Re: A ka ndryshuar Berisha ?
Bashkim Kopliku ,gazeta "Panorama"
Gjëja e parë që do të bëjmë në Kuvendin e ri, ne deputetët e PD-së, është heqja e imunitetit vetes”, qe këto ditë deklarata pompoze e kryetarit të PD-së, z. Berisha. Efekti i shpresuar në elektorat është: “Shihni sa të pastër që jemi ne, edhe imunitetin vetes ia heqim”. Qëllimi i fshehtë është: “T’u heq imunitetin këtyre të mive që t’i kem në dorë, e t’i vë në rresht ashtu si di unë ...”. Efekti real është: “Ky njeri, nuk mësoi që nuk mësoi, se me principet e demokracisë nuk duhet të luajë—së paku for-malisht! Hipokrizia e pretendimit se heqja kolektive e imunitetit të deputetëve, na u bëka për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit, mund të gënjejë vetëm naivët. Sidoqoftë, heqja kolektive e imunitetit është një shkelje e Kushtetutës, është një atentat publik kundër saj, prandaj ia vlen të analizohet.
Pak teori nga shkencat politike, dhe pak praktikë shqiptare. E para, imuniteti i deputetëve, si mbrojtje e tyre nga keqpërdorimi i ligjeve penale e civile, është arritje e civilizimit botëror, që nuk mund të preket. Një premtim i heqjes kolektive të imunitetit, është një shkelje e principeve të demokracisë të pranuara botërisht. E dyta, imuniteti, i ka rrënjët e tij në principin kushtetues të ndarjes së pushteteve (tre pushtetet, ekzekutivi, legjislativi dhe drejtësia, duhet të kenë pavarësi nga njëri-tjetri): nuk mund të lihet Kuvendi (pushteti legjislativ) nën thundrën e drejtësisë (pushtetit të drejtësisë). Mendoni se çfarë lloj deputetësh do të kishim, sikur çdo lloj legen prokurori, do të kishte të drejtë t’u bënte presion, t’i shkëpuste nga Kuvendi kur t’i tekej, gjoja “për t’i pyetur”, “për hetime për korrupsionin”, e ku e di unë se çfarë: këta veç deputetë nuk do të ishin më! Drejtësisë do t’i hapej rruga për presione për të nënshtruar pushtetin legjislativ. E treta, imuniteti mundëson që deputeti të mos paralizohet në punën e tij, në rastin konkret, edhe kur do t’i duhet t’i kundërvihet edhe vetë kryetarit. T’i lësh mundësi kryetarit, që nëpërmjet sejmenëve të vet të drejtësisë, t’u nxijë jetën deputetëve “rebelë”, “të pabindur”, do të thotë të çarmatosësh shtetin ndaj korrupsionit politik, dhe edhe ekonomik (besoj se lexuesit e dinë mirë, se ne shqiptarët, nuk kemi arritur të kemi drejtësi të pavarur nga politika, nga kryetari). E katërta, sa më e korruptuar që të jetë drejtësia, thotë më tej teoria dhe praktika e shkencave politike, aq më e rëndësishme bëhet ruajtja e imunitetit të deputetëve—besoj se dihet se jemi kampionë edhe të drejtësisë nga më të korruptuarat në botë, si edhe të qeverisjes nga më të korruptuarat në botë, prandaj duhet të kemi imunitete sa më të sigurta për deputetët. Edhe në Gjermani, ku drejtësia funksionon nja “100 000” herë më mirë se tek ne, deputetët kanë imunitete më të plota se tanët! E pesta, imuniteti, edhe po u kërkua të hiqet nga vetë një grup deputetësh kolektivisht, nuk duhet të hiqet nga Kuvendi, sepse Kuvendi ka për detyrë të mbrojë Kushtetutën e Shqipërisë—e për turpin tonë, nuk do të lejohet të hiqet as edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, që na monitorojnë për të na ndihmuar në rrugën tonë për t’u bërë demokratë.
Kush e njeh sadopak shtetin, e kupton hipokrizinë e pretendimit se “deputetët janë me imunitet dhe prandaj mund të korruptohen sa të duan”. E para, imuniteti mund t’i hiqet personalisht çdo deputeti që vërtetë e ka bërë hak, por ama heqje personale dhe e aprovuar nga Kuvendi, e jo nga kryetari. E dyta, imuniteti nuk pengon drejtësinë, dhe organet e specializuara të shtetit, si SHISH (apo SHIK) dhe policinë kriminale, të luftojë korrupsionin edhe të atyre me imunitet—janë justifikime të paaftësisë, mosdëshirës, mosguximit dhe korrupsionit politik të këtyre organeve, “kërkesa për heqjen e imunitetit”. E treta, nuk ka, e nuk do të ketë edhe për disa kohë, drejtësi të pavarur në Shqipëri, prandaj kryetarët do të vazhdojnë ta përdorin atë për të goditur kundërshtarët e tyre politikë, siç del e qartë se kanë bërë këto vite të dy kryetarët (z. Nano e z. Berisha), sa herë e kanë pasur pushtetin në dorë. Heqja kolektive e imunitetit nuk synon luftën kudër korrupsionit të deputetëve, por synon nënshtrimin e tyre ndaj kryetarit, gjë që çon në rritjen e korrupsionit.
Kryetari, me shejtanllëk e me keqdashje, po përgatit nënshtrimin, kthimin në robotë të deputetëve, që në rast fitoreje, t’i ketë “në dorë”. Kësaj here, ai u detyrua të zgjedhë mjaft deputetë ndryshe, të pavarur, e prandaj po përpiqet të gjejë mënyrat për të neutralizuar të “metën” e tyre kryesore: pavarësinë. Ai nuk mund të punojë me njerëz me integritet, jo servilë, me pavarësi personale. Kjo është një nga veset që nuk mund ta ndryshojë z. Berisha, sepse e ka në ADN-në e tij. (DNA, deoxyribonucleic acid. lënda e geneve, që ka instruksionet që përcaktojnë karakteristikat fizike dhe mendore të një personi; deri tani, DNA nuk ndryshohet dot). E prandaj kjo ndjenjë e z. Berisha, e përcaktuar shkurt si nevojë për të punuar veç me servilë, i shpërthen atij publikisht, nuk përmbahet dot! Nga ana tjetër, ai ka eksperienca të hidhura me heqjen individuale të imunitetit, prandaj kësaj here po përpiqet të bëjë një lavazh truri në shkallë të gjerë, me shpresën absurde se do të mundë të sigurojë paraprakisht heqjen e imunitetit të deputetëve! Pati dështuar në heqjen e imunitetit, në disa raste, edhe kur e besonim për njeri të drejtë, dhe kishte përkrahjen maksimale; në kohën kur ishte president, e praktikisht edhe çdo gjë tjetër: kryeministër, e kryegjykatës, e kryeprokuror etj. Në momentin që kalojmë, është shumë e rëndësishme, që vetë deputetët e PD-së, të mos ta pranojnë heqjen kolektive të imunitetit, duke i treguar vendin kryetarit, që ditën e parë të Kuvendit të ri. Por për ta veç e veç, do të ishte me vlerë personale që, që tani që janë kandidatë për deputetë, të reagonin publikisht kundër kësaj shkelje të Kushtetutës, kësaj hipokrizie dhe shejtanllëku. Një reagim individual i kandidatëve, do të ndihmonte zgjedhësit për t’i dalluar se kush janë, që të mund të vendosin drejt se kujt t’ia japin votën.