Vrasjet mafioze në Shqipëri, në 6 muaj 11 ekzekutime pa autorë
Në 6 muajt e fundit në Shqipëri kanë ndodhur 11 vrasje pa autor, shumë prej të cilave të tipit mafioz. Viktimat kanë qene biznesmenë, punonjës të shtetit dhe persona me precedentë penale.
Në skenat kriminale nuk mungojnë ngjashmëritë, siç është përdorimi i motorëve dhe i skafandrave nga vrasësit, raporton Vizion Plus.
Më 16 janar, në vendin e njohur si “Bishti i Zhurit” në Rrogozhinë humbi jetën Astrit Gjepali, një eksponent i njohur i botës së krimit. Ky i fundit kishte marrë leje disa ditore nga burgu i Peqinit, pasi ishte dënuar me 25 vjet burg për vrasje. Bashke me të vdiq dhe një person tjetër.
Më 23 janar i kryhet atentat me eksploziv biznesmenit te ndërtimit Xhemal Çela në Durrës. Një dite më pas i lënduari humb jetën në Spitalin Ushtarak pas plagëve të renda që mori gjatë shpërthimit. Pista kryesore e hetimit, ishte aktiviteti si ndërtues, i biznesmenit.
Dy persona mbeten të vdekur dhe një tjetër u plagos me 19 shkurt në Milot. Sipas Policisë persona të paidentifikuar i kanë zënë prit mjetit me te cilin po udhëtonin Klodian Ndreca dhe Taulant Prendi si dhe një person tjetër, duke i qëlluar me armë zjarri.
Atentat ndaj një tjetër biznesmeni ndërtimi, do të ndodhte më 26 shkurt në rrugën “Budi” në Tiranë. Një sasi eksplozivi e vendosur në lokalin e Armando Cekes, ka rezultuar me plagosjen e rendë të tij, truprojës dhe juristit që punonin për të.
Një ditë më vonë, mbrëmjen e 27 shkurtit në Vorë, humbi jetën pas një shpërthimi me eksploziv Baki Xhabafti. Policia ngriti dyshimet se shkak i kësaj vrasjeje mund të jenë bizneset e të ndjerit ose një hakmarrje e trashëguar.
Vrasja e radhës ndodhi në Shkodër. Biznesmeni Ndue Cini u qellua me armë zjarri, në momentin që po i afrohej shtëpisë së tij. Sipas policisë kjo vrasje është kryer nga vrasës me pagesë. Një dëshmitar tha se vrasësit ishin dy persona me motoçikletë.
Sulmi i radhës ishte ndaj kryekomunarit të Farkës, Fatbardh Plaku më datën 25 mars. Por ndryshe nga atentatet e tjera, këtë rast autoret e krimit përdorën antitank për të goditur shtëpinë e tij. Nga sulmi nuk pati lëndime në njerëz, veç dëmeve materiale.
Më katër prill vriten dy persona në fshatin Tapizë në Fushë-Krujë. Njeri nga viktimat ishte Gjin Nika nga Bulqiza, biznesmen kromi në këtë qytet. Por Nika ishte gjithashtu i dyshuar nga policia për një sërë ngjarjesh kriminale, ndër to edhe 2 vrasje.
Më 9 maj në Berat vritet biznesmeni Adriatik Mustafaraj, 52 vjeç. Ai ishte ish-shef i qarkullimit rrugor në këtë qytet. Sipas policisë atentatorët i kane zënë pritë biznesmenit, dhe në momentin qe ai ka dalë nga një lokal është qëlluar për vdekje.
Një person mbeti i vdekur mesditën e 1 qershorit në kryeqytet, pas një atentati ndaj tij me armë zjarri. Viktima ishte Viktor Skeja, 47 vjeç. Ngjarja ndodhi në rrugën “Riza Cerova”, pasi viktima ishte duke dal nga automjeti i tij. Viktima kishte qenë Drejtori i CEZ në Laç dhe mësohet kishte precedentë penal si i akuzuar për trafik droge.
Në 14 qershor në Durrës, humbi jetën Kujtim Dyrmishi, 49 vjeç. Ai ishte bashkëpunëtor biznesi me Xhemal Çelen, biznesmenin tjetër, te cilit iu bë atentat me eksploziv në janar. Vrasja është kryer nga dy persona të maskuar të cilët i janë afruar biznesmenit më motor kur ky i fundit po hipte në makinën e tij.
Për të ardhur së fundmi te vrasja e biznesmenit Artan Santo, i cili u ekzekutua në mënyrë mafioze në zonën e ish-bllokut. Dy persona të maskuar e qëlluan bankierin për vdekje, sipas një skenari tashmë të njohur edhe në krime të tjera: duke e ndjekur me motor e duke u fshehur pas skafandrave. Një rast i ngjashëm u shënua po në zonën e ish-Bllokurt në 24 mars ndaj këshilltarit te Gjykatës së Lartë, Alban Dokushin, që fatmirësisht shpëtoi. Makina e tij u qellua po nga dy persona që lëviznin me motor.
marre nga
http://lajmi.net/