Re: A duhen sabotuar zgjedhjet 2005???
Nano-Berisha: nga rivaliteti në dualitet
Adri Nurellari
Botuar tek gazeta Shekulli
Çështja që po gumëzhin më shumë në opinionin publik sot është ajo e debatit të shumëpritur mes Nanos dhe Berishës. Thua debati mes dy liderëve na paskësh qenë një traditë e konsoliduar e realitetit politik shqiptar dhe mosbërja e tij duhet konsideruar një fyerje ndaj publikut shqiptar. Imponimi i modelit të debatit mes liderëve është thjesht një imitim artificial i radhës që i bëhet pa vrarë mendjen shumë modeleve perëndimore. Para pak kohësh ndodhi e njëjta situatë kur u pretendua nga opozita shqiptare që ajo të paraqiste qeverinë hije të saj . Refuzimi i kësaj të fundit, edhe atëherë u trajtua sikur të ishte një zhgënjim i madh ndaj aspiratave të qytetarëve.
Mirëpo që të dy këto modele jo vetëm që nuk janë pjesë të traditës apo elementë të domosdoshëm për ne, por në të vërtetë janë modele të papërshtatshme për sistemin tonë politik. Debati mes dy liderëve është një kopje e huazuar nga sistemi politik amerikan i cili është presidencial. Shqipëria nuk ka sistem presidencial dhe zgjedhjet e përgjithshme nuk janë për të zgjedhur mes kandidatëve për president por mes kandidatëve për deputet. Për rrjedhojë përqendrimi i vëmendjes tek debati mes dy liderëve është një digresion nga synimi thelbësor i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. Po kështu qeveria hije është një pjesë e realitetit politik anglosakson që karakterizohet nga sistemi maxhoritar i zgjedhjeve dhe ku partitë e formojnë ekzekutivin pa nevojën e koalicioneve.
Por kush është qëllimi i kësaj këmbëngulje për debat mes dy liderëve politik? Kuptohet që kjo këmbëngulje nuk buron thjesht nga zelli i madh për të imituar modelet që na përcillen nga CNN apo BBC (zelli në këtë rast vetëm shërben për ta amplifikuar përpjekjen) por edhe nga një përpjekje për të përforcuar imazhin televiziv ku Berisha është në debat me Nanon. Ajo që pritet në një debat të njerëzishëm liderësh është që këta të fundit në kushtet e normave të etikës ti thërrasin njeri tjetrit me mirësjellje dhe mbase edhe ti japin dorën për kortezi në fund të takimit. Mjaftojnë këto imazhe për të përforcuar mendimin se Nano e Berisha janë njësoj dhe se ata përfitojnë nga njeri tjetri duke qëndruar në pozicionet që mbajnë. Sipas kësaj përshtypje që është përhapur thellë në mendjet e qytetarëve tanë, politikanët thjesht bëjnë shfaqje në publik duke sulmuar njeri tjetrin por në të vërtetë nuk janë aq armiq me njeri tjetrin. Bile në një vend si ky yni ku konspiracionet dhe dallaveret pas kulisave kanë qenë pjesë përbërëse të realitetit për pesëdhjetë vite, ka mjedis boll fertil për të ndërtuar teori të reja konspiracioni qoftë edhe kur këto janë të paqena. Dhe në rastin tonë vërtitet teoria që thotë se Nano dhe Berisha në fakt janë dakord me njeri tjetrin, dhe larg skenës ata takohen miqësisht me njeri tjetrin.
Ai që në të vërtetë është rivalitet perceptohet si dualitet mes Nanos dhe Berishës. Kjo teori kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në kultivimin e apatisë politike në opinionin publik shqiptar. Fundja pse të shkosh për të votuar në tre korrik, kur si njeri ashtu edhe tjetri janë njësoj dhe vota nuk sjell ndonjë ndryshim. Po ashtu pse të kandidosh e të futesh në politikë, kur gjithsesi fjalën e fundit dhe vendimtare e thotë njëri nga pjesëtarët e këtij “dualiteti”? Amplifikatorët që nxisin përhapjen e kësaj ideje, në mënyrë të pavetëdijshme ose të paramenduar mirë, janë të shumtë dhe të larmishëm. Ato variojnë nga analistët e shumtë të shtypit shqiptarë dhe shkojnë deri tek skeçet humoristike të programit shumë të pëlqyer Portokalli. Janë të shumtë analistët që i mëshojnë nevojës së largimit të dualitetit Nano Berisha si rruga e vetme për të zgjidhur problemet që po has demokracia e brishtë shqiptare. Ky mesazh kuptohet që nënkupton se për sa kohë janë këta të dy liderët kryesorë shqiptar, nuk ka kurrfarë arsye për të votuar a për tu marrë me politikë, pra mbarështon plogështinë politike. Ndërkohë janë të panumërta skeçet ku politikanët paraqiten si të ishin të të njëjtit kallëp por që kur debatojnë në publik bëjnë sikur zihen, e kur fillojnë reklama i flasin njeri tjetrit me dashamirësi.
Është e natyrshme që zgjerimi i apatisë politike do të thotë ruajtje e status quo-së që sot në Shqipëri përkthehet në mbajtjen në pushtet të qeverisjes së sotshme socialiste. Pra përpjekja për ta shndërruar rivalitetin Nano Berisha në dualitet, nuk bën gjë tjetër veçse synon që të nxisë gjendjen e tanishme ku qeveria socialiste mbetet në pushtet. Nëpërmjet këtij dualiteti synohet projektimi i një imazhi mosndryshimi tek opozita e për rrjedhojë synohet dekurajomi i çdo të votuesi të lëkundur që të votojë për opozitën.
Duke theksuar dualitetin Nano-Berisha dhe eklipsuar rivalitetin mes tyre strategët e fushatës së PS-së po bëjnë të mundur fshirjen ose mjegullimin e dallimeve radikale që ekzistojnë mes këtyre figurave kyçe të politikës shqiptare. Këto figura në realitet nuk kanë stil lidershipi, ndershmëri dhe sjellje politike të njëjtë. Njëri vjen nga ish-nomenklatura dhe tjetri është i vetërealizuar pasi vjen nga një familje modeste e veriut. Njëri dallohet për alergjinë ndaj zyrës së punës dhe adhurimit të udhëtimeve kundrejt tjetrit që shquhet për rigorozitet të paepur në punë. Ata dallojnë gjithashtu kur flitet për fizikun, karakterin, etikën, familjen e shëndoshë, përgojimet etj. Por ky dallim dhe rivalitet përforcohet kur merret në konsideratë fakti që ata përfaqësojnë parti politike që janë shumë ndryshe nga njëra tjetra dhe që votohen nga segmente të ndryshme të shoqërisë shqiptare.
Këmbëngulja e partisë socialistë për debatin tregon haptazi interesin qe ka ajo në kuadër të fushatës së saj. Pas tetë vitesh qeverisje, partia socialiste në fushatën e vitit 2005 ka shmangur dhënien llogari për qeverisjen e deritanishme, dhe po aplikon një përqasje më të rafinuar. Së pari qeveria përpiqet që të uli pritshmërinë pasi duke ulur aspiratat e qytetarëve për çështjet kryesore atëherë mund të tolerohet situata negative e vendit për një periudhë më të gjatë nga sa do të tolerohej nëse qytetarët do të kishin pritshmëri të lartë. Sipas saj qeveria socialiste ka arritur maksimumin qe mundej dhe kushdo tjetër që do të ishte në pushtet nuk do të mund të bënte më shumë. Së dyti përpiqet që të nxisë bashkëfajësinë për probleme si korrupsioni, varfëria, krimi etj. duke larguar nga vetja përgjegjësitë që duhet të mbajë një qeveri dhe duke ia kaluar ato edhe opozitës (nëpërmjet retorikës sterile të klasës politike) si dhe mbarë publikut shqiptar. Sipas saj për çfarëdo dështimi apo prapambetje faji është i të gjithëve, ose i klasës politike përfshi këtu opozitës që në realitet nuk ka fuqi vendimmarrëse, ose i shoqërisë shqiptare mbarë që e ka huq të keq këtë punën e korrupsionit e nuk i reziston dot tundimit për të shprehur mirënjohjen e shpërblyer ofiqarët për punën e tyre të mirë. Së treti ka rindezur retorikën e anti-Berishë duke u përpjekur që t’i mveshin liderit të opozitës përgjegjësitë e organizmit të rrëmujës të vitit 1997. Pavarësisht pse rrëmuja e 1997-ës nëse i ka bërë dëm politik ndokujt, atë ia ka bërë Partisë Demokratike duke e hequr nga pushteti. Dhe për ata që nuk e hanë këtë të fundit qeverisë i mbetet në dorë karta e katërt e promovimit të dualitetit Nano-Berisha ose dualitetit PS-PD i cili do t’u mbushë mendjen atyre që janë zhgënjyer nga PS-ja e Nanos, se PD-ja e Berishës nuk është më mirë.