Acari i gjen në çadra viktimat e tërmetit

Acari i gjen në çadra viktimat e tërmetit

Gjashtë javë nga rënia e tërmetit që tronditi Dibrën, qindra banorë në zonën e Gjoricës, ku edhe ishte epiqendra e tij, si dhe të komunave përreth: Zerqan, Shupenzë, Ostren, Fushë-Bulqizë etj., vazhdojnë ti gdhijnë ditët nëpër çadra. Ftohja e menjëhershme e motit me ulje të theksuar të temperaturës, reshjet e shiut dhe dëborës në lartësi të maleve mbi 1000 metër, kanë shtuar dukshëm vështirësitë për këta banorë. Qëndrimi nëpër çadra, pothuajse është bërë i pamundur për ta, sidomos për të moshuarit dhe të vegjlit. Ndërkaq, banorët ndihen të braktisur dhe, siç shprehen vetë, nuk është bërë asgjë për tu ardhur në ndihmë. “Dimri ka trokitur, nuk mund të qëndrojmë më gjatë në çadra, pasi po na ftohen fëmijët”, thonë banorët. Ndërkohë që ka përfunduar vlerësimi i dëmeve të shkaktuara për çdo banesë nga ana e komisioneve qeveritare të ngritura enkas për këtë punë, ende asnjë nga banorët nuk ka marrë dëmshpërblimin e premtuar. Kryetari i Komunës Gjoricë, Xhelal Mera, thotë se fondi i dëmshpërblimit të banorëve ka ardhur dhe ka një procedurë të caktuar për tërheqjen e parave. Por, sido që të jetë, deri më tani, edhe pse ka të paktën tre javë nga mbarimi i procedurave të këtij vlerësimi, nga ana e këtyre komisioneve ende asnjë nga banorët e Gjoricës dhe komunave fqinje nuk ka tërhequr shumën e parave për të filluar riparimin apo ndërtimin e shtëpive. Madje, të gjithë banorët shprehen tejet të revoltuar për këto vonesa, që sipas tyre janë të pajustifikueshme. “Nuk mund të durojmë më gjatë, pasi dimri tashmë ka trokitur dhe me nisjen e shirave dhe dëborës, ndërhyrja për rregullimin e shtëpive bëhet e pamundur”, thonë ata. Sipas kryekomunarit Mera, pritet që këto ditë të fillojë shpërndarja e parave për banorët, të cilët duhet që të paraqiten në Këshillin e Qarkut Dibër, ku do të pajisen me një kupon përkatës, në të cilin përcaktohet shuma e lekëve që ata do të dëmshpërblehen. Më pas kuponin duhet ta dërgojnë në bankë dhe pasi të lëvrohen lekët do të likuidohen. Gjithsesi, deri më tani, edhe pas më shumë se dy javësh nga përfundimi i vlerësimeve të shtëpive të dëmtuara, asnjë banor nuk ka mundur të tërheqë shumën e parave për të nisur meremetimin për eliminimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti shkatërrues i 6 shtatorit të këtij viti. Por banorët mbeten skeptikë, pasi nuk bëhet e qartë se çfarë e ka penguar gjithë këto ditë nisjen e likuidimit për ta. Kjo zvarritje ka shkaktuar humbjen e shpresës te banorët për të ardhmen e tyre. Aktualisht ata vazhdojnë të shtyjnë ditët jashtë banesave të tyre, pasi pak prej tyre kanë pasur guximin të rikthehen në banesa, pasi lëkundje të tjera të tokës vazhdojnë të ndihen pothuajse çdo ditë.(Shqip)</p>
iwkURXMdHXA

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24122. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24122
 
Top