nemesi. Por, çfarë na intereson janë shijet e tij letrare. Pëlqente vepra me prirje idealistike që këtu edhe formulimi i shtesës, ose përligjja, pse jo edhe orientimi që duhej ndjekur për dhënien e çmimit. Përbuzte natyralizmin, psh të tipit Emil Zola’. Në prozë e interesonte më shumë përmbajtja se sa forma. Për Nobelin, akademiku suedez Ahder Osterling do të thoshte se është një superidealist...ishte kacavirur fort pas idealit të tij, që, një individ i vetëm dhe populli nën ndikimin e një letërsie të madhe, simbolike dhe madhështore, mund të arrijnë në një vëllazëri të thellë e tolerante.

10 dhjetor 1901

Dita kur Armand Sully Prudhomme, poet, prozator dhe filozof, anëtar i Akademisë Franceze, do të merrte çmimin nobel në letërsi. Kështu Franca dukej se ishte vendi i parazgjedhur që do të merrte çmimin e parë nobel në letërsi dhe këtu është për tu theksuar se kombësia luan një rol shumë të madh. Megjithatë në botë pati reagime të ndryshme sepse në atë kohë ishte ende gjallë Tolstoi. Nuk u zgjodh as Ibsen, Bjornson, Mommsen, Carducci, Anatol Frans etj. Ndërsa lista e kandidatëve francezë përfshinte edhe Zola’, Rostand, Mistral, Vallery-Radot. Por, kandidatura e Prudhomme ishte firmosur nga figura të rëndësishme dhe autoritare të Akademisë Franceze që thuajse e zyrtarizonin vendimin. Njëlloj rekomandimi – porosie. Sidoqoftë nga të gjithë kandidatët, një pjesë e tyre e morën çmimin në vitet pasardhëse.
Më 14 nënto 1901 Prudhomme mori njoftimin privat me poshtthënien: “Për njohjen e meritave të veçanta të treguara nga ai si autor deri në këto vitet e fundit, e mbi të gjitha, për poezinë e tij, dëshmi e një idealizmi të lartë, përsosmëri artistike dhe një shkrirje e rrallë e cilësive të zemrës me gjeniun”.
Në një inervistë dhënë gazetës Figaro’, Prudhomme thotë se mori një shumë të tillë që e kalonte mjaft çfarë ai kishte fituar nga poezia për 35 vjet të karrierës si poet. “Mendoj kolegët e mij të rinj, tha, që s’kanë mundësi të publikojnë poezitë e tyre të para. Kam për qëllim të derdh një shumë që tu lejojë këtyre të rinjve publikimin e poezive...”.
Në fakt gjithë shuma u përdor për këtë qëllim.
Në pjesën e fundit të jetës iu dedikua prozës, por mendoj se nuk ka vlerën e poezisë.

Pa u zgjatur më shumë po fut disa poezi të përkthyera nga unë. Edhe pse nuk mund të krijohet një mendim i plotë për hapësirën gjithpërfshirëse mbi disa poezi, mendoj se kanë vlerë orinetuese.

Pak fjalë...
Poezia e tij është me ngjyra shpesh vaniteti, të errëta thuajse në atë pikë sa krijon përshtypjen e ndryshimit, pa ndodhur ndryshimi. Është si një imazh që për arsye optike krijon një iluzion pamor e që shpesh po të përdor një fjalë moderne mund të themi se ngjall megjithatë përfytyrimin e lëvizjes sikurse një fenomen blur. Duket se poetin e tërheqin ato çaste kur përvijohet hollë përshtypja, për të ndalur aty, te përvijimi, te sfumaturat sepse i hapin rrugë fantazisë, krijojnë një botë sa të trishtë aq edhe njerëzore kaq e ngjashme me atmosferën e një stacioni trenash apo aeroporti (flas për mbresën sepse autori jetoi në kohë para avionësh), pa hipur kurrë, ndoshta vetëm përcjell, sepse po hipe ke përcaktuar njëherë e përgjithmonë pikmbrritjen: Kështuqë ai zgjedh këtë pezulli, si mjegulla kur ngrihet mbi ujrat e liqenit vetëm për të përjetuar diçka që ndoshta nuk ka ndodhur asnjëherë dhe që pritet të ndodhë në ankthin e pritjes vetë. Shpesh Prudhome ledhaton një ëndër, prekja e tij është kaq e lehtë, sa ajo e fluturës kur ndal mbi një lule dhe ikën shpejt sepse nuk gjen atë mundësi ku krahasimi i bukurive të jetë ezaurues, ndaj edhe jeta shndërohet në një bredhëritje lule më lue, poezi më poezi.
Vetë poeti rrallëherë merr largësi ai është pikërisht një lëndë në duart e kësaj lënde, pjesë e lëvizjes, e ngjyrave e mbresave e ndiesive duke u futur pa frikë, fundëron oqeaneve dhe përshkon qiejt. Ky lloj proteizmi, në gjendje të ndryshojë të kalojë nga një nuancë te tjera duke qenë ajo dhe ajo jashtë tij për ta përshkruar, pak a shumë si piktori kur shkrihet me ngjyrat dhe nga brendësia e tyre zgjedh vendin që i takon e ndihmon poetin të japë të gjitha pamjet e mundëshme të çfarë ai i këndon.


Mjellma



Heshtur, mbi pasqyrë liqenesh të thellë e të qetë,
Mjellma lëviz ujin me këmbën e gjerë
dhe rrëshqet. Pendët e ijeve të bardha të ngjashme janë
me dëborërat e prillit që treten nën diell.
Ndalon dhe e një bardhësie të zbehtë, që prej zefirit fërgëllon,
Krahu i bardhë si një lundër e lehtë e çon.
Qafa e tij e bukur, del, lart, mbi kallamishte,
E zhyt, e shtrin mbi ujë duke e zgjatur;
Kthesa e tij është e hijëshme, si fletë dashtëri
Dhe sqepin e zi e fsheh në grykën e ndritur.
Përgjatë pishnajës, banesë e sohisë dhe paqes, nganjëherë,
duke gjarpëruar shkon e ndërsa pas vetes le që
bari i dendur të shthuret si një floknajë e gjelbëruar,
lëviz me një ritëm të vonuar dhe i plogështuar.
Gorga ku poeti përgjon çfarë dëgjon
Dhe burimi që trishtë vajton përjetësinë që mungon,
i pëlqejnë; ngadalëson; një gjethe morine
në heshtje rënë, shpatullën e bardhë fshikon.
Shtyhet, ndonjëherë, më tej, larg pyjeve hijerëndë,
Kryelartë, duke vozitur drejt së kthjelltës kaltërsi,
Dhe kërkon për gëzimin e së dashurës dëlirësi,
hapësirën e ndritëshme ku dielli pasqyron.
Dhe kur tashmë skajet e ujit përhumbin
në orën kur linjat janë vegime të pështjelluara,
dhe horizonti i errët ka një vijë të zjarrmuar,
Kur nuk merr frymë xunkthi dhe s’lëviz një shpatore,
Dhe ajri mbushet me kuakje brekosash,
kur ndriçon xixëllonja nën dritën e hënës,
mjellma në liqenin hijerëndë ku pasqyrohet,
nën të, nata tërë vjollcë e qumështore,
si një vazo e argjendtë midis diamantësh, ai fle
me kokën nën sqetull, midis dy kupave qiellore.



Zi zemre


Kur të mësoj që nuse je nisur
Dhe për miqtë vetëm do të kesh
Një të folur ëndra boshatisur
Ku pshertima s’ka asnjë kuptim,

pas një “po” tashmë të parathënë,
Nga ju ne asgjë nuk do na mbesë
As freskia e paditurisë
As edhe emri tënd i shkurtër, po i ëmbël

E që duhet thënë: “Zonjë”
Ndërsa burri, padroni tuaj
Sqimatar si një borgjes
Në orë të mira “grua” do të të thërresë

Me heshtjen e mëshirës, më shumë se me zilinë
Mbi varrin tuaj martesor
Unë do të marr përgjithmonë zinë
E idealit vdekur rinor.







Çlodhje

Si perënditë, si dashuria: të këqia, vrasin të dyja.
Më nuk do ndjek zekthin e kënaqësisë;
Prej vrarjemendjeve molisur, të pushoj dua
prej të ngratit stërmundim që venit mendimin tim.

As perënditë, as dashuria. Dhe unë së fundi u mësofsha
Të mos ndiej më zhuritjen e lakmisë
As ndrydhjen e gjërave në përjetësinë e fshehtësisë!
Tekefundit i lumtur të jem! Dhe si një statujë jetofsha

Mbi qemerin e saj drejt si një Termine e gëzuar!
Një jetë fisnike natyra i huan
Dhe e gjelbëra floknajë e tëra me myshk sajuar.


Lulekëmbora dhuron, buzë ku pshertima mungon,
një gjethe është zemra e saj; krahë, dredhkëza mike;
Dhe sytë e qeshur janë dy mëtrikë.





Dashuri tokësore

Në kryqëzim vështrimesh ne jemi pëlqyer
Në shekullin tim lindur dhe në të njëjtin vend
Në të dyfishtën, e kohës dhe të hapësirës, pafundësi
Nuk më kërkoje aspak, s’më ke zgjedhur kurrsesi;

Për të të mbrritur këtu në ditën e shënuar
s’kisha gjurmën tënde në botën e përjetësuar;
lindjen tënde dhe vendin e trungut shpërfillja;
Gjithçka fati e bëri; asgjë s’kemi dëshiruar.

Vetëm kuturisje dashuritë tokësore janë;
I fejuari tënd i pritshëm, e ardhmja gruaja ime,
Kotësisht pshertijnë, ne nga larg qajmë.

Është ai që te unë ti ndien, sepse jam i ngjashëm ;
çfarë më josh te ty, është ajo, dhe ne kujtojmë
se duhemi ndaj sëbashku t’i kërkojmë shkojmë.










Rjedha e viteve të mija...


Rjedha e viteve të mija veç zili mund të shkaktojë:
Ndaj ditën kur linda unë nuk e mallkoj.
Nëse Zoti më ka bërë të vuaj, shumë madje më ka dhënë
Që kam jetuar prej meje s’ka ankojë.

Nga lumturia që unë iu kushtova
Horizonti tepër i gjerë sot është ngushtuar;
Fatin tim pres në prehjen e fantazisë;
Ç’vlerë ka e ardhmja? Shpirti im është dënuar.

Ambicioze ishte pema e rinisë sime
Marrëzi ëndrash dhe ujth, e stuhitë, mjerisht,
Duke shkundur degët e gjelbra, kanë mbjellë qiellin...

Por e ëmbla kujtesë kohën qëmton
Dhe kurrë harresa të fshijë çdo gjë s’mund
Në kopshtin e së kaluarës një lule mbetet gjithmon.
 
Top