Loja e shahut dhe dhëmbët e qumështit
Nga E.I.
Në lumin e deklaratave emocionale, në zellin e njerëzve që të ngjeshin shuk në vesh të vërtetat e tyre dhe që t’i shtyjnë aq sa të dhemb veshi, ndihem si i dehur, i trullosur dhe pa një foto të qartë të asaj që po ndodh apo do ndodhë. Por ajo që duhet, ajo që bëhet, apo duhet bërë në të tilla raste është të ulesh diku, të nxjerrësh gjithë tufën e lëmshosur të mendimeve dhe të fillosh e t’i hekurosësh, t’i palosësh edhe t’i rifusësh të pastra në sirtarët e mendjes.
1. Së pari pse ndodhemi në një tension të dhunshëm?
A. Ndodhemi në një situatë të tillë sepse Rama deklaroi që do të bënte një protestë popullore ku nuk përjashtohej edhe përdorimi i dhunës.
B. Sepse Berisha tha që “unë nuk e ha presionin dhe provoje po nuk të thyeva në mes”.
2. Po pse Rama përfundoi në një protestë të dhunshme dhe pse Berisha ju përgjigj me dhunë?
a. Rama nuk ka më rrugë tjetër legale për të përdorur në të drejtën kushtetuese si forcë korrigjuese dhe alternuese e qeverisë.
b. Berisha nuk mund bëjë asnjë lëshim, pasi rrezikon pushtetin, por edhe lirinë si pasojë e një sërë shkeljesh ligjore të faktuara apo të dyshuara.
3. Pse Rama nuk kishte më rrugë legale për të përdorur në të drejtën kushtetuese si forcë korrigjuese dhe alternuese e qeverisë dhe pse Berisha rrezikon pushtetin dhe lirinë?
a. Sepse Rama (nënkupto Opozita) nuk mund të korrigjojë asgjë nga devijancat e kundërligjshme të qeverisë apo qoftë edhe kundër thjesht interesit të qytetarëve, pasi të gjitha mjetet e parashikuara kushtetuese janë delegjitimuar dhe çmontuar nga Berisha (nënkupto Berisha). Parlamenti është nje instrument i papërdorshëm dot nga opozita, por edhe kur për shans Jozefina, Berisha, ministrat, deputetët pashkak, deputetët me lekë, Berisha, Berisha etj. janë lodhur dhe i vjen radha ndonjë opozitari të flasë, për të bërë ndonjë deklaratë serioze apo denoncime, fjala e tij fillon e çmontohet dhe zhvleftësohet ende pa rënë dot në vesh. Fillimisht nga deputetët zhurmues dhe pastaj nga kombinati metalurgjik i medias qeveritare që shkrin fjalët “e pista” të opozitës dhe nxjerr floririn llagar të qeverisë (që iu bëftë populli, iu bëftë). Së dyti gjykata është e paaksesueshme nga opozita pasi jo vetëm që ndodhet nën presionin e influencave dhe të dhunës nga ana e Berishës, por edhe sepse që të arrish atë duhet më parë të marrësh një vulë tek prokuroria që me sa duket e ka mbyllur dyqanin për inventar dhe kthehet pas pesë minutash. E çfarë i ngelet të shkretës opozitë, të bëjë në mënyrë kushtetuese protesta, demaskime nga konferenca shtypi, greva, performanca teatrale etj. Por edhe këto ia ka zhvleftësuar dhe çmontuar Berisha. Një denoncim ka vlerë kur atë e dëgjon populli dhe revoltohet e voton kundër qeverisë, kur e dëgjon prokuroria dhe e heton, kur e dëgjon qeveria dhe nga frika e dy të parave korrigjohet, kur e dëgjon media dhe e amplifikon që ta dëgjojnë dy të parat, dhe kur e dëgjojnë partnerët ndërkombëtarë dhe për hir të interesave të tyre jo genuine i bëjnë presion qeverisë të korrigjojë kursin. Po siç e dimë prokuroria po bën inventarin, populli nuk ka mjet presioni për shkak të mungesës së zgjedhjeve të lira, qeveria nuk e çan kokën për shkak se dy te parave ua ka shkulur me kohë dhëmbët, media që bën detyrën mbytet nga kombinati metalurgjik i medias qeveritare që edhe kur nuk prodhon flori qeveritar, bën tym dhe zhurmë që as mos shohësh as mos dëgjosh ç’thuhet. Dhe sigurisht partnerët ndërkombëtarë ose realisht nuk kanë më interes ose siç e pamë me rastin e hetimeve të zgjedhjeve (dhe siç po e shohim sot) nuk paskan as këta dhëmbë prej vërteti (imperializmi na paska qenë vërtet një tigër prej letre a thua të jetë e vërtetë???!!!).
b. Sepse Berisha duke qenë steril në qeverisje dhe progres e ka të pamundur të fitojë gara elektorale, në këtë mënyrë është i detyruar të lozi pisët. Prandaj i duhet që të zhbëjë të gjitha ato institucione dhe mjete kushtetuese të cilat mund ta dënojnë apo ta heqin nga pushteti. Në këto kushte ai ka qenë mjaftueshëm finok për të kuptuar që këtë nuk e bën dot pa stimuluar grupe të pamoralshme biznesi, politike, dhune me të cilat ndan pjesë të plaçkës së luftës që janë taksat dhe pronat publike. Por duke bërë këtë sigurisht që ka lënë gjurmë, gjurmë që pavarësisht ustallëkut janë aty, gjurmë që një rotacion pushteti mund t’i zbulojë, gjurmë që një drejtësi e çliruar mund t’i dënojë. Berisha herën e pare hëngri dhe piu në sofrën e popullit dhe duke bërë sikur “ashtu ishte një punë”, iku pa paguar. Sot po do të bëjë të njëjtin film, po populli e ka kapur për xhakete dhe me sa duket iu kujtua dhe gostia e parë ku ai nuk pagoi. Këtë Berisha e ka ndjerë, këtë Berisha e di. Në thelb reagimi i tij nuk vjen nga frika se humb pushtetin, por nga frika se pleqërinë mund ta kaloje në azil (jo të pleqve) ose në burg.
Pra jam pak më i qartë. Por çfarë do të ndodhë?
Se çfarë do të bëjë Rama unë e di, sepse ai i referohet një linje logjike të veprimit, mënyra sesi do të shfaqet do të jetë me pikëpyetje. Varianti më i mundshëm është që opozita do të vazhdojë protestat duke marrë përherë e më shumë konsensus publik dhe duke pritur që rrëshqitja e Berishës të vijë vetvetiu. Një skenar më luftarak i paqes do të ishte tërheqja e PS-së nga institucionet duke shkuar drejt një mosbindjeje totale civile dhe duke lënë Berishën të pushtojë të gjitha institucionet përfshirë edhe pushtetin lokal gjë që automatikisht do të çojë në rënien e tyre, pasi e dimë që Berishës ia ka qejfi t’ua hipi, po me sterilitetin e tij nuk mund t’i ...... zotërojë
Por sigurisht asnjë veprim i Ramës nuk vendos më se ç’do të bëhet, pasi loja është e Berishës. Dhe Berisha e ka treguar që është një shahist i paparë, ai lëviz filin në një sektor, sakrifikon torën, ha kot më kot ushtarë dhe ndërkohë të gjithën e ka tym se është duke tentuar matin nga krahu tjetër. Aktualisht të gjithë kujtojnë se Berisha kërkon të mbajë me dhunë pushtetin, unë mendoj se shahisti është duke bërë të kundërtën, unë mendoj që i frikësuar nga ajo çka thashë më sipër humbja e lirisë, ai është duke kërkuar destabilizimin dhe tërheqjen e opozitës drejt dhunës duke e provokuar vazhdimisht. Pse? E para sepse një krizë do ta rifaktorizonte si përfaqësues të njërës nga palët ndërluftuese, e dyta sepse argumenti i marrjes së pushtetit me dhunë do t’i garantonte jo vetëm ndenjjen në krye të opozitës së ardhshme dhe paprekshmërinë ligjore si një lider i një grupimi të madh politik, por edhe destruktivitetin në opozitë që do paralizonte qeverinë Rama duke e çmontuar edhe mitin Rama si administrator i suksesshëm. (ndërkohë mos harrojmë gropën e borxheve dhe ekonominë në greminë që do ia lërë njëlloj siç ia la Nanos). Dhe e treta, që është ajo lëvizja e fshehtë, Berishës i duhet jo më shumë se një ditë kaos dhe anarki e stimuluar nga opozita për të bërë atë që u bë edhe në 97, djegien e arkivave të privatizimeve, të pronave, të zgjedhjeve e të gjitha ato dokumente apo gjurmë që janë lënë prej tij apo bashkëpunëtorëve në ndarjen e plaçkës që përmenda me lart. Dhe pas kësaj do shohim dritën e zgjedhjeve të reja dhe në këtë moment do të vijë edhe lëvizja e Berishës për ristrukturimin e imazhit duke u imponuar si shpëtimtari i Shqipërisë nga gremina, do të shes LSI-në dhe Metën mbase edhe duke e burgosur për të hequr koston e korrupsionit dhe për te rifituar imazhin e liderit të papërlyer (ja pra sa të këqij këta socialistët, këta gjarpërinj në gji, këta na e kanë përlyer qeverisjen, jo ne). Dhe si një shirit i stërmadh derri do të vazhdojë të jetojë në stomakun e shqiptareve duke ju ngrënë ushqimin dhe duke mos i lënë të shëndoshen.
Por a është kjo ajo që do të ndodhë? Me sa kuptova, kjo varet nga populli nëse populli do mund të ushtrojë sovranitetin e tij duke bërë atë që vendet perëndimore kanë bërë kohë më parë, të ndërgjegjësohen dhe të civilizohen duke kaluar nga flaka purifikuese e revoltës. Është e vërtetë që jemi në shekullin e 21 dhe dhuna për shoqëritë e civilizuara nuk është më e pranueshme, por fakti është që ne nuk jemi një shoqëri e civilizuar. Prandaj ne duhet të kalojmë jo domosdoshmërisht edhe nëpërmjet revoltave, dhunës por jo duke e lënë ato në mes apo pa kokë si në 90 apo 97, por duke dhënë dënime shembullore për ata që kanë dhunuar, uzurpuar dhe shkretuar shtetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne nuk mund të imitojmë apo të ndjekim shoqëritë e civilizuara duke kapërcyer etapat dhe pa bërë eksperiencat tona. Ne duhet të na bien njëherë dhëmbët e qumështit (apo t’i shkulim vetë edhe me dhimbje) nëse duam që të na dalin dhëmballët e pjekurisë.