Re: Kanuni
Demokracia e 400 derhemëve, apo jo?
Si do të ndiheshe Teuta, mbretëresha ilire, përballë Lekë Dukagjinit? (pranojmë se kanuni është vepër personale e tij edhe pse nuk ka asnjë të dhënë të tillë, por duket se i referohet meqënëse ishte kryezot në feud dhe sedo’ i përkiste vetiu, pa përjashtim. Ishin ligje të feudalizmit dhe disa veçanti, ose tipare anësore nuk ndryshonin shtyllën kurrizore) Dhe nëse ky i fundit do të provonte ta shkëmbente me një lopë, si do të reagonte? Kush nga të dy fiton sot? Kaq budallenj e të paqytetëruar ishin ilirët sa e hyjnizonin femrën duke e mbajtur edhe mbi kokë? Ata burra luftëtarë 2000 vjet më parë, vlenin pak në krahasim me ata të 1500 vjetëve më pas? Nuk e besoj. Ilirët e çmonin femrën dhe ky fakt citohet në histori, madje i jepte përparësi shoqërisë ilire në krahasim edhe me të ashtuquajturat të qytetëruara e mendoj se duhet theksuar nga historianët e studiuesit tanë, për të xhveshur nga truri i shpellarëve të sotëm idenë e barbarisë.
Çfarë vlere ka kanuni?
Që ne kishim ligje - apo që ne kishim ligje më të mira se të tjerët?
Çdo formë shoqërore e të gjitha niveleve ka qënë drejtuar nga ligje, të shkruajtura ose jo, varej nga shkalla e qytetërimit dhe nuk ka rëndësi forma (boja e kinës) por rregullimi i jetës, funksionimi i tij dhe të ekzistuarit e shoqërisë, lëvizja e mekanizmit të saj, çuarja përpara dhe jo ndryshku. Në këtë prizëm, nuk kemi asnjë epërsi me kanunin. Një grup shoqëror drejtohet në mënyrë të natyrëshme. Sado i prapambetur qoftë, në mënyrë instiktive kur krijohet shoqëria, i mbart në vetvete ligjet, si diçka e brendëshme, arsyet që nxitën krijimin. Më pas flasim për moral.
Kanuni nuk lindi në mungesë të shtetit. Çdo thënie e tillë tregon njohuri të cekëta për ndërtimin e shoqërisë. Përderisa kishte pabarazi brenda shoqërisë në shkallë vertikale, ajo patjetër do të manifestohej edhe në rrafsh. Kjo do të thotë se ishte feudali por ishte edhe bujkrobi ose fshatari që detyrohej. Feudalit nuk i binin të mirat nga qielli. Dikush robtohej në punë për të, ose i paguante në formën e taksave. Këto janë shembuj të ekzistencës së shtetit. Në kushtet e shqiptarëve ndoshta situata ishte dyfish e rëndë nëse kemi parasysh realitetin pushtues. Shqiptarët nuk ishin as në kushtet e indianëve të Amerikës që sikundër shkruante Amerigo Vespuçi te letra e tij kaq e njohur Mundus novus (Bota e re) : ... “ata (indianët – shën. im) s’kanë rroba (...) sepse s’kanë nevojë; s’ka asnjë pasuri private, të mirat janë të përbashkëta. Jetojnë pa qeveritarë dhe çdonjëri është zot i vetes... jetojnë sipas natyrës...”
Pra, kanuni provon që ne kishim ligje, qoftë edhe të pashkruajtura, por asnjë epërsi mbi legjislacionet ose ligjet e popujve, të tjerë nga përmbajtja. Përkundrazi nëse vërejmë rolin e femrës aty, është fyes, barazohet me sendin, mallin për shkëmbim madje nëse vritej (dhe mund) zhdëmtohej me një lopë. Harron Teutën, harron Rozafën, Argjironë, etj, gjë që nuk e bënë ilirët. Gjë që rrezikojmë ta bëjmë ne.
* * *
Kur përmendet Rusoi, duhet pasur parasysh se ai flet për një barazi njerëzore dhe jo një barazi 400 qind derhemëshe, vetëm për burra, të quajtur madje kaq demokratike. Dhe nëse flasim për Rusonë duhet ditur se në veprat e tij i drejtohet përgjithësisht Romës. Arsyeja? Është e kuptueshme; që aty e ka nismën çdo legjislacion modern. Madje jo më kot të gjithë studiuesit e kanunit mundohen ta inkuardojnë atë, të gjejnë përputhje me të drejtën romane për ta bërë sa më modern e të gëlltitshëm, për të zbutur atë nënkuptim egërsie që e le si mbresë. E drejta Romane tutelonte jo vetëm shoqërinë njerëzore por kishte edhe një status juridik për kafshët, bazuar mbi dy teoritë sunduese të kohës, ajo pitagorike dhe aristoteliane.
* * *
Mendësia e shqiptarit ka ngatërruar gjithmonë idenë e përparimit me rezultatet e përparimit. Kjo ka pasur e do të ketë pasoja të rrezikëshme që cënojnë ekzistencën e kombit, që pengon e do të zvarritë ecjen përpara dhe ngritjen në atë nivel që i takon një populli me qytetërim të vjetër, më të vjetrin në Europë, përndryshe do të na bëjë objekt talljeje sikundër është majmuni përballë njeriut dhe njeriu përballë mbinjeriut, nëse perifrazoj Zarathustrën e Niçes. Mendimi se duhet të vrasim përderisa nuk funksionon shteti apo ulurimat që shikojnë rrezikun e prishjes së familjeve nëse nuk i japim “via libera kanunit”, janë rikthim i shtazërisë. Përpjekje të tilla janë të diktuara nga një imagjinatë e sëmurë që e sposton situatën e vendit në një boshllëk (mungesë shteti) ku të legjitimohet pse jo edhe të diktohet si nevojshmëri dilema e kotë që vetëm për analogji të kujtojnë fakte historike të lashtësisë. Megjithatë Platoni nuk pranoi t’u shkruajë, ose japë ligje Arkadëve sepse e njihte mirë atë popull të pasur, pra s’mund t’u afronte diçka më shumë se ç’ishin ata vetë, ose një domethënie tjetër, e kundërt, ajo e Kretës, kur ligjet e mira ishin te një popull jo i tillë, që nuk i meritonte ato, por ishin diktuar nga Minosi për të dominuar veset. Në të gjitha gjasat, Rusoi thotë te vepra e tij “Kontrata shoqërore” kapitulli i tetë: “Para se të ngrejë një ndërtesë, arkiteti shqyrton më parë terrenin për të parë nëse e mban ngrehinën. Kështu bën edhe legjislatori...” Duke parë rrethanat historike dhe gjendjen e tokave arbërore të kohës, mund të pohojmë se shqiptari atë kohë kishte nevojë për një çlirimtar dhe jo padron. Kishte nevojë për një Skënderbe dhe jo bajraktar. Kanuni u dha të dytin e jo të parin sepse e pranoi indirekt pushtimin si fakt dhe kërkoi rregullimin e jetës brenda atyre kushteve, asaj guaske mbështjellëse sikundër ishte pushtuesi turk. Dhe që sot jep iluzionin se e mbrojti jetën e shqiptarit, e konservoi atë në të gjitha traditat etj, gjepura të këtij lloji, sikur shqiptari nuk kishte mijëra vjet mbi këtë truall. Edhe sikur ta kishte luajtur këtë rol me të vërtetë, pesë shekuj më parë, a ka të njëjtën vlerë sot? apo sikundër e tregojnë faktet, po ndodh e kundërta, është pezmues, një faktor jo qytetërues e pengues. Të qenët në demokraci është një mundësi për të vlerësuar çdo mendësi, por jo për të jetuar çdo e tillë. Sepse edhe një demokraci ka një bosht që vërtitet rreth të cilit mblidhet lëmshi, përndryshe biem në anarki, nuk kemi për të endur kurrë diçka. Sot, edhe pse në rrethana krejt të kundërta po vihet re i njëjti fenomen. Domethënë kanuni jeton fare mirë. Nuk është mungesa e shtetit që e shndëron në një faktor gjenetik, është mendësia që, vjedhurazi, edhe pse sytë i ka përpara ecën mbrapa si gaforrja.
Unë do të pranoja e justifikoja barbarinë e sërbëve, sepse si popull hynë shumë vonë në qytetërim dhe u duhej të imitonin që nga feja e deri në ndërtimet, të përvetësonin e vidhnin nga vendasit gjithçka, që nga mënyra e të kënduarit e deri te zakonet, apo veshjet, ose historinë në raste të veçanta e personazhe të saj. Gjë që realisht, sikundër treguan faktet rezultoi zhgënjyese për sërbët vetë, sepse bota e qytetëruar u tregoi vendin, nuk i mori parasysh çfarë ata për mburrje i dedikonin vetes. Por unë nuk do t’ja falja kurrsesi një populli kaq të vjetër si yni dëshirën, madje kënaqësinë për të bashkjetuar me të keqen sikundër bën kur i mundëson kanunit jetesën.
Kur dhemb dhëmbi dhe shkon te dentisti, gjatë kohës që pret, dhimbja pakësohet, thuajse pushon dhe je gati të shkosh, madje ndodh që ikën. Ka qënë një skeç në estradën e Shkodrës dikur. Pacienti i kërkoi dentistit fotografinë. Pse? - e pyeti dentisti. Sepse sa herë të shikoj ty, më pushon dhimbja, - u përgjigj tjetrit, - duke pasur fotografinë me vete, kur të më fillojë dhimbje dhëmbi, mjafton ta shikoj fytyrën tënde...
E keqja mbetet sidoqoftë sepse dhëmbi nuk kurohet.
* * *
Pasojat?
Reality TV më i madh që ka parë ndonjëherë historia e botës moderne, dhjetra mijëra familje të ngujuara. Tragjedi fëmijësh nën përkujdesjen e “Big Brother” që s’mund të ndjekin shkollat, që s’mund të luajnë me shokë e shoqe, që kanë humbur fëmijërinë dhe të drejtën për të ëndëruar sepse spiunohen nga gryka e pushkës që përgjon e fshehur pas një ferre.
A flitet për kanun? Flitet është pak, zbatohet, është rikthyer sikundër mumja (e kini parasysh filmin?) dhe po shkreton jetën. Lexoja një shkrim të Flutura Açkës nëse nuk gaboj; nuk ka asnjë pikë dyshimi që tashmë është strukturuar plotësisht si istitucion, me njerëz që merren me zbatimin e tij, me njerëz që paguhen sepse luajnë rolin e parashikuar sipas kanunit, të ndërmjetësit etj. Kjo është të krijohet një shtet brenda shtetit, një shtet mbi shtet, por jo si revoltë, as si boshllëk, por si kthim mbrapa, shumë kohë mbrapa - regres. Natyrisht, një klase politike të korruptuar, sikundër ajo shqiptare, i shërben diçka e tillë, madje edhe e nxit heshtur, sepse mund të spekullojë lehtësisht, të vjedhë e pasurohet në mënyrë të paligjëshme, të “argumentojë” krimin në përgjithësi e veçanti sikundër ndodh. Sa për shembull: edhe një vrasje politike mund ta motivosh si hakmarrje familjare, për diçka të ndodhur... Ka vetëm një rrugë për të shpëtuar nga kjo kolerë: Kriminalizimi i njerzve që merren me të, jo vetëm ata që vrasin, por edhe ata që ndjekin mbarëvajtjen e zbatimit të normave e rregullave të tij, duhen dënuar rëndë. Sa më shpejt aq më mirë, përndryshe dëmet do të jenë të pallogaritëshme, pse jo edhe të pariparueshme. Më keq, do të vuajë padrejtësisht edhe ajo pjesë e shqiptarëve dhe e vendit që shikon te kanuni një fakt historik, që pranon ekzistencën e dikurëshme të tij, por jo ringjalljen e sjelljen në kohën e sotme e aq më keq zbatimin.
Sepse... të barazosh femrën me një send apo kafshë është vërtet mizori. Nuk ka shoqëri që të ecë përpara duke hequr zvarrë vetveten, dmth gjysma e trupit të quajë të pavlerë gjysmën tjetër. Shoqëri e gjymtuar.