Ky ishte thelbi i fjalimit të shumëpritur këto orët e fundit nga Kryeministri Sali Berisha, i cili pritej të dilte në publik pas humbjes që pësoi në zgjedhjet e të dielës.
Me një fjalim të mirëpërgatitur, Berisha deklaroi se do të qëndrojë në Partinë Demokratike për të dhënë kontributin e tij, ndërsa e konsideroi këtë fjalim, jo si fjalim lamtumire, por si një veprim normal pas zhvillimeve të fundit.
Ndryshe nga gjuha
e ashpër politike përpara dhe gjatë fushatës, Berisha i uroi kundërshtarit të tij Edi Rama mbarësi në detyrën e re.
Berisha tha se ky mesazh ishte i vonuar, por e justifikoi këtë duke thënë se e bëri për të respektuar punën e komisionerëve që numëronin votat e shqiptarëve.
Kryeministri theksoi se i bindet verdiktit të sovranit, i cili foli me votë dhe zgjodhi alternativën tjetër.
"Qytetarët votuan alternativën tjetër, sepse kundërshtarët kanë premtuar shërbime shëndetësore falas, ulje të taksave për 95 për qind të popullsisë e këto premtime ne nuk mund t'i bënim dot, sepse ato bien në kundërshtim me barazinë sociale dhe me konkurrencën e ndershme", tha Berisha.
Më tej, me bindjen se PD do të rivijë në pushtet, Berisha u shpreh se në mandatin tjetër do të realizohen të gjitha premtimet e bëra për zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa bëri një panoramim të punës 8-vjecare në krye të qeverisë.Po ashtu Berisha vlerësoi projektin TAP, si historik për fatin ekonomik dhe zhvillimin e Shqipërisë.
Berisha fotografohet nga qytetarët
Kryeministri Sali Berisha është fotografuar për herë të parë në publik që pas datës 23 qershor, paraditen e te merkures, në momentin e lënies së apartamentit të tij pranë “Rrugës së Elbasanit”.
Në shoqërinë e truprojave të tij është drejtuar per ne ambasaden hungareze, ku ka shprehur ngushellimet e tij per largimin nga jeta te ish-kryeministrit te ketij vendi.
Një ditë më parë kryeministri i shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, takoi në presidencë Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Nuk ka asnjë informacion, si nga zyra e kryeministrit ashtu edhe nga ajo e presidentit mbi atë që është diskutuar në takim.
Berisha e përshëndet TAP, por në hartë mungon Kosova
Pas një heshtje tre ditore erdhi edhe reagimi i pare i kryeministrit Sali Berisha ne faqen e tij ne rjetin social Facebook.
Berisha nuk reagoi per humbjen e zgjedhjeve por përshëndeti përzgjedhjen e projektit të gazsjellësit TAP. “Te dashur miq, projekti i gazesjellesit TAP u perzgjodh. Fitoi Shqiperia, projekti i shekullit per ne!!!” shkruan Berisha, ndërsa në hartën e publikuar, Kosova nuk figuron si shtet më vete.
/ Top Channel