Re: Albin Kurti Dhe UNMIKU
Letër Kai Eide-s PDF Printo Email
Monday, 19 September 2005
I nderuari zotëri EIDE,
Në Kosovë nuk po ngjan asgjë që s’ka ndodhur më parë: populli edhe sot e kësaj dite nuk mund të vendosë për fatin e vet - atij i është mohuar liria. Ju s’po bëni asgjë ndryshe nga ç’bënë të tjerët para jush, sepse fati i vendit tonë ka qenë gjithnjë çështje zyrtarësh ndërkombëtarë nga Brukseli apo Nju Jorku, por asnjëherë mundësi e popullit për t’i vetëpërcaktuar dhe ndjekur lirshëm interesat e veta thelbësore kolektive.
Si nëpunës i OKB-së, ju nuk jeni kurrfarë përjashtimi. Bile, edhe po deshët të ishit i tillë, nuk mundeni. Në momentin kur vendosët ta merrni funksionin që po ushtroni, dikush tjetër ua prezantoi planin e punës që duhet ta ndiqni. Pranuat. Erdhët në një vend ku mekanizmat institucionalë të shtetit të Serbisë vetëm në luftën e fundit kanë vrarë mbi 12.000 njerëz të paarmatosur, kanë djegur dhe shkatërruar 120.000 shtëpi, kanë dëbuar rreth 1 milion njerëz, kanë dhunuar mijëra femra dhe kanë rrëmbyen mbi 3.000 persona, prej të cilëve shumica ende të pagjetur. Dhe në vend që të shkoni në Serbi për kërkim llogaridhënieje për këto krime mizore, ju erdhët këtu si person vlerësues i nivelit të plotësimit të këtyre kritereve të padrejta, këtyre standardeve raciste, që i janë parashtruar popullit të Kosovës. Ç’punë e pandershme!
Pse standarde raciste?, do të pyesni. Të tilla, sepse ato shërbejnë si detyra të imponuara që populli i Kosovës u dashka t’i bëjë para të tjerëve për ta dëshmuar denjësinë e tij që t’i meritojë negociatat me shtetin e Serbisë, ende pa u pasë dënuar ajo, ende pa u realizuar drejtësia elementare. Negociatat para drejtësisë, janë varrosje e kësaj të fundit.
Por, jo vetëm kaq: ju mund të mos e dini, por standardet që vlerësoni ju janë një farsë. Ato as që kanë raport shkakësor me fillimin e negociatave. Në të vërtetë, ju nuk vini në vendin tonë që të vlerësoni arritjet objektive të standardeve, por vetëm që ta vlerësoni përshtatshmërinë e klimës politike dhe disponimin popullor për t’iu dhënë bisedimeve dritën e gjelbër.
Liderët nuk kanë qenë asnjëherë problem për ju, sfidë mbetet vetëm populli. Sa herë erdhët në Kosovë, mblodhët 4-5 liderë, biseduat me ta, u fotografuat duke buzëqeshur dhe shtrënguar dorën njëri-tjetrit, dhe këtu e reduktuat gabimisht krejt disponimin politik të 2 milion njerëzve. Jorastësisht takoheni vetëm me këta njerëz: këto gjashtë vitet e fundit UNMIK-u me përkushtimin më të madh – duke toleruar dhe lejuar korruptimin – ka investuar në shantazhimin e tyre. Dhe kështu paturpësisht manipuloni.
S’do mend - përgjatë gjithë kohës ju për asnjë moment s’mund ta fshihni komoditetin e misionit tuaj. Herave tjera keni qenë tjetërkund, kësaj radhe qëlloi të jetë Kosova. Dhe do të ikni nga këtu me lehtësinë që erdhët. Aq ju bën: pasojat e vendimeve tuaja nuk do t’i vuani asnjëherë personalisht. As fëmijët tuaj. Por, gjithsesi, ato do t’i vuaj një popull i tërë.TE LUMTE O ALBINE.