
Carroll Quigley (1910 –1977) është historian amerikan dhe teoricien i evolucionit të qytetërimeve. Shquhet për punën e tij si pedagog në Universitetin e Georgetown-it, për botimet akademike dhe për kërkimet në lidhje me shoqëritë sekrete. Quigley u lind në Boston dhe ka studiuar Histori në Universitetin e Harvard-it, ku bëri Masterin dhe më pas Doktoraturën. Ka dhënë mësim në Universitetin e Princeton-it, në Harvard dhe më vonë në Shkollën e Shërbimeve të Jashtme në Universitetin e Georgetown-it nga viti 1941 deri në vitin 1976.
Në vitin 976 pas Krishtit, komunitetet ishin bërthama kryesore e jetës dhe përvojës së njerëzve, të cilat kontrollonin sjelljen dhe përcaktonin jetën e tyre (kontroll dhe vlerësim e quaj unë) në nivele fetare, emocionale dhe shoqërore. Ata kishin besime fetare, kishin lidhje shoqërore dhe emocionale me njerëzit që i kontaktonin çdo ditë. Kjo ishte bërthama e jetës së tyre. Gjëja më domethënëse ishte se këto kontrolle dhe vlerësime ishin përvetësuar nga njerëzit: ata ishin ajo që kishin përftuar në një masë shumë të madhe në katër ose pesë vitet e para të jetës së tyre. Kur një fëmijë lind, ai nuk është një person(alitet), por një qenie njerëzore. I gjithë potenciali që ai ka është vetëm i tij. Kur dikush bëhet një personalitet, ashtu si ti dhe unë, ai karakterizohet nga disa tipare, të cilat ai nuk i ka pasur, por i ka përftuar si rezultat i një përvoje shumëvjeçare.
Arsyeja pse ata arritën të përparonin në vitin 976 pa pasur nevojën e një shteti, ishte për faktin se të gjitha kontrollet domethënëse ishin përvetësuar. Mora si shembull vitin 976 pasi, edhe pse Qytetërimi Perëndimor ekzistonte dyqind vjet përpara, ai nisi të zgjerohej pikërisht në vitin 976. Me këtë dua të them se prodhimi i të mirave materiale për person në ditë dhe në vit filloi të rritej. Ajo çfarë nënkuptoj me zgjerim është: rritja e prodhimit për frymë, rritja e njohurive, rritja e hapësirave gjeografike për vetë qytetërimin, dhe rritja e popullsisë. Kjo filloi në vitin 976 dhe ne do të përqendrohemi veçanërisht tek niveli ekonomik. Zgjerimi ekonomik ishte arritur kryesisht nga specializimet dhe shkëmbimet: në vend që të përpiqeshin për të kënaqur nevojat e tyre personale, grupet nisën të përqendroheshin dhe, për shembull, të prodhonin lesh dhe ta shkëmbenin atë me mallra të tjera. Procesin e rritjes së specializimit dhe shkëmbimit, që është baza e zgjerimit të qytetërimit tonë, unë e quaj komercializëm. Për aq kohë sa shoqëria po zgjerohet, procesi i komercializimit do të vazhdojë ashtu siç ka vazhduar për një mijë vjet në shoqërinë tonë. Kështu, sot gjithçka është komercializuar: politikat, fetë, edukimi, ideologjitë, besimi, armatimet. Praktikisht, çdo gjë është komercializuar, çdo gjë ka çmimin e vet.
Kur ky zgjerim bie në krizë, kemi një rritje të politizimit. Politizim do të thotë që zgjerimi po ecën me hapa të ngadaltë dhe nuk ka më përpjekje për rritjen e prodhimeve për frymë, ose rritjes së pasurisë, kënaqësisë apo të çdo gjëje që e motivon njeriun gjatë zgjerimit ekonomik, por ka vetëm mobilizim të pushtetit. Ky proces ka qenë i pranishëm në shoqërinë tonë për gati një shekull.
Pastaj, ndërkohë që shoqëria vazhdon të mos bëjë reforma, kemi një rritje të militarizimit. Këtë proces mund ta vësh re në Qytetërimin Perëndimor dhe në historinë e Shteteve të Bashkuara. Në dyzet vitet e fundit shoqëria jonë është militarizuar në mënyrë drastike. Nuk është akoma aq e militarizuar sa ç’janë shoqëritë e tjera, ose sa ç’ka qenë në periudha të tjera të historisë; kemi akoma shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Qytetërimit tonë do t’i duhen edhe ca shekuj, ma merr mendja. Gjërat po ecin më shpejt se në çdo qytetërim tjetër që kam njohur deri më sot, por me shumë mundësi do të na duhen edhe një ose dy shekuj të tjerë.
Ndërkohë që procesi vazhdon, ti bindesh për të tjera gjëra. Unë kam lënë të kuptohen disa prej tyre. Njëra prej tyre është keqkuptimi i kënaqësive. Ti i gjen kënaqësitë e tua (kënaqësitë emocionale, kënaqësitë shpirtërore) jo në një lidhje momentale me natyrën apo me njerëz të tjerë, por me pushtetin, me shëndetin, ose edhe me forcën e organizuar (sadizëm në disa raste): të vrasësh një numër të madh njerëzish në një luftë, në mënyrë të natyrshme, në një luftë çfarëdo.
Së dyti, ajo që ndodh ndërsa procesi vazhdon të ecë përpara, është zmadhimi i distancës së dëshirave me nevojën. Lëvizja e radhës është rritja e konfuzionit mes mjeteve dhe përfundimeve. Përfundimet janë nevojat njerëzore, por nëse i pyet njerëzit se çfarë janë këto nevoja, ata zor se mund të ta thonë. Nga ana tjetër, ata kërkojnë gjithmonë mjetet të cilat ua kanë imponuar (nëpërmjet shplarjes së trurit) që t’i pranojnë. Por është e qartë se metodat që kemi përdorur deri tani nuk po funksionojnë. Historia njerëzore nuk ka njohur kurrë ndonjë shoqëri më të pasur dhe më të fuqishme se sa Qytetërimi Perëndimor dhe Shtetet e Bashkuara, e megjithatë ajo nuk është një shoqëri e lumtur.
Në pikëpamjen përfundimtare të këtij procesi, kontrollet mbi sjelljen ndryshojnë nga nivelet e ndërmjetme të përvojës njerëzore; sociale, emocionale dhe fetare, tek niveli më i ulët; ushtarak dhe politik, ose tek më i larti; ai ideologjik. Bindjet e zakonshme janë zëvendësuar me vendimmarrjet e ndërgjegjshme dhe kjo zakonisht nënkupton një ndryshim të bindjeve të tua personale me vendimet e dikujt tjetër. Në fazën e tij të fundit civilizimi bëhet pothuajse një dualizëm mes pushtetit perandorak totalitar dhe një kulture masive amorfe me individë të atomizuar.
Burimi i informacionit , Mapo.al.