Esperanto në bum
Gjuha esperanto është krijuar 125 vjet më parë. Njerëz që e flasin ka në gjithë botën. Arsyet politike e kanë penguar përhapjen e saj në shekullin e kaluar. Por tani po bëhet gjithnjë e më e preferuar.
Esperanto-Sukses edhe pas 125 vjetësh
Askush nuk e di sa vetë flasin esperanto. Sipas vlerësimeve ata janë nga 500 mijë deri në 2 milionë në gjithë botën. Pjesa më e madhe e tyre jetojnë në Evropë. Në Gjermani duhet të ketë rreth 100 mijë vetë, që zotërojnë të ashtuquajturën "gjuhë e planifikuar". Në vitin 1887, u publikua libri i parë në gjuhën esperanto. Autori dhe krijuesi i gjuhës ishte mjeku dhe filologu Ludwig Lazarus Zamenhof nga Bialystok, një vend që sot i takon Polonisë dhe në atë kohë ndodhej nën Rusi. Ai donte të krijonte një mjet komunikimi, që të lidhte njerëzit nga kombe dhe kultura të ndryshme duke nxitur kështu paqen në botë.
Pengesa politike
Historiani Ulrich Lins
Që kjo gjuhë ka 125 vjet më vonë vetëm disa qindra mijëra idhtarë, ka të bëjë me pengesat politike, thotë historiani Ulrich Lins. Ai ka qenë disa vjet zëvendëskryetar i Lidhjes Botërore të Esperantos. "Gjuha u vlerësua në kohën e Gjermanisë naziste dhe të Bashkimit Sovjetik si e rrezikshme, si mjet subversiv i drejtuar kundër interesave kombëtare të vendit." Esperanto shihej si mundësi për të marrë informacione nga jashtë vendit ose dhënien e informacioneve jashtë. Ky ishte krim në kohën e Gjermanisë nacionalsocialiste dhe Bashkimit Sovjetik. Prandaj esperantistët përndiqeshin, thotë Lins.
Edhe nëse motivet e njerëzve të apasionuar nga esperanto janë të shumëllojta, shpesh ata janë njerëz me shpirt të lirë, kozmopolitë, që i kundërvihen nacionalizmit të tepruar. "Esperanto ka qenë diçka për ata që donin të praktikonin një internacionalizim nga poshtë". Prandaj ata shpesh kanë qenë afër socialistëve dhe komunistëve. Kësaj i shtohet edhe fakti që zbuluesi i esperanto, Zamenhof ka qenë hebre.
"Pas Luftës së Dytë Botërore anglishtja u bë aq e fortë saqë esperanto nuk kishte më shanc", plotëson historiani Lins. Por, që prej disa vjetësh esperanto ka ardhur sërish. Nëpërmjet internetit, mundësitë janë bërë aq të mëdha për njerëzit nga kombe të ndryshme që duan të komunikojnë. Esperanto është një mjet për të kapërcyer pengesat gjuhësore.
Udhëtimi në botë është më i lehtë
Esperanto gjuhë që po mësohet sërish
Këtë mund ta konfirmojë edhe Roland Schnell. Ai është zëdhënës i Shoqatës së esperantistëve në Berlin dhe Brandenburg. Shoqata ka rreth 100 anëtarë. Por, rreth 1000 vetë në rajon janë në gjendje të flasin këtë gjuhë. Dëshira, për të udhëtuar në botë përmbushet më lehtë me esperanton, shpjegon Schnell. "Couchsurfing në esperanto ekziston që në vitin 1974. Me "Couchsurfing" nënkuptohet mundësia që nëpërmjet një rrjeti ndërkombëtar mikpritës, të flesh gratis tek shtëpitë e anëtareve të rrjetit. Kjo lidhet shpesh me njohjen e qytetit nga udhëtarët. Roland Schnell nuk di frëngjisht, por nëpërmjet esperantos gjeti në Francë kontakt tek njerëz të tjerë. Sot, ai di edhe frëngjisht.
Numri i njohësve të esperantos nuk ka rëndësi
Argumenti që esperanto flasin më pak njerëz se për shembull flasin anglisht apo frëngjisht, nuk ka rëndësi. "Numri i njerëzve nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që të ofrohet një mjet komunikimi të cilin mund ta përdorin të gjithë."
Ludwig Lazarus Zamenhof krijuesi i esperantos
Schnell thekson se esperanto i ka treguar gjithnjë vlerat e përdorimit praktik. "Ekziston mundësia që tregtarët e verës, uiskit apo cigareve të bëjnë reklama në gazeta." Reklamat në gazeta sot nuk janë dhe aq të rëndësishme sepse vlera e tyre është në rënie për shkak të internetit. Megjithatë kjo mundësi ekziston. Shoqata e esperantisteve në Berlin, ka planifikuar të shtojë reklamat tek biçikletat që ofron qyteti ekstra. Në Varshavë, biçikletat që merren me qera, kanë një emër në esperanto, "Veturilo". Disa hotele, përdorin emrin "Esperanto" për të treguar karakterin e tyre ndërkombëtar. Nuk është e sigurt nëse kjo do të ndihmojë që të rritet numri i njerëzve që flasin esperanto. E sigurt është vetëm se kjo gjuhë do të ketë gjithnjë njerëz që e mësojnë.