Re: Aleksandër Meksi, preçedenti i vërtetë i shtypjes së medias
Kurse kjo eshte kunderpadia qe Baleta i ngriti Meksit(kujtoj, jemi ne fillim te viti 2002 dhe ende ne Shqiperi nuk flitej per problem mediatike, nuk flitej per burgim mediash, per media te shitur e te korruptuar, nuk flitej as per gjyqe te vjelash me shuma marramendese - nuk flitej, por dicka ngjante ne ate kohe, dhe "Rimekembja" ka folur...):
- - - - - -
<span style="font-weight: bold">SI DHE PSE SHPIF ALEKSANDËR MEKSI</span>
Ish-kryeministri i Shqipërisë Aleksandër Meksi përdor “metoda të holla” për të bërë luftën politike. Tërë përgjegjësinë e tij për tragjedinë e Shqipërisë në pranverën e vitit 1997 kërkon t’ia ngarkojë ish-kreut të policisë, gjeneral-major Agim Shehut. Kur reagon Agim Shehu me fakte demaskuese dhe kur të tjerë kërkojnë nga Berisha sqarim rreth këtyre fakteve, Aleksandër Meksi përpiqet të instrumentalizojë gjyktat dhe të sigurojë “çertifikata shfajësimi”. Një shembull tipik i këtyre bizantinizmave të Meksit është dhe padia e ngritur në Gjyktaë kundër meje. Ka qenë pikërisht kjo padi absurde që më nxiti të parashtroj në gjykatë propozimet e mia dhe kundërpadinë time ndaj Aleksandër Meksit. Tekstin e kësaj kundërpadie e lexuar avokati Bexhet Agolli para Gjyktaës së Tiranës më 13 shkurt 2002.
<span style="font-weight: bold">KUNDËR-PADI</span>
<span style="font-style: italic">E LEXUAR NGA AVOKATI BEXHET AGOLLI PARA GJYKATËS SË TIRANËS NË SEANCËN E DATËS 13 SHKURT 2002.</span>
I paditur – kundërpaditës: Abdi Baleta, i biri i Hasanit, i lindur më 18 prill 1941 në Guri i Bardhë Mat, banues në Tiranë, Rruga “Kongresi Lushnjës”, pall. 37/2, Ap. 20.
Paditës – i kundërpadituri: Aleksandër Meksi, i biri i Gabrielit, datëlindja 1939, lindur dhe banues në Tiranë, Rruga “Pjetër Bogdani”, pall. 8/1.
Objekti i padisë: Detyrimin e të paditurit për shpërblimin e dëmit pasuror në masën 1 00 000 (njëqind nijë USD në bazë të nenit 625/ a dhe b, të nenit 608 të Kodit Civil dhe të nenit 48 të Kodit të Procedurës Civile.
Baza ligjore e kundërpadisë: Neni 160 i Kodit Civil.
Para Gjykatës së Rrethit
TIRANË
Fillimisht i parashtroj Gjykatës kundërshtimin tim të plotë e të vendosur ndaj padisë që ka paraqitur kundër meje paditësi (tani i kundërpaditur), Aleksandër Gabriel Meksi, për gjoja dëm moral që i paskam shkaktuar unë me shpifje e fyerje që përmban artikulli im “Demaskimi i Meksit, akuzë edhe për Berishën”, botuar në gazetën “Rimëkëmbja”, që unë e drejtoj, më 4 dhjetor 2001. Më poshtë do të radhis e shtjelloj provat e mia që mbështesin kërkesën time për rrëzimin si të pabazuar në ligj e në prova të pretendimeve dhe të padisë e kërkesës së Aleksandër Meksit. Do të parashtroj, gjithashtu, provat e mia në mbështetje të kundërpadisë për dëmin moral që më kanë shkaktuar mua Aleksandër Meksi dhe përfaqësuesja e tij, si me paraqitjen e kërkesë-padisë së tyre të bazuar në shpifje dhe me veprime të tjera fyese e shpifëse të kryera publikisht, në mjedise partiake e mjete të informimit masiv e telefonata.
Qysh në fillim dëshiroj të theksoj para Gjykatës se në padinë e tij, Aleksandër Meksi, nuk thotë të vërtetën lidhur me përmbajtjen e qëllimet e artikullit tim, përpiqet të krijojë probleme të paqena, që nuk bazohen në prova e në fakte dhe të pambështetura në prova shkresore.
Aleksandër Meksi në padinë e tij pretendon se në shkrimin tim të sipërpërmendur kam fyer e shpifur ndaj tij për shkak të cilësive të tij si person zyrtar, deri kryeministër i Shqipërisë, si dhe paskam fyer me shpifje kujtimin e të ndjerit, babait të tij, Gabriel Meksi.
Në asnjë paragraf apo rresht të shkrimit tim, që zë më shumë se një faqe gazete, nuk ka shpifje e fyerje ndaj Aleksandër Meksit apo babait të tij. Është e vërtetë se këtë shkrim e kam botuar për motive e qëllime politike, jo për t’u marrë me Aleksandrin, si individ, apo me pjesëtarë të familjes së tij.
Vetë titulli “Demaskimi i Meksit, akuzë për Berishën” dëshmon se unë i referohem një fakti të ndodhur e të bërë publik para shkrimit të artikullit siç është “demaskimi i Meksit” dhe objektivi kryesor i shkrimit është të jap opinionin tim për qëndrimet e ish-presidentit Berisha dhe të kërkoj prej tij shpjegime që, sipas meje, paraqesin interes të përgjithshëm kombëtar në politikën shqiptare. Kam bindjen se është një e vërtetë e pamohueshme se shkrimi i gjeneral-majorit Agim Shehu, i botuar dhe ribotuar gjatë muajit dhjetor 2001 në revistën e ilustruar të përdyjavshme “Koha” me titullin “Ja cilat janë misteret e Aleksandër Meksit”, është shumë demaskues për Aleksandrin, si në titull dhe në përmbajtjen e tij prej disa faqesh. Ka qenë pikërisht ky demaskim publik që ish-drejtuesi kryesor i policisë shqiptare i bën ish-kryeministrit shqiptar të pushtetit të Partisë Demokratike, që më ka nxitur si qytetar, si publicist dhe si politikan të shkruaj në parim, duke kërkuar sqarime nga ish-kryetari i shtetit në atë kohë, Sali Berisha, dhe duke përmendur përgjegjësitë e tij.
Artikullin tim e kam nisur me fjalët: “Shkas për këtë shkrim u bë një replikë shumë demaskuese e ish-kreut të policisë shqiptare, gjeneral majorit, Agim Shehu, ndaj disa pohimeve të bëra në shtyp, kundër tij nga ish-kryeministri, Aleksandër Meksi”. Kjo duhej t’i mjaftonte paditësit Aleksandër Meksi të kuptonte se unë nuk mund të akuzohem për kurrfarë shpifjeje kur në analizën time të zhvillimeve politike në Shqipëri u referohem fakteve tashmë të ndodhura, të bëra publike, siç janë sulmet e ndërsjella që kanë bërë ish-kryeministri me ish-kreun e policisë që varej prej tij.
Prandaj, duke iu referuar përmbajtjes së kërkesë-padisë së paraqitur nga Aleksandër Meksi theksoj para gjykatës se jam në të drejtën time ligjore e morale të hedh poshtë ato që trillon paditësi për synimet e tij të pamoralshme politike dhe njëkohësisht të kërkoj mbrojtjen ligjore në rrugë gjyqsore nga sulmet që i bën integritetit e dinjitetit tim njerëzor e politik Aleksandër Meksi me shpifjet e fyerjet publike që kurdis e lëshon ndaj meje, si nëpërmjet padisë së tij dhe me mënyra të tjera që do t’i shtjelloj më poshtë.
Duke i konsideruar parashtrimet e Aleksandër Meksit në kërkesë-padinë e tij si shpifje e fyerje publike në adresën time, të bëra me keqdashje e qëllime të këqija politike që nuk po i analizoj hollësisht këtu; duke parë se Aleksandër Meksi në trajtimin e problemeve që kanë lindur për të pas botimit të shkrimit të gjeneral-majorit Agim Shehu i shmanget thelbit të këtyre problemeve dhe përpiqet të kapërcejë situatën duke fyer e shpifur kundër meje, çmoj se ka bazë ligjore, morale e njerëzore të kërkoj mbrojtje ligjore nga cënimet e personalitetit tim dhe jam plotësisht i legjitimuar të ngre kundërpadi ndaj Aleksandër Meksit dhe përfaqësueses së tij në këtë gjykim që, gjithashtu, ka bërë veprime fyese e shpifëse kundër meje.
Nuk është aspekti financiar i vënies në vend të dinjitetit tim të cënuar, pra nuk është synimi i ndonjë përfitimi material, si në rastin e Aleksandër Meksit, që më shtyn t’u referohem dispozitave ligjore për shpërblim të dëmit pasuror. Por, për të plotësuar kuadrin ligjor të zgjidhjes së problemit kërkoj që të shqyrtohet kjo kundërpadi në bazë të neneve 608 dhe 625/a dhe b të Kodit Civil dhe të detyrohet i kundërpadituri, Aleksandër Meksi, të shpërblejë simbolikisht dëmnin jopasuror në shumë 1 000 000 (njëmilionë) lekë.
Hedhjen poshtë të padisë së Aleksandër Meksi dhe kundërpadinë time i mbështes konkretisht në faktet e vlerësimet që vijojnë.
Paditësi Aleksandër Meksi ka pretenduar se “artikulli i cituar mësipër, (i botuar në gazetën “Rimëkëmbja” më 4.12.2001) dhe i bërë publik nga i padituri është i mbushur me fyerje dhe shpifje, por me këtë kërkesë-padi po përmend disa prej tyre”.
Ky pretendim është krejtësisht shpifje qëllimkeqe. Mjafton një vështrim i shpejtë i tekstit të artikullit tim për t’u bindur se unë i jam referuar shumë pak personit të Aleksandër Meksit dhe këtë e kam bërë me kujdesin e maturinë më të madhe, pa cënim të personalitetit të tij. Një vështrim i shpejtë i tekstit të tregon se një kolonë (mestitulli i parë) është përshkrim i përgjithshëm i problemit që ka lindur që lexuesi të mos çorientohet. Gati një kolonë (mestitulli i dytë) bën fjalë për grevën e urisë së të përndjekurve politik në gusht të vitit 1994 që u nxorrën me dhunë e keqtrajtim policor nga greva prej qeverisë së kryesuar nga Meksi. Në këtë pjesë qëllimi im është të mos pajtohem me shpjegimin e gjeneral-majorit Agim Shehu për dhunën policore që u përdor dhe nuk kam analizuar rolin e vet Meksit. Dy kolona të tjera, ose një e treta e artikullit (mestitulli i tretë) janë polemikë që unë bëj me gazetën “Zëri Popullit” dhe nuk merren me personalitetin e Meksit. Një kolonë tjetër (mestitulli i katërt) është debat i natyrës politike për ngjarjet e vitit 1997, pra njëlloj debati që mund të gjesh në male koleksionimesh të gazetave, në male me libra, në male me videokaseta. Një kolonë e gjysmë, pra gati një e treta e shkrimit tim (mestitulli i pestë) përqendrohet në analizën e detyrave e qëndrimeve të ish-presidentit të Shqipërisë për ato çështje që ngre në shkrimin e tij gjenerali i policisë.
Vetë paditësi ka qenë i vetëdijshëm se po shpif kur ka shkruar se “artikulli im qenka i mbushur me shpifje” përderisa nuk ka qenë në gjendje të shkëpusë e të interpretojë sipas keqdashjes së tij më shumë se dy fjali, që gjithashtu janë tërësisht të sakta nga ana faktike dhe krejtësisht korrekte në formulim e pra nuk përbëjnë as shpifje dhe as fyerje.
Paditësi ka shkëputur nga artikulli im dhe e citon si provë në favor të padisë së tij fjalinë: “E dinte Berisha se kryeministër, me bekimin e tij, është bërë një njeri nga familje me lidhje të forta me Greqinë, shtetin armik deri në palcë të Shqipërisë?”.
Me këtë citim nga shkrimi im, Aleksandër Meksi, pa asnjë bazë logjike e ligjore, përpiqet të provojë një shpifje që lëshon ndaj meje kur shkruan “I padituri Baleta përhap qëllimisht thënie të rreme në artikullin e shkruar prej tij për të cënuar nderin dhe dinjitetin tim si qytetari Aleksandër Meksi dhe nëpërmjet tyre të ndryshojë opinionin shoqëror si ndaj meje dhe ndaj kujtimit të babait tim që ka qenë figurë e respektuar për gjithë opinionin shoqëror të kohës”.
Duket qartë, edhe pse gjërat janë mjegulluar me marifet, se Aleksandër Meksi nuk i është drejtuar Gjykatës për të shqyrtuar e vendosur për fakte të caktuara konkrete, që mund të përbëjnë shpifje apo fyerje, por për të tërhequr Gjykatën atje ku i intereson atij, për t’u shprehur për opinionet shoqërore që paskan ekzistuar për babain e Aleksandrit apo që ekzistuakan për vetë Aleksandrin. Gjithkush e di se në Gjykatë nuk shqyrtohen për t’u shprehur me vendim opinionet shoqërore për persona të caktuara. Opinionet shoqërore formohen në shoqëri, në mekanizma të tjera shoqërore. Edhe paditësi duhet të dijë se Gjykata nuk vihet në lëvizje për të marrë çertifikata mirësjelljeje në shoqëri, për të marrë tituj patriotizmi, për të kundërshtuar opinione shoqërore të pjesshme apo të përgjithshme.
Gjykimet nga opinioni shoqëror, nga historia, nga partia, nga shoqata ku bën pjesë një person, kanë natyrë të ndryshme nga gjykimet që bëhen në Gjykatë e që përfundojnë me vendim gjyqsor. Prandaj, për të mos shkarë në pozitat ku paditësi kërkon të tërheqë edhe Gjykatën, që ta instrumentalizojë atë për të vërtetuar versionet që i interesojnë atij për patriotizmin e tij apo të babait të tij, unë do të kufizohem vetëm në parashtrim faktesh që vërtetojnë se në artikullin tim nuk kam përhapur “thënie të rreme”, siç pretendon paditësi, por kam mbajtur parasysh thënie të shkruara të cilat vet i padituri, deri më sot, nuk ka qenë në gjendje që me rrugë gjyqsore t’i provojë si shpifje.
Unë, në shkrimin tim, së pari dhe kryesisht, i jam referuar shkrimit të gjeneral Agim Shehut, me titull “Ja cilët janë misteret e Aleksandër Meksit”, të botuar në revistën “Koha”, nr. 67, fq. 20-27 më 1 dhjetor 2001 dhe nr. 68, dhjetor 2001. Në këtë shkrim ish-kreu i policisë së qeverisë së kryesuar nga Aleksandër Meksi bën vërtet akuza të shumta dhe shumë të rënda kundër Aleksandrit. Unë nuk i kam përsëritur ato akuza, as i kam quajtur tërësisht të provuara, as i kam kundërshtuar si të pavërteta sepse një gjë të tillë nuk e ka bërë ende në mënyrë të argumentuar as vet Aleksandri, as në rrugë publicistike dhe as në rrugë gjyqsore.
Prandaj, nuk jam unë që kam shpifur kundër Aleksandrit dhe e kam fyer atë, vetëm se kam marrë shkas nga shkrimi i Agim Shehut për të shprehur pikëpamjet e vlerësimet e mia në frymë politike, por është Aleksandri që më fyen mua dhe shpif kundër meje, kur i drejtohet Gjykatës me pretendimin se unë paskam fyer jo vetëm atë por dhe kujtimin e babait të tij.
Në artikullin tim unë nuk kam folur për Gabriel Meksin, nuk kam analizuar me miratim apo mosmiratim çfarëdo opinioni shoqëror, të mirë apo të keq që ekziston për të. Kam vepruar kështu jo se unë nuk kam mendim për opinionet mbi Gabriel Meksin, por sepse kjo nuk hynte në objektin e këtij shkrimi. Kur është dashur unë jam shprehur duke kundërshtuar opinione të caktuara për Gabriel Meksin, siç kam bërë nëpërmjet gazetës “Balli i Kombit” nr. 16, të datës 4 qershor 1992, e në raste të tjera, siç do të bëj përsëri kur të lindë nevoja për interesat kombëtare.
Por, në shkrimin e datës 4 dhjetor 2001, që është objekt shqyrtimi për Gabriel Meksin nuk kam bërë ndonjë koment. Kur i jam drejtuar Sali Berishës nëse ka ditur për lidhjet e familjes Meksi me Greqinë, unë jam nisur nga pohimi i Agim Shehut në revistën “Koha”, nr. 67, 1 dhjetor 2001, fq. 23, që i ka shkruar tekstualisht Aleksandrit: “Gabriel Meksi, babai yt ka qenë në shërbim të grekëve dhe kur vdiq, për merita të veçanta në shërbim të Greqisë, u varros i mbështjellë me flamurin grek”.
Unë pra i jam referuar një fakti të njohur publikisht siç është shkrimi i Agim Shehut. Këtij fakti i jam referuar pa asnjë prirje keqdashëse ndaj Meksit sepse jam shprehur me gjuhë më të moderuar, nuk kam folur për “babain e Meksit në shërbim të Greqisë” por “për lidhjet greke” të familjes Meksi dhe lidhjet mund të jenë të gjithfarëshme, gjuhësore, martesore, kulturore, pronësore, shpirtërore, punësore, politike e deri agjenturore. Madje unë qëllimin e kam patur të nxisja Berishën të sqaronte opinionin nëse ka ditur gjë për ato që shkruan ish-kreu i policisë, që për zanatin e postin e tij është i besueshëm kur flet për gjëra të tilla. Pra, në njëfarë mënyre pyetja ime drejtuar Berishës është shërbim ndaj Meksit që të dalë sa më qartë e vërteta.
Përsa i takon vlerësimit që kam bërë unë për Greqinë në atë fjali kjo më përket mua dhe Aleksandër Meksi nuk ka asnjë të drejtë të vërë në lëvizje Gjykatën për të më ndryshuar mua pikëpamjet. Ka 10 vjet që ndeshem politikisht me Aleksandër Meksin për rreziqet e politikës greke ndaj Shqipërisë e marrëdhëniet që duhej të kishte Shqipëria me Greqinë. Asnjë gjykim dhe vendim gjyqsor në botë nuk mund të zgjidhë në favor të Meksit e në dëmin tim konfliktim tim me Aleksandrin për punën e politikës greke.Këtë konflikt do ta zgjidhë vetëm zhvillimi historik, njëri do të dalë humbës. Unë shpresoj të jem fitues dhe humbës të dalin grekofilët. Kjo vlen për mua shumë më tepër se 100 000 (njëqindmijë) dollarë amerikanë që i qenka shkrepur të zhvasë nga unë nëpërmjet Gjykatës pasaniku i ri, Aleksandër Meksi. Këto vlerësime i bëj me cilësinë që të merren parasysh edhe si provë gjyqsore në një proces që në thelb është thellësisht politik.
Aleksandër Meksi si të vetmen provë kundër meje ka përdorur pikërisht absurdin se unë “qëllimisht përhap thënie të rreme”. Po përse unë duhej ta quaja thënie të rreme një pohim publik të ish-kreut të policisë së Shqipërisë? Vetëm se kështu i leverdis Aleksandër Meksit? Pse Aleksandër Meksi nuk dashka që unë të pyes Sali Berishën se çfarë ka ditur për ato që shkruan Agim Shehu për babain e Meksit? Pse Aleksandër Meksi deri tani nuk ka tentuar me mjete gjyqsore të hedhë poshtë pohimin e Agim Shehut, të përhapur nëpërmjet revistës “Koha” më parë se të përmendej shkarazi në gazetën “Rimëkëmbja”? Unë mendoj se pyetjeve të tilla mund t’u jepet vetëm një përgjigje e tillë: Meksi ka frikë nga sqarimi i së vërteës, nga zbulimi i gjenezës së këtyre pohimeve dhe përpiqet të sigurojë si justifikim një vendim gjyqsor se gjoja faji qenka i imi që i kam mbajtur parasysh këto fakte kur kam shkruar. Pra, Aleksandër Meksi shpif pa prikë turpi kundër meje sepse ka frikë të ballafaqohet si i ka hije burrit me akuzat që i janë bërë. Prandaj, Aleksandër Meksi fshihet edhe nga trupi gjykues dhe i ndjek punët nga errësira e shpifjeve të tij. Është e drejta ime dhe shërbimi që duhet t’i bëj unë të vërtetës që të kërkoj që shpifjet e Aleksandër Meksit e qëllimi i tyre të sqarohen edhe nëpërmjet procedimit penal në kanalet e prokurorisë e të gjykatës.
Unë çmoj se mjafton referenca tek shkrimi i mëparshëm i Agim Shehut për ta hedhur poshtë pretendimin e Aleksandër Meksit se kam përdorur thënie të rreme ndaj tij e babait të tij dhe se Gjykatës i mjafton kjo për ta rrëzuar padinë e Meksit në tërësinë e saj dhe për ta konsideruar atë si shpifës. Por, për një sqarim edhe më të plotë të fakteve, për të lehtësuar si shqyrtimin gjyqsor dhe vlerësimin e provave e marrjen e vendimit shtoj edhe sa vijon për këtë pikë të padisë:
Në gazetën “Balli i Kombit”, nr. 11, datë 29 prill 1992, domethënë në kohën kur Aleksandër Meksi u bë kryeqeveritari i Shqipërisë, është botuar kryeartikulli me titull “Kryeministri i Shqipërisë me lidhje greke”. Pra, një titull shumë tronditës. Shkrimi është nënshkruar me inicialet R.I., që në fakt janë shkronjat e para të emrit dhe të mbiemrit të Rinush Idrizit, kryeredaktor i kësaj gazete në atë kohë. Shkas për këtë shkrim ishte bërë shkrimi me të njëjtin titull “Kryeministri i Shqipërisë me lidhje greke” i botuar në datën 4 prill 1992 në gazetën “Athens Njuz”. Në “Balli i Kombit” të datës 29 prill 1992 janë cituar ng artikulli i gazetës “Athens Njuz” të datës 4 prill 1992 këto fjalë: “Kryeministri shqiptar, Aleksandër Meksi, arkeolog nga profesioni, është lindur në fshatin Labovë, pranë Gjirokastrës, e njëjta zonë prej nga vjen edhe bamirësi grek Zappas. Sipas të dhënave kryeministri shqiptar ka lidhje greke dhe babai i tij, Gabriel Meksi, luftoi në rradhët e ushtrisë greke, kundër turqve në Azinë e Vogël, 70 vjet më parë”.
Ja, pra, se si 10 vjet para se të zemërohej Meksi me shkrimin tim, gazeta e Tiranës, duke u mbështetur dhe në gazetën e Athinës, ka shkruar për lidhje familjare të Meksit me Greqinë dhe jo për lidhje dosido, por për praninë e babait të Meksit në rradhët e ushtrisë greke në Azinë e Vogël ku bënte luftë agresive e pushtuese. Rinush Idrizi në shkrimin e tij është munduar mjaft që këtë pjesëmarrje të Gabriel Meksit në ushtrinë greke ta paraqiste si punë “luftëtari të lirisë së popujve të Ballkanit kundër osmanëve”. Ndaj këtij interpretimi unë kam reaguar me shkrimin tim “Replikë miqësore me R.I.”, botuar në “Balli i Kombit”, nr. 16, datë 4 qershor 1992, ku dhashë arsyetimet e mia pse Gabriel Meksi në vitet 1920-1923 në radhët e ushtrisë greke ishte një ushtarak pushtues i një ushtrie agresore, jo luftëtar për çlirimin e popujve të Ballkanit. Aleksandër Meksi nuk ka reaguar as ndaj shkrimit të Rinush Idrizit, as ndaj shkrimit tim, por ka pritur 10 vjet që të bëjë shpifjet e tanishme. Pra, unë, këtë punë e kam ditur edhe më parë. Shkrimi i Agim Shehut për mua u bë vetëm shkas që të pyesja Sali Berishën se çfarë di ai dhe si i ka vlerësuar ai këto fakte.
Me rastin e polemikave të ndërsjella që nxiti botimi i Agim Shehut në revistën “Koha” në të cilat Aleksandër Meksi nuk ka guxuar të përfshihet si i takon, kam mësuar se edhe më parë qenkan bërë publike fakte për lidhjet greke të familjes Meksi. Janë fakte të një kohe kur unë as e kisha dëgjuar emrin e Aleksandrit, të babait të tij, ndonëse njihja profesorin tim të nderuar të së drejtës romake, Vangjel Meksi, që me sa di unë ishte i lauruar në Universitetin e Athinës.
Më 16 dhjetor 2001 në revistën “Koha” është botuar shkrimi i Thoma Gabriel Meksit “Artikulli i Agim Shehut është i mbushur me fyerje dhe shpifje naïve”. Thirrjes së botuesit të revistës drejtuar Aleksandër Meksit që të replikonte me Agim Shehun për të sqaruar më mirë opnionin publik, për çudi i përgjigjet fare shkurt vëllai i Aleksandrit, Thomai. Ky replikën e tij protestuese nuk ia ka adresuar direkt Agim Shehut, as botuesit të revistës, Enver Bytyçit, por Arjan Starovës, Ramadan Sokolit dhe Abdi Baletës, të cilët nuk kishin fare të bënin me botimin e artikullit të ish-kreut të policisë, por janë thjesht bashkëpunëtorë të jashtëm me shkrime të herëpashershme në këtë revistë. Madje, Thoma Meksi nuk shpreh asnjë pakënaqësi ndaj artikullit të shkruar nga unë dhe të botuar në gazetën që drejtoj unë. Kjo nuk duhet kuptuar se Meksët nuk kishin dijeni për shkrimin tim e nuk kishin diskutuar sepse bashkëshortja e Aleksandër Meksit, Dhurata, ka ulëritur me sharje e kërcënime në telefonin tim familjar menjëherë pas botimit të shkrimit, më ka fyer me epitete të pahijshme dhe shpifje në emisionin e mëngjesit një ditë më vonë në TV “Teuta”, aq sa dy zonja që nuk kam mësuar se kush ishin kanë replikuar me të dhe kanë hedhur poshtë shpifjet e fyerjet e saj.
Në replikën varfanjake, konfuze e të ndrojtur të Thoma Meksit në revistën “Koha”, ndër të tjera, ai pretendon se Agim Shehu “historinë e spiunit grek” për Gabriel Meksin e paska marrë nga një botim i studjuesit e avokatit Mexhit Kokalari mbi fshatin Picar, shkruar në vitin 1974, sipas urdhërave “të komisarit gjakatar”, Shefqet Peçi. Pra, del që Aleksandër Meksi është përballur shumë herët e disa herë me përmendjen publikisht të lidhjeve greke të babait të tij e të familjes së tij. Unë në revistën “Koha” i kam kthyer Thoma Meksit një përgjigje shumë të moderuar sa për sqarim, por mund të shkruhet shumë më tepër qoftë edhe për përmendjen nga Thomai të faktit se Meksët qenkan kushërinj të Margarita e Kristaq Tutulanit, sikur ne kishim për t’i pranuar në Partinë e Punës. Nga biografitë mund të nxirren edhe lidhje me të tjerë, por këto nuk janë objekte shqyrtimesh gjyqsore kur nuk lidhen me pretendimin e bërë në padi nga Aleksandër Meksi.
Pas parashtrimit të gjithë këtyre fakteve duhen bërë pyetjet: pse Aleksandër Meksi nuk ka tentuar të hedhë poshtë gjyqsisht pohimet e Mexhit Kokalarit, sipas urdhërave të Shefqet Peçit; shkrimin e “Ballit të Kombit” e të Rinush Idrizit të mbështetur në gazetën greke “Athens Njuz”, shkrimin e Agim Shehut të botuar në revistën “Koha”, qëndrimin e botuesit të revistës “Koha”, Enver Bytyçin? Pse vetëm shkrimi im i datës 4 dhjetor 2001 i qenka dukur fyes e shpifës kur në të nuk ka as fyerje, as shpifje? Mos vallë u dashka që shpifës të quhem unë pse një gazetë greke para 10 vitesh është krenuar që kryeministër i Shqipërisë u bë biri i një pjesëtari të ushtrisë greke, madje një i krahasueshëm me Zappan e Labovës që tërë pasurinë e tij të madhe ia la për bamirësi Greqisë? Pse Aleksandër Meksi nuk është shqetësuar ta mbrojë kaq vendosmërisht nderin e tij e të babait të tij në gjithë këto raste dhe qenka merakosur ta mbrojë me anë të Gjykatës vetëm kur unë shkrova atë fjalinë pyetëse nëse Berisha kishte dijeni për faktin e përmendur nga Agim Shehu?! Konkluzioni del vetvetiu: Aleksandër Meksi nuk e ndjen veten të fyer, as nuk merakoset se kam shpifur ndaj babait të tij sepse e kupton aq gjë që në shkrimin tim nuk ak fyerje e shpifje. Aleksandër Meksi vë në lëvizje Gjykatën me padi kundër meje se ka një qëllim politik ose i kanë ngarkuar një detyrë për qëllime politike. Aleksandër Meksi nuk tregon respekt për drejtësinë kur përpiqet të implikojë gjyqsorin në makinacione të tilla. Jam i detyruar të shpreh këtë vlerësim në kuadrin e plotësimit të anës provuese të kundërpadisë sime, ndonëse jam i bindur se Gjykata nuk ka nevojë për paralajmërime të kësaj natyre.
Në shkrimet e bisedat e mia Gabriel Meksin nuk e kam cilësuar asnjëherë “spiun grek” apo “agjent grek” sikurse e kanë cilësuar të tjerë, por vetëm “ushtarak grek”, “oficer grek”. Kjo nuk është fyerje, nuk është as shpifje përderisa është një fakt i përmendur botërisht për një kohë të gjatë dhe nuk ka asnjë vendim gjyqsor që të ketë vulosur se kjo është shpifje. Të interesuarit le të tentojnë ta bëjnë këtë dhe ne nuk kemi përse të mos respektojmë një vendim ligjor. Përsa u përket opinioneve shoqërore e parametrave për patriotizmin as Aleksandër Meksi dhe askush tjetër nuk mund të imponojnë kriterin e modelin që duan ata edhe sikur të arrinin të siguronin ndonjë vendim gjyqsor.
Aleksandër Meksi shpif kundër meje, cënon personalitetin tim që në këtë rrugë të krijojë një perde tymi maskuese për lidhjet greke të familjes së tij që janë përmendur nga të tjerë. Për cënime të tilla më takon mua të bëj padi civile e penale kundër tij.
Pretendimi i dytë i Aleksandër Meksit kundër meje është lidhur me fjalinë: “Kur Meksi zhdukte dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme, ka ditur gjë Berisha?”. Vetëm një njeriu të cilit “i djeg miza nën kësulë” mund t’i shkojë në mendje të bëjë padi për zhdëmtim pasuror, madje dhe në shumën 100 000 dollarë amerikanë, me pretekst se fjalët e mësipërme qenkan fyese ose shpifëse për të. Këtë zbulim, mjaft tronditës, se Aleksandër Meksit, pasi u bë kryeministër, ka zhdukur nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme, një dosje tejet të fryrë që e implikonte si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, e ka bërë Agim Shehu, ish-kreu i policisë, që e kishte emëruar vetë Aleksandri dhe varej prej këtij.
Kur njihesh me këtë pretendim absurd të Aleksandër Meksit se shpifkam unë për atë duke përmendur një gjë që e kam lexuar tek shkrimi i Agim Shehut, të lind dyshimi në aftësitë e tij arsyetuese më të zakonshme. Unë as kam shkruar se është ashtu siç pohon Agimi, as kam bërë ndonjë koment të posaçëm, por kam shprehur një qëndrim normal duke pyetur Berishën nëse di gjë ai për këtë. Për të vepruar kështu unë kam arsye të forta sepse kam qenë viktimë e manipulimeve me dosjet e Ministrisë së Brendshme për të më luftuar politikisht. Këtë ia kam kujtuar Berishës dhe do t’ia kujtoj edhe më fort tani që nga shkrimi i Agim Shehut mësova se në Arkivin e Ministrisë së Brendshme Aleksandër Meksi paska pas futur bashkëshorten e tij për të bërë ato punëra që donte.
Aleksandër Meksi, duket se është nxituar të bëjë padi kundër meje me shpresë që unë të mos mendoj për rolin e tij në luftën politike që më është bërë mua nëpërmjet manipulimit me dosjet, sidomos në vitin 1994 nëpërmjet shtabeve propagandistike të PD-së dhe në vitin 1996 nëpërmjet Komisionit të Verifikimit të Pastërtisë së Figurave dhe Gjykatës së Lartë, për të vënë “pengesë ligjore” për rikandidimin tim për deputet. Tani që mësoj se në dosjet paska vënë dorë dhe bashkëshortja e ish-kryeministrit më përforcohen më tej bindjet për manipulimet e turpshme që janë bërë dhe në rastin tim. Megjithatë, Aleksandër Meksi çështjen le ta zgjidhë njëherë me Agim Shehun, që e ka akuzuar hapur dhe e ka kërcënuar se po nuk e qepi gojën mund t’i nxjerrë materiale të tjera demaskuese, edhe më të tmerrshme. Pse ka frikë Aleksandër Meksi të ngrejë padi kundër Agim Shehut?
Përsëri, paditësi Aleksandër Meksi më ngjan me njeriun që ka mizën në kësulë kur në padinë e tij më drejtohet me fjalët “I padituri e di shumë mirë që pastërtia e figurës sime si deputet dhe si ish-kryeministër është kontrolluar nga komisionet pëkatëse”. Unë nuk di mirë një gjë: si është bërë ky kontroll, me seriozitet, me ndershmëri apo shkel e shko dhe sipas porosisë. Prandaj, e kam pyetur publikisht dhe do ta pyes papushim Berishën të sqarojë mirë këto gjëra.
Seriozitetin dhe vlefshmërinë e punës së “Komisionit Mezini” unë e kam vënë në dyshim qysh në maj të vitit 1996 kur vendimin që tha për mua e atakova në Gjykatën e Lartë. Në rrugë publicistike, sepse nuk kishte më mjete të jurisprudencës, kam vënë në dyshim edhe seriozitetin e Gjykatës së Lartë që dha vendim të pabazuar për t’i qëndruar besnike porosisë politike që kishte marrë kundër meje. Tani mendoj se Meksi, që si kryeministër kishte ruajtur privilegjin që bashkëpunëtorë të caktuar të sigurimit apo spiunazheve të huaja, t’i lejonte të vazhdonin jetën politike, paska pas vënë bashkëshorten e tij në burimin e informacionit. Berishës duhet t’i bëjmë shumë më tepër pyetje nga sa i kemi bërë. Duhet ta pyesim edhe për atë që shkruan Agim Shehu se Meksi mbante në poste rreth vetes bashkëpunëtorë të sigurimit. Do ta pyes, jo vetëm Meksin, por edhe Berishën, mos vallë një ndër ta ishte dhe “Krokodili” dhe për të larguar këtë nga bataku i qeverisë u sajuan disa ngjarje që përmend Agim Shehu dhe që i kushtuan shtrenjt Shqipërisë, sepse në fakt ata në radhë të parë u inskenuan për hesap të Greqisë?!
Aleksandër Meksi le t’i kapardiset ish-kryepolicit të tij me kalimin nëpër radioskopitë e prishura “të komisioneve të pastërtisë”. Mua nuk më bëjnë shumë përshtypje ato komisione që lanë shumë papastërti prapa, sepse nuk bënë punë të pastër dhe ligji që zbatonin ishte i papastër se të tillë e donte Aleksandër Meksi.
Po të lexohet me logjikë të shëndoshë politike, juridike dhe publicistike, shkrimi im i 4 dhjetorit 2001 kuptohet fare lehtë se përsëri duhej të irritohej më shumë kryetari i tanishëm i PD-së dhe ish-presidenti Sali Berisha, sepse qëllimi im është ta vë atë përpara detyrimit të shprehet, të reagojë, të sqarojë gjërat, të mos lërë që kryeministri e shefi i policisë së tij të grinden, të akuzohen reciprokisht shumë rëndë se kompromentojnë tërë qeverisjen dhe çorientojnë njerëzit e dëmtojnë më tej shtetin. Berisha nuk i është drejtuar Gjykatës sepse mesa duket e ka kuptuar shqetësimin tim qytetar e politik. Ose, përndryshe unë duhet të mendoj se Aleksandër Meksi është vënë, në marrëveshje me Berishën, në rolin e bedel-paditësit kundër meje. Ky nuk është një spekulim, as një hamendësim logjik i imi, por një hipotezë që gjen mbështetje në prova indirekte.
Në revistën “Koha”, nr. 68, të vënë në qarkullim më 18 dhjetor 2001, drejtori i saj Enver Bytyçi ka botuar shkrimin “Rreziku që vjen nga fenomeni Meksi”. Ai sqaron se revistën e vuri në qarkullim me dy ditë vonesë për arsye se nuk donte t’i linte shkas Meksit të ankohej se po ribotohej shkrimi i Agim Shehut për të dëmtuar shanset e Meksit si kandidat sfidues i Berishës për postin e kryetarit të PD-së që do të zgjidhej në Kuvendin e VII të kësaj partie.
Unë mendoj se kanë vlerë sqaruese për çështjen dhe vlerë prove për motivet e shpifjeve e fyerjeve kundër meje të bëra nga Aleksandër Meksi shpjegimet që jep në revistë Enver Bytyçi se Meksi ka marrë kontakte me bashkëpunëtorë të revistës (me mua jo). Meksi në seksionin e PD-së ku bën pjesë ka kërkuar të ndëshkohet nga PD-ja Mero Baze, duke e larguar nga personeli i kësaj reviste; ka cilësuar revistën “Koha” si fondamentaliste, duke fyer gjithë bashkëpunëtorët e saj. Enver Bytyçi, publikisht ka denoncuar Aleksandër Meksin si njeri që kërkon t’i mbyllë gojën shtypit shqiptar, që nëpërkëmb lirinë e shtypit. Meksi kërkon të justifikojë qëndrimin e tij të pamoralshëm që e sulmoi gjeneral Agim Shehun në kohën kur ai përballej me probleme gjyqsore që lënë vend për shumë diskutim. Është edhe kjo një arsye që Aleksandër Meksi shpif e fyen kundër atyre që e trajtojnë në optikë tjetër çështjen e Agim Shehut dhe u kanë kushtuar vëmendje demaskimeve që Agim Shehu u bën veprimeve të Aleksandër Meksit kur ishte kryeministër dhe tani. Enver Bytyçi jep në shkrimin e tij provën se bashkëshortja e Aleksandër Meksit edhe ndaj tij ka bërë veprimeve fyese.
Në diskutimin e tij në Kuvendin e VII të PD-së të Aleksandër Meksit ka krijuar atmosferë fyese për mua me shpifjet e tij ndaj shkrimeve që i referoheshin shkrimit të Agim Shehut. Këtë e vërteton komenti që ka bërë si replikë ndaj tij vet Sali Berisha duke thënë: “nuk kemi çfarë t’i bëjmë Abdi Baletës, sepse ai nuk na pyet”. Kjo frazë fyese që plotësonte fyerjet e Aleksandër Meksit për mua është dëgjuar nga gjithë ata që në atë çast ndiqnin nga ekranet e televizionit punimet e Kuvendit.
Më duhet të ritheksoj, pas këtyre parashtrimeve, se në artikullin tim nuk ka as fyerje, as shpifje, as mllef, as dashakeqësi për Aleksandër Meksin apo për babanë e tij. Aleksandër Meksi nuk dëshiron e nuk ngre padi në rastet dhe kundër personave që nga pikëpamja tekniciste ligjore mund të kishte vend e të gjendej motiv. Dhe ngre padi kundër meje pa shkak ligjor e pa fakte mbështetëse. Ndaj shkrimit tim mund të reagonte Sali Berisha. Për “çudi” reagon Aleksandër Meksi.
Jo vetëm unë si politikan e publicist, por çdo qytetar i Shqipërisë, pasi të ketë lexuar artikullin e Agim Shehut e ka të drejtë e të justifikuar të shprehë shqetësime se kush e paska drejtuar për pesë vite qeverinë e vendit tonë dhe t’i drejtohet jo me një e dy pyetje, por me një thes me pyetje ish-presidentit Sali Berisha të mbajë përgjegjësitë që i takojnë dhe të shpjegojë si qëndrojnë këto punë. Në rast se Sali Berisha e quan se unë i kam bërë sfidë fyese edhe ai këtu e ka Gjykatën. Unë do të vazhdoj të këmbëngul me mjetet e mia që akuzat e demaskimet e Agim Shehut të mos pësojnë fatin e jehonës në shkretëtirën e politikës shqiptare. Nëse vet Agim Shehu dhe të tjerë do ta lënë me kaq çështjen, atëherë do të besoj se ka qenë një manovër sa për të frenuar Meksin në sfidën kundër Berishës në prag të Kuvendit të PD-së. Por, nuk do të pranoj që me shpifje e fyerje kundër meje të zbukurohen makinacione të tilla politike ose pazaret politike në PD.
Unë e kam të drejtën të tërheq vëmendjen e Gjykatës në një problem të tillë: a mund të quhet fyerje e shpifje sipas dispozitave ligjore kur unë i drejtoj një pyetje Sali Berishës lidhur me fakte që janë bërë publike nga të tjerë? Kur përsoni të cilit i bëj pyetjet unë nuk reagon për fyerje e shpifje ç’punë mund të ketë një i tretë, konkretisht Aleksandër Meksi? Kur unë vetëm marr si shkas për të shprehur mendimet e mia disa denoncime të bëra nga Agim Shehu, pa i miratuar, pa i përgëzuar ato ku mund të shihet tipari fyes e shpifës i këtij veprimi?
Për këto arsye padinë e Aleksandër Meksit e quaj fyerje e shpifje në adresën time. Është shpifje e rëndë kur ai më akuzon se kam shpifur për të e për babanë e tij me shkrimin tim, krejt korrekt e normal.
Prandaj, e quaj te nevojshme të bëj këtë kundërpadi dhe deklaroj se ruaj të drejtën të ngre para organeve të prokurorisë edhe akuzën kundër Aleksandër Meksit e Dhurata Meksit në bazë të neneve 120 dhe 240 të Kodit Penal për ndjekje penale.
Në bazë të nenit 160 të Kodit të Procedurës Civile kthehem nga i paditur në kundërpaditës ndaj Aleksandër Meksit për fyerjet e shpifjet që më ka drejtuar dhe kërkoj dëmshpërblim simbolik për dëmin jopasuror në bazë të nenit 625 të Kodit Civil dhe në bazë të nenit 48 të Kodit të Procedurës Civile.
Me respekt
Abdi Baleta
- - - - -
Kjo ishte edhe kunderpadia...