Nis konkretizimi i projekteve të ndërhyrjes në Qarkun e Shkodrës dhe kaskadën e Drinit
Firmoset marrëveshje për thellimin e Bunës
Shqipëria dhe Mali i Zi nënshkruan dje marrëveshjen që i hap rrugën projektit të ndërhyrjes në thellimin e lumit Buna. Këtë fakt e konfirmoi Kryeministri Sali Berisha, i cili garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të eliminuar përmbytjet në zonat veriore të vendit. "Ne nënshkruajmë sot marrëveshjen me Malin e Zi, në mënyrë që të ndërmarrim ndërhyrje të përbashkëta në lumin Buna, pasi, siç dihet, baseni ujor i liqenit dhe i Bunës ndahet nga të dy vendet. Pra, qeveria po bën gjithçka", u shpreh Berisha. Gjithashtu kryeministri theksoi se, qeveria shqiptare tashmë i ka gati projektet e ndërhyrjes tërësore në të gjithë zonën e Shkodrës. Sipas tij edhe By Pass-i i Shkodrës me një gjatësi prej 13 km do të jetë një mbrojtës për qytetin e Shkodrës. "Lidhur me problematikën e zonave të përmbytura, unë dua t'iu sqaroj se qeveria disponon tashmë projektet e ndërhyrjes së fuqishme tërësore në të gjithë zonën e kompleksit mahnitës tokësor- ujor të Shkodrës, NënShkodrës, kaskadës së Drinit. Mbi bazën e këtyre projekteve kompanitë më serioze kishin filluar rindërtimin dhe konsolidimin e argjinaturave në NënShkodër. Ndërkohë, projekti i By Pass-it të Shkodrës, i cili më parë ishte projekti i një autostrade, tani është shndërruar në projektin e një autostrade dhe njëkohësisht argjinature, me gjatësi 13 kilometër, që do të mbrojë qytetin nga përmbytjet, nga liqeni, por edhe një kanal shoqërues që do të bëjë të mundur evadimin e ujërave që dredhen nga qyteti drejt liqenit", theksoi ai. Përsa i përket ndërhyrjes në kaskadën e Drinit të Zi, kreu i qeverisë njoftoi se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës, i cili sipas tij është projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për disiplinimin e Drinit të Zi. "Ju e dini se një vit më parë qeveria vendosi të ndërtojë Hidrocentralin e Skavicës si të vetmen vepër hidroenergjetike publike. Unë mund t'iu them se pas një problematike të pamohueshme që ka pasur në fund të vitit të kaluar lidhur me interesin e kompanive për shkak të krizës financiare, pas marrjes së vendimit nga qeveria për ta ndërtuar atë si vepër publike, interesi është shumë i madh dhe ne do të bëjmë çdo gjë që edhe ky projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për disiplinimin e Drinit të Zi, sepse Skavica ndërtohet mbi burimin e Drinit të Zi, të nisë sa më shpejt të jetë e mundur. Grupe të fuqishme financiare evropiane, aziatike, etj., kanë shfaqur interes për ta financuar atë. Ne jemi në fazën e përzgjedhjes së projektit më optimal. Natyrisht, projekt i cili do të parakuptojë digë rregullatore, në mënyrë që krahas prodhimit të energjisë të shërbejë edhe për mbrojtjen e Shkodrës, NënShkodrës dhe zonave që përmbyten", u shpreh Berisha. Ndërsa iu përgjigj interesit të gazetarëve nëse është dakord me propozimin e kryesocialistit Rama për një bashkëpunim më të madh në Parlament, duke bërë tri propozime, një studim për deltat e lumenjve dhe rishikimin e buxhetit të 2011, Kryeministri Berisha e komentoi propozimin e tij nëpërmjet një barsalete. "150 vjet më parë, Knjaz Nikolla, nga Mali i Zi, priti një mik në oborr dhe i tha që do të rrish 2-3 ditë këtu si mik i imi. Ai u ndie i konfortuar në oborrin e Knjazit. Ditën e dytë ai i thotë - unë jam punëtor, nuk rri dot pa punuar. Knjazi i thotë - unë të kam mik dhe nuk ka nevojë të punosh, je në oborrin tim dhe je miku im. Pasdite ai i thotë përsëri Knjazit - Unë nuk rri dot pa punë, më hanë duart. Knjazi i thotë - po mirë, dil e shëtit në oborr, shih ndonjë zanatçi çfarë bën dhe ti bëj atë që të mundesh. Ai shëtiti dhe gjeti dikë që çante dru dhe i thotë - po të ndihmoj. Mirë, - i thotë ai, - urdhëro sëpatën. Jo, jo, - i thotë ai, - sëpatës bjeri ti, unë po bëj 'ëh'", u përgjigj Berisha për angazhimin e Ramës për përmbytjet në veri të vendit.
Kreshnik MERSINLLARI
rilindjademokratike