Rasti i dhunshëm shënohet në Shijak, policia arreston agresorin që ndiqte me pistoletë të shoqen

Një tjetër krim brenda familjes është parandaluar në Durrës. Ngjarja e dytë kriminale, me premisë pasoja të rënda brenda anëtarëve të familjes, u arrit të parandalohet nga strukturat e Komisariatit të Policisë së Shijakut, të cilat kanë siguruar të dhunuarën dhe fëmijët e më pas kanë kapur bashkëshortin dhunues. Menjëherë pas marrjes dijeni, rreth orës 23.45 të së dielës, nga bashkëshortja 40-vjeçare e dhunuar, nënë e dy fëmijëve, mbi dhunën e ushtruar nga i shoqi dhe vënien në ndjekje të saj i armatosur, së pari shërbimet kanë marrë në mbrojtje të dëmtuarën dhe fëmijët dhe më pas kanë organizuar punën për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje, duke ndërmarrë edhe masat përkatëse të sigurisë.
Brenda një kohe të shkurtër, policia arriti të kapë autorin e dyshuar, shtetasin Gazmend Banushi, 43 vjeç, banues në fshatin Goxhas të Shijakut, ndaj të cilit në vijim të veprimeve procedurale u krye arrestimi në flagrancë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri, pistoletë model 54 së bashku me krehrin me 4 copë fishekë, një armë gjahu, teke gjysmautomatike, si dhe disa fishekë arme gjuetie. Në deklarimet e saj në polici e dëmtuara ka shpjeguar se pasi është rrahur, kanosur e fyer, ajo dhe vajza e saj nga bashkëshorti, këto të fundit kanë mundur të largohen fshehtas nga banesa duke kërkuar ndihmë në polici. Në ndjekje të tyre, i armatosur me pistoletë është vënë bashkëshorti Banushi, i cili në vazhdimësi i ka kërcënuar në telefon për jetën. Po nga veprimet e para rezulton se dhuna e vazhdueshme në familje e shtetasit në fjalë ka pasur motive tejet banale, pretendime për mosrespektim të anëtarëve të fisit të tij. Banushi u arrestua për veprat penale të “dhunës në familje” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
Parandalimi i kësaj ngjarjeje të mundshme kriminale brenda familjes në këtë fshat të Shijakut vjen pas rastit të ndodhur pak ditë më parë në qytetin e Durrësit, ku me ndërhyrjen në kohë të policisë lokale u arritën të parandalohen pasoja fatale mbi jetën e bashkëshortes dhe fëmijës 15-muajsh nga bashkëshorti dhunues Asllan Hoxha, i cili pas dhunës fizike të ushtruar ndaj së shoqes shtatzënë, tentoi djegien e banesës. Ai u arrestua në flagrancë për veprat penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr, mbetur në tentativë”, si dhe “shtrëngimit ose pengimit për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesë”.
 
Top