Re: Akuza te renda ndaj Sollakut
Kërkesa për uljen e çmimeve u ka kushtuar vendin e punës shefit të interkonjeksionit dhe specialistit të marrëveshjeve
Interkonjeksioni shkarkon dy drejtues të Albtelekom
Specialistët e larguar nga detyra kërkuan çmime interkonjeksioni jo më të larta se 16 lekë për minutë
Florian Papadhimitri
TIRANË-Kundërshtimi dhe mosrënia dakord gjatë bisedave për marrëveshjet e interkonjeksionit u ka kushtuar vendin e punës dy punonjësve me poste të larta në Drejtorinë e Përgjithshme të Albtelekom. Marrëveshjet e interkonjeksionit mes Albtelekom dhe kompanive celulare në vend janë shfaqur sërish shumë problematike, duke ngjallur debate të shumta mes personave të cilët do të vendosin për to. Burime të sigurta të gazetës në Albtelekom, kanë bërë të ditur dje se janë dy specialistë të vjetër të Albtelekomit të cilët janë larguar nga detyrat që mbanin, duke u transferuar në detyra të tjera. Kështu, gjatë kësaj kohe që është diskutuar me përfaqësues të AMC-së dhe Vodafone për marrëveshjet e interkonjeksionit me Albtelekom, drejtues të kompanisë shtetërore, duke parë reagimin e dy specialistëve, kanë vendosur dhe urdhëruar transferimin e tyre në detyra të tjera jovendimmarrëse brenda kompanisë. Burimi i gazetës në Albtelekom bën të ditur se shefi i interkonjeksionit dhe specialisti më i vjetër në Albtelekom për marrëveshjet ndërkombëtare janë shkarkuar nga detyrat që kishin, pasi kanë shfaqur mendime të kundërta për çmimet gjatë bisedave për marrëveshjet e interkonjeksionit. Dy specialistët, të cilëve për arsye etike nuk u publikohen emrat, kanë kundërshtuar edhe pjesë të marrëveshjes që gjiganti shqiptar i telefonisë ka me një kompani tjetër rurale. Kundërshtimet për çmimet e propozuara në interkonjeksion, si dhe marrëveshja e padrejtë me një kompani e cila operon si operator rural, solli shkarkimin e dy drejtuesve të lartë të kompanisë.
Interkonjeksioni
Ajo çka para pak ditësh denoncuan Avokati i Popullit dhe Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve duket se po vërtetohet. Emir Dobjani dhe Kreshnik Spahiu në një konferencë për shtyp u shprehën se njerëz me pushtet dhe me funksione qeveritare po ndërhyjnë në përcaktimin e çmimeve të interkonjeksionit në favor të kompanive celulare. Ajo çka u deklarua atë ditë po gjen vend, pasi burimet e gazetës në Albtelekom shprehen se shkarkimi i shefit të interkonjeksionit dhe specialisti më i mirë në marrëveshjet ndërkombëtare u larguan nga vendimmarrja. Kundërshtimi i parë që kanë pasur dy specialistët ka qenë ai për çmimet dhe tarifat e interkonjeksionit mes Albtelekom dhe kompanive të telefonisë së lëvizshme. Sipas burimit tonë në Albtelekom, dy të larguarit janë shprehur kundër çmimeve të propozuara dhe përmendura gjatë bisedimeve mes palëve mbi interkonjeksionin. “Ka pasur diskutime mbi çmimin 21 lekë për minutë në interkonjeksion dhe dy specialistët, të cilët nuk mbajnë më postet e tyre, kërkuan që të aplikohej një çmim jo më i lartë se 16 lekë për minutë”, - tha dje burimi i gazetës në Albtelekom.
Marrëveshja më ruralët
Një ndër arsyet kryesore të shkarkimit të dy specialistëve mund të jetë dhe kundërshtimi i marrëveshjes që Albtelekom ka me një kompani private shqiptare. Sipas të dhënave, Albtelekom ka firmosur një marrëveshje prej disa vitesh me një operator rural, por ky operator po favorizohet dukshëm. Burimi në Albtelekom thotë se dy specialistët kanë kundërshtuar favorizimin që i bëhet kësaj kompanie, e cila aktualisht, sipas burimit, drejtohet nga Ylli Panarit, ish-pjesëtar i KOP-it. Kjo ka sjellë edhe largimin nga detyra të kundërshtarëve. Burimi i gazetës thotë se ka pasur debate të shumta për favoret dhe shkeljet që kryen kompania e drejtuar nga Panaritit, pasi në shkelje të hapur me ligjin kjo kompani përfiton të ardhura prej disa miliardë lekë në vit. “E regjistruar si operator rural, kompania ka mundësuar kalimin nëpërmjet saj të rreth 30 për qind të telefonatave në vend. Në një kohë, kur në fshatin e Tiranës ku operon kjo kompani nuk ka asgjë, as central të këtij kapacitetit dhe as një numër kaq të madh përdoruesish”, tha dje burimi i gazetës. Realizimi i këtij trafiku ndërkombëtar nëpërmjet operatorit rural nuk tatohet dhe realizohet me pagesa të reduktuara nga Albtelekom. Dy të larguarit nga detyra me urdhër të drejtuesve të Albtelekom, kanë evidentuar një sërë shkeljesh të tjera të bërë nga kompania për të cilën ata thonë se drejtohet nga ish-anëtari i KOP-it dhe ish-këshilltari i jashtëm i Sali Berishës, në kohën kur ky ishte president i Shqipërisë.
28/04/2006
Me keto qe po ndodhin populli vidhet hapur ne mes te dites e kush mbron interesat e tij perjashtohet nga detyra.